0-25-2

Fillojnë punimet e unazës së jashtme në Ferizaj

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa së bashku me ministrin e Infrastrukturës, Lutfi Zharku, inauguruan fillimin e punimeve në ndërtimin e unazës së jashtme në Ferizaj (Prelez i Jerlive –Kosinë- Llojza –Dremjak- Nerodime –Manastirc-Zaskok- Greme -Topojan).

Me këtë rast, kryeministri Mustafa theksoi rëndësinë e madhe që ka ky projekt për qytetin e Ferizajt dhe rëndësinë e shtendosjes së madhe të qyteteve të mëdha nga komunikacioni i ngarkuar.

“Qyteti i Ferizajt është zhvilluar shumë dhe është një ndërmarrje shumë e madhe që të krijohet kjo unazë në mënyrë që të parandalohet kjo bllokadë në qytet dhe që të mundësohet një qarkullim më i lirshëm”, tha kryeministri Mustafa.

Kryetari i Ferizajt Muharrem Sfarqa falënderoi Qeverinë për këtë investim shumë të domosdoshëm për komunën e Ferizajt.

Ndër të tjera, kryetari Sfarqa tha se kjo arterie shumë e rëndësishme do të lidh këto lokacione dhe do të mundësojë qarkullimin më të mirë të njerëzve dhe mallrave, duke shmangur qarkullimin brenda qytetit të Ferizajt.

Ky projekt, i cili do të financohet në tërësi nga Ministria e Infrastrukturës ka vlerë prej 2 milionë e 865 mijë e 167 eurosh, në gjatësi prej 30 kilometrash, gjerësi prej 6 metrash dhe trotuar me gjerësi prej 1.5 metrash.

Fillojnë punimet në tri rrugë në komunën e Ferizajt

Sot ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa morën pjesë në përurimin e fillimit të punimeve në tri rrugë, me të cilat vazhdon realizimi i planit të aktiviteteve të përbashkëta të Ministrisë së infrastrukturës dhe Komunës së Ferizajt për këtë vit.

Periskopi.com Lajme

Projekti i parë, fillimi i realizimit të të cilit u përurua sot dhe që do të ndërtohet në bashkëfinancim të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Ferizajt është rruga Mirashë-Cërnillë, që ka gjatësi prej 9 kilometrash. Vlera kontraktuese e kësaj rruge, e cila përfshinë edhe trotuarin, kanalizimin atmosferik, sinjalizimin dhe ndriçimin, kap shumën prej 1,207,344.45 eurosh.

Projekti i dytë, realizimi i të cilit u inaugurua sot, është zgjerimi i rrugës Komogllavë-Tërstenik, që shtrihet në dy komuna – Ferizaj dhe Viti dhe që ka gjatësi prej 13 kilometrash, vlera e të cilit është 1,089,590.61 euro. Duhet cekur se pjesa e kësaj rruge, që shtrihet në komunën e Ferizajt, ka gjatësi prej 6.5 kilometrash, sa është e gjatë edhe gjatësia e pjesës që i takon Komunës së Vitisë.

Në kuadër të aktiviteteve të sotme, ministri Zharku dhe kryetari i Komunës, Sfarqa, përuruan edhe fillimin e ndërtimit të rrugës Greme-Burrnik-Gaçkë. Kjo rrugë do të këtë gjatësi prej 9,8 kilometrash, ndërsa vlera e tërësishme e realizimit të këtij projekti është 1,426,283.50 euro.

Në fjalën e tij përurese, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, tha se këto janë projekte tejet të rëndësishme për zhvillimin e kësaj zone.

“Janë edhe katër projekte të tjera, që kanë filluar të realizohen në bashkëfinancim me Ministrinë e Infrastrukturës. Realizimi i këtyre projekteve në këtë zone, ku ekzistojnë parakushte për zhvillimin e turizmit,  do të lehtësojnë qarkullimin e njerëzve dhe do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik të kësaj ane”, tha në fjalën e tij ministri Lutfi Zharku, i cili shtoi se për vitin e ardhshëm janë parapara edhe projekte të tjera.

Kryetari i Komunës, Muharrem Sfarqa, foli për projektet që u përuruan sot dhe për rëndësinë e tyre. Ai njëkohësisht falënderoi Ministrinë e Infrastrukturës për mbështetjen e dhënë për ndërtimin e këtyre rrugëve.