Mustafa takohet me zyrtarë e biznesmenë nga Kosova Lindore, u ofron mbështetje

Kryeministri Isa Mustafa sot është takuar me një delegacion institucionet lokale dhe biznesmenë nga tri komunat e Kosovës Lindore, Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Periskopi.com Lajme

Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi, nënkryetari i Preshevës, Xhelal Memeti, kryetari i Forumit për Zhvillim Ekonomik, Muharrem Salihu, koordinatori për Politikë të Jashtme, Aziz Aziri, si dhe Muharrem Zejnullahu, është biseduar për fuqizimin e koordinimit në funksion të zhvillimit ekonomik, infrastrukturor, social dhe kulturor të tri komunave.

Mustafa shprehu përkrahjen e Qeverisë së Kosovës për banorët, autoritetet lokale si dhe ndërmarrësit që veprojnë në këto tri komuna, me qëllim të avancimit të zhvillimit dhe fuqizimit të rolit të kësaj pjese të rëndësishme.

Përfaqësuesit e tri komunave të Kosovës Lindore folën për projekte konkrete të cilat do të ndihmonin në avancimin e proceseve dhe zhvillimin e gjithanshëm të këtyre tri komunave.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se kryeministri kishte zhvilluar para pak javësh një drekë pune me përfaqësuesit e shqiptarëve të tri komunave të Kosovës Lindore, përkatësisht me deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Fatmir Hasani, kryetarin e Bujanocit, Shaip Kamberi, kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Jonuz Musliu dhe kryetaren e Kuvendit Komunal të Preshevës, Ardita Sinani, ku është biseduar për fuqizimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesve politikë të banorëve të këtyre tri komunave.

Qeverisë nuk i bën as për shpenzimet e Haradinajt

Gjykata në Colman të Francës, pas shqyrtimit të dokumentacionit për rreth një orë, ka vendosur që Ramush Haradinaj të lihet i lirë me kusht. Por ai është i obliguar të mos dalë nga Franca dhe të lajmërohet tek autoritetet dy herë në javë.

Periskopi.com Lajme

 

Për të zbatuar këtë vendim të gjykatës ai do të duhet të qëndroj në një nga hotelet në këtë shtet.

Haradinaj, siç dihet tani është i papunë pas dhënjes së dorëheqjes së tij nga pozita e deputetit, dhe të hyrat e vetme janë nga pensioni si veteran i UÇK-së e që sipas standartit frances këto të hyra nuk do ti mjaftonin as për qëndrim një ditor.

Ndërkohë nuk dihet se deri kur do ti duhet të qëndroj në Francë deri në lirimin pa kusht. Deri më tani Qeveria e Kosovës nuk ka shprehur interesim për mbulimin e shpenzimeve të Haradinajt gjatë qëndrimit të tij obligativ në Francë, shkruan Gazeta Fjala.

Krejt çka ka bërë Qeveri është se në mbledhjen e fundit ka shprehur indinjaten për arrestimin e Haradinjat, por nuk ka marr vendim të mbulojë shpenzimet juridike apo shpenzimet të tjera.

“Një qeveri që nuk i del krah një lideri, s’duhet të qëndrojë në pushtet”

Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu ka thënë që kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj është në arrest pasi sipas tij kemi një qeveri të padijshme dhe të paaftë.

Periskopi.com Lajme

 

“Kjo qeveri nuk ka asnjë arsye të qëndrojë në pushtet. Një qeveri që nuk i del krah një lideri atëherë nuk duhet të qëndrojë në pushtet”.

“Mustafa e dënonte ashpër arrestimin e Haradinajt. Kjo tregon paaftësinë e kësaj kaste politike që drejton me vendin”.

Sejdiu në emisionin Info Magazine në Klan Kosova ka thënë që duhet të rivendoset menjëherë sovraniteti i Kosovës në të gjithë territorin.

“Janë të gatshëm që ta lënë një Serbi që ka qenë agresive që përsëri të jetë agresive. Zoti Haradinaj sot është në arrest sepse kemi një qeveri të padijshme, jo që Serbia po e bën mirë punën e saj”.

“Kemi 73 marrëveshje, ku 71 prej tyre nuk janë të zbatuara. Reciprocitet i menjëhershëm, ndalim i dialogut dhe menjëherë rivendosje e sovranitetit të Kosovës në të gjithë territorin”, ka thënë Sejdiu.

Osmani: Qeveria do të duhej ta informonte Haradinajn për riaktivizimin e fletarresteve të Serbisë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, konsideron se debati për arrestimin e liderit të AAK-së Ramush Haradinaj, nuk duhet të bëhet në lidhje me marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Francës, por në mes Kosovës dhe Serbisë.

Periskopi.com Lajme

Sipas saj është Serbia ajo e cila ka treguar një sjellje armiqësore ndaj Kosovës, jo vetëm gjatë viteve të 90-ta, por edhe pas përfundimit të luftës duke riaktivizuar fletarreste të cilat më parë ishin pezulluar.

Osmani për këtë riaktivizim të fletarresteve të Serbisë thotë se është dashur të jetë e informuar Qeveria e Kosovës, e cila më pas është dashur të informojë personat e apostrofuar në ato lista, në mënyrë të parandalimit të arrestimeve të kosovarëve siç ka ndodhur edhe në rastin e arrestimit të drejtorit të Policisë në Mitrovicë, Nehat Thaçit.

“Nëse qeveria ka pasur informatë dhe nuk ka treguar le të sqarojë një gjë të tillë”, tha Osmani.

Osmani ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të jenë të njëzëshëm në lidhje me çështjen e ndalimit të Haradinajt.

