Lumezi kërkon nga kryeprokurorët që t’i trajtojnë rastet që ndërlidhen me zgjedhjet

Periskopi.com Lajme

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka mbajtur sot takim pune me kryeprokurorët e prokurorive Themelore, Prokurorisë Speciale dhe Prokurorisë së Apelit.

Gjatë këtij takimi sipas kërkesës së kryeprokurorit Lumezi të gjithë kryeprokurorët e prokurorive të vendit, raportuan për muajin prill të këtij viti për punën e prokurorive që i drejtojnë, si dhe për punën e secilit prokuror të asaj prokurorie, njofton kumtesa.

Nga paraqitja e këtyre raporteve u pa se gjatë muajit prill 2017 ka pasur rezultate të mira të punës dhe rritje të efikasitetit të punës në të gjitha prokuroritë themelore, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, si dhe në Prokurorinë e Apelit.

Vetëm gjatë muajit prill shtatë prokuroritë themelore kanë pranuar në punë 2108 lëndë dhe kanë përfunduar 3140 lëndë, që do të thotë se prokurorët kanë përfunduar 1032 lëndë më shumë sesa kanë pranuar në punë.

  • Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar në punë 550 lëndë dhe ka përfunduar 1124;
  • Prokuroria Themelore në Ferizaj ka pranuar në punë 244 lëndë dhe ka përfunduar 431;
  • Prokuroria Themelore në Gjilan ka pranuar në punë 193 lëndë dhe ka përfunduar 195;
  • Prokuroria Themelore në Gjakovë ka pranuar në punë 183 lëndë dhe ka përfunduar 175;
  • Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka pranuar në punë 138 lëndë dhe ka përfunduar 307;
  • Prokuroria Themelore në Pejë ka pranuar në punë 393 lëndë dhe ka përfunduar 416;
  • Prokuroria Themelore në Prizren ka pranuar në punë 407 lëndë dhe ka përfunduar 492.

Poashtu gjatë këtij takimi kryeprokurori Lumezi i njoftoi kryeprokurorët se Këshilli Prokuorial i Kosovës, ka aprovuar procedurat standarde të veprimit për ngritjen e efikasitetit në trajtimin e rasteve të dhunës në familje, i cili plan ka për synim ngritjen e efikasitetit për trajtimin e rasteve të dhunës në familje gjatë procedimit të këtyre rasteve në prokurori. Andaj kryeprokurori Lumezi kërkoi që kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore të caktojnë nga një prokuror, me përjashtim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë që duhet të caktoj dy prokurorë, të cilët do të merren me trajtimin e lëndëve që kanë të bëjnë me dhunën në familje, me synim për ngritje të efikasitetit në trajtimin e këtyre lëndëve, duke siguruar që këto lëndë të trajtohen me prioritet. Këta prokurorë do të specializohen për rastet e dhunës në familje në pajtim me kërkesat që burojnë nga Strategjia kombëtare e Republikës së Kosovës për mbrojtje nga dhuna në familje dhe Plani i veprimit 2016-2020.

Gjatë këtij takimi, kryeprokurori Lumezi kërkoi nga kryeprokurorët që t’i trajtojnë  me prioritet edhe rastet që ndërlidhen me zgjedhjet, si dhe njoftoi se me qëllim të caktimit të obligimeve dhe detyrave në kuadër të projektit për mbrojtjen e votës ka aprovuar planin e veprimit për zgjedhjet nacionale në vend. Ky plan përcakton të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë e koordinatorit nacional, menaxherit të projektit, kryeprokurorëve të prokurorive themelore, prokurorëve të angazhuar dhe stafit mbështetët të angazhuar në procesin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Në fund të takimit kryeprokurori Lumezi njoftoi se është nënshkruar memorandum i mirëkuptimit në mes kryeprokurorit të Shtetit, Këshillit Prokuorial të Kosovës dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës për aplikimin nga prokurorët dhe vendosjen nga ana e gjykatave për shitjen e aseteve, dhënies në shfrytëzim apo shkatërrimit të tyre. Kryeprokurori Lumezi kërkoi që në pajtim me këtë Memorandum, kryeprokurorët e të gjitha prokurorive të evidentojnë të gjitha rastet kur ka asete të sekuestruara, të cilat potencialisht mund të konsiderohen për tu shitur, dhënë në shfrytëzim apo për tu shkatërruar, para ose pas vendimit përfundimtar të gjykatës. Më pas ato raste kryeprokurorët t’i shpërndajnë tek prokurorët e rasteve, të cilët obligohen t’i paraqesin kërkesat për shitje të aseteve, dhënie në shfrytëzim apo shkatërrim.

