Azem Syla

Azem Syla mohon të jetë marrë me patundshmëri, thotë se punoi për rend dhe ligj

Në deklaratën e tij para prokurorit, Azem Syla ka thënë se tërë aktiviteti i tij jetësor ka qenë tentativë për ta ndihmuar popullin dhe “për të krijuar një shtet ku respektohet ligji dhe rendi”. Ai tha se asnjëherë nuk është marrë me biznesin e patundshmërive.

Periskopi.com Lajme

Në deklaratat e tij para prokurorit italian, Danillo Cecareli, Azem Syla ka mohuar të ketë pasur ndonjë rol në organizimin e biznesit të tokave në Çagllavicë e po ashtu për akuzat për dallaveret me pronat e serbëve.

Tërë aktivitetin e tij jetësor në deklaratën për Prokurorinë Syla e ka përshkruar si tentativë e tij për të ndihmuar popullin e tij dhe për të krijuar një shtet ku respektohet ligji dhe rendi.

Përpos që është deklaruar i pafajshëm, Azem Syla ka thënë se ai asnjëherë nuk është marrë me biznesin e patundshmërive dhe se nuk ka asnjë dokument për këtë.

“Azem Syla ka thënë se ai ka pasur lidhje familjare me Shaban Sylën  dhe se Shaban Syla është gjenerata e katërt e mbiemrit Syla. Syla sqaroi se gjyshërit e të dyve ishin vëllezër dhe se nuk kishte ndonjë marrëdhënie me Sylën përveç që ndante mbiemrin dhe se shiheshin në dasma e deka”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Azem Syla ka sqaruar edhe marrëdhënien e tij me Shpresim Ukën, të dënuarin në rastin Bllaca, i cili po ashtu është pjesë e aktakuzës së grupit të Sylës.

“Shpresim Uka është dhëndër i familjes Syla pasi është i martuar me mbesën e Azem Sylës”, thuhet në aktakuzë.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës ka sqaruar para prokurorit edhe lidhjen e tij me Fahredin Gashin. Syla citohet t’i ketë thënë prokurorit se kishte qenë në burg me një të afërm të Fahredin Gashit në vitin 1981 dhe se përveç kësaj lidhje nuk kishte tjetër raport me të.

Një lidhje interesante Syla e ka përshkruar edhe me familjen e shoferit të Arton Villës.

Azem Syla i ka rrëfyer prokurorit se kishte punuar me babanë e Arton Vilës në vitin 1970. Syla ka treguar se Vila ka filluar të punojë në PDK në vitin 2002 dhe se ishte caktuar si shofer i Azem Sylës.

Azem Syla tha se pasi që Arton Vila kishte disa probleme shëndetësore  ata nuk ishin të afërt pas vitit 2012 dhe se shumë rrallë e kishte takuar pas kësaj periudhe. Gjithashtu Syla mohoi që ndonjëherë t’i ketë dhënë para Arton Vilës për tretmanin mjekësor.

Lidhur me pretendimin e Prokurorisë se ai kishte vizituar kafenenë  “Fluri”, Syla është arsyetuar se ndonjëherë mund të kishte shkuar aty siç mund të kishte shkuar në çdo kafene tjetër në qytet dhe se rastësisht edhe ka mundur të takojë edhe ndonjë nga të akuzuarit e tjerë. Ai ka mohuar të ketë takuar ndonjëherë dëshmitarin e mbrojtur 1 në kafenenë në lagjen “Bregu i Diellit” dhe se asnjëherë nuk ka diskutuar çështje të biznesit ose patundshmërive në atë kafene qofshin ato “punë të pista”, apo çfarëdo qofshin.

Përpos deklaratës së Azem Sylës prokurori synon të përdorë si prova edhe një varg deklaratash të tjera, përfshirë atë të shoferit të tij Arton Vilës. Ish-punonjësi i PDK-së ka thënë para prokurorit se kishte jetuar në një apartament të cilin nuk e kishte ditur se kujt i përkiste por që më vonë e kishte marrë vesh se i përkiste Shaban Sylës. Për këtë të fundit Vila ka treguar se i kishte shpëtuar jetën babait të tij gjatë luftës. Vila ka pranuar se disa herë e kishte takuar Shaban Sylën në Kishnarekë ose në kafiteri, duke përfshirë edhe kafenenë në “Bregun e Diellit”, pasi që e ka vizituar shpesh kur e ka vozitur Azem Sylën.

Vila ka thënë se e kishte parë Shpresim Ukën, Fahredin Gashin dhe Ramadan Ukën atje por se nuk i kujtohej nëse kishte parë dëshmitarin 1, Hajrullah Berishën, ose Gazmend Gashin. Vila tha se Hajrullah Berishën e kishte takuar vetëm së fundmi pas arrestimit dhe Gazmend Gashin në gjykatë dhe se nuk e njeh dikë të njohur si “Dulla”.

I akuzuar se ka mbajtur në emër të tij  prona të cilat grupi i kishte përfituar Vila ka përmendur se i kujtohet që Shaban Syla i ka kërkuar atij t’i bëjë një favor që përfshinte transferimin e një pronësie në emrin e tij por nuk e dinte se pse.

Ai në deklaratën dhënë në Prokurori është ndjerë i manipuluar gjatë procesit të transaksionit të kësaj prone por ka thënë se këtë favor ia kishte kryer Shaban Sylës pasi që ai ia kishte shpëtuar jetën babait të tij në luftë.

Ai ka treguar se pronat më pas ishin shitur tek personat e tjerë ndërsa ka përshkruar një rast interesant kur ai kishte tërhequar paratë e një shitje nga banka e më pas i kishte vendosur në një zarf dhe ia kishte dhënë Shaban Sylës.

Shoferi i ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ka thënë se e kishte kuptuar se po mashtrohej nga Shaban Syla vetëm kur ishte arrestuar.

Arton Vila tha se dy prona ishin në emrin e tij dhe se e dyta ishte transferuar te Fahredin Gashi.

Grupi prej 22 personash, përfshirë deputetin Azem Syla, u arrestuan dhe shtëpitë e tyre u bastisën në prillin e këtij viti nën dyshimet për krim të organizuar në shitjen dhe transaksionet me pronat e serbëve dhe pronat e ndërmarrjeve shoqërore.

Siç e përshkruan prokurori italian, grupi kishte arritur të shtrinte ndikimin në Gjykatën Komunale të Prishtinës dhe në Kadastrën e Prishtinës, ku disa prona ishin tjetërsuar dhe ishin vënë në emër të anëtareve të grupit.

Aksioni i bastisjes nga Policia ishte sjellë ekskluzivisht nga kamerat e emisionit ”Drejtësia në Kosovë”.

Avokatët mbrojtës të tyre në vazhdimësi kanë mohuar akuzat e prokurorisë duke pretenduar pafajësinë e klientëve të tyre. Deklarata të tilla janë dhënë nga të gjithë avokatët duke u thirrur në mohimet të cilat klientët e tyre ua kanë bërë pikave të akuzës pas aksionit të EULEX-it.

Aktakuza ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve ishte ngritur në tetor të këtij viti./ KALLXO