Serbia nisë trenat për Kosovë, Qeveria në ‘gjumë’

Serbia ka paralajmëruar veprimin e radhës përmes të cilit cenon sovranitetin e Kosovës. Kësaj radhe do të lëshojë linjë treni të udhëtarëve për në Mitrovicë pa pajtimin paraprak të qeverisë së Kosovës. Këtë veprim në Ministrinë e Transportit nuk kanë pranuar ta komentojnë, me arsyetimin se “e dimë çfarë gjendje kemi në veri“.

Periskopi.com Lajme

 

Serbia ka paralajmëruar lëshimin e  linjës së parë të pasluftës të trenit Serbi-Kosovë. Ky tren që do fillojë punën këtë fillimvit, u përshkrua si “i zbukuruar” me motive të trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe si dhe jashtë me flamurin serb dhe emrat e kishave dhe manastireve të cilat gjenden në Kosovë. Mirëpo, për këtë linjë nuk duket të kenë dijeni intitucionet e Kosovës.

Një njoftim i lëshuar nga Marko Djuric, i ashtuquajturi drejtor i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbinë, ka bërë të ditur se do të fillojë udhëtimin e parë treni i cili do përshkojë rrugën që nga Beogradi e deri në Mitrovicë.

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, i kontaktuar nga gazetametro.net ka thënë se nuk ka informata lidhur me këtë. I pyetur nëse një gjë e tillë është legale, ai ka refuzuar të komentojë.

“Nuk mund të komentoj asgjë pasi nuk kam informacion, të gjithë e dinë që kemi probleme në veri”, tha thënë shkurt Zharku.

Në anën tjetër, Djuric me mburrje e ka bërë këtë njoftim për mediat serbe.

“Për vitin e ri serb do të fillojë qarkullimin treni Beograd-Mitrovicë. Ai do të shkojë nga Beogradi-Mladonovac-Lapovo-Kragujevc-Krajlevë-Rashkë dhe në fund në Mitrovicë. Treni do të ketë shpejtësi të madhe”, ka thënë ai, transmeton gazetametro.net

Mirëpo, përderisa institucionet e Kosovës nuk janë në dijeni të kësaj linje hekurudhore, Djuric e di edhe çmimin e biletës.

Ai ndër të tjera ka thënë se çmimi i biletës së trenit do të jetë më i volitshëm se ai i autobusit, pasi që në universitetin e Prishtinës në Mitrovicë studiojnë rreth 12,000 studentë serb.

Fillojnë përpjekjet për shtrirjen e sovranitetit në veri, inaugurohet objekti i Qeverisë së Kosovës

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, sot ka inauguruar objektin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në komunën veriore të Mitrovicës. Ky proces shënon shtrirjen dhe konsolidimin e sovranitetit të shtetit të Kosovës edhe në pjesën veriore të vendit, në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës dhe si rezultat i Marrëveshjes së Brukselit.

Periskopi.com Lajme

 

Me këtë rast ministrja Edita Tahiri deklaroi se pas një periudhe disamuajshe të përgatitjeve intensive të bëra nga Ministria për Dialog dhe Ministria e Administratës Publike si dhe me angazhimin e të gjitha institucioneve dhe në veçanti të mbështetjes së Zyrës së Kryeministrit janë sot ka filluar puna e institucioneve qendrore në pjesën veriore të vendit.

Objekti i Qeverisë së Republikës së Kosovës të cilin e inauguruam sot gjendet në komunën veriore të Mitrovicës. Unë i bëra një vizitë objektit të qeverisë dhe vlerësoj se kushtet e punës janë përgatitur mjaft mirë nga ana e Ministrisë së Administratës Publike.

Në këtë objekt do t’i kenë zyrat 15 ministri dhe agjenci qendrore që kanë fushë veprimtari lokale si Ministria e Administratës Publike, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria për Kthim dhe Komunitete, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor,  Administrata Tatimore e Kosovës, Agjencia e Statistikave, Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit, Agjencia për Mbrojtjen e Pyjeve, Agjencia Kadastrave, Agjencia e Arkivave, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit dhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës. Gjithsejtë do të punojnë 105 zyrtar të punësuar në këto institucione, theksoi ministrja Tahiri.

Po ashtu, sot gjatë ditës në Mitrovicë, ministrja Edita Tahiri ka mbajtur një takim me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve që kanë filluar sot punën në komunën e Mitrovicës veriore. Në këtë takim ministrja Tahiri ka vlerësuar lartë angazhimin e institucioneve të Kosovës për fillimin e mbarë të punës së zyrave si dhe në takim është diskutuar për koordinime sa më të mira për mbarëvajtjen e punës dhe vijimësinë e rregullte të të punësuarve.

Po ashtu, janë diskutuar hapat vijues. Në bazë të planit dhe dinamikave, ky proces do të vazhdoi me hapjen e zyrave në Zubin Potok për të cilin objekti është përgatitur si dhe në Leposaviq, ndërsa për Zveçan është bërë akomodimi në objektin e inauguruar sot. Në këtë takim, përfaqësuesit e MAP njoftuan për gjithë procesin e realizuar që nga gjetja e objektit me qira deri te pajisja e tyre me mjetet e punës dhe teknologjisë informative.

