Krejt çfarë tha Isa Mustafa në Samitin e Sarajevës (Foto)

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë sot në punimet e Samitit të Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, i njohur si “Western Ballkan 6”, i cili u zhvillua në Sarajevë.

Periskopi.com Lajme

Në takim, përveç kryeministrit Mustafa ishin edhe komisioneri i BE-së për Fqinjësi Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn si dhe kryeministrat e Bosnjës dhe Hercegovinës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Alfano.

Kryeministri Mustafa u prit në hapje të Samitit nga homologu boshnjak, Denis Zvizdiq.

Më pas, kryeministri Mustafa ka marrë pjesë në punimet e Samitit, ku para të pranishmëve ka prezantuar të arriturat e Republikës së Kosovës, si dhe ka shprehur qëndrimet lidhur me proceset e mëtejme eurointegruese të Republikës së Kosovës dhe rajonit

Kryeministri Isa Mustafa theksoi se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për agjendën e bashkëpunimit rajonal.

“Jemi të interesuar të lehtësojmë bashkëpunimin tonë ekonomik dhe tregtar, të eliminojnë, të thjeshtëzojmë procedurat burokratike dhe të gjejmë rrugët më të përshtatshme për t’u integruar në tregun unik evropian. Synimi i Kosovës është të jetë pjesë e tregut evropian, ndërkaq me vendet e Ballkanit Perëndimor të lehtësoj dhe përparoj bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar. Tregu i përbashkët, për të cilin po insistohet, qoftë ai unik Evropian, apo një treg i Ballkanit Perëndimor nuk mund të funksionojë pa lëvizjen e lirë dhe për Kosovën pa liberalizim të vizave”, tha ndër të tjera kryeministri, duke folur edhe për të arriturat e Kosovës dhe statistikat e tregtisë të cilat konfirmojnë bashkëpunimin rajonal.

Kryeministri Mustafa, më tutje ka folur edhe për ankesat e bizneseve me procedurat shtesë me disa shtete, që krijojnë kosto të reja.

“Konsideroj se bashkëpunimi ekonomik në vendet e Ballkanit Perëndimor është krucial për arritjen e shumë qëllimeve që janë të shtruara në kuadër të procesit të Berlinit”, tha kryeministri, duke kërkuar që t’i jepet përparësi disa prej aspekteve konkrete që lidhen me lehtësimin e bashkëpunimit ekonomik.

Më tej, duke folur për bashkëpunimin ndërmjet vendeve të rajonit, kryeministri Mustafa tha se Kosova ka marrëdhënie shumë të mira  me shumicën e vendeve të rajonit, duke folur edhe për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-së.

Ndërkaq, kryeministri Mustafa i është kundërpërgjigjur disa çështjeve që janë ngritur në këtë takim nga kryeministri serb, Vuçiq duke i bërë të qartë se ato janë çështje të brendshme të Republikës së Kosovës dhe se nuk do t’i diskutojnë ato çështje me të.

“Disa çështje që u hapën sot këtu nga Vuçiq, i konsideroj se janë çështje të brendshme të Kosovës, ku Kosova ka legjitimitet të plotë të vendosë, prandaj nuk e shoh asnjë arsye që ato t’i diskutoj këtu me juve”, tha kryeministri Mustafa në samit.

 

Më tej, kryeministri Mustafa ka folur për agjendën e konektivitetit, për kompletimin e Autostradës 7, që lidhë Shqipërinë me Kosovën dhe Kosovën me Nishin në Serbi, për fazën e avancuara për fillimin e rekonstruktimit të linjës 10 të hekurudhës që lidhë Shkupin-Prishtinën dhe Beogradin, për themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim të të Rinjve, si një impuls i duhur dhe i kohës, që do të krijonte ura të këmbimit dhe bashkëpunimit rinor, për bashkëpunimin në luftën e përbashkët kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

“Më lejoni të konfirmoj qëndrimin afirmativ të Kosovës në drejtim të ndërmarrjes së hapave të nevojshëm për të lehtësuar tregtinë ndërmjet vendeve tona, në frymën e Marrëveshjes së CEFTA-së, në frymën e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, në frymën Evropiane. Aspiratat për të qenë pjesë e familjes së vendeve të Bashkimit Evropian, janë reale dhe legjitime. Ato nuk lidhen vetëm me faktin që ne i takojmë këtij kontinenti, por me substancën se kemi nevojë të jemi në BE por edhe se BE përfiton më shumë me ne në gjirin e saj, sesa me ne si satelit të saj.

