Avni Dehari

Babai i Astritit: Drejtësia, liria dhe vetëvendosja do bëhen realitet

Gjatë ceremonisë komemorative për Astrit Deharin ka folur edhe babai i tij, Avni Dehari, i cili ka thënë se ideali për çka ka luftuar i biri i tij një ditë do të bëhet realitet.

Periskopi.com Lajme

Ai ka falënderuar të gjithë për mbështetjen që po i japin familjes së tij në këto momente shumë të vështira.

“Astrit, ti e unë si baba e bir jemi në këtë sallë për dy qëllime. Ti je në fotografi që të gjithë të çmallen me ty dhe ta ruajnë kujtimin e freskët për ty. Unë jam këtu në emrin tënd, timin, të Xhemiles, Albanës e Artës që t’i falënderojmë të gjithë që kanë ardhur të na ndihmojnë ta përballojmë dhembjen për rënien tënde. Ne jemi të vetëdijshëm që ata që bënë që ti të mos jesh në mesin tonë deshën ta heshtnin vdekjen tënde, por madhështia jote shpërtheu në grilat e burgut dhe i bëri të gjithë të ndjejnë pikëllimin e madh për ty”, është shprehur Avni Dehari, raporton KTV.

Ai më tutje është shprehur se ëndrra për drejtësi, liri dhe vetëvendosje një ditë do të bëhet realitet.

“Je i bindur Astrit se drejtësia, liria e plotë dhe vetëvendosja ëndrrat e shekullit janë të gjalla dhe të forta dhe do të vazhdojnë deri në pafundësi. Fli i qetë se të gjitha një ditë do të bëhet realitet”, ka thënë ai.