Punëtorët e RTK-së duan miratimin e Ligjit të ri dhe rregullimin e çështjes së pronës

Sindikata e Punëtorëve e RTK-së kërkojnë nga Kuvendi miratimin e Ligjit të ri, rregullimin e çështjes së pronës dhe financimit.

Periskopi.com Lajme

Përmes një reagimi drejtuar Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë, SPERTK thotë se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh do të dalin në protesta.

Kërkesa e Sindikatës drejtuar deputetëve:

Po bëhen gati 18 vjet nga themelimi i mediumit të vetëm publik RTK, i cili për tërë këto vite ende nuk ka të përcaktuar pronën e tij, nuk ka të miratuar ligjin e ri për RTK-në, nuk e ka të zgjidhur çështjen e financimit të përhershëm dhe të pavarur, si dhe nuk e ka kryer digjitalizimin ende, procese këto që janë jetike për të ardhmen e RTK-së.

SPERTK nuk e kupton pse po bëhet tërë kjo zvarritje e miratimin e ligjit të ri për RTK-në. SPERTK ka kërkuar vazhdimisht që të miratohet ligji i ri, të zgjidhet çështja e pronës dhe ajo e financimit të përhershëm dhe të pavarur nga shteti. Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës, është momenti i fundit për ta ndihmuar RTK-në, me miratimin e ligjit të ri, objektin e përhershëm dhe adekuat dhe çështjen e digjitalizimit.

Në vende të leksioneve se si do të duhej të zhvillohej puna e gazetarisë dhe raportimit, e presioneve të ndryshme, ju do t’i ndihmonit RTK-së duke ia miratuar ligjin dhe zgjidhur çështjen e pronës e financimit. Të nderuar deputetë ju jeni çdo ditë mysafirë të ftuar nëpër emisione të ndryshme në RTK, dhe si nuk ju bën përshtypje se ku zhvillohet puna e kolegëve tanë në objekte që më se paku u ngjajnë TV-ve dhe po ashtu të rrezikshme për shëndetin e kolegëve tanë.

Të nderuar deputetë, shumica e këtyre objekteve, në mungesë të hapësirës, janë të shndërruara nga garazhe në studio, dhe si rrjedhojë këto studio të improvizuara nuk kanë as dritare për ajrosje të ambientit ku punojnë kolegët tanë. Të nderuar deputetë, përveç objektit dhe kushteve jo të mira, ju e keni parë edhe rrugën e cila të dërgon për në kanalin RTK-3 dhe RTK-2 që është e prishur që sa kohë. Një shi i rrëmbyeshëm gjatë muajve të verës i ka vërshuar të gjitha studiot e RTK-së, duke rrezikuar jetën e kolegeve tanë. A nuk janë këto argumente të mjaftueshme që ju ta miratoni ligjin e ri për RTK-në.

Të nderuar deputetë, SPERTK kërkon nga kuvendi i Kosovës, dhe qeveria derisa të gjejë një zgjidhje të përhershme dhe të pavarur të financimit, ta rrisë përqindjen e buxhetit për RTK-në, të marrë parasysh rekomandimet e EBU-së rreth financimit të RTK-së, dhe urgjentisht ta zgjidhë çështjen e pronës dhe digjitalizimit. Ndryshe, nëse këto ditë nuk miratohet ligji për RTK-në, SPERTK shumë shpejt do ta bëjë publike datën kur do të dalim në protesta./ Periskopi

Vendimi për kthim në punë i punëtorëve shkon në përmbarim, KEDS kërcënon me padi avokatin

Përfaqësuesi ligjor i punëtorëve të KEDS-it që janë larguar nga puna, Nasuf Hasani, ka dorëzuar sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesën për ekzekutim të vendimit të Inspektoratit të Punës që iu ka dhënë të drejtë 93 punëtorëve të kthehen në vendin e tyre të punës.

Periskopi.com Lajme

Hasani e ka dorëzuar kërkesën sot në mëngjes duke ia bashkangjitur edhe vendimin e Inspektoratit të Punës si provë materiale, që iu jep të drejtë punëtorëve në dy shkallët.

Vendimi i Inspektoratit të Punës kishte konstatuar se punëtorë janë larguar nga puna në kundërshtim me ligjin dhe janë shkelur të drejtat e punës, shkruan lajmi.net

Hasani ka thënë për lajmi.net se kërkesa e tij për ekzekutim është e bazuar në ligjin e procedurës përmbarimore, që e detyron KEDS-in t’i kthejë në punë punëtorët që i ka larguar padrejtësisht.

“Shpresoj që të mos zvarritet vendimi për ekzekutim, sepse tashmë të gjitha faktet janë në anën e punëtorëve dhe nuk ka ndonjë arsye që mos kthehen në punë punëtorët. Institucionet e Kosovës duhet të jenë shumë të vëmendëshme kur bëhet fjalë për largimin e njerëzve nga puna padrejtësisht, në këtë rast edhe Gjykata Themelore”, ka thënë Hasani për lajmi.net.

