Drenas

Drenasi në numra

Komuna e Drenasit është njëra nga komunat me numrin më të madh të familjeve që janë në asistencë sociale. Është prej komunave mesatare për nga numri i popullsisë, ndërsa ka një buxhet prej 13 milionë euro.

Periskopi.com Lajme

Të dielën, qytetarët e Komunës së Drenasit do të votojnë për kryetarin e ri të tyre. Këto zgjedhje të jashtëzakonshme kanë ardhur pas dorëheqjes se Nexhat Demaku, të cilit i është konfirmuar dënimi nga Gjykata e Apelit për krime lufte. Demaku e ka lënë në gjysmë mandatin e tret të tij si kryetar i Drenasit.

Komuna e Drenasit vlerësohet se ka rreth 60 mijë banorë të cilët jetojnë në 35 vendbanime. Për nga numri i banorëve, Komuna e Drenasi është e përafërt me komunën e Suharekës,  Lipjanit dhe të Rahovecit.

Komuna e Drenasit vlerësohet si njëra ndër komunat me më së shumti rrugë të asfaltuara, por kritikohen për cilësi të dobët. Për vitet e kaluar në Komunë janë shtruar 43 kilometra rrugë.

Sipas Insitutit GAP, nga 15 premtime që iu dhanë qytetarëve të kësaj komune nga zgjedhjet e fundit, 40 për qind e tyre janë realizuar.

Në mesin e premtimeve që mbeten në letër, dhe faktohet nga emisioni “Jeta në Komunë”  është premtimi për “Lagjen e Dëshmorëve” I cili nuk ka përfunduar për tri mandate radhazi.

Buxheti dhe Qeverisja lokale

Kryetari i ri i Drenasit, për vitin 2017, para vetes do të ketë një buxhet prej 13 milionë e 141 mijë e 239 euro, që i bie se komuna do të ketë mbi 300 mijë euro më shumë në llogarinë e saj se sa që kishte në vitin 2016. Në  krahasim me buxhetin e shpenzuar të vitit të kaluar me projektbuxhetin e ri, Komuna ka mundësi më të vogla për shpenzime komunale dhe subvencione e transfere. Rritja  e buxhetit vërehet tek kategoria paga dhe mëditjet, investimet kapitale dhe mallrave e shërbime.

Zbërthyer në shifra, prej këtij buxheti të planifikuar, parashihen të shpenzohen mbi 7.8 milionë euro për paga dhe mëditje, që i bie rreth 60 për qind e këtij buxheti të planifikuar. Rreth 3.8 milion euro apo mbi 29 për qind do të shpenzohen për investime kapitale. 1.06 milionë euro për mallra dhe shërbime, për subvencione dhe transfere mbi 212 mijë euro dhe për shpenzime komunale mbi 157 mijë euro, të gjitha këto me pjesëmarrje rreth 10.1 për qind.

Sa i përket shpenzimit të buxhetit, deri më tani kemi të dhëna vetëm për vitin 2015, pasi janë edhe një muaj për t’u shpenzuar buxheti për vitin aktual, 2016. Buxheti përfundimtarë i Komunës së Drenasit për vitin 2015 ishte 12 milionë e 828 mijë e 40 euro, të cilin buxhet komuna e shpenzoi deri në 95 për qind apo 12 milionë e 246 mijë e 369 euro, (i cili ishte mbi 889 mijë  më i lartë se i viti 2014-të). Mbi 7.6 milion euro u shpenzuan për paga dhe mëditje, ndërsa 3.1 milionë euro për investime kapitale, dhe rreth 919 mijë euro për mallra dhe shërbime. Mbi 264 mijë euro për subvencione dhe transfere dhe për shërbime komunale janë shpenzuar 193 mijë euro.

Auditori për Drenasin

Gazeta JnK ka hulumtuar edhe nëpër raportet e Auditorit të Përgjithshëm. Në Raportin e Auditimit për vitin 2014 për këtë Komunë ishin dhënë 18 rekomandime. Komuna i kishte implementuar vetëm 6 rekomandime të Auditorit, ndërsa 6 të tjera ishin adresuara por ende nuk ishin finalizuar në kohën kur është kryer aludimit, ndërsa 6 rekomandime nuk ishin adresuar fare.

