Serbia pretendon se 58 për qind e territorit të Kosovës është pronë e saj

Kështu citohet të ketë deklaruar Sllavica Radomireviq, drejtoreshë e Katastrit të Kosovës e Metohisë, siç e cilëson atë “Blici” i Beogradit.

Periskopi.com Lajme

“Lënda që e posedojmë është e madhe dhe e mbrojtur në Entin e Gjeodezisë në Beograd. Shqiptarët vite me radhë kërkojnë prej nesh t’ua kthejmë dokumentacionin, meqë ka pasiguri juridike për të gjithë qytetarët në Kosovë, por ne nuk kemi asnjë arsye që t’ia kthejmë meqë duke kthyer kadastrin ne nuk do të përmirësojmë pozitën e serbëve”, i ka deklaruar Tanjugut Radomiroviq, e cila kishte organizuar evakuimin e dokumentacionit kadastral nga Kosova.

Ky dokumentacion nga autoritetet e Beogradit konsiderohet argumenti më i fuqishëm i Serbisë kundër, siç shprehen ata, vendimit antiligjor të Qeverisë së Serbisë që e gjithë pasuria e patundshme e Serbisë të regjistrohet si pasuri e Kosovës.

Ajo personalisht ka organizuar dhe ka marrë pjesë në bartjen e tonelata tonelatave të dokumenteve, të cilat me duar janë bartur nga arkivat e kadastrit në Kosovë, në qershor të vitit 1999, në momentet kur trupat e NATO-s po hynin në Kosovë.

Siç citohet ajo, në saje të ndihmës së kolegëve nga Vranja dhe Kurshumlija si dhe vullnetarëve të shumtë, tonelata letra kanë mbërri në Beograd, dhe vetëm nga shtatë komuna nuk është bartur i gjithë dokumentacioni, por ekzistojnë kopjet.

Vlera e pasurisë të cilën, siç shprehen në Beograd, autoritetet e Kosovës po përpiqen ta përvetësojnë, tokë, objekte, ndërtesa afariste, ndërmarrje shtetërore, objekte sportive, sipas disa vlerësimeve kap dhjetë miliardë euro.

Reklamë
Reklamë

Qeveria tregon se si u morr vendimi për pronat e ish-RSFJ’së

Ministria e Drejtësisë ka sqaruar përmes një shkrese se si ka ardhur deri te vendimi për pronat.

Periskopi.com Lajme

Qeveria e Kosovës, me 1 mars ka marrë vendim ku thuhet se të gjitha patundshmëritë në emër të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, përkatësisht të ish-Republikës Socialiste të Serbisë, do të regjistrohen si prona të Republikës së Kosovës.

Më poshtë është i plotë sqarimi i Ministrisë së Drejtësisë se si ka ardhur deri te ky vendim:

Me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 06/134 të datës 01.03.2017, Qeveria e Republikës së Kosovës ka përcaktuar që të gjitha pronat e paluajtshme të regjistruara në emër të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë/Republikës së Jugosllavisë, të Republikës Socialiste të Serbisë/Republikës së Serbisë, dhe të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, përfshirë organet e tyre shtetërore, administrative, ushtarake dhe ish-organizatat shoqërore-politike të regjistrohen në emër të Republikës së Kosovës si pronare e këtyre pronave të paluajtshme.

Ky vendim është i bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës të datës 17 shkurt 2008 me të cilën Republika e Kosovës është shpallur shtet i pavarur dhe sovran. Si shtet i pavarur, dhe sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare, Republika e Kosovës në mënyrë automatike ka trashëguar pronësinë mbi pronat shtetërore të Jugosllavisë dhe të Serbisë siç përcaktohet në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Kjo është konfirmuar edhe nga Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës (“Plani i Ahtisarit”), i cili ka qenë i inkorporuar si pjesë përbërëse e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Sipas këtij dokumenti, “prona e luajtshme dhe paluajtshme e Republikës Federative të Jugosllavisë apo e Republikës së Serbisë, e cila ndodhet brenda territorit të Kosovës në momentin e Marrëveshjes, do t’i kalohet në pronësi Kosovës” (neni 8.3). Duke marrë parasysh që Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës ka hyrë në fuqi me rastin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me atë rast dhe me automatizëm prona e luajtshme dhe paluajtshme e Jugosllavisë dhe e Serbisë, e cila ndodhet brenda territorit të Kosovës, ka kaluar në pronësi të Republikës së Kosovës.

Për këtë arsye, Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës vetëm kërkon korrigjimin e shënimeve kadastrale me qëllim që këto të pasqyrojnë gjendjen juridike të krijuar me automatizëm me rastin e hyrjes së fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Zbatimin e vendimit e bën Agjencia Kadastrale e Kosovës në pajtim me ligjet në fuqi.

Ministria e Drejtësisë dëshiron të sqarojë për opinionin publik se nevoja për korrigjimin e shënimeve kadastrale është ngritur që në vitin 2014 kur Ministria e Drejtësisë filloi procesin e hartimit të koncept dokumentit për ligjin për pronën publike. Në kuadër të koncept dokumentit u trajtua nevoja për rregullimin e çështjes së suksedimit shtetëror në pronën e paluajtshme të Jugosllavisë dhe të Serbisë.