Në fund, dua të theksoj se Republika e Kosovës kërkon përkrahje nga ju që selia e Traktatit të Komunitetit të Transportit të caktohet në Prishtinë. Kosova do t’i përmbushë të gjitha detyrimet administrative për këtë”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Pas përfundimit të takimit, është zhvilluar një konferencë për media, si dhe është lëshuar një deklaratë e përbashkët.

Ndërkaq mbrëmë, kryeministri Mustafa mori pjesë në darkën e shtruar për kryeministrat e Ballkanit Perëndimor të pranishëm në Samitin e Sarajevës.

Gjatë takimeve, është diskutuar për proceset eurointegruese të vendeve të rajonit, për bashkëpunimin ndërmjet tyre si dhe për avancimin e bashkëpunimit rajonal përmes projekteve të ndryshme.

Ky Samit, është mbajtur në kuadër të përgatitjeve për Samitin e radhës të përfaqësuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të BE-së, si vazhdimësi e Procesit të Berlinit, i cili pas Berlinit, Vjenës dhe Parisit, sivjet do të mbahet në Trieste të Italisë.

Fjala e plotë e kryeministrit Isa Mustafa në Samitin e Sarajevës

I nderuar Kryesues i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, nikoqir i këtij takimi, z. Zvizdiq,

I nderuar Komisioner Johannes Hahn,

E nderuara drejtoreshë për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, z. Angjelina Einchorst

I nderuar Ministër i Jashtëm i Italisë, z. Alfano

Të nderuar kolegë kryeministra nga vendet e rajonit,

Zonja e Zotërinj, të gjithë ju të pranishëm.

 

Ju përshëndes në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe e vlerësoj të rëndësishëm këtë takim.

Tanimë, kur jemi në prag të samitit të ardhshëm të Triestes në kuadër të takimeve të rregullta të Procesit të Berlinit, mund të konstatojmë se janë arritur suksese të rëndësishme. Kemi krijuar mundësi për komunikim dhe marrëveshje ndërmjet vendeve tona dhe me Bashkimin Evropian.

Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për agjendën e bashkëpunimit rajonal. Jemi të interesuar të lehtësojmë bashkëpunimin tonë ekonomik dhe tregtar, të eliminojnë dhe të thjeshtëzojmë procedurat burokratike dhe të gjejmë rrugët më të përshtatshme për t’u integruar në tregun unik evropian.

Synimi i Kosovës është të jetë pjesë e tregut evropian, ndërkaq me vendet e Ballkanit Perëndimor të lehtësoj dhe përparoj bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar.

Tregu i përbashkët, për të cilin po insistohet, qoftë ai unik Evropian, apo një treg i Ballkanit Perëndimor nuk mund të funksionoj pa lëvizjen e lirë dhe për Kosovën pa liberalizim të vizave.

Kosova po e implementon Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, si marrëveshje të parë kontraktuale me BE-në.

Kosova ka rritje ekonomike vjetore prej 4 % për dy vitet e fundit, kemi arritur stabilizim makroekonomik dhe stabilitet buxhetor, kurse jemi vendi me pjesëmarrjen më të ulët të borxhit publik në GDP.

Rishikimi i statistikave të ndryshme sa i përket tregtisë me vendet e rajonit, flet se:

–         Rreth 30% e importeve të Kosovës realizohen nga 5 vendet e Ballkanit Perëndimor;

–         Nga vlera e importeve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, ne mbulojmë me eksporte vetëm 19%, që tregon se vendet tjera kanë mundësi më të mëdha që të hapin tregjet e tyre për produktet e Kosovës ashtu siç Kosova ka bërë deri më tani me to.

–         Procedura e importit/eksportit është aq e lehtësuar sa që në 75% të rasteve, ajo përfundon brenda 15-20 minutave si rezultat i përdorimit të metodave si “kanali i verdhë, paperless dhe e-payment” etj. Të ngjashme janë edhe procedurat e tranzitit.

