Qytetaret / Ilustrim

Politika “mbyt” lëvizjen dhe reagimin qytetar

Niveli i papunësisë, varfërisë, korrupsioni, mungesa e energjisë elektrike, ujit të pijshëm, ndotja e ajrit, janë vetëm disa nga çështjet që për çdo ditë shqetësojnë qytetarët e vendit, por reagimi i tyre ose është i vonshëm ose pasiv, thonë sociologët.

Periskopi.com Lajme

Për këto probleme ka patur në të kaluarën protesta të qytetarëve, por ato ose kanë qenë me pjesëmarrje të vogël të tyre, ose nuk kanë patur një jehonë.

Në mungesë të një lëvizjeje qytetare, që do të ngriste zërin për problemet që shqetësojnë ata dhe me të cilat përballen qytetarët në jetën e përditshme, ‘boshllëkun” thonë analistët e sociologët, e mbushin partitë politike.

Qytetarët thonë se mosreagimi ndodh për shkak se shoqëria civile nuk është aktive.

Njëri nga ta, Ardian Ahmeti, i cili ka përfunduar studimet në Departamentin e Sociologjisë, thotë se “duhet të ketë aktivizim si në protesta, ashtu edhe në mënyrë deklarative”.

“Protesta duhet të organizohen dhe të shprehen pakënaqësitë. Por, shoqëria civile mendoj që është shkaktari kryesor, pasi nuk është aktive. Për arsye se ata duhet të merren me shoqërinë, të emancipojnë shoqërinë për të reaguar,’” thotë ai.

Se në Kosovë duhet të ekzistojë lëvizja qytetare dhe ata vetë të jenë aktivë, e thotë edhe Agoni nga Prishtina.

Por, megjithatë ai nuk beson se do të rregullohet ndonjë problem edhe nëse në mënyrë masive protestohet.

“Është dashur të jemi më aktiv, por nuk e di ku të marrë atë fuqi ose përkrahje që të ngris zërin si qytetar. Unë kam menduar për një çështje të tillë, por nuk ka ndonjë efekt”.

Ndërkohë, profesori në Departamentin e Sociologjisë, në Fakultetin Filozofik, Shemsi Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë mungon lëvizja dhe reagimi qytetar për shkak të, siç thotë, një demokracie të brishtë në vend.

“Ky është dëm i madh për një demokraci dhe qytetari moderne. Mirëpo, ndoshta edhe kjo do të kalojë, pasi demokracia nënkupton reagimin qytetar. Demokracia nuk është demokraci nëse nuk ka qytetari. Kështu që demokracia jonë ende nuk është e pjekur sa duhet, ende është e brishtë”, tha Krasniqi

Sociologët dhe qytetarët ndërkaq shprehen se në Kosovë është krijuar një monopol i partive politike në jetën shoqërore.

Në këtë kuadër sociologu Krasniqi, thekson se në rastet kur është bërë përpjekje për organizime dhe reagime të tilla, asnjëherë nuk kanë arritur të bëhen të fuqishme dhe masive.

Madje po thuajse, thotë ai, në të gjitha rastet, reagimet e qytetarëve janë përvetësuar dhe monopolizuar nga partitë politike.

“Sepse unë e di se ka pasur reagime të studentëve dhe menjëherë janë përvetësuar nga partitë politike, reagime të grave dhe menjëherë janë marrë nga partitë politike”.

“Pra, ka kësi lloj tendencash që partitë politike të përfitojnë nga lëvizjet qytetare. Kjo është e dëmshme për qytetarinë. Kjo ndoshta është arsye pse nuk ka reagim të qytetarëve, pasi nuk dëshirojnë të identifikohen me forca të caktuara politike qofshin të pozitës apo të opozitës”, tha Krasniqi.

Edhe analistët politik, pohojnë se politizimi i shoqërisë ka bërë që në raste të ndryshme qytetarët të heshtin karshi problemeve të shumta me të cilat ballafaqohen.

Imer Mushkolaj, për Radion Evropa e Lirë, thotë se arsye tjetër pse qytetarët po qëndrojnë indiferent ndaj dukurive të shumta që po ndikojnë në jetën e tyre, është humbja e besimit në mundësinë e zgjidhjes së problemeve të tyre.

“Natyrisht se ka pasur përpjekje të partive politike që të përvetësojnë organizime të ndryshme qytetare, që unë besoj se janë legjitime në ide, sepse ky është qëllimi i partive politike që të bëjnë sa më shumë ndjekës”.

“Por, pajtohem se kjo po e mbyt atë dellin e reagimit qytetar. Sepse njerëzit sot, unë besoj, se më përpara do të protestonin për një kauzë në të cilën nuk i fusin duart partitë politike, se sa në një kauzë në të cilën thërrasin partitë politike”, thotë Mushkolaj.

Sidoqoftë, organizimet më masive në Kosovë janë mbajtur për qëllime politike të thirrura pikërisht nga subjekte të ndryshme politike. (REL)

Johanes Hahn

Liderët e subjekteve politike nesër ulen në një tavolinë, jo te Thaçi

Komisioneri për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, nesër do të qëndrojë për vizitë në Kosovë.

