Rrustem Mustafa

Remi kërkon të mos ketë justifikime për dështimet në kohën e luftës

Njëri prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa është përfshirë në debatin, lidhur me aktakuzat e reja ndaj ushtarëve të UÇK-së, të cilët po dënohen e akuzohen se kanë kryer krime në kohën e luftës ndaj popullatës civile.

Periskopi.com Lajme

Komandant Remi ka thënë se askush s’duhet të ketë justifikime për dështimet në kohën e okupimit dhe organizimit të luftës.

“Ne duhet të ndërtojmë shtetin e suksesit duke mos justifikuar mospunen dhe dështimet tona me kohët e vjetra si ajo e okupimit,organizimit të luftës apo edhe lëvizjeve politike klandestine”, ka shkruar Remi.

Sidoqoftë, Remi ka thënë se UÇK e ka përfunduar misionin me sukses në vitin 1999 kur Kosova ka fituar luftën përballë Serbisë.

“Thurja e lëvdatave apo hetimet mbi atë se çfarë ka ndodhur para 18 vitesh,nuk mundet të ndikojë në kualitetin e jetës së qytetarëve tanë.”, ka thënë ai.

Në këtë situatë, anëtari i Kryesisë së PDK-së, ka kërkuar luftimin e grupeve kriminale që ia kanë zënë frymën Shtetit të Kosovës.

“Vazhdimisht sfidohemi nga krimet ekonomike, korrupsioni, nepotizmi dhe mafiat përtej kufinjëve kombëtar… Hapja e rrugës për ndërtim të shtetit të së drejtës, duhet t’i eleminojë grupet vendore apo edhe ato ndërkombëtare të natyrës kriminale.  Ecja e drejtë shtetit të suksesshëm, mund të bëhet.!”, ka shtuar ai.

Këto komente, Remi i ka bërë pas dënimit të grupit “Drenica II” dhe ngritjes së aktakuzës së re ndaj Fatmir Limaj, i cili po akuzohet si përgjegjës për vrasjen e dy civilëve shqiptarë, në kohën e luftës, për të cilët s’kishte bërë asgjë për të mos lejuar vrasjen e tyre.