Përfaqësuesit e institucioneve qendrore njoftuan për të gjithë hapat që kanë ndërmarrë për mbarëvajtjen e punës si dhe caktuan nga një koordinatorë që do të jetë përgjegjës për mbarëvajtjen e punës në këto zyra dhe do t’i udhëzojnë punonjësit në lidhje me detyrat dhe përgjegjësitë e punës në bazë të përshkrimit të vendit të punës për të cilën kanë nënshkruar kontratë punësimi. Secili institucion duhet të vendos një mekanizëm monitorimi me qëllim që të mbikëqyrë mbarëvajtjen e punës dhe rregullsinë e ardhjes në punë të punonjësve

Po ashtu edhe një objekt tjetër i Qeverisë së Kosovës do të hapet pas vitit të ri në komunën e Zubin Potokut dhe një tjetër në Leposaviq me të cilat do të plotësohet tutje progresi në shtrirjen e sovranitetit në pjesën veriore të vendit i cili është i një rëndësie strategjike.

Ministrja Tahiri në fund të takimit theksoi se duke marrë parasysh se që nga fundi i luftës jemi ballafaquar me sfida të ndryshme në këtë pjesë të vendit, tashmë jemi duke shtrirë dhe konsoliduar sovranitetin e shtetit edhe në këtë pjesë të vendit dhe po integrojmë pjesëtaret e komunitetit serb në sistemin e Republikës së Kosovës, duke iu falënderuar dialogut të Brukselit dhe marrëveshjeve të arritura me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar BE, SHBA dhe vendeve tjera evropiane.

foto4

foto1

Kështu duket ministrja më e re serbe në Qeverinë e Kosovës (Video)

Kryeministri Isa Mustafa dje ka shkarkuar nga detyra ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, duke e emëruar në këtë pozitë, Mirjana Jevtiqin.

Periskopi.com Lajme

Kjo e fundit ishte zëvendësministre e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Periskopi iu sjellë video të Mirjana Jevtiqit, e cila, sipas Zyrës së Kryeministrit, erdhi në këtë pozitë pas konsultimit me përfaqësuesit e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës.

 

Auditori i Përgjithshëm: Qeveria ka keqplanifikuar 23 milionë euro, 1300 të punësuar me kontratë mbi vepër

Besnik Osmani, auditor i përgjithshëm ka prezantuar në Kuvend raportin vjetor të Auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2015.

Periskopi.com Lajme

Ai tha se Qeveria e Kosovës ka keqplanifikuar 23 milionë euro, edhe 2 milionë euro tjera si pasojë e gabimeve nga institucionet tjera, transmeton kp.

“Disa prej gjetjeve të tjera që kanë të bëjnë me prokurimin publik, ka: mangësi të menaxhimit të prokurimit publik, 11 mijë kontrata janë nënshkruar në vlerë prej 400 milionë euro, kjo vlerë kërkon menaxhim më të mirë me mjetet e taksapaguesve. Nuk janë monitoruar kontratat tenderuese dhe ka pasur edhe blerje pa kërkesë të institucioneve. Kemi mbulim të pozitave me ushtrues detyre të stërzgjatura, kemi pasur 1300 të punësuar me kontratë mbi vepër në të gjitha institucionet e Kosovës, shumica prej tyre pas pasur nevojë fare”, tha Osmani.

Për të gjitha këto auditime, institucionet kanë pranuar raportet.

AAK e Nisma nuk pranojnë komision të ri për demarkacionin

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën e kanë quajtur mashtrim të radhës, idenë e kryeministrit të Kosovës që të formohet një komison për të bërë matjen nëse Kosova ka humbur territor nga Demarkacioni me Malin e Zi.

Periskopi.com Lajme

Në komunikatën e dy partive opozitare thuhet se ky propozim tregon papërgjegjësi prej burrështetasit.

“Përpjekja e radhës e Kryeministrit Mustafa për të krijuar një komision gjeodetësh të tij, i cili do ta legjitimonte teorinë e tij se Kosova nuk ka humbur territor duke zbritur kufiri nga Cakorri në Kuqishtë dhe nga Kulla në Savino Vodë, është mashtrim ordiner dhe jo përgjegjësi prej burrështetasi që për qëllim ka ta zgjidh një çështje jetike për vendin në të cilin, ai e bart postin e kryeministrit”, thuhet në reagimin e tyre.

Tutje, AAK e Nisma shprehen se pa shkarkimin e Komisionit Shtetëror nuk mund të bëhet asnjë komision tjetër.

“Nuk mund të behët asnjë komision pa u shkarkuar Komisioni „Meha“. Nëse ai paska vullnet për ta zgjidhur këtë çështje, së pari duhet ta pranojë dështimin e marrëveshjes për kufirin dhe më pastaj të krijojë një komision që ë trajton këtë çështje nga e para, e jo do farë komisionesh që as nuk dihet çka janë, as çfarë kompetencash kanë, por që për detyrë kanë ta legjitimojnë një marrëveshje që është në kundërshtim me terësinë tokësore të Shtetit të Kosovës”, thuhet në reagim.

Kryeministri Isa Mustafa gjatë mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se nëse është nevoja do të formojnë një komision për të bërë mbajtën nëse Kosova ka humbur territor, ku ka ftuar edhe opozitën të jenë pjesë e tij.

Qeveria i thotë po shqyrtimit të aplikacioneve për statusin e dëshmorit

Periskopi.com Lajme

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, është miratuar kërkesa e presidentit për funksionalizimin e komisionit me qëllim të shqyrtimit të aplikacioneve të mbetura lidhur me statusin e dëshmorit të kombit të UÇK-së.

Hajredin Kuçi njëkohësisht ka njoftuar se ka marr kërkesë nga presidenti për të shqyrtuar disa aplikacione, për të cilat supozohet se janë rreth 100 sosh, njofton Klan Kosova.