Periskopi.com Lajme

Këtë vizitë ai do ta përmbyll me një takim me deputeten e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, e me të gjithë liderët e partive politike të Kosovës, për të diskutuar nevojën për tejkalimin e krizës politike në vend. Opozita ka deklaruar se do të jetë pjesë e këtij takimi.

Shkodran Hoti nga zyra për media e Lëvizjes Vetëvendosje, ka konfirmuar se kryetari i kësaj lëvizje, Visar Ymeri, do të jetë pjesë e takimit me komisionerin Hahn.

Ngjashëm si Ymeri, prezent në këtë takim do të jetë edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj. Këtë e ka konfirmuar anëtari i kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj.

E, për dallim nga Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nga Nisma për Kosovën në këtë takim nuk do të jetë i pranishëm lideri i subjektit, Fatmir Limaj.

Endrit Shala nga Nisma ka thënë për Telegrafin se Jakup Krasniqi do të jetë pjesë e këtij takimi, pasi të tjerët janë të zënë me fushatën zgjedhore në Drenas.

Vlen të theksohet se kjo është vizita e parë në rajon e komisionerit Hahn, pas miratimit të Pakos për Zgjerim. Vizita e tij do të jetë e fokusuar në lansimin e Agjendës së Reformave Evropiane.

Bajram Gecaj

Gecaj nuk ndryshon mendim, Mimoza Kusarin se sheh alternativë në politikë

Këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendësministri në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, ka folur për debatin që ai ka pasur me njërën nga themelueset e Alternativës së Re, Mimoza Kusari-Lilën.

Periskopi.com Lajme

Ai, në një intervistë në Tv Dukagjini, ka thënë se ironinë që ai e ka përdorur për drejtuesit e Alternativës së Re, për ndërrimin e shpeshtë të partive, e ka bërë me humor, por sipas tij, pas kësaj qëndron vërtetësia  e dështimeve të partive të mëparshme, të ORA-s dhe Frymës së Re.

Këshilltari i kryeministrit Mustafa ka thënë se reagimi i tij ka ardhur pas deklaratës së Kusarit-Lilës, e cila ka thënë se drejtuesit e Alternatives së Re kanë mundur të anëtarësohen në secilën parti, por ata kanë dëshiruar një lëvizje të re politike.

Gecaj ka shtuar se vendi ndihmohet duke thënë kontribut në partitë e mëdha, ashtu siç ndodh në vendet evropiane, ku tradicionalisht ndikim politik kanë partitë e mëdha.

Gecaj ka thënë në “Komiteti” se nuk e ka ofenduar personalisht Mimoza Kusari-Lilën, por sipas tij, Alternativa e Re nuk mund të ketë sukses, bazuar në partitë e mëparshme të drejtuesve të saj.

Kadri Veseli dhe Isa Mustafa

Liderët e Kosovës injorohen nga homologët botëror

Presidentin e Kosovës, kryeministrin dhe kryeparlamentarin po refuzojnë t’i takojnë homologët e tyre ndërkombëtarë. Në “gishta të duarve” mund të numërohen pritjet e këtyre tre liderëve jashtë vendit.

Periskopi.com Lajme

Derisa nga drejtuesit e institucioneve vendore mungesën e vizitave e arsyetojnë me zhvillimet e brendshme politike, përfaqësuesit e opozitës thonë se “liderët e lidhur me krimin askush s’i takon”.

Lidershipi kosovar vazhdon të përballet me izolim ndërkombëtar.

Pritjet e organizuara shtetërore për presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Isa Mustafa, si dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli nga homologët e tyre ndërkombëtarë mund të numërohen në “gishtat e duarve”.

Kjo për faktin se mënyra e qeverisjes së tyre në Kosovë nuk po i bind liderët botërorë se duhet pritur në zyrat e tyre tre liderët kryesorë të vendit.

Derisa drejtuesit e tri institucioneve qendrore të Kosovës mungesën e mjaftueshme të vizitave zyrtare jashtë shtetit e arsyetojnë me zhvillimet e brendshme politike, përfaqësues të opozitës, si dhe analistët politikë thonë se është i qartë injorimi që u bëhet udhëheqësve kosovarë nga homologët e tyre evropianë dhe botërorë. Dhe ky “izolim”, sipas tyre, po ndikon keq në imazhin e Kosovës.

Gjykata Speciale

Gjykata Speciale sjell probleme në Kosovë

Përfaqësuesit politik nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës nuk i fshehin rezervat që kanë në raport me fillimin e punës së Gjykatës Speciale për krimet e luftës.

Periskopi.com Lajme

Shqetësimi më i madh i tyre ka të bëjë me, siç thuhet, “rrezikun nga ndikimi politik i vendimeve që mund të merren në këtë Gjykatë” e cila kryesisht pritet t’i trajtojë rastet e krimeve të dyshuara të luftës, ku protagonistë kryesor do të jenë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndonëse Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës ishin pajtuar për themelimin e kësaj Gjykate, shqetësimet janë në rritje, sidomos tani, kur disa ish-komandantëve dhe figurave të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu konfirmua dënimi nga organet vendore të drejtësisë, çka e shtyu Kuvendin e Kosovës të thërras një seancë të jashtëzakonshme për të enjten, në mbrojtje të vlerave të luftës së UÇK-së.