–         Edhe procedurat fito-sanitare, kryhen konform rregullave të BE-së, dhe vetëm një numër i vogël i nënshtrohen kontrollit dhe licencave shtesë.

Në anën tjetër, mund të themi se bizneset tona ankohen kryesisht me procedura shtesë me disa shtete, që krijojnë kosto të reja. Problematike, po ashtu, mbetet zgjatja e procedurave të eksportimit të pemëve dhe perimeve gjatë sezoneve të caktuara, si barrierë jo-tarifore, e në disa situata edhe mos-respektimi i marrëveshjes së CEFTA-së apo mos-respektimi i deklaracionit e të ngjashme.

Prandaj, konsideroj se bashkëpunimi ekonomik në vendet e Ballkanit Perëndimor është krucial për arritjen e shumë qëllimeve që janë të shtruara në kuadër të procesit të Berlinit.

Vlerësoj, se në kuadër të këtij bashkëpunimi ekonomik, duhet t’i japim përparësi:

–         Njohjes reciproke të certifikatave fito-sanitare, të cilat do të rrisnin shpejtësinë e tregtimit dhe do të ulnin koston e tregtisë;

–         Njohjen reciproke të kualifikimeve individuale dhe profesioneve ndërmjet vendeve tona, përfshirë edhe kualifikimet universitare dhe ato të specializuara;

–         Krijimi i pakove të përbashkëta për tërheqjen e investitorëve. Në këtë drejtim, rajoni ynë mund të ofroj edhe pako të përbashkëta turistike.

Bashkëpunimi ekonomik do të ndikoj pozitivisht në avancimin e bashkëpunimit politik ndërmjet vendeve tona. Kosova ka marrëdhënie shumë të mira me shumicën e vendeve të rajonit. Megjithatë, ka raste që ato ende mund të avancohen.

Kosova tani e disa vite me radhë, me ndërmjetësimin e BE-së, zhvillon negociatat për normalizimin e raporteve me Serbinë. Rezultatet e dialogut janë evidente, ashtu siç është evidente edhe nevoja që të punojmë në implementimin e marrëveshjeve të arritura.

Kosova mbetet e përkushtuar për dialog dhe dialogun e shohim pa alternativë.  Kohëve të fundit kemi pasur dy takime të nivelit të lartë në Bruksel, ku jemi  marrë vesh të ulim tensionet.

Disa çështje që u hapën sot këtu (nga Vuçiq) i konsideroj se janë çështje të brendshme të Kosovës ku Kosova ka legjitimitet të plotë të vendosë, prandaj nuk e shoh asnjë arsye që ato t’i diskutoj këtu me juve.

Agjenda e konektivitetit në fakt është vet esenca e konceptit të takimeve të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, si proces i cili e forcon bashkëpunimin rajonal dhe që e nxitë integrimin në Bashkimin Evropian.

Jemi të përkushtuar që të avancojmë në këtë agjendë. Jemi shumë të interesuar për kompletimin e Autostradës 7, që lidhë Shqipërinë me Kosovën dhe Kosovën me Nishin në Serbi. Deri në vitin 2018, do ta përfundojmë autostradën për Shkup, të cilën po e financojmë me burime tona.

Po ashtu, jemi në faza mjaft të avancuara për fillimin e rekonstruktimit të linjës 10 të hekurudhës që lidhë Shkupin-Prishtinën dhe Beogradin. Për këtë projekt kemi zhvilluar procedurat me Komisionin Evropian, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe me Bankën Evropiane për Investime.

E vlerësoj lart edhe themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim të të Rinjve, si një impuls i duhur dhe i kohës, që do të krijonte ura të këmbimit dhe bashkëpunimit rinor.

Bashkëpunim për t’u vlerësuar në rajonin tonë ka pasur gjatë këtyre viteve edhe në luftën e përbashkët kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

As këto dukuri, sikurse krimi i organizuar dhe korrupsioni por dhe ekonomia informate nuk janë dukuri autonome të cilat shfaqen dhe përfundojnë vetëm në një vend. Ato, së paku, eksportohen dhe importohen brenda vendeve tona por marrin edhe karakter më të gjerë. Prandaj, konsideroj se zvogëlimi i këtyre dukurive varet nga bashkëpunimi dhe koordinimi ndërmjet nesh.