”Kemi ardhë në përfundim që ky komision mund të funksionalizohet por vetëm për këtë çështje, dhe të përfundojë punën deri më 23 dhjetor të këtij viti”, ka përfunduar Kuçi, njofton Klan Kosova.

Premtimet qeveritare për prioritetet e mbetura – të pashpresa

Zhvillimi ekonomik, forcimi i shtetit ligjor, ngritja e cilësisë në arsim dhe shëndetësi, janë disa prej prioriteteve që qeverisja e Isa Mustafës deri tash ka dhënë fjalë të mëdha. Megjithatë, janë njohësit e këtyre fushave të cilët thonë se prioritetet e kësaj Qeverie, në vazhdim të mandatit, janë vetëm premtime deklarative dhe pritjet në realizim janë të pashpresa.

Periskopi.com Lajme

Ekspertët vlerësojnë se parametrat makro-ekonomikë janë mjaft shqetësues bazuar edhe në bilancin tregtar të Kosovës për të realizuar të ashtuquajturat prioritete të qeverisjes Mustafa.

Nga ana tjetër, ditë më parë, vetë kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, tha se rritja ekonomike kryesisht ka qenë rezultat i investimeve private, por edhe rezultat i masave fiskale të cilat si Qeveri i kanë marrë për të krijuar një ambient më të mirë ekonomik në vend.

“Si Qeveri jemi përcaktuar që si prioritet të kemi tani zhvillimin ekonomik, përkatësisht rritje ekonomike dhe punësim, forcimin e shtetit ligjor që nënkupton luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, integrimet në institucionet e Bashkimit Evropian dhe ngritjen e cilësisë në fushën e arsimit dhe shëndetësisë, si dy fusha shumë të rëndësishme për ne, që nuk janë vetëm sociale por edhe ekonomike, sepse ndihmojnë zhvillimin ekonomik. Vitin e kaluar ne kemi përmbyllur me një rritje ekonomike prej 4 për qind, që ka qenë rritja më e lartë në regjion dhe po ashtu me trendë pozitive sa i përket punësimit”, ka thënë kryeministri Mustafa ditë më parë.

Por, sipas tij, nuk është arritur që të sigurohet një fluks i punësimit i cili e përballon numrin e të papunëve që hyjnë në tregun e punës diku rreth 22 mijë çdo vit, ndërkaq në vitin e kaluar është arritur që të jenë 18 mijë të punësuar.

Drejtori i STRAS (Qendra për hulumtime strategjike dhe sociale), Ibrahim Rexhepi, për KosovaPress thotë se nuk mund të ketë zhvillim ekonomik me një rritje ekonomike prej 3.8 – 4 për qind, e cila sipas tij, nuk mund të reflektojë tek mirëqenia e popullatës.

“Duhet analizohet struktura se prej nga po vjen kjo rritje dhe sa janë efektet e përgjithshme të kësaj rritje. Sektori privat nuk është bartës, prandaj, edhe nuk ka mundësi. Pa marrë parasysh se ka 4 për qind rritje megjithatë punësimi po ngecë. Problemi tjetër është parametrat tjerë makro ekonomikë janë bukur shqetësues, posaçërisht e kam fjalën te bilanci tregtar i Kosovës. Përderisa Kosova nuk ka eksport dhe ngecë, e importi vazhdon të rritet, kjo tregon se megjithatë niveli ekonomik është shumë i ulët dhe kjo gjendje nuk ofron një mirëqenie të përgjithshme”, thekson Rexhepi.

Duke vlerësuar gjendjen e arsimit të degraduar, drejtori i Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Pupovci, thotë se është progres edhe vet fakti që njihet mungesa e cilësisë si problem në fushën e arsimit nga Qeveria. Sepse, sipas tij, në të kaluarën nuk është konsideruar fare si problem.

Pupovci thotë se Strategjia për sigurimin e cilësisë e aprovuar në fund të vitit 2015 nuk po implementohet plotësisht.

“Qeveria në fund të vitit 2015 ka aprovuar Stërgjinë për sigurimin e cilësisë, e cila duhet t’i adresojë këto çështje. Por, implementimi kësaj strategjie deri tani është relativisht i pjesshëm, pra, nuk është implementuar në mënyrë të plotë dhe mendoj se hapi i parë që duhet të bëhet është implementimi i plotë i kësaj strategjie, në mënyrë që të kemi rezultate pas katër-pesë vjetëve, sepse cilësia në Kosovë e arsimit ka degraduar thuajse një çerek shekuj, diku prej fillimit të viteve ’90-ta. Kjo herë për shkaqe objektive (okupimi dhe lufta) e herë për shkaqe subjektive që janë sjellë nga keq qeverisja ose keq menaxhimi i sistemit të arsimit”, tha Pupovci.

Ai mendon se me zbatimin e strategjisë, do të jetë e mundur që të rritet përgjegjësia e shkollave për rezultatet e punës së tyre. Sepse, kjo është diçka që mungon dhe sipas tij, shkollat në Kosovë nuk japin as një lloj përgjegjësie për rezultatet e punës së tyre.

Edhe sektori i shëndetësisë i cili po konsiderohet i rëndë nga deputetja në Kuvendin e Kosovës, Time Kadrijaj, e cila vjen nga fusha e shëndetësisë, thotë se ndarja e buxhetit prej 180 milionë euro nuk është e mjaftueshme për shëndetësinë, dhe sipas saj, ky buxhet duhet dyfishuar.

Andaj, sipas deputetes, fatkeqësisht edhe pse ky buxhet është i vogël po keqmenaxhohet dhe po keq qeverisët nga institucionet përkatëse.