 

Edhe në Raportin e Auditimit për vitin 2015-të konstatimet e para që janë dhënë është mos-implementimi i rekomandimeve të vitit paraprak. Pastaj e gjetur tjetër ka qenë mos-regjistrimi i shpenzimeve dhe pagesave në mënyrë adekuat, moszbatimi i kërkesave për menaxhimin e rrezikut, si dhe ishin gjetur mangësi në kontrolle menaxheriale. E gjetur kryesore ishte për mënyrën e shpenzimit të parasë publike, pasi Auditori kishte gjetur dobësi sistematike në prokurim. Në vitin 2015, Auditori ka dhënë 14 rekomandime për t’u adresuar nga komuna në vitin 2016.

Në krahasim me Komunat e tjera Raporti “Treguesit e Performancës së Komunave për vitin 2015”, nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, në vlerësimin e përgjithshëm komunën e Drenasit e vlerëson me performancë të mirë.

Sipas këtij raporti, të hyrat nga tatimi në pronë u mbi-realizuan në vitin e kaluar. Mbi-realizimi nuk kishte ardhur si rezultat i rritjes së përformancës, por për shkak të planifikimit të dobët, sepse ajo kishte planifikuar më pak të hyra se sa në vitin 2014. Pra, Auditori konstaton se, në vitin 2015, Drenasi planifikoi të hyra nga tatimi në pronë prej 33 mijë e 500 euro më pak se sa që kishte mbledhur në 2014- ën.

Gazeta ka hulumtuar edhe nëpër raportet e Ministrisë së Pushtetit Lokal. Për vitin e kaluar, me mesatare 41.5 për qind është vlerësuar performanca e Komunës në raportin e  performancë së komunave që është bërë nga Ministria e Pushtetit Lokal. Drenasi është renditur para komunës së Klinës dhe Prizrenit në këtë raport të ministrisë.

Drenasi është një nga Komunat që ka një numër të madh të familjeve në asistencë sociale. Janë 1 mijë e 342 raste nën përkujdesje. Në raport me komunat tjera, Drenasi ka më shumë raste se komuna e Skenderajt dhe e Pejës dhe më pak raste se ajo Vushtrrisë dhe e Prishtinës.

Raporti i MAPL-së thotë se Drenasi bënë pjesë në mesin e komunave që ka shqyrtuar në 100 për qind kërkesat për leje të ndërtimit. Në anën tjetër Komuna e Drenasit bënë pjesë në mesin e komunave me më pak rrugë me ndriçim publik.

Nga emisioni “Jeta në Komunë” rrjedhin fakte se në Komunën e Drenasit janë ndërtuar 9 terene sportive, është bërë aplikimi online për qytetarë për tu pajisur me dokument,  gjithashtu është ndërtuar edhe mbi kalimi në rrugën Prishtinë-Pejë.

Komuna e Drenasit është ndër komunat më së paku hapësira të gjelbëruara, përkundër se në komunën e Drenasit janë mbjellë  rreth 200 fidane në 2014-ën. Janë shumë fshatra që nuk kanë rrjet të kanalizimit e të ujësjellësit. Përkundër largimit të 10 deponive të bërllokut besohet se ekzistojnë edhe 40 të tjera. Nuk ka ndarë mjete për rurizim dhe nuk ka asnjë vend turistik.

28 qendra të votimit

Të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), thonë 28 qendra të votimit do të jenë në dispozicion të votuesve në këtë komunë.

Gjithnjë sipas të dhënave të  KQZ-së, janë 2 mijë e 338 votues më tepër votuese së në krahasim me zgjedhjet e fundit, apo rreth 52 mijë e 569 votues me të drejtë vote.

