lumezi

Zbulohet identiteti i personit që u arrestua sot, i dyshuar për vjedhjen në shtëpinë e Kryeprokurorit (Foto)

Gjatë ditës së mërkure, Gazeta Blic ka raportuar se Policia e Kosovës ka arrestuar edhe një person si të dyshuar për vjedhje në shtëpinë e Kryeprokurorit, Aleksandër Lumezi, por informacionet e reja tashmë konfirmojnë edhe identitetin e plotë të tij.

Periskopi.com Lajme

Sipas burimeve të Gazeta Blic në Policinë e Kosovës, emri i personit të dyshuar për vjedhje në shtëpinë e kryeprokurorit është Leotrim Kaqiu.

GazetaBlic, përmes këtyre burimeve ka arritur gjithashtu të sigurojë edhe fotografin e të dyshuarit.

hajni

 

Ndryshe persona të panjohur kishin arritur të futeshin në shtëpinë e kryeprokurorit mëngjesin e hershëm të datës 22 nëntor të vitit të kaluar duke marrë vetëm një telefon “Samsung” të kryeprokurorit Lumezi.

Hajnat kishin arritur të thyenin dy dyer të shtëpisë edhe pse shtëpia ishte nën mbikëqyrjen e policisë për 24 orë.

Ramush Haradianj

Po diskutohet lirimi me kusht për Haradinajn

Ahmet Isufi nga AAK ka deklaruar se është duke u diskutuar lirimi me kusht për liderin e kësaj partie, Ramush Haradinajn, që po mbahet në Francë, me urdhërarrest të Serbisë.

Periskopi.com Lajme

Në Interaktiv të KTV-së, Isufi ka thënë se ndalimi i Haradinajt është i pakuptimtë dhe “i dëmshëm edhe për shtetin e Kosovës sepse ai është ndalur me pasaportë diplomatike”.

Edhe pse Prokuroria ka kërkuar nga Serbia kërkesën zyrtare për ekstradim, në mënyrë që të vendosë për Haradinajn, Isufi ka bërë të ditur se është duke u diskutuar edhe lirimi me kusht për liderin e AAK-së.

“Nuk besoj që do ta mbajnë më gjatë Haradinajn, sepse ekziston edhe mundësia për lirim me kusht. Këto janë procedura që drejtësia franceze është duke i përfillur”, ka thënë ai në Interaktiv. “Janë procedura që po përfillen, por që është dashur me kohë të eliminohen”.

Sipas Isufit, Kosova së pari është dashur që të parashtrojë kushte që kanë të bëjnë me dëmet e luftës, me të pagjetur, me fondet pensionale e të kursimit, dëmshpërblimin për të gjitha ato që i ka bërë në Kosovë dhe krahas këtyre të pastrohet lista, e pastaj të shkohet në Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Isufi, partia e së cilit në fillim kishte përkrahur dialogun me Serbinë, ka kërkuar ndaljen e tërësishme të dialogut.

“Kjo vetëm e ka vështirësuar normalizimin e marrëdhënieve. Fillimisht ka pasur një dialog që janë quajtur bisedime teknike, edhe pse ne e kemi thënë që në fillim se do të jenë bisedime politike. Por e kemi përkrahur sepse kanë qenë për normalizim të marrëdhënieve. Kur kemi parë se kemi hyrë në tema që e dëmtojnë Kosovën ne kemi kërkuar ridefinim të këtij dialogu. Tash kërkojmë ndaljen e tërësishëm të këtij dialogu”, ka deklaruar ai.

Ky është Prokurori i Përgjithshëm francez që e la në paraburgim Haradinajn (Foto)

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj do të mbetet në paraburgim në Colmar të Francës deri në një kërkesë zyrtare të Serbisë për ekstradim të tij, ka njoftuar Gjykata e Apelit në Francë, raportoi Reuters.

Periskopi.com Lajme

Në letrën e Prokurorisë së përgjithshme thuhet se: “Në përputhje me Konventën Evropiane të ekstradimit nga 1957, z. Ramush Haradinaj iu paraqit Prokurorit të Përgjithshëm të Apelit në Colmar me 5 janar, që ia tregoi atij kërkesën për mbajtje të përkohshme dhe ia tregoi masat e kryegjyqtarit të Apelit që të merren masat në mënyrë që të garantohet përfaqësimi i tij para Drejtësisë franceze me rastin e procedurës se ekstradimit”.