Këshilltari i Isa Mustafës kërkon ndëshkim për prokurorët që ushtrojnë aktakuza pa prova

Këshilltari për drejtësi i kryeministrit Isa Mustafa, Besnik Berisha, thotë se Kosova ka nevojë që sa më shpejt të ketë Ligjin për të sanksionuar abuzimin me të drejtë diskrecionale.

Periskopi.com Lajme

Duke folur për një rast të Lutfi Hazirit, ai ka thënë se Prokurori që ka ushtruar aktakuzë pas as edhe një provë të vetme inkriminuese, ka abuzuar sipas tij, me të drejtë diskrecionale, në këtë rast të Lutif Haziri, që ia njeh ligji sipas tij, dhe duhet ndëshkuar, raporton Periskopi

“Dua të besoj se Këshilli Prokurorial nuk do të tolerojë më ndjekje të tilla që lëndojnë imazhin e këtij institucioni të rëndësishëm për shtetin tonë dhe cenojnë sigurinë juridike të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Për një të ardhme më të mirë, barazia para ligjit është vlerë që duhet ta mbrojmë të gjithë”, thotë Berisha, raporton periskopi

Ai thotë se vendimi i Gjykatës Themelore në Gjilan për hudhjen e aktakuzës kundër Lutfi Haziri, madje qysh në shqyrtimin fillestar dhe konfirmimi i këtij vendimi nga Gjykata e Apelit, përveç konfirmimit të pafajësisë së z. Haziri, sipas tij, konfirmon po ashtu edhe nevojën që sa më parë të miratohet një ligj për të sanksionuar abuzimin me të drejtën diskrecionale.

“Meqë vendimet e Gjykatës konfirmuan se nuk kishte as edhe një provë të vetme inkriminuese kundër z. Lutfi Haziri, rrjedhimisht i bie që ndjekja e tij ishte arbitrare dhe kushdo Prokuror që ka ushtruar këtë aktakuze pa as edhe një provë të vetme inkriminuese, ka abuzuar me të drejtën diskrecionale që i njeh ligji dhe duhet ndëshkuar”, thotë ai. /Periskopi

Gjykata e Apelit e shfajëson Lutfi Hazirin

Këta janë gjykatësit e prokurorët që u ikin tatimeve (Video)

Dhjetëra gjyqtarë e prokurorë fitojnë para nga qiraja e banesave, lokaleve dhe pronave tjera. Por disa nga gjyqtarët dhe prokurorët, përkundër faktit se i obligon ligji që t`i deklarojnë në Administratën Tatimore të Kosovë paratë që i fitojnë nga qiraja, një gjë të tillë ata nuk e kanë bërë, së paku jo derisa nuk janë kontaktuar nga ekipi i emisionit.

Periskopi.com Lajme

Qiradhënës sipas asaj që doli nga hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë” janë Ramush Bardiqi dhe Krenar Berisha, dy gjyqtarë në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Por, hulumtimi tregoi se gjyqtari Bardiqi i ka deklaruar të gjitha të hyrat nga qiraja në ATK, por jo edhe kolegu i tij Krenar Berisha.

Ky i fundit është bashkëshorti i prokurores Shënaj Berisha. Të dy këta, nuk i kanë deklaruar të hyrat në ATK, përkundër faktit se një gjë e tillë është obligim ligjorë.

“Për shkak se nuk kam njohuri më shumë në këtë lëmi dhe nuk e kam ditur se jam obligues tatimor apo jo, unë do të shikoj se si veprohet në praktikë nga ATK dhe me siguri do t`i kryej obligimet e mia nëse kjo veç është e rregulluar dhe zbatohet nga ATK-ja”, ka deklaruar gjyqtari Berisha.