Në zgjedhjet e kaluara, nga 50 mijë e 79 votues sa ishin të regjistruar, votuan 48.3 për qind apo 23 mijë e 510 votues dhe 661 jashtë vendvotimi apo me kusht. Vota të vlefshme u vlerësuan 21 mijë e 148 vota. Sipas rezultateve, mbi 64 për qind të votave i mori Partia Demokratike e Kosovës (PDK) apo 13 mijë e 550, duke u renditur më pas por me përqindje shumë herë më të vogël partia Iniciativa Qytetare për Drenasi e cila më pas iu bashkua PDK-së, (të udhëhequr tashmë nga ish kryetari Demaku i rizgjedhur për të tretën herë.) me 15.3 për qind dhe partitë tjera konkurruese me përqindje  më të vogël

Ben Blushi

Shumica e partive shqiptare kanë humbur qëllimet e tyre

Penë e shquar e viteve 1990, Ben Blushi ka qenë gjatë kohë rivali i Edi Ramës në kuadër të Partisë Socialiste (PS) së Shqipërisë, ku ishte anëtar për më shumë se njëzet vjet. Shumë kritik ndaj kryeministrit, ai ka dalur nga partia, në fund të muajit shtator, për ta themeluar një subjekt të ri politik, të hapur për të pakënaqurit e të gjitha taborreve. Ai paraqet një bilanc të rëndë të veprimit të Qeverisë dhe të premtimeve të saj të parealizuara.

Periskopi.com Intervista

Le Courrier des Balkans (CdB) : Keni qenë shumë kritik ndaj Qeverisë së Edi Ramës që nga ardhja e saj në pushtet. Pse braktisët Partinë Socialiste me rastin e ligjit të ri për mbetjet ?  

Ben Blushi (B.B.) : Kam qenë vazhdimisht kritik ndaj politikë së partisë, edhe para ardhjes së saj në pushtet, sepse kam vërejtur prirjet e saj për të rrëshqitur gjithnjë drejt së djathtës dhe për të mos mbajtur premtimet. Pas tri viteve në pushtet, Qeveria Rama nuk ka mbajtur asnjë premtim të saj, sa i përket luftës kundër papunësisë, pabarazive ose korrupsionit….Përkundrazi, borxhi publik është shumëzuar, emigrimi është rritur. Kjo qeveri nuk merret me të varfërit, por me të pasurit; kjo është arsyeja kryeosre e largimit tim. Sa i përket ligjit për importimin e plehrave, kjo është çështje etike. Është një ligj që është krijuar gjatë ish-qeverisë demokrate, i cili nuk kërkon të krijoj vende të punës ose ta përmirësojë shëndetin publik, por të importojë plehra nga Italia, Franca ose gjetiu; plehra që këto vende nuk dinë ku t’i vendosin. Kjo e dëmton imazhin e Shqipërisë, përfshirë edhe në fushën e investimeve ekonomike.

CdB : Keni deklaruar se duhet « filluar pastrimin e partive për ta bërë të mundshëm pastrimin e mbetjeve »…

B.B. : Në ditët tona, shumica e partive të mëdha shqiptare kanë humbur qëllimet e tyre. Nuk i respektojnë më qytetarët, por grupet e vogla të biznismenëve, të cilët kërkojnë vetëm t’i shërbehet interesave të tyre. Ata janë pasuruar falë politikanëve që vetëm se iu shërbejnë atyre. Këta janë personat që hartojnë ligjet, marrin vendimet, zgjedhin ata që do të ulën në kuvend ose që do të punojnë për administratën.  Të varfërit nuk janë të përfaqësuar në këtë vend. Për ta rimëkëmbur Shqipërinë, partitë duhen reformuar. Kur partitë kompromitohen me kriminelë ose në konflikte interesash, demokracia mbetet një mashtrim.

CdB : Shoqëria civile, e cila proteston kundër disa projekt-ligjeve që godasin mjedisin, ju konsideron edhe juve, si një pjesëtar të këtij sistemi i cili duhet recikluar. Përgjigja juaj?

B.B. : Është e drejta e tyre të më përceptojnë si të tillë, por secili prej nesh duhet kritikuar në funksion të asaj që ka thënë dhe që ka bërë. Kam votuar kundër ligjit për importin e plehrave, kundër ligjit për Universitetin dhe gjithashtu kundër ligjit që do ta kishte lejuar asgjësimin e armëve kimike siriane në Shqipëri. Unë braktisa partinë më të madhe të vendit dhe kompromitoj karierën time politike. Kam vendosur të flas lirisht. Në të gjitha këto tema të rëndësishme, kam qenë në të njëjtat linja me shoqërinë civile.

CdB : Që nga ardhja e tij në pushtet, Edi Rama pati thënë se dëshironte t’i godiste forcat e korrupsionit. Megjithatë, konfliktet e interesit publik-privat janë ende të pranishme dhe Brukseli kritikon drejtuesit shqiptarë për mosluftim të krimit të organizuar. A është kjo e mundshme sot në Shqipëri ?