Pa dashur ta zgjasë më tutje, më lejoni të konfirmoj qëndrimin afirmativ të Kosovës në drejtim të ndërmarrjes së hapave të nevojshëm për të lehtësuar tregtinë ndërmjet vendeve tona, në frymën e Marrëveshjes së CEFTA-së, në frymën e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimi, në frymën Evropiane. Aspiratat për të qenë pjesë e familjes së vendeve të Bashkimit Evropian janë reale dhe legjitime. Ato nuk lidhen vetëm me faktin që ne i takojmë këtij kontinenti, por me substancën se kemi nevojë të jemi në BE por edhe se BE përfiton më shumë me ne në gjirin e saj, sesa me ne si satelit të saj.

Në fund dua të theksoj se Republika e Kosovës kërkon përkrahje nga ju që selia e Traktatit të Komunitetit të Transportit të caktohet në Prishtinë. Kosova do t’i përmbushë të gjitha detyrimet administrative për këtë.

Ju falënderoj shumë për vëmendjen./ Periskopi

EU Commissioner for Enlargement and Neighborhood policy, Johannes Hahn (4th R) poses for family photo at the begining of “Western-Balkan 6” – Prime Ministers Meeting, in Sarajevo, on March 16, 2017. Commissioner Hahn arrived in an official visit to Bosnian capital to participate in sessions of Western Balkans mini-summit, taking place on March 16-17, in Bosnian capital. Prime Ministers in the photo: Aleksandar Vucic, Serbia (L), Dusko Markovic, Montenegro (2nd L), Edi Rama, Albania (3rd L), Denis Zvizdic, Bosnia and Herzegovina (4th L), Emil Dimitriev, Former Yugoslav Republic of Macedonia (3rd R), Isa Mustafa, Kosovo (2nd R) and Italian Foreign Minister, Angelino Alfano (R).

 

Veseli në Samit: Kosova, faktor konstruktiv i paqes në rajon

Nën organizimin e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, po mbahet në Prishtinë, Samiti i komisioneve për punë të jashtme të parlamenteve të shteteve të Europës.

Periskopi.com Lajme

Në fillim të këtij Samiti ka folur kryetar i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli.

Veseli ka falënderuar pjesëmarrësit nga shtetet e ndryshme europiane për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës ndërsa ka siguruar ata se Kosova është e vendosur në rrugën e saj drejt integrimit europian.

“Jemi të lumtur që shohim se edhe fqinjët tanë ndajnë të njejtën rrugë”, ka pohuar Veseli, njofton klan kosova.

“Kosova ka dëshmuar se është një faktor konstruktiv i paqes në rajon. Funksionojmë me kushtetutë demokratike dhe liberale dhe secili qytetarë i Kosovës, pavarësisht përkatësisë, mund ta ndjejë veten pjesëtarë të shtetit”.

“Kemi ndërtuar raporte shumë të mira me fqinjët tanë, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe jemi të përfshirë në një dialog të përmirësimit të raporteve me fqinjin tonë verior Serbinë”, ka pohuar pos tjerash Veseli.

BE: T’ia dalim të bashkuar ose të dështojmë të veçuar

Presidenti i këshillit të BE-së Donald Tusk ka vendosur një moto luftarake për samitin e BE-së në Maltë. A do ta ndjekin atë të gjitha vendet anëtare? Nëse po, në cilën të ardhme?

Periskopi.com Lajme

“BE-ja nuk është perfekt, por është instrumenti më i mirë, që ne kemi për t’u bërë ballë sfidave.” Këtë fjali e shënuan kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE-së, që mblidhen të premten (03.02) në Maltë, qysh pas takimit të parë pas daljes së Britanisë së Madhe nga unioni në takimin e shtatorit në Bratislavë. Ata duan të prezantohen të bashkuar,e dhe pse britanikët janë larguar nga bordi. Unioni duhet të reformohet, u tha në Bratislavë. Në çfarë drejtimi dhe me çfarë qëllimi, kjo duhet të përcaktohet më së voni në samitin me rastin e 60 vjetorit të themelimit të BE në Romë më 25 mars 2017.