Infrastruktura juridike e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë tashmë është ndërtuar, përfshirë këtu aprovimin nga Kuvendi i Kosovës të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Holandës për rivendosjen e kësaj gjykate në Holandë.

Mirëpo ende nuk dihet saktë se kur do të nisin punën dhomat e specializuara në Kosovë. Disa nga Deputetët e Kuvendit të Kosovës konsiderojnë se fillimi i punës së kësaj gjykate mund të paraqes problem për sistemin e drejtësisë.

Deputetja Albulena Haxhiu, Kryetare e Komisionit për legjislacion në Kuvendin e Kosovës vlerëson se roli i kësaj gjykate do të jetë më tepër politik, andaj si i tillë, sipas saj, mund të sjell probleme të ndryshme.

“Do të jetë goxha problematike roli i Gjykatës Speciale duke marrë parasysh tendencën për të njollosur luftën e UÇK-së. Do të ketë probleme edhe për sistemin e drejtësisë edhe për faktin që parasheh një sistem paralel të sistemit të drejtësisë dhe kjo ka qenë e pa drejtë qysh atëherë kur është bërë. Ne kemi nevojë për forcimin e sistemit të drejtësisë dhe dënim të gjenocidit që e ka bërë Serbia në Kosovë”, thotë Haxhiu.

Ndërkaq, deputetja Selvije Halimi, nënkryetare e komisionit për legjislacion nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se në rast se puna dhe vendimet e gjykatës do të jenë politike, problemet do të jenë evidente.

Halimi mendon se gjykata duhet të punojë në bazë të fakteve reale të cilat mund të dëshmohen dhe vërtetohen.

“Vendimet, qofshin në gjykatat vendore sot qofshin nesër ato në speciale, duhet të jenë mbi bazën e fakteve dhe provave të dëshmuara dhe të vërtetuara [kështu] nuk do të ketë kurrfarë shqetësimi”.

“Por, nëse vendimet janë pa prova, pa dëshmi relevante, dhe vendime që të lënë të kuptosh se janë kryekëput politike, atëherë normalisht se do të ketë shqetësime”, tha Halimi.

Kurse, Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka deklaruar se ministria pas miratimit të ligjeve nuk ka asnjë detyrim apo obligim në raport me Gjykatën Speciale.

Por, ajo tha se do të kërkoj transparencë për proceset që do t;i zhvillojë ky mekanizëm.

“Do të kërkojmë, do të jemi insistues, që të kemi transparencë në lidhje me hapat, procesin i cili po na vjen. Por, nuk mund të ndikojmë. Ajo është gjykatë, ka pavarësinë e vet dhe vetëm në kuadër të një bashkëpunimit juridiko-ndërkombëtar ne mund t’i ndihmojmë”, tha Hoxha.

Dhomat e specializuara do të trajtojnë çështjet që dalin nga raporti i Dick Martit, që u shndërrua në raport të Këshillit të Evropës, e që “fajëson ish-pjesëtarë të UÇK-së, për krime lufte përfshirë edhe trafikim të organeve njerëzore”.

Zbardhja e krimeve gjatë periudhës së luftës pritet të jetë një nga qëllimet kryesore edhe të Gjykatës Speciale apo Dhomës së Veçantë, që është krijuar për hetimin e krimeve të supozuara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj civilëve serb.

Kryeprokurori i Zyrës së Prokurorisë Speciale, David Schwendiman, kohë më parë në një konferencë me gazetarë në Hagë ka thënë se do të zhvillojë hetimet e tij “pa frikë dhe pa asnjë favor”.

Schwendiman ka theksuar se “është i vetëdijshëm për ndjeshmërinë politike të asaj çfarë po bën, por në punën e tij do të udhëhiqet vetëm nga faktet dhe nga ligji.

Gjykata Speciale do të merret me akuzat për krime gjatë viteve 1999-2000. Ajo do të financohet nga Bashkimi Evropian dhe vepron në përputhje me ligjet e Kosovës, ndonëse prokurorët dhe gjykatësit do të jenë ndërkombëtar. (REL)

kosova

Kosova po lëvizë më shpejt në sport sesa në politikë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënëë dje për CNN se Kosova po përparon më shpejt në sport sesa në politikë.

Periskopi.com Sporti

Ai shton se sporti po i hapë dyert Kosovës për suksese tjera, ku sipas tij nëpërmjet sportit po jepet një imazh pozitiv për Kosovën.

“Në sport ne jemi duke lëvizur dukshëm më shpejt sesa në politikë. Sporti është duke hapur dyert për suksese tjera në politikë nëpërmjet dhënies së imazhit pozitiv për Kosovën. Sot gjithë bota di për Majlinda Kelmendin”, ka thënë Thaçi.  /Periskopi.com