B.B. : Duhet gjithnjë ruajtur shpresën, edhe pse ka shumë pak shenja pozitive. Edi Rama është çdo herë e më shumë i afërt dhe i varur nga grupet kriminale. Ai i frekuenton, zgjedh përfaqësuesit e tyre për krybashkiak, deputet ; si dhe ia mundëson hyrjen në kuvend dhe në Partinë  Socialiste…Kësisoj, ata e zgjerojnë ndikimin e tyre, duke i nxitur si shkëmbim klientët dhe varësit e tyre që të votojnë në zgjedhjet e ardhshme për Edi Ramën. Në një vend ku miqësia dhe marrëdhëniet midis Kryeministrit dhe grupeve kriminale janë aq të theksuara, si mendoni që drejtësia mund ta bëjë punën e saj ?

CdB : Lidhur me reformën e drejtësisë të sivjemë, keni deklaruar se do ta kemi « një reformë të drejtësisë por nuk do të kemi drejtësi ».

B.B. : Flas për faktet. Qeveria dhe opozita ishin të detyruara ta kalojnë këtë reformë nën presionin e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian. Por, kjo nuk do të thotë se do të ketë më shumë drejtësi. Si të behët kjo në një vend ku gjysma e territorit është e mbuluar me kanabis?

CdB : Një premtim tjetër i parealizuar nga kandidati Rama : emigracioni. Paratë e dërguara prej tyre në vend paraqesin ende një pjesë të rëndësishme të ekonomisë, mijëra njerëz vazhdojnë ta kërkojnë fatin e tyre në Gjermani ose në Britani të madhe. Cili është mesazhi i juaj për këta të rinj, të cilët duken se nuk presin asgjë nga klasa politike shqiptare ?

B.B : Jam mjaft i mërzitur me këtë situatë dhe e konsideroi emigrimin si një nga problemet tona më të rëndësishme. Këta të rinj nuk ikin sepse nuk nuk e duan vendin e tyre, por sepse mendojnë se ky vend nuk iu ndihmon. Ata kishin shumë shpresa më vitin 2013, kur e majta erdhi në pushtet, por ata janë zhgënjyer dhe shohin se nuk ka progres, drejtësi, punë. Vetëm korrupsion. Për ta patur një punë, duhesh të jesh anëtar i partisë ose të paguash. Studentët që dalin nga universitetet ikin, sepse nuk mund të paguajnë për ta pasur një punë.

CdB : Politika aktuale e kryebashkiakut të tanishëm të Tiranës lidhur me një park të madh ka nxitur përplasje të ashpra, të papara për kohë të gjatë në Shqipëri. A po e dëgjon ende shoqërinë civile Partia Socialiste ?   

B.B. : Nuk mendoj. Shoqëria civile kërkon një referendum për ligjin e plehrave, por qeveria e injoron. Zyrtarët përpiqen më shumë që ta korruptojnë shoqërinë civile dhe herë pas herë edhe ia dalin mjaft mirë.

CdB : Ju keni qenë gjithashtu mjaft kritik ndaj politikës së jashtme të Qeverisë Rama.  Megjithatë, Shqipëria duket të jetë me e konsideruar, sidomos nga partnerët e saj evropian. Ç’mendoni?

B.B. : Mendoj se Qeveria duhet ta kërkojë më shumë interesin ekonomik të vendit, se famën personale të Kryeministrit. Edi Rama përpiqet ta krijojë një imazh të një aktori të rëndësishëm të stabilitetit në rajon.

CdB : Keni qenë Ministër i arsimit në fillim të viteve 2000. Më 2016, shkollat private mbeten po aq të numërta. Ka një mungesë financimi për sektorin publik dhe pabarazi të shumta në qasjen për arsimim. Qeveria ka propozuar një ligj shumë liberal lidhur me reformën e Universitetit. Cila është pikëpamja juaj për këtë çështje?

