Kjo është 26 vjeçarja që synon të bëhet presidente e Kosovës

Është vetëm 26 vjeçare por ka pesë diploma: Tri të nivelit beachalor dhe dy të nivelit master. Kjo është Kosovare Murseli

Periskopi.com Lajme

Kemi dëgjuar të kenë nga dy diploma dhe të vazhdojnë studimet njëkohësisht në dy fakultete por, a e keni menduar ndonjëherë se kureshtja për dije mund t’i kalojë edhe këto limite.  Epo me lejoni të ju them që po, gjeni të tillë ekzistojnë dhe jo larg, janë pikërisht nga Kosova.

Qysh kur ishte e vogël nga nëna e saj iu ngulit në kokë se mësimi është gjëja më e rëndësishme në jetë. Kështu Kosovarja ndoqi këshillën e se ëmës për shkollim, madje duke kaluar edhe pritshmërinë e familjarëve. Ajo ka vetëm 26 vjet por posedon pesë diploma, tre të nivelit beachalor dhe dy të nivelit master, shkruan rtv21.tv

E lindur dhe e rritur në fshatin Doganaj të Kaçanikut, vend që siç tregon ajo nuk i kishte dhënë shumë përparësi shkollimit të femrave, Kosovarja me mbështetjen e familjes, vendos që të thyej këtë tabu, duke u bërë kështu shembull “Gjithmonë kam dashtë me qenë shembull, kam dashtë me tregu se edhe ne çikat mundemi, edhe me neve mundeni me u ndi krenarë. Kam pasur edhe raste kur jam nënvlerësu, po kurrë nuk jam dorëzu”, rrëfen ajo.

Ndonëse thotë se të tjerët për të, ndonjëherë e krijojnë përshtypjen se është mendjemadhe, Kosovarja përkundrazi duket mjaft e afërt dhe e dashur me njerëz.

Ajo shfaq peripecitë të cilat ka kaluar për t’i realizuar deri këtu ëndrrat e saj. Në vitin 2008, Kosovarja regjistron Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Tetovës, por për shkak të shpenzimeve të mëdha ajo transferohet në Universitetin e Prishtinës, ku po aty në vitin 2009 fillon studimet edhe në Fakultetin Juridik. Këtu paraqitën sfidat e Kosovares, pasi që nuk ishte studentja e vetme e familjes, kishte edhe katër motra tjera dhe siç tregon ajo është dashur të gjendet në forma të ndryshme brenda rregulloreve që i lejonte sistemi për t’ia dalë me shpenzime. “Na i kemi pasë kushtet elementare, por për mos me shpenzu babin shumë edhe për me iu dhënë hapësirë me u shkollu edhe ato (motrat) na kemi flejt me një konvikt nëpër tokë”, thotë ajo duke shtuar se falë angazhimeve të saj në workshipe, bursave që fitonte ia dilte t’i mbulonte shpenzimet.  Po ashtu edhe statusi i veteranit të luftës i babait të saj e ndihmonte që të lirohej prej disa obligimeve financiare, në kuadër të Universitetit të Prishtinës, shkruan rtv21.tv

Studimet beachor dhe master të Fakultetit Ekonomik i përfundon në një afat rekord, por ajo rrëfen se pavarësisht se kërkonte punë nuk mund të gjente, kështu për të mos u shkëputur nga studimi Kosovarja regjistron edhe Fakultetin e Shkencave Politike. Por pasi diplomon në Fakultetin Juridik në kuadër të tij e regjistron edhe masterin e Shkencave Politike. Kështu pothuajse paralelisht përfundon edhe beachalorin edhe masterin e këtij drejtimi. Sukseset më të mëdha i arrin në Fakultetin Ekonomik ku masterin e përfundon me mesatare 9.5.

Për t’i realizuar këto ambicie ajo tregon se ka kaluar shumë kohë gjatë ditës dhe natës me libra në duar “Ka ndodhë që edhe në bibliotekë kam flejt, mundeni me i pyet edhe kolegët e gjeneratës sime …gjithë natën deri sa u falë sabahu kam mësu.”, rrëfen ajo. Po ashtu duke vënë buzën në gaz tregon edhe një detaj, se ndonjë herë i është dashur që ta incizojë vetën duke lexuar e madje e dëgjonte kur ishte në rrugë në mënyrë që arrinte t’i zinte gjitha mësimet.