Gjatë takimit në Maltë duhet të hidhet një hap i parë për zbutjen e krizës aktuale të BE-së. Kështu e parashikon plani i miratuar në Bratislavë. Sa i përket çështjes parimore, se si do të bashkëveprojnë në të ardhmen anëtarët e BE-së, deri më tani nuk ka avancim. Ka vetëm disa mendime të pa koordinuara. Megjithatë, sipas diplomatëve të BE-së në Bruksel, asgjë nuk është pjekur për të marrë vendime.

Franca, Gjermania, Belgjika, Luksemburgu, Holanda dhe Italia duan ta thellojnë bashkëpunimin në BE. Polonia, Çekia, Sllovakia dhe Hungaria duan të theksojnë elementin nacional dhe ta sprapsin integrimin brenda BE-së. E pastaj janë vendet jugore, që akuzojnë veriun, se nuk bën sa duhet për rritjen ekonomike. Veriu nga ana tjetër akuzon vendet jugore, se nuk bëjnë sa duhet për të qenë në ekonomi të aftë për konkurrencën. Pavarësisht konflikteve ka ndërkohë grupe që merren me modele të ndryshme, sikurse njoftojnë diplomatët.

Hija e Trump e pranishme

Një sfidë tjetër, që duhet kapërcyer në Maltë, mban emrin Donald Trump. Në sfondin e atakimeve të presidentit të ri të SHBA-së ndaj BE-së, shumë politikanë në Bruksel parashikojnë, që samitin do ta preokupojë mbrojtja nga Trump. “Duhet të jepet një lajm i qartë ndaj qytetarëve në Europë dhe pjesës tjetër të botës, që shtete në BE bashkëpunojnë vullnetarisht. Ne kemi vlera dhe parime të përbashkëta, që ne i mbrojmë ndaj çdo kundërshtari, që do t’i shkatërrojë ato”, thotë eurodeputeti socialdemokrat, Jo Leinen për DW. Natyrisht që duhet të përballesh me figura autoritare si presidenti rus Putin dhe presidenti turk Erdogan, thotë Jo Leinen, por “për fat të keq më duhet të përmend, se edhe Donald Trump, është si një zhgjëndër për shumë në BE.”

Jo të gjithë krerët e qeverive dhe të shteteve të BE-së e shohin me kritikë administratën e re të SHBA-së. Hungaria dhe Polonia mund të përfitojnë diçka prej nacionalizmit të Trump-it. Por presidenti i Këshillit të BE-së, pra kryetari i klubit të samitit, Donald Tusk tërheq vëmednjen, që Trump është “një rrezik për Europën”. Tusk edhe presidentin rus Putin e sheh si një “kërcënim” dhe vazhdimisht i ka kërkuar atij, që të zbatojë armëpushimin me Ukrainën. “Zoti Tusk ka shkruar një letër drejtuar kryetarëve të shteteve dhe të qeverive, në fjalinë e fundit të së cilës thuhet: ‘Bashkë do të rezistojmë, të veçuar do të dështojmë.’ Por si për ironi ky është një citat nga kushtetuta amerikane. Përse duhet ta përdorim ne këtë moto edhe për BE-në?”, këtë pyetje shtron eurodeputeti Jo Leinen në prag të samitit në Maltë.

Samiti i Liderëve të BE-së, thirrje për mbrojtjen e civilëve në Aleppo

Presidenti francez Francois Hollande bëri thirrje për armëpushim në Aleppo për evakuimin e civilëve dhe të plagosurve

Periskopi.com Lajme

Liderët e shteteve evropiane janë mbledhur për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes BE-Turqi, sigurinë, Marrëveshjen e Partneritetit BE-Ukrainë, si dhe çështje në lidhje me Rusinë, Sirinë dhe Brexitin, raporton AA.

Në samitin e liderëve që mbahet në ndërtesën e Këshillit Evropian fillimisht do të bisedohet në lidhje me migrimin. Në këtë drejtim, temë diskutimi do të jetë marrëveshje mes BE-së dhe Turqisë e arritur më 18 mars.

Sipas draftit, në konkluzionin në lidhje me këtë çështje do të theksohet se “Këshilli Evropian ripërtërin detyrimin ndaj marrëveshjes BE-Turqi dhe nënvizon rëndësinë e zbatimit të të gjitha pikave pa dallim.”

