RTK

Punësime pa kriter e pa konkurse në televizionin publik

Tri raste të reja të punësimeve pa kritere rëndojnë hijen e dyshimeve mbi menaxhimin e parasë publike në Radiotelevizionin e Kosovës.

Periskopi.com Lajme

Siç ka marrë vesh gazeta, një ish-zyrtar i Auditorit që ka bërë auditim të RTK-së është punësuar aty, ndërsa bashkëshortja e një këshilltari të MPJ-së ka tre vjet që merr pagë pa punuar fare aty, shkruan sot Koha Ditore.

Rasti i tretë është i së bijës së kreut të Komisionit të Pavarur të Mediave, e cila ka nisur punën në RTK pa konkurs fare.

Gazeta ka kërkuar përgjigje rreth këtyre rasteve nga palët e përfshira, por shumica e tyre kanë refuzuar të flasin që nga java e kaluar.

Ndërkohë Kuvendi i Kosovës, si themelues i këtij televizioni publik, nuk e ka votuar rekomandimin për krijimin e një komisioni hetimor parlamentar, kjo pasi partitë në koalicion PDK dhe LDK kanë refuzuar një gjë të tillë.

RTK

PDK e LDK nuk përkrahin komisionin për RTK-në

PDK e LDK nuk propozuan anëtarë në Komisionin Hetimor Parlamentar për RTK-në që “Vetëvendosja” propozoi të formohej.

Periskopi.com Lajme

 

Kërkesa e deputetes Shqipe Pantina e mbështetur nga tetë deputetë tjerë të VV-së, për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për Radiotelevizionin e Kosovës nuk është mbështetur nga PDK e LDK.

Megjithëse deputetët e Vetëvendosjes, të cilët kishin bërë këtë kërkesë nuk ishin të pranishëm në sallë, kërkesa e Pantinës u diskutua si pikë e rendi të ditës.

Sipas kryesuesit të seancës, Xhavit Haliti, partitë opozitare kanë propozuar emrat e tyre, mirëpo kërkoi nga partitë në pushtet që të deklarohen për këtë çështje.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti tha se nuk mund të bëjnë ndërhyrje në televizionin publik dhe se kjo është njëra nga arsyet pse partia që ai përfaqëson nuk ka emra për këtë komision.

“Nuk mund të marrim rol tjetër, aq më tepër tash që jemi në rrugën për gjetjen e formës për financim të RTK-së,” tha Pajaziti.

Ngjashëm foli edhe shefi i partisë tjetër ne koalicion, LDK-së.

Ismet Beqiri tha se janë organet tjera kompetente që merren me këto parregullsi, nëse ka të tilla.

“Ne nuk e shohim të arsyeshme që të jemi pjesë e një grupi hetimor. Po vërejtje, e të debatojmë, por jo në komision hetimor,” tha Beqiri.

Ky komision parashihej t’i kishte 11 anëtarë. Të propozuar nga partitë opozitare janë: Lah Ibrahimaj, Bali Muharremaj, Shqipe Pantina, Driton Çaushi, Enver Hoti.

PDK e LDK do të duhej të propozonin nga dy emra, e Lista Serbe dhe 6+ nga një.

Në fillim të vazhdimit të seancës, deputetët prezentë votuan për zgjedhjen e nga një anëtari në Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Komisionin e Pavarur të Medieve.

Për zgjedhjen e një anëtari në Këshillin Prokurorial të Kosovës votuan 62 deputetë, ku prej tyre 3 vota ishin të pavlefshme.  Kandidati Shemsi Jashari mori 57 vota, ndërsa Naim Krasniqi mori  2 vota.

Sipas kryetares së komisionit, Margarita Kadriu anëtar i KPK-së nuk u zgjodh asnjëri nga kandidatet dhe se konkursi duhet të përsëritet.

Në Komisionin e Pavarur të Medieve u zgjodh anëtar Xhemajl Krasniqi me mandat 4 vjeçar. Kundërkandidat i tij ishte Fehmi Ajvazi.

Po ashtu gjatë seancës me kërkesë të Grupit Parlamentar të LDK-së, deputeti Bardhyl Metaj zëvendësohet me deputetin Salih Morina në Komisionin për Buxhet dhe Financa.

Në rend dite ishte edhe formimi i Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e një anëtari në Bordin e Ankesave të Komisionit të Pavarur për Medie, por në mungesë kuorumi nuk u votua.

vv

VV: RTK-ja ‘Ministri e Propagandës’

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë realizuar një aksion simbolik para objektit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK). Ata e shndërruan RTK-në në “Ministri të Propagandës”.

Periskopi.com Lajme

Marigonë Dervinja aktiviste e VV-së tha se janë mbledhur për ta shpallur ministrinë e re.

“Ne siç e dimë jemi vend shumë i varfër por kemi shumë ministri. Jemi mbledhur për ta shpallur ministrinë e re, Ministrinë e Propagandës që për ministër ka Mentor Shalën dhe zëvendësministër Ridvan Berishën. Mentor Shala së bashku me këtë medium ka hedhur akuza të rënda ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, akuza këto që quan edhe në arrestimin e aktivistëve tanë”, ka thënë Dervinja.

Ajo ka shtuar se ky medium që për detyrë ka të ju shërbejë qytetarëve nuk po e bënë një gjë të tillë, duke e përmendur faktin se tashmë e dy muaj RTK ende nuk e ka realizuar intervistën e premtuar me kryetarin e Vetëvendosjes, Visar Ymerin.

“Ne nuk do të ndalemi deri sa ky medium të lirohet dhe tu shërbejë qytetarëve e po ashtu edhe deri sa të lirohen aktivistët tanë”, ka thënë Dervinja.