E keqja në shëndetësi, sipas saj, është se po bëhen ligjet dhe nuk po implementohen.

“Secili mandatar i qeverisë po deklarohet se shëndetësinë e kanë në prioritet dhe kjo po ngelet vetëm prioritet deklarativ, sepse në fakt nuk po ndihmohet, duke filluar nga ndarja e buxhetit po shihet se me një buxhet të tillë nuk mundet me pas prosperitet sa duhet në një lami aq të përfolur të shëndetësisë. Në fakt, në fund të çdo mandati po del se shëndetësia nuk është në prioritet.”, thotë Kadrijaj.

Ajo thotë se nuk mund të flitet për një sistem të mirë shëndetësor, përderisa nuk zbatohet një ligj i miratuar tash e dy vjet, Ligji për Sigurimet Shëndetësore.

Për sa i përket sundimit të ligjit, zyrtarë të Institutit Demokratik të Kosovës(KDI) vlerësojnë se problem mbetet mbivendosja institucionale në luftimin dhe parandalimin e korrupsionit, gjë që shkakton huti te qytetarët.

Një vërejtje tjetër e theksuar sipas Visar Sutaj, është edhe numri i ulët i dënimeve për korrupsion.

Sipas Sutajt, në Kosovë, korrupsioni vlerësohet si një prej problemeve më të mëdha karshi ekonomisë së dobët dhe papunësisë.

Kjo vjen si pasojë e performancës të kufizuar të sistemit të gjyqësisë për ta luftuar atë. Ai shtoi se kjo më së lehti mund të vërtetohet duke iu referuar mungesës së rezultateve konkrete nga prokuroria dhe gjyqësori.

Mustafa: Kohët po ndryshojnë, Kosova nuk do të konsiderohet e varfër

Kryeministri Isa Mustafa është shprehur optimist lidhur me zhvillimin e vendit në qeverisjen e tij.

Periskopi.com Lajme

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se së shpejti, Kosova nuk do të konsiderohet as vend i varfër.

“Sot, jemi shtet sovran, me normën më të lartë të rritjes ekonomike në këtë pjesë të botës, me një dinamikë të shpejtë të uljes së papunësisë”, ka shkruar Mustafa, transmeton Telegrafi.

Lexojeni të plotë postimin e Mustafës:

“Kohët po ndryshojnë.

Jo moti, identitetin tonë e krijuam si të persekutuar, të shtypur, të varfër e të papunë.

Sot, jemi shtet sovran, me normën më të lartë të rritjes ekonomike në këtë pjesë të botës, me një dinamikë të shpejtë të uljes së papunësisë.

Institucionet financiare ndërkombëtare po na porosisin të ngutemi të shfrytëzojmë fondet nga organizatat ndërkombëtare që financojnë vendet e varfëra, sepse së shpejti nuk do ta plotësojmë këtë kriter, Kosova nuk do të konsiderohet vend i varfër.

Një cilësim më pak në fjalorin tonë politik; një argument më shumë për pozitivizëm”, ka shkruar Mustafa.

Qeveria ndan buxhet vetëm për njërin nga katër muzetë e planifikuar

Qeveria e Kosovës nuk është duke zbatuar as gjysmën e Programit qeverisës në fushën e trashëgimisë kulturore, shkruan sot Koha Ditore.

Periskopi.com Kulturë

Qysh para gati dy vjetësh kishte planifikuar që në një periudhë katërvjeçare të themelojë katër muze, por vetëm për njërin ka ndarë buxhet, madje në vitin që vjen.

Planet për institucione të reja muzeore i ka barë pavarësisht faktit se ende nuk ka ligj për muzetë, i cili do të përcaktonte procedurat e themelimit dhe administrimin e tyre. Në Programin e Qeverisë së Kosovës për mandatin qeverisës 2015-2018, parashihet themelimi i Muzeut Arkeologjik, atij të Paqes, të Artit Bashkëkohor dhe një Muzeu tjetër Etnologjik.

Kësisoj shteti pretendon themelimin e muzeve të rinj edhe pse nuk është bërë funksionalizimi i atij që ekziston, Muzeut të Kosovës. Ky institucion tash e 17 vjet nuk ka ekspozitë të përhershme e as vend adekuat ku mund të ruajë artefaktet, të cilat asnjëherë nuk janë regjistruar në tërësi. Kësisoj MK-ja nuk e di saktë as çfarë posedon

Mosemërimi i ministrit të Integrimeve – joseriozitet i Qeverisë

Qeveria e Kosovës në vazhdimësi proklamon se ka prioritet përshpejtimin e agjendës evropiane të Kosovës.

Periskopi.com Lajme

Por janë bërë më shumë se dy muaj qëkur Ministria e Integrimeve Evropiane ka mbetur pa titullar, pasi atë vendosi ta braktiste ish-ministri Bekim Çollaku, për t’iu bashkuar kabinetit të presidentit Hashim Thaçi.

Partnerët e koalicionit nuk kanë dhënë arsyet e këtyre vonesave. Por burime të gazetës kanë thënë se PDK-ja nuk është fort e interesuar për ta plotësuar këtë pozitë, “pasi tashmë orientimin e kanë kthyer nga zgjedhjet e parakohshme”.

Sekretari i Partisë Demokratike, i pyetur për vonesat në emërimin e ministrit, ka thënë se për momentin nuk mund të flasin. Ai ka thënë se aktualisht janë të fokusuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Drenasit.