Vendimi është i nënshkruar nga Prokurori i Përgjithshëm i Gjykatës së Apelit në Colmar të Francës, Jena-François Thony, raporton lajmi.net.

Por kush është Prokurori Thony që e la në paraburgim ish kryeministrin kosovar.

 

Lajmi.net ju sjellë një biografi të shkurtër të Jean-François Thony.

Jean-François Thony është Prokurori i Përgjithshëm i Gjykatës së Apelit të Colmar në Francë.

Ai e filloi karrierën e tij në gjyqësorin francez si gjyqtar ekzaminues, Zëvendësprokuror dhe Kryeprokuror.

Kurse iu bashkua  Programit të Kombeve të Bashkuara të kontrollit ndërkombëtar të drogës në fillim të vitit 1991 si këshilltar i lartë ligjor, ndërsa më vonë u bë Menaxher Programi i Programit Global të OKB-së kundër pastrimit të parave.

Në korrik të 2000-ës Thony u emërua Gjyqtar i Gjykatës e Apelit të Versailles në Francë.

Më pas u bashkua me Departamentin Ligjor të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në korrik të 2002-ës duke shërbyer si Asistent i Përgjithshëm i Këshillit dhe Kryetarit i Integritetit Financiar Grupor me përgjegjësinë e mbikëqyrjes.

Në shtator 2007 u emërua si Drejtor i Shkollës Kombëtare për Gjyqësorin ku shërbeu për më shumë se katër vjet.

Kurse në shkurt të vitit 2012, ai u emërua si prokuror i Përgjithshëm i Gjykatës së Apelit të Alsaces, në Colmar (Francë) ku vepron ende në këtë pozitë.

 

te dyshuarit

Prokurori i rastit flet për aktakuzën ndaj aktivistëve të VV-së

Prokurori special, i angazhuar në rastin e sulmit me mjet shpërthyes ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në gusht të këtij viti, thotë se u ka besuar provave që i ka para vetes kur ka ngritur aktakuzë ndaj katër aktivistëve të VV-së.

Periskopi.com Lajme

Më herët, Prokuroria Speciale konfirmoi se ndaj Atdhe Gashit, Frashër Krasniqit, Egzon Halitit dhe Adea Batushës është ngritur aktakuzë për terrorizëm për sulmin që ndodhi natën e 4 gushtit.

“Besoj se ka prova të mjaftueshme për të argumentuar këtë aktakuzë. Kemi përdorur provat të cilat i kemi pasur në kallëzimin penal dhe disa prova të tjera rrethanore përfshirë deklaratat e dëshmitarëve”, tha prokurori i rastit Abdurrahim Islami për KALLXO.com.

Ai tha se aktakuza ka të bëjë vetëm me rastin e sulmit ndaj Kuvendit, dhe jo me rastet tjera të gjuajtës së mjeteve shpërthyese, të cilat ishin të shpeshta atyre ditëve.

“E tërë aktakuza ka të bëjë me sulmin në kuvend ndërsa rastet e tjera të sulmeve gjatë asaj kohe mbeten të hetohen”, shtoi prokurori Islami.

Përderisa katër aktivistë të VV-së tashmë e kanë gjetur veten në listën e të akuzuarve për terrorizëm, ndaj njërit prej tyre, Petrit Ademit, hetimet kanë pushuar.

“Për Petrit Ademin kam vendosur me i pushu hetimet për shkak se nuk ka prova të cilat e inkriminojnë atë në kryerjen e veprës penale”, tha Abdurrahim Islami.

Hetimet kanë pushuar edhe ndaj Astrit Deharit, i cili muajin e kaluar u gjet i vdekur në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren, në pritje të intervistimit nga ana e prokurorisë.

Keshilli-Prokurorial-i-Kosoves-KPK-635x350

Shtatë prokurori themelore të Kosovës bëhen me kryeprokurorë

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka zgjedhur sot shtatë kryeprokurorë të prokurorive themelore.

Periskopi.com Lajme

Zgjedhja e tyre është bërë sot në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të cilën e drejtoi Blerim Isufaj, kryesues i tij, transmeton Koha.net.