Vajza nga Kaçaniku shfaq se prej që ishte e vogël e kishte përcjell një ëndërr për të cilën beson fuqishëm se do ta realizojë.  Me nostalgji kujton një dialog që kishte pasur me gjyshin e saj tashmë të ndjerë, i cili pak para se të vdiste kishte besuar se mbesa e tij një ditë do të bëhet lidere. “ Një fjalë ma ka lanë babgjyshi jem, ai  gjithë  kish  qejf  me  u  ba  doktoreshë,  pak  pa  vdekë  me  tha  se  ke  me  u  ba  kryetare  i  thash  pse  po  thu  ashtu,  tha  kqyre  agës  ti  je  tu  punu  për  kryetare  edhe  ke  me  u  ba  kryetare  edhe  bash  bash  mos  mujsh  me  u  ba  kryetare  ti  pa  u  ba  ministre  nuk  ke  me  lanë  e  pa  arrit  këtu  nuk  ke  me  lanë “, rrëfen ajo  me buzëqeshje, e me një ton me të ngritur thotë se kurrë nuk i është ndarë këtij vizioni.

Këtë ëndërr ajo mendon ta realizojë pasi t’ përfundojë studimet e doktoraturës, të cilat planifikon t’i bëjë jashtë shtetit. Studime të cilat kishte provuar t’i vazhdojë në Gjermani por për shkak të garancionit të lartë bankar dhe përvojës së punës e cila iu kishte kërkuar nuk kishte mundur.

Edhe pse deri më tani e kanë përcjellë vështirësitë për tu punësuar pasi që siç tregon ajo punëdhënësit arsyetoheshin se është e mbi kualifikuar për pozitat që konkurronte. Tani  është e angazhuar si Zyrtare për Faljen e Borxhit në Administratën Tatimore të Kosovës,  në një pilot projekt, mirëpo siç thotë ajo ende nuk është më një kontratë të rregullt të punës. Ajo është edhe Kryetare e Komitetit për Siguri Lokale në Kaçnik. Po ashtu është e angazhuar edhe në projekte të ndryshme në kuadër të  OSBE dhe të Policisë së Kosovës.

E pavarësisht vështirësive që kishte hasur ajo shprehet optimiste “Ka me ndryshu situata, s’ka qare herë do kur do ajo çka është përcaktu për neve ka me ardhë”, thotë ajo.

 

Sllogan i saj është se “Sa më shumë që ke obligime aq më shumë ke kohë për gjithçka”.

Hillary Clinton, gruaja që do të shkruajë historinë

Nëse Hillary Clinton do të zgjidhet presidente, ky do të ishte një gur themeli në një karrierë të shënjuar nga arritjet historike. Ajo është e para dhe e vetmja “First Lady” që kandidon për postin, e para grua që u zgjodh senatore e Nju Jorkut, dhe e para që mbërrin kaq larg në garën presidenciale.

Periskopi.com Lajme

Por duhet thënë se rruga drejt Shtëpisë së Bardhë nuk ishte aspak e sheshtë për demokraten, e vënë në shënjestër të një skandali për shkak të përdorimit të serverit privat të postës elektronike në kohën kur ishte Sekretare e Shtetit.

Çështja u hetua nga FBI-ja, e cila në muajin korrik arriti në përfundimin se ish-Zonja e parë ishte treguar e pakujdesshme, por se nuk kishte kryer asnjë krim.

Pikërisht kur dukej se e kishte lënë pas krahëve këtë pengesë, ajo u shpërfaq sërish për ta përndjekur Clinton-in, vetëm 11 ditë përpara zgjedhjeve. Pikërisht atëherë drejtori i FBI-së James Comey njoftoi rinisjen e hetimeve, pas zbulimit të emaileve të reja në kompjuterin e ish-bashkëshortit të këshilltares së Clinton-it, Huma Abedin.

Momenti që FBI zgjodhi për të bërë publike rihapjen e çështjes u kritikua ashpër nga demokratët, por u prit me entuziazëm nga kampi kundërshtar.