Prokurorja Shemsije Asllani nuk ka patur dilema se a duhet apo jo të paguhen tatimet nga qiraja. Ajo për këtë ka ofruar dëshmi se të gjitha të hyrat janë deklaruar në ATK. Hulumtimi dëshmoi se jo vetëm gjykatës e prokurorë nga Prishtina nuk i kanë përmbushur obligimet e tyre nga ATK-së.

Qiradhënës janë edhe Rifat Bllata, Liridon Maloku, të dy këta gjyqtarë nga Vushtrria. Por të njëjtit ofruan dëshmi se obligimi ndaj ATK-së është kryer.

“Të hyrat nga qiraja nuk janë deklaruar në ATK për shkak se nuk me obligon ligji mbi deklarimin e qirasë i vitit 2015-të, i cili ka hyrë në fuqi me datën 01.09.2015. Me rastin e takimit të parë në mes nesh, jua kam prezantuar njërën kontratë me qiramarrësin në origjinal. Kontratën tjetër nuk e kam pasur me vete, por të njëjtën e posedoj në origjinal. Në bazë të ligjit nr.05/L-028 në pjesën ku bëhet fjalë për ‘Tatimi i mbajtur në burim për pagesën e qirasë, neni 37 pika 1.9 e ka rregulluar të njëjtën çështje se si të veprohet. Mendoj se mjaftojnë këto përgjigje të shkurtra, për të ju informuar rreth asaj që keni kërkuar, kurse pas përgjigjes nga ATK-ja lidhur me kërkesën time, do të veproj sipas udhëzimeve të ATK-së”, ka thënë gjyqtari Rifat Bllata.

E kolegu i tij Gjyqtari Liridon Maloku, ka ofruar dëshmi se pasuria e cila është e lëshuar me qira është pronë e prindërve të tij, nga të cilët jeton i ndarë.

“E gjithë pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme është e prindërve. Ju njoftoj se jam i ndarë nga prindërit dhe jetoj me bashkëshorten dhe vajzën time”, thuhet në përgjigjen e gjyqtarit Liridon Maloku.

Sipas DNK, qiradhënës në Prokurorin Themelore të Mitrovicës është edhe prokurori Ahmet Tmava. Ai nuk ka ofruar dëshmi nëse i ka deklaruar tatimet nga qiraja në ATK.

Imun ndaj mos-deklarimit të të hyrave nga qiraja nuk ka qenë as gjyqtari nga Peja, Feti Gashi dhe bashkëshortja e tij Sahide Gashi.

Por, gjyqtari Gashi e ka pranuar se të gjitha detyrimet e tij do t`i kryejë në mënyrë retroaktive, pasi që ai ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni se ka detyrime ndaj ATK-së për të hyrat nga qiraja.

“Pas kontaktit me Juve të hyrat nga qiraja janë deklaruar në ATK, dhe do të paguhen retroaktivisht, ndërsa më parë nuk kanë qenë të deklaruara. Për obligimin e deklarimit të hyrave nga qiraja nuk kam qenë në dijeni andaj nuk i kam deklaruar”, ka thënë gjyqtari Feti Gashi.

Po sipas asaj që dëshmoi hulumtimi i DNK, në gjykatën dhe prokurorinë e Pejës ka edhe tjerë qiradhënës. Ahmet Rexhaj, një gjyqtar tjetër, nuk ka pranuar të flasë lidhur me atë se a i ka përmbushur apo jo detyrimet e tij ndaj ATK-së. Por, ndryshe nga kolegët e tij, prokurori Agim Kurmehaj, për të hyrat që i ka realizuar nga qiraja, nuk ka hezituar që t`i ofrojë dëshmitë se të gjitha detyrimet ndaj Administratës Tatimore i ka të kryera.

“Obligimet për qira të marrë i kam kryer rregullisht… bile nganjëherë nga neglizhenca kur kam harruar tre mujorin, më është dashur të paguaj vonesat me gjithë kamatë”, thuhet në përgjigjet e prokurorit Kurmehaj.