Sipas komunikatës për medie:

kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, me gjashtë (6) vota për, dy (2) vota kundër, një (1) votë e pavlefshme, është rizgjedhur kryeprokurori, Imer Beka;

kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Ferizajt është zgjedhur prokurori Shukri Jashari, me gjashtë (6) vota për dhe tri (3) kundër;

për Prokurorinë Themelore të Gjakovës anëtarët e Këshillit Prokurorial kanë zgjedhur me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, prokurorin Ali Selimaj;

kryeprokurori i deritanishëm i prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Shyqri Syla, është rizgjedhur në këtë post me shtatë (7) vota për dhe dy (2) kundër,

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Jetish Maloku, me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, është rizgjedhur kryeprokuror i kësaj prokurorie;

Me shtatë (7) vota për dhe dy (2) kundër, anëtarët e KPK-së kanë zgjedhur kryeprokuror të Prokurorisë Themelore të Pejës, prokurorin Agim Kurmehaj;

E për të parin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës, me pesë (5) vota për dhe katër (4) kundër, kanë zgjedhur prokurorin Admir Shala.

Po sot, anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës morën vendim që anëtarja e Komisionit për Vlerësimin e Përformancës së prokurorëve, prokurorja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, njëherësh anëtare e KPK-së, Ikramije Bojaxhiu të angazhohet me punë të përhershme në afat kohorë prej dy viteve, në Komisionin për Vlerësimin e Përformancës së prokurorëve.

Këshilli Prokurorial gjatë këtij takimi ka aprovuar Rregulloren për Veprimtarinë, Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Sekretariatin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, me të cilin përcakton veprimtarinë, organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Sekretariatin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, për të ndihmuar dhe zbatuar rregullat, rregulloret dhe politikat e Këshillit, lidhur me menaxhimin, buxhetin dhe administrimin e prokurorive.

Keshilli-Prokurorial-i-Kosoves-KPK-635x350

Miratohet dorëheqja e prokurorit që drekoi me të akuzuarin

Këshilli Prokurorial i Kosovës miratoi dorëheqjen e prokurorit të Ferizajt Visar Musa.

Periskopi.com Lajme

Në mbledhjen e sotme Këshilli Prokurorial i Kosovës miratoi dorëheqjen e prokurorit të Ferizajt Visar Musa.

Musa e paraqiti dorëheqjen  në KPK, disa javë pasi nga fundi i tetorit në Emisionin “Drejtësia në Kosovë”u zbulua se ai drekoi me të akuzuarin Raif Rama.

Sipas hulumtimit të “Drejtësisë në Kosovë” Musa po hetonte vëllezërit Rama, ndërsa kishte dalë në drekë me njërin prej tyre.

Musa kishte thënë për “Drejtësinë në Kosovë” se ishte në dijeni se po takohej me të akuzuarin, por sqaroi se takimi ishte iniciuar nga gjykatësi Shabani që ka miqësi me të akuzuarin Rama.

Takimi u konfirmua edhe nga gjykatësi Adem Shabani, por ai duke e pranuar se të akuzuarin Rama e ka të afërm, tha se qëllimi i takimit nuk ishte ndikimi në prokurorin Musa.

Përveç dorëheqjes së Musës, Këshilli prokuroria i Kosovës në mbledhjen e sotme miratoi kërkesën e kryeprokurores së Gjakovës Shpresa Bakija për kompensim të pagës gjatë kohës sa ishte e suspenduar.

Bakija ishte suspenduar pasi akuzohej keqpërdorim të detyrës zyrtare, zbulim të fshehtësisë zyrtare dhe cenim të fshehtësisë së korrespondencës, por Gjykata në Gjilan e liroi atë më 16 qershor, ndërsa më 3 nëntor edhe Gjykata e Apelit ia vërtetoi pafajësinë.

Edhe Shpresa Bakija u akuzua pas një emisioni të “Drejtësisë në Kosovë” të shfaqur në tetor të vitit 2014 në lidhje me rrjedhjen e disa mesazheve të dashurisë nga zyrat e Prokurorisë në Gjakovë për të cilat u raportua në KALLXO.com.

Këshilli Prokurorial themeloi komisionin që do të shqyrtojë e kandidatëve për kryeprokurorë të prokurorive themelore.

Ky komision do të përbëhet nga kryetari Reshat Millaku, ndërsa do të ketë anëtarë Lulzim Sylejmanin dhe Radica Miliqin.

Këshilli miratoi edhe rekomandimin për politikat e trajnimit të vazhdueshëm të prokurorëve dhe personelit administrativ për vitin 2017, ndërsa vendosi që koordinatorit për luftimin e krimit ekonomik t’i mundësohen shpenzime telefonike prej 50 eurove, ndërsa stafi mbështetës i tij do ta ketë lejen për 30 euro shpenzime të tilla.