Nuk dihet se sa është dëmi që mund t’i ketë shkaktuar ish-Zonjës se Parë kjo histori, por FBI u përpoq ta pastronte në kohë figurën e saj duke e shpallur të pafajshme për herë të dytë, 2 ditë përpara zgjedhjeve…

Hillary Clinton ka mbajtur shumë poste të rëndësishme në politikën amerikane dhe kjo është hera e dytë që ajo tenton të përmbushe ambiciet për rolin e fundit, atë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

69-vjeçarja shërbeu si Sekretare e Shtetit për Barack Obamën nga fillimi i presidencës së tij në janar të 2009-s dhe u tërhoq pak pasi ai rifitoi zgjedhjet e 2009-s. Si diplomate e lartë njihej për programin e ngjeshur të udhëtimeve dhe qasjen person më person në diplomaci.

Hillary Diane Rodham lindi në tetor të 1947-s në Çikago. Në vitet 60-të ndoqi studimet në Wellesley College në Massachusetts, dhe u aktivizua për politikat studentore.  Shkolla ligjore e Yale-it do të ishte vendi ku do të njihej me bashkëshortin e ardhshëm, Bill Clinton me të cilin u martua në 1975-n.

Ajo vazhdoi të aktivizohej në politikë pasi Clinton u bë Guvernator i Arkansas-it në 1978. Kur Bill garoi për presidencën në 1992, ai tha me humor se do t’u ofronte votuesve 2 presidentë, me çmimin e njërit. Si Zonje e Parë Hillary u aktivizua për të drejtat e grave dhe kujdesin shëndetësor, duke rritur popullaritetin e saj si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Gjithsesi dështimi në prezantimin e një plani për mbulimin shëndetësor Universal, bëri që shumë ta kritikonin si politikisht naive. Nga mesi i viteve 90-të dhe gjatë mandatit të dytë të Bill Clinton-it ajo u përfshi në skandalet e ndryshme që shënjuan presidencën e tij.

Pati seanca në Kongres dhe hetime lidhur me aferën “Whitewater”, një projekt në fushën e pasurive të paluajtshme, ku Clinton-ët kishin investuar.

Ata u shfajësuan për shkelje të mundshme. Gjithashtu Hillary-t ju desh të duronte vëmendjen e madhe mediatike lidhur me marrëdhëniet jashtëmartesore të bashkëshortit, më e bujshmja ndër të cilat ishte ajo me punonjësen e Shtëpisë së Bardhë Monica Lewinsky, që doli në dritë në 1998.

Ish-Zonja e parë krijoi një mburojë të fortë që e ndihmoi të përballonte trazirat personale të politike. Ajo iu kundërvu kritikëve të Bill Clinton-it duke deklaruar në një intervistë të 1998-s se skandali Levinski ishte në fakt një komplot i orkestruar nga e djathta.

Në vitin 2000 ndërsa presidencës së Clinton po i vinte fundi, garoi me sukses per postin e senatores së Nju Jorkut duke e pozicionuar veten në qendër të Partisë Demokratike.

Votoi për pushtimin e Irakut në 2003-shin, por e distancoi veten nga mënyra se si po shkonte konflikti dhe kërkoi tërheqjen e trupave amerikane. Në 2006-tën rifitoi me lehtësi mandatin e senatores. Në 2008-ën tentoi të merrte nominimin demokrat për garën presidenciale, duke sfiduar kritiket që e shihnin një figurë përçarëse të cilën amerikanët nuk do ta votonin kurrë.

Në fund ishte Barack Obama që fitoi, por në përpjekjen për të shëruar plagët e një fushate të dhimbshme, ai e zgjodhi atë Sekretare Shteti. Gjatë 4 viteve në detyrë Clinton vizitoi 112 vende më shumë se çdo paraardhës i saj, u përqendrua te të drejtat e grave dhe drejtoi ndërhyrjen ushtarake në Libi në 2011-ën.

Departamenti i Shtetit u vu në shënjestër të kritikave pas një sulmi në konsullatën amerikane në Bengazi, në shtator të 2012-s, ku ambasadori amerikan ishte mes viktimave. Ajo dëshmoi në Kongres lidhur me çështjen 2 herë.

Gjatë fushatës Donald Trump është përpjekur ta portretizojë atë si një burokrate të paaftë e të korruptuar që nuk i kupton shumë nevojat e popullit, dhe e ka akuzuar se po përpiqet të luaje kartën e gjinisë. Në fakt Clinton është mbështetur fort tek kjo kartë, por nëse edhe një herë do të arrijë të shkruajë historinë duke u bërë gruaja e parë në Shtëpinë e Bardhë kjo mbetet për t’u parë./ Top Channel