Siç transmetoi DNK, edhe në gjykatën e Malishevës ka gjyqtarë qiradhënës. Atje gjyqtari Shaqir Mazreku ka deklaruar se nuk është në dijeni nëse janë kryer apo jo detyrimet e tij ndaj ATK-së për të hyrat që i ka fituar nga qiraja e një lokali.

“Këto të hyra duhen të deklarohen nga qiramarrësi, dhe besoj që janë të deklaruara në ATK. Kam biseduar me qiramarrësin dhe ka deklaruar se do t`i kryejë të gjitha obligimet në ATK mbi qiranë, sepse ashtu e kemi marrëveshjen me qiramarrësin, dhe në qoftë se nuk i ka paguar do t`i paguajë të gjitha”, thuhet në përgjigjet e gjyqtarit Mazreku, dhënë për emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Në Prizren qiradhënës është prokurori dhe anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Zejnulla Gashi, por sipas asaj që transmetoi DNK, ky prokuror i ka kryer të gjitha obligimet që dalin nga ligji për tatimin në të ardhurat personale.

“Të gjitha të ardhurat nga qiraja unë i kam deklaruar. Lidhur me menaxhimin, arkëtimin e mjeteve të qirasë dhe kryerjen e obligimeve të tatimit të qirasë pranë ATK-së është marrë babai im si person fizik. Ju njoftoj se me ndryshimet ligjore nga gjysma e vitit 2015, barra e obligimeve mbi qiranë bie mbi qiramarrësin”, ka deklaruar prokurori nga Prizreni, Zejnulla Gashi.

DNK pas Prizrenit ka zbuluar se qiradhënës ka edhe në gjykatën e Ferizajt. Atje gjyqtari Bekim Salihu ka të hyra nga qiraja. Por gjyqtari Salihu ka deklaruar se obligimi për përmbushjen e detyrimeve tatimore ndaj ATK-së bie mbi qiramarrësin.

“Po ju njoftoj se këto të hyra edhe sipas Ligjit mbi të Ardhurat Personale po edhe me kontratën mbi qiranë të lidhur mes vëllaut tim si qiradhënës, me qiramarrësin këto obligime i ka qiramarrësi”, ka deklaruar gjyqtari Salihu.

Në Gjilan të hyra nga qiraja kanë prokurorët Huma Jetishi dhe Arben Kadriu.

“I kam deklaruar pasuritë në pajtim me dispozitat ligjore”, është përgjigjur shkurt për DNK, prokurorja Huma Jetishi, por e ajo nuk ka ofruar dëshmi nëse janë deklaruar të hyrat në ATK, apo jo.

Në anën tjetër, prokurori Arben Kadriu, në përgjigjet e tij ka deklaruar se barra për detyrimet tatimore bie mbi qiramarrësin.

“Lokali është dhënë me qira në bazë të kontratës së noterizuar. Qiraja mujore është 200 Euro, duke filluar nga shtatori i vitit 2015, ndërsa lartësia e tatimit të qirasë është 9%, pra 18 Euro. Qiramarrësi i ka kryer të gjitha obligimet ndaj Administratës Tatimore lidhur me tatimin mbi qiranë, që nga fillimi i shfrytëzimit të lokalit. Kjo mund të vërtetohet në Administratë Tatimore”, ka thënë prokurori i krimeve të rënda Arben Kadriu.

Hulumtimi i DNK, ka vazhduar edhe ne nivele me të larta të gjyqësorit në vend. Në gjykatën e Apelit janë gjyqtarët Albert Zogaj dhe Qerim Ademaj që fitojnë para nga qiraja. Ata përkundër insistimit të ekipit të DNK, nuk kanë pranuar të deklarohen para kamerave dhe as nuk kanë ofruar përgjigje me shkrim nëse i kanë deklaruar në ATK të hyrat nga qiraja.

As dy drejtuesit më të lartë në sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial nuk kanë pranuar të deklarohen.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor Nehat Idrizi dhe as ai i Këshillit Prokurorial, Blerim Jusufaj, nuk kanë gjetur kohë të flasin se si lejohen që gjyqtarët e prokurorët të mos i kryejnë obligimet e tyre tatimore.

Lidhur me deklarimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilat siç tregoi hulumtimi i DNK nuk e kanë ditur që duhet t`i deklarojnë të hyrat nga qiraja në ATK, zyrtari i kësaj të fundit, Sami Salihu, ka thënë se mos-deklarimi i të hyrave sanksionohet me ligj.