Nuk ka riformatim rrënjësor të qeverisë

Riformatimi i qeverisë, i paralajmëruar të niste javën që shkoi, mund të mos ndodhë fare. Kështu kanë vlerësuar partitë politike në koalicionin  qeverisës. Përderisa përfaqësues të PDK-së thonë se nuk është rendi për riformatim, ata të LDK-së thonë se nuk kanë informacion se çfarë është duke u përgatitur, raporton "Zëri".

Periskopi.com Lajme

Nga ana tjetër, partitë opozitare vlerësojnë se edhe po qe se ndodh riformatimi i qeverisë, ai do të jetë vetëm “improvizues” dhe “kozmetik”, jo rrënjësor. Sipas përfaqësuesve të tyre, një gjë e tillë, do të bëhej vetëm për t’i sistemuar personat e partive në pushtet, duke bërë pazare politike.  Ndërkaq, analistët politikë, vlerësojnë se ky proces nuk po mund të realizohet pasi që ka mospajtim midis dy partive në pushtet.

Ata tutje, thonë se riformatimet zakonisht janë bërë për qëllime propagandistike dhe blerje kohe. Kurse, njohësit e ekonomisë konsiderojnë se një hap  i tillë duhet të ndërmirret domosdoshmërisht. Kjo pasi që sipas tyre, nga riformatimi i qeverisë do të kursehej mjaft shumë buxheti i shtetit të Kosovës.

PDK thotë se s’ka riformatim, LDK nuk di gjë

Deputeti i i PDK-së Nait Hasani, është shprehur i bindur se nuk do të ketë fare riformatim.

“Nuk janë rendet për riformatim. S’ka riformatim, rrethanat tregojnë se nuk do të ketë”, është shprehur ai.

Ndërkaq, deputeti i LDK-së Nuredin Ibishi, ka thënë se nuk ka informacione fare për riformatimin e qeverisë.

“S’kam informacion. Nuk di realisht a është duke  u përgatitur diçka e tillë”, ka thënë shkurt Ibishi.

LVV: Ndryshimet që mund të vijnë nga riformatimi, kozmetike

Kurse, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Driton Çaushi, ka vlerësuar se ndryshimet që mund të bëhen nga riformatimi i qeverisë janë krejtësisht të parëndësishme.

“Kjo qeveri nuk ka aspak legjitimitet dhe duke qenë e tillë, ndryshimet që mund të vijnë nga procesi riformatimit i konsiderojmë kozmetike dhe fare të parëndësishme”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, kjo qeveri është e ndërtuar me pazarllëqe të dëmshme dhe që nga fillimi ka qenë e kushtëzuar, duke u detyruar kështu të imponojë projekte dhe marrëveshje që cenojnë shtetësinë.

Çaushi më tej, ka vlerësuar se secili ministër i kësaj qeverie është vegël që zbaton politika në dëm të shtetit të Kosovës.

Andaj sipas tij, duhet që qeveria aktuale të largohet nga pushteti.

“Momentalisht është jashtëzakonisht e nevojshme dhe e domosdoshme që kjo qeveri të largohet nga pushteti, për shkak të dëmeve që i ka sjellë, që po i sjellë e që rrezikon t’i sjellë. Çdo gjë më pak është rrezik më shumë për të ardhmen e Kosovës”, ka potencuar deputeti i LVV-së.

AAK: Qeveria të dorëhiqet, të shkohet në zgjedhje

Zëdhënësi i AAK-së Muharrem Nitaj, ka vlerësuar se gjithmonë bëhen pazare për poste qeveritare.

“Sipas një logjike gjithmonë bëhet pazar me emra që do të mund të përfshiheshin në poste qeveritare. PDK dhe LDK këtë kurs e kanë pasur jo vetëm për qeverinë por edhe për agjensitë qeveritare dhe bordet e kompanive publike. Zaten për këtë kanë pasur edhe një marrëveshje antiligjore të nënshkruar”, ka deklaruar Nitaj.

Ai më tej, ka thënë se qeveria e tanishme do të duhej të dorëhiqej tashmë, ngase siç është shprehur ai, nuk e ka përkrahjen e popullit. Sipas tij, riformatimi i qeverisë është vetëm një lloj sajimi, jo më shumë.

“Ajo që është e nevojshme tani, është që qeveria ta kuptojë se e ka humbur mbështetjen në popull, dhe më e mira do të ishte të tërhiqej fare. Çdo nismë për do farë riformatimesh, është improvizim dhe nuk besoj se do të kenë kurrfarë ndikimi”, ka theksuar Nitaj.

Prandaj sipas tij, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Vendi ka nevojë për zgjedhje të parakohshme, të cilat do të mbaheshin në një kohë normale, që do të ishte pranvera e hershme e vitit 2017. Kanë ndodhur shumë gjëra që e kanë ndarë shoqërinë, dhe mundësia që forcat politike ta legjitimojnë veten është e domosdoshme”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, shefja e Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Dushica-Bajrami, ka vlerësuar se qeveria nuk ka kohë për riformatim.

“Kjo qeveri më nuk ka kohë për riformatim, sepse ajo duhet që sa më parë të dorëhiqet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme pasi që, ky kolacion ka bllokuar çdo gjë”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, qe më shumë se një vit asnjë dikaster i qeverisë nuk ka punuar për ta zhvilluar vendin.

“Që nga gushti i vitit të kaluar nuk kanë mundur të punojnë në asnjë dikaster për ta zhvilluar vendin, por të vetmen punë që e kanë bërë janë marrja e të gjitha bordeve, agjensioneve dhe intitucioneve tjera të pavaruara nga PDK dhe LDK”, ka shtuar deputetja e “Nismës”.

