radikalizmi ne burgje

Radikalizohet në burgun e Gërdovcit, vrasësi i dy policëve të Kosovës (Foto)

Lufta e institucioneve kosovare kundër terrorizmit gjithnjë e më shumë po vështirësohet.

Periskopi.com Lajme

Kjo pasi ekstremizmi dhe radikalizmi fetarë tashmë është futur edhe në burgjet e Kosovës.

Institucionet e sigurisë kanë nisur luftën edhe ndaj ekstremizmit të të burgosurve.

Burime të “Indeksonline”, bëjnë të ditur se në disa burgje, janë bërë bastisje dhe konfiskime të gjësendeve fetare tek disa të burgosur, dënimet e të cilëve janë mbi 20 vjet dhe nuk kanë të bëjnë me vepra të terrorizmit.

Radikalizmit brenda burgut nuk i ka shpëtuar as Bedri Krasniqi, i dënuar me 27 vjet heqje lirie për vrasjen e dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, si dhe me 17 vjet burg për kidnapimin e pronarit të fabrikës Gllareva, Azem Morina.

“Indeksonline” ka siguruar këtë fotografi ku shihet qartë shndërrimi drastik i Krasniqit brenda burgut të Sigurisë së Lartë në Gerdovc dhe përkushtimi i tij ndaj fesë islame.

Përveç tij, janë edhe disa të burgosur të tjerë brenda këtij burgu që paraqesin shqetësim për organet e rendit.

Të pyetur rreth futjes së kësaj dukurie brenda burgjeve, zyrtarë nga Drejtoria e Shërbimit Korrektues të Kosovës mohojnë një gjë të tillë.

“Ju njoftojmë se bastisjet dhe kontrollet janë përditshmëri në Institucionet e SHKK-së, andaj për çdo gjetje rreth gjerave të palejuara ato konfiskohen dhe dorëzohen organeve kompetente. SHKK njëherit njofton se kohëve të fundit nuk kanë hasur në diçka të dyshimtë rreth fushës së ekstremizmit”, thuhet në përgjigjen e drejtorisë së SHKK-së.

Megjithatë, burime të sigurta të “Indekonline” kanë bërë të ditur se muajin e kaluar në burgun e Dubravës janë bërë disa bastisje, ku janë gjetur e konfiskuar disa gjësende fetare.

Ky rast ka kaluar në Prokurorinë Speciale , e cila po heton disa të burgosur të cilët janë të dënuar për vepra të ndryshme, përfshirë vrasje të rënda, dhe vjedhje.

Rreziku ndaj ekstremizmit të tyre rritet kur bëhet e ditur se të njëjtit janë në përfundim të vuajtjes së dënimit dhe daljes nga burgu.

Bedri Krasniqi ishte dënuar për përfshirje në vrasjen së polices Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj, më 24 dhe 28 nëntor të vitit 2003, sulm nga i cili kishte arritur të mbijetoj polici tjetër Hysen Lataj.

Pas arratisjes së tij nga burgu i Dubravës në fund të vitit 2008, Krasniqi kishte kryer edhe disa vepra të tjera penale, përfshirë edhe rrëmbimin e pronarit të firmës “Gllareva” nga Gllareva e Klinës, Azem Morina më 21 shtator të vitit 2010 .

Rrëmbimi i tij ishte bërë në dalje të fshatit dhe në këmbim të kokës së tij, Krasniqi me grupin e tij kishin kërkuar 3 milionë euro.

Ndryshe, Kosova është përballur me shkuarjen e grupit të parë të luftëtarëve nga Kosova për të iu bashkuar grupeve terroriste në Siri e Irak qysh në pjesën e dytë të vitit 2012.

Prej atëherë e deri më tash numri i përgjithshëm i kosovarëve që kanë udhëtuar për zonat e luftës ka arritur në 316. Sipas të dhënave, 58 shtetas të Kosovës janë vrarë atje.

Vlerësohet se momentalisht numri i qytetarëve nga Kosova në zonat e konfliktit është 140, duke përfshirë 75 persona që dyshohen se në mënyrë aktive janë përkrah organizatave terroriste të ndjekur nga gratë dhe fëmijët e tyre.

Fajin për përhapjen e kësaj dukurie Institucionet ia kanë lënë operimit pa kontroll të organizatave të huaja, qoftë edhe nga lindja e mesme, menjëherë pas përfundimet të luftës në Kosovë.

Ndërkohë, mars të vitit 2015 Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për ndalimin e pjesëmarrjes në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës, dhe si rrjedhojë e kësaj deri tash rreth 30 persona janë dënuar për pjesëmarrje në këto konflikte.