 

Ndërkaq, në samit nuk do të diskutohet në lidhje me negociatat për anëtarësimin e Turqisë. Po ashtu, nuk do të përmendet edhe rekomandimi i Parlamentit Evropian për “pezullimin e negociatave për anëtarësimin e Turqisë”.

Në lidhje me migrimin në veçanti do të diskutohet për bashkëpunimin me shtetet e Afrikës. Për parandalimin e valës së migrimit pritet miratimi i ndihmës prej 610 milionë eurosh për Nigerin dhe hapja e rrugës për arritjen e marrëveshjeve të ngjashme me Etiopinë, Malin, Nigerinë dhe Senegalin.

Sa u përket marrëdhënieve të jashtme, temë diskutimi do të jetë Marrëveshja e Partneritetit BE-Ukrainë, Rusia dhe Siria. Liderët do të përpiqen ta bindin Holandën për futjen në fuqi të marrëveshjes për Ukrainën.

Çështja e Rusisë posaçërisht do të futet në diskutim në kuadër të Ukrainës. BE, e cila vazhdon të zbatojë sanksione ndaj Rusisë për shkak të aneksimit të Krimesë, problemeve në Donbas në lindje të vendit dhe zbatimit të Marrëveshjes së Minskut, nuk do të marrë vendim për sanksione për sulmet ruse në Siri.

Do të dënohen Siria dhe Rusia

Pritet që liderët të shfaqin reagimet e tyre për Sirinë. Sipas draftit, në konkluzion do të theksohet se “Këshilli Evropian dënon ashpër sulmet e vazhdueshme në Aleppo nga regjimi i Sirisë dhe aleatët e tij, veçanërisht Rusia, dhe shënjestrimin e qëllimtë të civilëve dhe spitaleve.” Në konkluzion po ashtu do të bëhet thirrje për evakuimin e civilëve dhe largimin e bllokadës. “Ata që shkelin ligjet ndërkombëtare me krime të mundshme lufte do të japin llogari”, do të thuhet në konkluzion.

Situata në Aleppo

Si rrjedhojë e zhvillimeve të fundit, çështja e Sirisë do të jetë pikë e rëndësishme diskutimi në Samit. Duke folur në hyrje të ndërtesës së Këshillit Evropian, presidenti francez Francois Hollande bëri thirrje për armëpushim në Aleppo për evakuimin e civilëve dhe të plagosurve.

Duke folur për sigurinë e civilëve Hollande tha se “Kusht i kësaj është të arrihet armëpushim. Ajo që Këshilli Evropian duhet të kërkojë është armëpushimi, evakuimi i të gjithë civilëve dhe më në fund dialogu politik. Evropa duhet të mundësojë që t’i dëgjohet zëri.”

I pyetur se a do të arrijë BE marrëveshje për çështjen e Sirisë, Hollande tha se “Nëse 28 shtete nuk mund të arrijnë marrëveshje për një problem dhe nuk mund ta dënojnë një masakër, atëherë pse kemi union prej 28 shteteve.”

“Populli i Aleppos nuk ka nevojë për fjalë dhembshurie”

Para samitit, kryetari i Këshillit Evropian Donald Tusk u takua me kryetarin e bashkisë së Halepit pranë qeverisë së përkohshme të Sirisë, Brita Hagi Hassan. Në deklaratën pas takimit, Tusk theksoi se nuk ka gjë për të shtuar ndaj gjërave që janë thënë dhe janë shkruar deri më tani për tragjedinë që po përjetohet në Aleppo.

“Jam i sigurt se populli i Aleppos nuk ka nevojë për fjalë dhembshurie. E vetmja gjë për të cilën sot ka nevojë është një mbrojtje e vërtetë efikase dhe ndihmë për civilët”, theksoi Tusk.

“50 mijë persona presin vdekjen në Aleppin lindor”

Hassan, nga ana tjetër, tha se “50 mijë persona presin vdekjen në Aleppin lindor. Presim qëndrim të fortë nga BE-ja për shpëtimin e civilëve. Kërkoj që kjo të bëhet larg vlerësimeve politike. Gjëja e vetme që duam është armëpushimi.”