Çështja e suksedimit shtetëror në pronën e paluajtshme dhe korrigjimi i shënimeve kadastrale me qëllim që Kosova të regjistrohet si pronare e tokave që ende janë të regjistruara në emër të Jugosllavisë dhe të Serbisë u ngrit prapë gjatë konsultimeve për hartimin e strategjisë për të drejtat pronësore në Kosovë. Ky proces filloi në vitin 2015 dhe udhëhiqej nga Ministria e Drejtësisë me përkrahjen e USAID. Në kuadër të grupit të parë tematik, i cili ishte përgjegjës që të analizojë legjislacionin lidhur me të drejtat pronësore-juridike në Kosovë, u identifikua problemi i pronave të regjistruara në emër të Jugosllavisë dhe të Serbisë dhe u rekomandua që këto të trajtohen sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare. Grupi punues vlerësoi se fakti që në Kosovë ka ende prona të paluajtshme të cilat përkundër rregullave të së drejtës ndërkombëtare janë të regjistruara në emër të Jugosllavisë dhe të Serbisë e cenon pronën publike të Republikës së Kosovës, krijon pasiguri juridike dhe pamundëson shfrytëzimin e këtyre pronave për nevojat e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Kosovës. Analiza përkatëse dhe rekomandimi më pas u bënë pjesë e strategjisë kombëtare për të drejtat pronësore në Kosovës, e cila pas finalizimit nga Ministria e Drejtësisë u miratua nga Qeveria në dhjetor të vitit 2016.

Gjatë fazës së miratimit të kësaj strategjie, përkatësisht në tetor 2016, Ministria e Drejtësisë veç filloi konsultimet me Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe me Agjencinë Kosovare të Privatizimit për identifikimin e pronave të paluajtshme që janë ende të regjistruara në emër të Jugosllavisë dhe të Serbisë dhe që duhet të kalojnë në emër të Republikës së Kosovës. Agjencia Kadastrale e Kosovës e paraqiti një listë e cila u shqyrtua edhe nga Agjencia e Privatizimit e Kosovës me qëllim që në këtë listë të mos figurojnë prona shoqërore që janë nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Pas pastrimit të listës dhe hartimit të projektit të vendimit, Ministria e Drejtësisë në nentor të vitit 2016 e parashtroi vendimin në Qeveri. Gjatë shqyrtimit në Qeveri u kërkua që lista të plotësohet me më shumë të dhëna faktike lidhur me parcelat në fjalë dhe për këtë arsye iu kthye Ministrisë së Drejtësisë për rishikim. Vendimi u rishikua nga Ministria e Drejtësisë dhe lista u plotësua nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe së bashku më pas u dorëzuan në Qeveri, e cila në mars të vitit 2017 e miratoi vendimin.

Reklamë
Reklamë

Neglizhenca 9-vjeçare e autoriteteve ia ngjall Serbisë ambiciet për 520 pronat e Kosovës

Beogradi zyrtar ka nisur një betejë për të marrë 520 njësitë pronësore të 84 organeve të ndryshme publike, të cilat gati një dekadë prej shpalljes së Pavarësisë së Kosovës kanë mbetur të regjistruara në emër të ish-Jugosllavisë, të Serbisë, apo edhe në emër të Kosovës si krahinë e Serbisë.

Periskopi.com Lajme

 

Në kadastër shteti nuk figuron si pronar i tyre, shkruan sot Koha Ditore.

Dy javë më parë gazeta ka raportuar se, shkaku i kësaj neglizhence institucionale, shtetit janë duke iu rrezikuar këto prona.

Një analizë juridike bërë kësaj problematike, ka theksuar se mungesa e korrigjimit të pronarit në regjistra kadastralë ka krijuar “pasiguri juridike rreth titullarit të ligjshëm” dhe ka cenuar këtë pasuri të paluajtshme të Republikës.

Reklamë
Reklamë

Edhe Rada Trajkoviq flet për pronat e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një veprim të paligjshëm në lidhje me vendimin për për t`i regjistruar si prona të Kosovës të gjitha patundshmëritë që ishin në emër të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, përkatësisht të ish-Republikës Socialiste të Serbisë, ka deklaruar Rada Trajkoviq, shkruan Radio Kim.

Periskopi.com Lajme

“Sipas rezolutës 1244, ka një dispozitë ku thuhet se të gjitha pasuritë në pronësi të Republikës së Serbisë janë në përdorim të misionit të OKB-së në Kosovë. Pas largimit të Kombeve të Bashkuara, me vendim, prona i kthehet pronarit, përveç nëse Republika e Serbisë, nuk e jep pëlqimin që të drejtën pronësorë t’ia jap dikujt tjetër” ka thënë Trajkoviq, raporton Klani

Ajo beson se autoritetet e Beogradit duhet të informojnë misionin e OKB-së në Prishtinë si dhe Këshillin e Sigurimit se qeveria e Kosovës në mënyrë drastike ka  shkelë rezolutën 1244.

Reklamë
Reklamë

Bashkësitë fetare duan kthimin e pronave

Bashkësia Islame e Kosovës dhe Kisha Katolike kanë një numër të konsiderueshëm të pronave që u janë marrë nën sisteme të ndryshme të okupimit e të cilat nuk i janë kthyer asnjëherë.

Periskopi.com Lajme

Përfaqësues të të dy institucioneve fetare në vend, po kërkojnë që Qeveria të marrë parasysh kërkesat e tyre dhe të fusë kthimin e pronave fetare në projektligjin e ri për liritë fetare në vend.

Vedat Sahiti nga BIK dhe Don Lush Gjergji nga Kisha Katolike e Kosovës kanë insistuar se duhet diskutuar kthimi i pronave të nacionalizuara e që më parë u kanë takuar qoftë Bashkësisë Islame e qoftë Kishës Katolike.

Ai ka shtuar se kanë mjaft mirëkuptim në këtë aspekt, pasi që nuk po i kërkojnë ato prona që janë tjetërsuar por ato që u takojnë./ Tribuna

Reklamë
Reklamë