MPJ e Kosovës dhe Shqipërisë funksionalizojnë Sekretariatin e përbashkët

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Valon Murtezaj dhe homologia e tij nga Republika e Shqipërisë, Odeta Barbullushi sot zyrtarisht kanë funksionalizuar Sekretariatin e përbashkët, Kosovë - Shqipëri.

Periskopi.com Lajme

Ideja e këtij Sekretariati ka dalë nga mbledhja e tretë e qeverive të të dyja vendeve. Qëllimi i funksionalizimit të tij ndërlidhet me gjetjen e modeleve më të mira të implementimit të të gjitha obligimeve që kanë dalë nga takimet e përbashkëta të dy qeverive.

Me këtë rast zëvendësministri Murtezaj ka vlerësuar se marrëdhëniet mes dy vendeve, tashmë kanë fituar një dimension të ri, atë të partneritetit strategjik, që i hap rrugën institucionalizimit të marrëdhënieve dypalëshe në çdo fushë.

“Nën optiken e këtij relacioni edhe ky takim i sotëm  para së gjithash rikonfirmon vullnetin dhe angazhimin e përbashkët politik për të forcuar kuadrin e bashkëpunimit të gjithanshëm të dy vendeve tona me synim krijimin e një hapësire të lirë ndërveprimi për idetë, kapitalet, tregtinë, inovacionin, si dhe çdo fushë tjetër me interes të përbashkët”, ka thënë Murtezaj.

Ai ka shtuar se pas mbledhjeve të përbashkëta të të dy qeverive është krijuar një bazë e rëndësishme për ndërtimin e politikave të përbashkëta, në ekonomi, tregti, energjetikë, infrastrukturë, arsim, kulturë, mjedis e fusha tjera me interes dypalësh. Më tej zëvendësministri Murtezaj ka thënë se “të dyja vendet kanë ende shumë hapësira të pashfrytëzuara në funksion të zhvillimit të gjithanshëm”.

Nga ana tjetër, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Odeta Barbullushi, ka vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në fushat si ekonomia, kultura, arsimi, infrastruktura, etj. Sekretariati sipas zëvendësministres Barbullushi është një mekanizëm ndërinstitucional që shërben për bashkërendimin dhe koordinimin./ Periskopi