AGK ARKIV

AGK e shqetësuar me gjetjet e Raportit të Progresit në fushën e medieve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësimin e tyre me gjetjet e Raportit të Progresit në fushën e medieve në Kosovë.

Periskopi.com Lajme

Liria e shprehjes dhe liria e medieve, sipas AGK-së, janë të drejta të garantuara në vendin tonë. “Por fatkeqësisht ne si shoqëri jemi duke u ballafaquar me shkelje të kësaj të drejte të garantuar edhe me Kushtetutë. Ndonëse gjatë gjithë vitit kemi kërkuar respektim të lirisë së shprehjes, situata nuk ka ndryshuar për të mirë. Sërish Raporti i Progresit, veçon ngecjet e Kosovës në këtë fushë”, thuhet nga AGK.

Ata janë të shqetësuar jo vetëm për lirinë e shprehjes, por edhe për ambientin në të cilin punojnë gazetarët.

“Ne jemi të shqetësuar me të gjeturat e raportit të progresit sa i përket lirisë së shprehjes dhe ambientit në të cilin punojnë gazetarët në vendin tonë”, vazhdon më tej AGK.

Raporti veçon sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve për të cilat Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka ngritur zërin kundërshtues në vazhdimësi.

“Te gjeturat e Raportit të Progresit janë vetëm disa prej shqetësimeve tona që i kemi si komunitet. Por me e rëndësishmja është mungesa e trajtimit dinjitoz të gazetarëve nga mediat. Ashtu siç theksohet edhe në Raportin e Progresit, një numër i caktuar i kolegëve gazetarë vazhdojnë të punojnë pa kontrata dhe shpesh herë janë pre e censurës në vendet e tyre të punës. Duke parë nevojën e përmirësimit të situatës kërkojmë angazhim të menjëhershëm të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës”, përfundon AGK.