Gashi: Riformatimet, për qëllime propagandistike

Krenar Gashi, doktorant në shkencat politike, ka vlerësuar se riformatimet në qeveri në të shumtën e herave janë bërë për qëllime propagandistike.

“Riformatimet e qeverive në Kosovë zakonisht janë bërë për qëllime propagandistike. Nuk e mbaj mend që ndonjëherë kryeministrat të kenë evaluuar punën e ministrave përpara se t’i ndërrojnë ata, sic do duhej të bëhej”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas Gashit, riformatimi i ardhshëm ka synim të bëjë ripozicionim të fuqisë politike të dy partive në pushtet.

“Besoj që ka më shumë qëllim të ripozicionimit të fuqisë brenda dy partive politike të koalicionit. Kjo vlen sidomos për PDK-në, ku me ardhjen në krye të partisë, Kadri Veseli krejt natyrshëm do të ketë nevojë që t’i ripozicionojë njerëzit e tij brenda strukturës qeverisëse, duke e forcuar kësisoj pozicionin e tij jo veç në qeveri por edhe brenda partisë”, ka potencuar ai.

Ai më tej, ka thënë se sfera publike po i jep shumë hapësirë idesë së riformatimit duke e parë atë veç në sipërfaqe dhe duke mos e problematizuar arsyen e vërtetë që shtyen tek një riformatim i tillë.

Abazi: Riformatimi, blerje kohe

Kurse, Haki Abazi nga Rockfeller Brothers Fund, ka vlerësuar se riformatimi është  vetëm blerje kohe.

“Riforamtimi është blerje kohe për t’i konsoliduar radhët për fushatë elëktorale dhe hapje të tenderëve që sjellin para për fushatë dhe kadidatë të caktuar”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, riformatimi do të ishte humbje kohe dhe shpenzim i panevojshëm i buxhetit dhe energjisë së institucioneve dhe qytatarëve të vendit.

E koalicionin qeverisës PDK-LDK, Abazi e ka cilësuar si koalicion armiqësor.

“Koalicioni qeverisës është koalicion jonatyror i dy armiqve politikë dhe që kanë shumë llogari për të dhënë për njëra tjetrën”, ka shtuar ai.

Nga ana tjetër, profesori universitar Blerim Burjani, ka vlerësuar se riformatimi i qeverisë nuk ka ndodhur ende pasi që ka mospajtime midis koalicionit qeverisës.

“Procesi i riformatimit po ballafaqohet me probleme në mes partnerëve dhe në mes individëve të  këtyre partive. Të gjithë janë në mbrojtje të interesit të tyre individual”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq, ka vlerësuar se riformatimi është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm.

“Riformatimi është i pashmangshëm dhe shumë i domosdoshëm, për t’i reduktuar shpenzimet e mëdha që i ngarkohen taksapaguesve”, ka shtuar ai.

Limani: Riformatimi kursen buxhetin e shtetit

Ndërkohë, Musa Limani, ekspert i çështjeve ekonomike, ka vlerësuar se Kosova ka numër të madh të ministrive të cilat sipas tij e ngarkojnë shumë buxhetin e shtetit.

“Kosova ka numër shumë të madh të ministrive, madje numër të madh të zëvendësministrave që janë të tepërt dhe e ngarkojnë buxhetin e vogël të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Megjithëkëtë sipas tij, reduktimi arsyetohet vetëm po qe se vihen kuadro profesionale.

“Reduktimi i kuadrove është i arsyeshëm nëse zëvendësohen me kuadro profesionale, me përvojë, të paimplikuar në abuzime e korrupsion”, ka shtuar Limani. Më pas, ai ka thënë se zvogëlimi i numrit të ministrive zvogëlon edhe shpenzimet e buxhetit.

“Nga aspekti ekonomik, zvogëlimi i numrit të panevojshëm të ministrive e të të punësuarve, do t’i zvogëlojnë shpenzimet e mjeteve buxhetore, pjesa e të cilave mund të përdoret për qëllime të tjera”, ka përfunduar ai./Zëri

Qeveria, e vendosur të themelojë  Asociacionin, pa asnjë ndryshim

Arritja e marrëveshjes së telekomunikacionit me Serbinë i ka hapur rrugë rinisjes së angazhimeve rreth themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Periskopi.com Lajme

Qeveria e Kosovës ka shprehur zotimin që posa ITU-ja zyrtarisht t’ia ndajë Kosovës kodin telefonik +383, do të fillojnë përgatitjet rreth draftimit të statutit, shkruan sot Koha Ditore.

Qeveria është përcaktuar të mos e anulojë dhe as të rinegociojë Marrëveshjen për parimet e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilën Gjykata Kushtetuese në të shtatë kapitujt e ujdisë kishte konstatuar të mos jenë tërësisht të përputhshme me Kushtetutën.

Juristë dhe njohës të rrethanave politike kanë paralajmëruar pasoja nëse në fuqi vazhdon të mbetet Marrëveshja e parimeve.

Zyrtarë të Qeverisë nuk kanë pranuar të flasin rreth angazhimeve për Asociacionin, pa u zyrtarizuar kodi telefonik i Kosovës. Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, i ka thënë gazetës se për Asociacionin do të flasin tek pas 15 dhjetorit.

Korrupsioni ia rrezikon Kosovës rreth 300 milionë dollarë

Kosova rrezikon të përjashtohet në fundvit nga programi investiv i Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), i cili ofron qasje në rreth 300 milionë dollarë.

Periskopi.com Lajme

Sebep për këtë është bërë vlerësimi për shkallë të lartë të korrupsionit, shkruan sot Koha Ditore.

