unnamed-3-10-780x439

Bojkoti i serbëve të zgjidhet pa krijuar tensione në terren

Në tryezën e organizuar sot nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC) në bashkëpunim me Friedrich Ebert Stiftung (FES) në Prishtinë, u diskutua për bojkotin e pjesshëm të institucioneve të Kosovës nga ana e serbëve.

Periskopi.com Lajme

Gjatë kësaj tryeze u tha se ky bojkot është i zgjidhshëm, por duhet vullnet dhe përgjegjësi të plotë.

“Zgjidhja duhet të jetë në kontekst evropian, ndërsa potenciali i tensioneve të sigurisë për këtë shkak nuk duhet injoruar, megjithëse aktualisht nuk është shumë i lartë”, thuhet në njoftimin për media.

Panelistë në këtë tryezë kanë qenë: Sasha Rashiq, ish-ministër i kthimit, Nexhmedin Spahiu, analist politik, Avni Mazreku, analist politik, dhe Rifat Marmullaku, ekspert i çështjeve të sigurisë.

Burim Ramadani, drejtor ekzekutiv i SPRC-së, deklaroi se bojkoti i serbëve të Kosovës deri më tash ka ndodhur tri herë.

“Pas marsit 2004, pas shkurtit 2008 dhe që nga tetori 2016. Ramadani ka thënë se tensionet nuk duhet injoruar, sikurse që rruga politike për zgjidhjen e çështjes së bojkotit duhet të jetë fokusi kryesor”, tha Ramadani.

Në anën tjetër Sasha Rashiq, ish-ministër i Kthimit, ka thënë se çështja e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe as nuk duhet të jetë kushtëzim dhe as të bllokohet.

“Nuk është bojkot i plotë. Është shumë e rëndësishme që përfaqësuesit politik serb të kthehen në institucione qendrore”, tha Rashiq.

Më tutje, Rashiq tha: “Ndoshta ekziston dëshira që Asociacioni të bëhet diçka si Republika Serbe, por janë vetëm dëshira”.
Nexhmedin Spahiu, ndër të tjera, tha se shqiptarët dhe serbët e Kosovës duhet të marrin përgjegjësitë e plota për jetën në Kosovë.
“Do të këshilloja serbët e Kosovës që sa herë të bëjnë marrëveshje me forcat politike shqiptare në Kosovës le t’i bëjnë ato të hapura dhe publike”, tha Spahiu.

Avni Mazreku, udhëheqës i Kolegjit ISPE, tha se konteksti i zgjidhjes së problemeve politike në Kosovë dhe Ballkan duhet të jetë kontekst evropian.
“Strategjia e BE-së për zgjidhjen e konflikteve në Ballkanin Perëndimor nuk ka qenë shumë efektive dhe duhet të rikonsiderohet”, tha Mazreku.
Kurse, eksperti i çështjeve të sigurisë, Rifat Marmullaku, theksoi se veriu i Kosovës mbetet në gjendje të paqëndrueshme të sigurisë.
“Adresimi i dimensionit të sigurisë kërkon qasje kolektive dhe partneriteti dhe nuk mund të paramdnohet që gama e gjerë e problemeve të sigurisë të adresohet vetëm nga agjencionet e zbatimit të ligjit, respektivisht të Policisë së Kosovës”, tha ai.

Ndërsa, Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz, tha duhet të harmonizohen qëndrimet e të dyja palëve, në mënyrë që të ketë legjitimitet politik.