B.B : Qeveria e tanishme, si ajo paraprakja, kanë bërë shumë pak për arsimin. Patëm premtuar që buxheti për arsimin publik do ta tejkalonte 5% të PBB. Për momentin është vetëm gjysma. Arsimi publik është i nënfinancuar dhe madje i sabotuar nga qeveria. Nuk jam kundër arsimit privat, por ai nuk duhet ta zëvëndësojë arsimin publik. Shteti duhet ta arsimojë secilin qytetar. Sot, shteti shqiptar nuk përmbushë detyrat e tij kushtetuese në këtë fushë.

CdB : Projektet e hidrocentraleve rrezikojnë zonat e mrekullueshme me potencial të madh turistik, sikurse Luginën e Valbonës ose Vjosën. Si mund të vlerësohet me pikë, puna e Qeverisë Rama, në fushën e mjedisit ? 

B.B. : Asnjë. Nuk kam vërejtur ndonjë veprim qeveritar që synon mbrojtjen e mjedisit. Ligji për importimin e plehrave flet mjaftueshëm. Iniciativat janë të rralla dhe të papërshtatshme. Sa i përket projekteve të hidrocentraleve, duhet gjetur një barazpeshë midis prodhimit të energjisë dhe mbrojtjes së natyrës. Qeveria nuk ka asnjë strategji për këtë çështje.

CdB : Keni deklaruar se Rama po e degradon demokracinë. A është kjo kritikë vetëm për funksionimin e brendshëm të Partisë Socialiste ?

B.B. : Një nga arsyet e largimit tim është që sipas statuteve të partisë, zgjedhjet e brendshme duhen të zhvillohen për çdo katër vjet. Ne kemi patur zgjedhjet tona të fundit më vitin 2009. Që shtatë vjet. Mund ta paramendoni PS në Francë pa zgjedhje të brendshme. Ky është funksionimi i të gjitha partive politike normale në Evropë. Kur kam vendosur të paraqitem në zgjedhjet e brendshme të partisë, Edi Rama deklaroi se nuk do ketë zgjedhje. Në vend të tyre, ai ka organizuar një referendum për vetën e tij. A do të mund ta bëntë këtë François Hollande ? Demokracia e partive është një nga themelet e sistemit tonë. Nëse ato nuk janë demokratike, kjo mund të shpie në më të keqën.

CdB : Sa keni marrë mbështetje brenda PS që nga largimi i juaj ? Çfarë force politike dëshironi të përfaqësoni ?

B.B. : Shumë socialistë kanë ardhur të më takojnë dhe duan të më bashkëngjitën. Do ta themelojmë një projekt të ri politik, me të pakënaqurit e të gjitha partive, të së majtës dhe të së djathtës. Edi Rama ka rrëhsqitur aq shumë në të djathtë, që nënkupton se do të jemi në të majtën e tij.

Cdb : Edi Rama ka vazhduar shumë reforma të ndërmarra nga Qeveria Berisha. Sikurse në vendet e tjera evropiane, ku dy partitë kryesore qeverisëse duken së afruari, një politikë vërtetë e majtë është e mundshme në Shqipëri ?

B.B. : Sigurisht. Kriza financiare të këtyre dhjetë viteve të fundit ka treguar se e majta përgjigjet më mirë mbi çështjet e koncentrimit të pushteteve dhe të parasë, varfërisë dhe arsimit. Një nga problemet më të mëdha të Shqipërisë është barazia e shanseve, e cila duhet të garantohet nga shteti dhe drejtësia.

Cdb : Shqipëria është sot zyrtarisht kandidate për anëtarësim në BE. Cila është hapësira e saj vepruese?

B.B. : Nuk mendoj se BE ose SHBA na obligon të importojmë plehra, të mundësojmë hyrjen e kriminelëve në kuvend apo ta rrisim borxhin tonë publik për 10%. Ata nuk vendosin për politikën tonë. Nëse shikojmë Greqinë, ajo ka njohur një situatë ekonomike skajshmërisht të vështirë gjatë këtyre viteve të fundit, por grekët nuk emigrojnë  sikurse shqiptarët. Ata shpresojnë se situata e tyre do të përmirësohet viteve në vijim. Qytetarët tanë nuk e kanë këtë shpresë. Ata ikin, sepse nuk shohin ardhmëri.

(http://www.courrierdesbalkans.fr/articles/albanie-le-requisitoire-sans-appel-d-un-socialiste-dissident-contre-edi-rama.html)