Ai ka thënë se çdo e hyrë është e tatueshme, prandaj edhe të hyrat nga qiraja, sipas tij, duhet deklaruar dhe paguar tatimet në ATK. Ai ka thënë se nuk kanë informacione konkrete lidhur me faktin se ka gjyqtarë dhe prokurorë që nuk i deklarojnë të hyrat që i fitojnë nga qiraja. Mirëpo, ai ka shtuar se pas pranimit të informatave do të vlerësojnë nëse ekzistojnë elemente të ikjes nga detyrimet tatimore. Ai ka thënë se ATK do të bëjë verifikimin dhe vlerësimin dhe me pas do të veprojë konform ligjit dhe procedurave të ATJK-së për të gjitha ata që nuk i kanë deklaruar të hyrat nga qiraja.

Siç transmetoi DNK, Sami Salihu, nga ATK ka shpjeguar rastet se kur obligohet qiradhënësi të kryejë obligimet e kur qiramarrësi.

Por, sipas tij, në secilën situatë qiradhënësi është i obliguar të bëjë deklarimin e të hyrave në ATK. Sipas tij, në rastet kur pagesa e tatimeve bie mbi qiramarrësin, qiradhënësi obligohet të bëjë vetëm deklarimin e të hyrave, pa u ngarkuar me tatime./KALLXO.com/

Edhe hetues të Prishtinës përfshihen në rastin ‘Dehari’, Intervistohen disa dëshmitarë

Hetimet mbi shkaqet e vdekjes së Astrit Deharit, tashmë nuk do t’i bëjë vetëm Policia e Prokuroria e Prizrenit. Sot është marrë vendim që të krijohet një ekip i përbashkët hetimor ku është përfshirë edhe policia qendrore në Prishtinë e cila do të ndihmojë në zbardhjen e rastit Dehari.

Periskopi.com Lajme

Lajmin për themelimin e ekipit të përbashkët hetimor e ka konfirmuar për Gazetën Express, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren Sylë Hoxha.

“Është formuar një ekip i përbashkët i drejtorisë qendrore të policisë që do ta ndihmojnë drejtorinë rajonale të Prizrenit,. Po punojmë që nga ora 8-24 për ndriçimin e çështjes”, ka thënë Hoxha.

Kryeprokurori bëri të ditur se për hetimin e rrethanave të vdekjes së Deharit është angazhuar edhe një prokurore tjetër.

” E kemi angazhuar edhe një prokurore tjetër në mënyrë që të përshpejtohen hetimet”, ka thënë Hoxha.

Ndërkohë që prokurori, Mirush Biraj i cili po e kryeson ekipin hetimor për vdekjen e Astrit Deharit, ka shpjeguar për Express, se deri më tani janë intervistuar disa persona si dëshmitar për vdekjen e Astrit Deharit.

“Jemi në nivel të detyrës duke u aktivizuar. Deri më tani janë intervistuar disa persona si dëshmitarë nga qendra e paraburgimit në Prizren”, ka thënë ai.

Ndërkohë që ai tha se hetimet janë duke vazhduar nën mbikëqyrjen e tij.

“Në rast nevoje kemi edhe kolegë të tjerë të cilët janë në gjendje gatishmërie, mirëpo për momentin nuk janë të angazhuar askush. Jemi duke kryer hetime me përkushtim të jashtëzakonshëm”, ka thënë ai.

Ndërkohë që rezultatet e autopsie së trupit të pajetë të Astrit Deharit ende nuk janë bërë publike nga ana e Mjekësisë Ligjore.

Trupi i pajetë i Astrit Deharit është varrosur dje në fshatin Zllatar afër Matiqanit. Dehari po prehet pranë varrit të vëllait të tij, Arbnor Deharit, i cili u vetëvra para dy viteve.

Kujtojmë që Astrit Dehari ndërroi jetë të shtunën në qendrën e Paraburgimit në Prizren. Rrethanat e vdekjes së tij do t’i bëjë të ditur raporti përfundimtar i autopsisë që iu bë dje trupit të Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.