Vendimi i Inspektoratit e ka alarmuar edhe menaxhmentin e KEDS-it, pasi ka kërkuar kthimin e punëtorëve të larguar në punë.

Drejtori i KEDS-it George Karagutoff, ka thirrur dje në takim kryetarin e Federatës Sindikale të Pavarur Elektrokosova, Hysni Gashin, duke i thënë se mund të përballen me padi, bashkë me përfaqësuesin e tyre ligjor, Nasuf Hasanin, sepse janë duke kërkuar kthimin e punëtorëve në punë.

Gashi ka thënë për lajmi.net se drejtori i KEDS-it ka kërkuar të di se a është Hasani përfaqësues ligjor i punëtorëve të larguar, dhe po ashtu është interesuar për ligjshmërinë e sindikatave.

“Më tha se mund të përballeni me padi, derisa unë i thash se Hasani është përfaqësues ligjor me dokumente që e kemi angazhuar për çështjen e largimit të punëtorëve”, ka thënë Gashi për lajmi.net.

Ndërsa avokati Hasani, e ka quajtur kërcënim, përmendjen e padisë nga drejtori i KEDS-it George Karagutoff.

Ai ka thënë se është e çuditshme ajo çka ka dëgjuar.

Hasani ka thënë se është i gatshëm të ballafaqohet me Karagutoff-in, me kushtin që ky i fundit të ketë prova të mjaftueshme, përndryshe do të jetë i paditur vetë shefi i KEDS-it.

Nasuf Hasani

Nasuf Hasani

“Nuk kemi çka me diskutu, le t’i drejtohet gjykatës, nëse ka prova të mjaftueshme, përndryshe mos të më çon fjalë duke më bërë kërcënime të ulëta”, ka thënë Hasani.

“Është çuditshme se si e kërcënon pas asnjë bazë, nëse ka prova le ta bazon padinë, ne jemi të gatshëm të ballafaqohemi me të, por sigurisht do të del humbës, si në të gjitha rastet deri tash”./Lajmi.net

BSPK-ja nuk i përfaqëson punëtorët e Kosovës

Valbona Kamberi, kryetare e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë dhe Rrahman Jashari, kryetar i Sindikatës së Arsimit dhe Shkencës në Kosovë kanë thënë në Info Magazine të Klan Kosovës se Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës nuk përfaqëson punëtorët e Kosovës, sepse aty ka mbetur një strukturë e vjetër dhe nuk ka treguar gatishmëri për pranimin e të tjerëve.

Periskopi.com Lajme

“Ne nuk jemi pjesë e BSPK-së. S’jemi sepse ne duam të bëjmë ndryshime. Aty kanë mbetur njerëz që nuk duan ta lëshojnë atë pozitën”, ka pohuar  Rrahman Jashari, kryetar i Sindikatës së Arsimit dhe Shkencës në Kosovë.

“Ne nuk jemi pjesë e BSPK-së, sepse atje është dashur të ndërrohet shumëçka, ne si SBASHK po bëjmë”.

Ndërsa Valbona Kamberi, kryetare e Sindikatës së Policisë deklaroi se në BSPK nuk është treguar vullnet për të bashkëpunuar dhe hapur dyert për të rinte.

“Nuk kanë qenë në gjendje gatishmërie që të hapet dera për të rinj”.

“Ne, disa sindikata që kemi marrëveshje, përbëjmë mbi 70 për qind të punëtorëve të Kosovës. BSPK-ja mund të thotë çfarë të do, por realiteti është ndryshe”.

Por, po na mungon një ombrellë”, pohoi Kamberi.

Kurse Blerim Syla, nga Federata Sindikale e Shëndetësisë, duke folur për këtë çështje në Info Magazine pohoi se kjo BSPK, e dobët kështu siç është i konvenon Qeverisë.

Edhe një punëtor humb jetën në vendin e punës në Kosovë

Një punëtorë rreth të tridhjetave humbi jetën në kantier ndërtimi në lagjen 'Mati 1' në Prishtinë.

Periskopi.com Lajme

Familjarët po dyshojnë se nuk kishte siguri të mjaftueshme në punë. Mirëpo, punëdhënësi po i mohon akuzat e tilla.

Klani raporton se ai ishte nga Mitrovicë dhe sjell rrëfim nga vëllai i viktimës.

Ai thotë se mungesa e dërrasave në skele, sjellin deri tek kjo, e që sipas tyre, pak kompani në Kosovë i kanë ato.

Punëdhënësi ka mohuar akuzat për mos-kushte në punë, ndërsa Policia e Kosovës nuk jep detaje.

Flora Ahmeti, zyrtare për informim ka thënë vetëm se dyshohet se viktima u rrëzua.