“Janë plotësisht të papranueshme gjërat që u bëhen civilëve në Siri”

Ndërkohë, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Marrëdhënie të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, theksoi se vazhdojnë të punojnë për mbrojtjen e civilëve në Aleppin lindor. “Për mbrojtjen e civilëve në Siri është e nevojshme që Rusia dhe Irani t’i plotësojnë detyrimet e tyre. Për ne janë plotësisht të papranueshme gjërat që u bëhen civilëve në Siri. Prioritet i yni është mbrojtja e civilëve”, tha Mogherini.

Duke theksuar se për gjendjen në Siri përgjegjës direkt janë regjimi dhe aleatët e tij Rusia dhe Irani, Mogherini tha se e ndjekin nga afër gjendjen e civilëve në rajonet e bllokuara në Siri, me në krye Aleppon.

Temë tjetër që do të diskutohet në samit do të jetë edhe largimi i Britanisë nga BE-ja (Brexit). Liderët do të vlerësojnë procesin në periudhën para kryeministres Theresa May dhe hapat që do të hidhen tutje.

Po ashtu, lideri i Qipros Greke Nikos Anastasiadis do t’i informojë krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së për zhvillimet e fundit në lidhje me çështjen e Qipros.

Veseli: Do ta përfundojmë çështjen e demarkacionit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli nuk ka dhënë një datë të saktë se kur do të votohet marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, megjithatë ka thënë se kjo çështje do të përfundojë.

Periskopi.com Lajme

Në pyetjen nga përfaqësues të Malit të Zi, në Seminarin e Asamblesë së Përgjithshme të NATO-s që po mbahet në Prishtinë, Veseli tha se nuk kemi asnjë çështje të hapur me Malin e Zi dhe falënderojë këtë shtet që me asnjë dekoratë nuk ka nxitur ndonjë jostabilitet.

Veseli shtoi se duhet të kuptohet se edhe pozita dhe opozita janë të interesuar që të përfundohet çështja e demarkacionit por opozita ka dyshime se vija e kufirit nuk është përcaktuar si duhet.

“Gjithsesi ne do ta përfundojmë këtë çështje dhe me Malin e Zi do të kemi vetëm raporte të mira”, tha ai.

Opozita e paftuar në samitit e NATO-s

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti, ka shfaqur mospajtimin e saj me mungesën e zërit opozitar në panelin e folësve në seminarin Rose Roth të Asamblesë së NATO-s në Prishtinë.

Periskopi.com Lajme

Për këtë çështje ajo i ka adresuar pyetje organizatorit të seminarit, duke e vënë në pah, siç e ka quajtur ajo, lënien anash të opozitës nga ky panel.

“Kur mora agjendën treditore të këtij seminari pashë që të gjithë folësit janë nga pozita dhe shoqëria civile. Por besoj që opozita përfaqëson më shumë se shoqëria civile. Ndaj dua të di pse nuk është e ftuar opozita në panelin e folësve?”

Por pyetja e Dërgutit nuk ka marrë përgjigje më të detajuar se “nuk ka diskriminim për opozitën në këtë seminar”.

Vërehet mungesa e Gjuriqit në Kosovë në samitin e NATO-s

Nënkryetari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Paolo Alli, ka thënë në fjalimin e tij në samitin e NATO-s që po mbahet në Prishtinë se i ka ardhur shumë keq që Shefi i ekipit negociator serb nuk ka ardhur në Kosovë ashtu siç do të duhej.

Periskopi.com Lajme

“Më vije keq që Marko Gjuriq nuk ka ardhur në Seminar”, ka deklaruar Alli.

Gjuriq ishte paraparë që të flasë në Seminarin Rose Roth, që për herë të parë po mbahet në Kosovë.

Pos Gjuriq, në seminar pritet të flasë edhe Shefja e grupit negociator të Kosovës, Edita Tahiri.

Në takimin treditorë me fokus të veçantë, pos dialogut Kosovë-Serbi, do të flitet për perspektiven e Kosovës në lidhje me Unionin Evropian dhe NATO-n.

Ligjvënësit e NATO-s do të flasin po ashtu për situatën, politike, socio-ekonomike dhe të sigurisë në Prishtinë.