Thaçi në Vjenë

Thaçi e përdor radikalizmin si kërcënim ndaj BE-së kur kërkon liberalizim

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë pjesë në Kongresin e Lëvizjes Panevropiane, ku bashkë me presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani dhe atë të Maqedonisë, Gjorge Ivanov kanë folur në një panel për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Periskopi.com Lajme

Para shumë përfaqësuesve shtetëror, diplomatëve dhe përfaqësues te jetës publike të Austrisë, presidenti Thaçi ka thënë se këto diskutime janë një burim i inspirimit të përpjekjeve tona, të ëndrrave dhe dedikimit për të qenë plotësisht pjesë e të ardhmes evropiane.

“Jo vetëm gjeografikisht, por edhe përmes ndarjes së vlerave që e përcaktojnë kontinentin tonë. Nëse kthehemi mbrapa, shohim se zgjerimi i BE-së ka qenë njëra nga politikat më të suksesshme të BE-së. Ai i ka transformuar shoqëritë dhe vendet dhe i ka bërë ato të lira, demokratike, me prosperitet dhe me paqe”, ka shtuar ai.

Sipas Thaçit, këto janë elementet që e nxisin dedikimin tonë për të arritur dhe për të bërë reforma të thella në të gjitha aspektet e qeverisjes.

Ai ka shtuar se kjo është arsyeja që  nganjëherë i shtyjmë proceset që konsiderohen si të vështira ose që jo medoemos parapëlqehen nga populli, porse janë në interesin më të madh të qytetarëve dhe kontribuojnë për të çuar drejt integrimit evropian.

“Rruga për të arritur këtë qëllim është integrimi evropian. Njëlloj, sikurse BE-ja dhe kontinenti i Evropës nuk është i kompletuar dhe nuk mund ta realizojë potencialin e saj në aspektin e sigurisë, në mirëqenie dhe në vlera, nëse Ballkani Perëndimor mbetet jashtë saj”, ka nënvizuar ai.

 

Në Kongresin e Lëvizjes Panevropiane, presidenti Thaçi ka thënë se anëtarësimi në BE përkon me përkrahjen e 95 për qind të popullit të Kosovës dhe, përderisa premtimi i të ardhmes evropiane mbetet real, atëherë ndryshimi pozitiv është i mundshëm.

“Këto ndryshime do të manifestohen në zhvillimin e secilit vend rreth prosperitetit ekonomik, sundimit të ligjit dhe institucioneve të qëndrueshme, por po ashtu edhe në aspektin e bashkëpunimit regjional dhe në tejkalimin e ndryshimeve të së kaluarës”, ka thënë ai.

Para shumë diplomatëve, përfaqësuesve shtetëror, pjesëmarrës në këtë kongres, Thaçi ka theksuar se është e rëndësishme që BE-ja të mbetet e fokusuar në këtë pjesë të kontinentit dhe të sigurojë se zgjerimi të mbetet në tavolinë.

Ai ka shtuar se deri më tani Kosova ka qenë në gjendje të bëjmë përparim të madh për integrimin në BE. Sipas Thaçit, marrëveshja e Stabilizim-Asociimit e Kosovës me BE-në ka hyrë në fuqi në fillim të këtij viti, duke e bërë atë si marrëdhënien e parë kontraktuale ndërmjet vendit tonë dhe BE-së.

“Por, prapë ne duhet të pranojmë se pa një normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, asnjëri nga dy vendet s’do të mund t’i bashkohet këtij Unioni. Kjo edhe është arsyeja që ne jemi aq të përkushtuar në dialog për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, ka theksuar ai.

Presidenti Thaçi ka folur edhe për qëndrueshmërinë e BE-së, duke thënë se Kosova është ende duke pritur për liberalizim të vizave për qytetarët e saj, shumë vjet pasi fqinjët e saj t’i kenë pranuar këto privilegje.

“Si rezultat i këtij trajtimi të padrejtë, kosovarët vazhdojnë të mbesin populli më i izoluar në Ballkan”, ka shtuar ai.

Në fund presidenti Thaçi ka thënë se BE-ja duhet të pranojë se kudo që lë një boshllëk, do të dalë dikush tjetër që është i gatshëm ta mbushë atë. Sipas tij, sa më shumë të ketë angazhim të BE-së, do të mbetet më pak hapësirë për fuqitë më pak demokratike të huaja dhe kërcënime të radikalizmit.

“Në vend të kësaj, kjo premton prosperitet, më shumë stabilitet, më shumë reforma dhe më shumë paqe”, ka shtuar ai./ Periskopi