Kjo është vetëm goditja e fundit që ka marrë shteti, si pasojë e përhapjes në shkallë endemike të dukurisë së shpërdorimit të detyrës zyrtare për qëllime përfitimi.

Për të njëjtën arsye, Kosova ka mbetur enklavë në hartën e Evropës – mungesa e rezultateve për ta luftuar korrupsionin është një nga dy arsyet pse Bashkimi Evropian ende nuk i ka liberalizuar vizat me Kosovën.

Po ky ambient ia ka humbur perspektivën ekonomike shtetit, ngaqë ka trembur shumë investitorë dhe ka rritur konkurrencën jolojale.

Petrit Selimi është emëruar nga kryeministri Isa Mustafa si koordinator nacional i MCC-së.

Haradinaj kërkon përgjegjësi nga kryeministri dhe qeveria, për gjendjen kaotike energjetike

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës duke e bërë përgjegjësi për ndërprerje të energjisë elektrike.

Periskopi.com Lajme

Ai ka shkruar në Facebook se është i shqetësuar për lajmet që vijnë nga të gjitha anët  e Kosovës për mungesën e energjisë elektrike.

Ky është postimi i plotë i Haradinajt

Jam tejet i shqetësuar me lajmet që vinë nga të gjitha anët, ku mijëra familje po e vuajnë mungesën e energjisë dhe unë nuk po e kuptoj pse këto lajme nuk po mbërrin në veshët e qeveritarëve.

Kryeministri dhe Qeveria, duhet të japin përgjegjësi për këtë gjendje kaotike energjetike.

Ata duhet t’i tregojnë këtij populli se ku janë zhytur dhe pse nuk po vihen në anën e tij.

Burimet energjetike janë pasuri e popullit dhe ato nuk mund të tjetërsohen dhe populli të mbetët pa bazën e jetesës normale.

Ndërhyni sa nuk është bërë vonë, sepse zullumi që po ia shkaktoni qytetarit të këtij vendi, po i kapërcen të gjitha limitet.RH

O’Conell: Korrupsioni nuk luftohet me tryeza të rrumbullakëta

Në takimin e Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit, ambasadori i Britanisë në Kosovë, Ruari O'Conell, ka thënë së korrupsioni në Kosovë nuk luftohet përmes tryezave të rrumbullakëta, por, institucionet e Kosovës duhet të bëjnë hapa konkret në luftimin e kësaj dukurie.

Periskopi.com Lajme

“Ju bëjë thirrje udhëheqësve të institucioneve kosovare që të bëjnë hapa konkret në luftimin e korrupsionit. Nuk mund të luftohet korrupsioni me tryeza të rrumbullakëta”, ka thënë ambasadori O’Conell. /Zeri/

Gecaj: Pozita nuk ka frikë nga zgjedhjet, por nuk dëshiron t’i lërë anash punët e shumta

Këshilltari politik i kryeministrit Mustafa dhe zëvendësministri në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal , Bajrma Gecaj, në një postim t vetin në facebook, duke iu përgjigjur kërkesës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për zgjedhjet të parakohshme, ka thënë se “ pozita nuk ka frikë nga këto zgjedhje, por nuk dëshiron t’i lërë anash punët e shumta”, transmeton Koha.net.

Periskopi.com Lajme

Gecaj, njëkohësisht, ka adresuar akuza të rënda ndaj opozitës për shkak se ajo e kritikon vazhdimisht Qeverinë! “Punoni , mos bojkotoni” e ka këshilluar Gecaj opozitën duke thënë se dueli i zgjedhjeve do të bëhet në vitin 2018.
Gecaj ka shkruar:

“AAK paska kërkuar t’i drejtohemi popullit me zgjedhje të jashtëzakonshme dhe të na vlerësoi qytetari se kush ka të drejtë e kush jo. Pra edhe AAK i është bashkangjitur kërkesës me turr dhe të papërmbajtur për dalje sa më të shpejtë në zgjedhje. Atyre që po kërkojnë zgjedhje të reja u është mbushur mendja se do të fitojnë. Sa më shumë po kërkojnë zgjedhje të jashtëzakonshme aq më shumë po trimërohen. Kur pozita po i injoron me të drejtë, për të mos i lënë anash punët e shumta, ata po mendojnë se ne kemi frikë për këtë duel. Kështu puna e opozitës është bërë, mospuna apo ëndrra për zgjedhje të jashtëzakonshme. Kjo qasje vazhdon të jetë përjashtuese, kokëforte dhe e dëmshme. Çdo iniciativë, çdo ftesë, çdo veprimtari e Qeverisë ka një përgjigje nga opozita – Zgjedhje të Jashtëzakonshme – E në anën tjetër po kjo opozitë vazhdon ta kualifikoj qeverinë se nuk bashkëpunon, nuk është fleksibile e të tjera të ngjashme. E keqja më e madhe është se me këtë qasje kjo opozitë qëllimshëm dëshiron ta dëmtoj qeverinë dhe në anën tjetër të vazhdoj të pretendoj se me këtë po i mbron interesat vitale të Kosovës. Në të vërtetë tash sa kohë po e bënë mu të kundërtën. Është vërtetë punë e gjatë dhe e lodhshme të punohet në mënyrë demokratike duke qenë në opozitë. Punoni mos bojkotoni, sepse të qenët në opozitë duhet kuptuar si punë të madhe dhe ushqim demokratik për shoqërinë. E sa për zgjedhje, këtë duel do ta bëjmë në vitin 2018. Deri atëherë ne do të punojmë – për ju nuk e di”.