Zjarr në Qendrën e Paraburgimit në Vlorë, dy të asfiksuar (Foto&Video)

Periskopi.com Lajme

Zjarri përfshiu ambientet e Paraburgimit në Vlorë, ndërsa të asfiksuar mbetën një efektiv i policisë dhe një i burgosur.

Ngjarja ndodhi rreth orës 19:30 të së premtes, kur në katin e dytë dhe të tretë të godinës u shfaqën re tymi.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi se gjithçka nisi pas një konflikti fizik midis disa personave me rekorde të theksuara kriminale.

Forcat e policisë së burgut ndërhynë për të shuar konfliktin dhe izoluan protagonistët. Por pas kësaj, shokët e qelive të personave të futur në izolim, në shenjë proteste i vunë flakën dyshekëve dhe përshkallëzuan situatën në godinën e Paraburgimit në Vlorë.

Menjëherë mbërriten rreth 40 forca zjarrfikëse, që ndërhynë për të shuar flakët, ndërsa dhjetëra forca të Policisë së Vlorës rrethuan godinën, me qëllim parandalimin e arratisjes së mundshme të ndonjë prej të burgosurve.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thotë se në mbrëmje situata u normalizua, ndërsa Prokuroria e Vlorës nisi hetimet.

 

30 paraburgim për të dyshuarin për terrorizëm në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Rakip Avdylit, të dyshuarit për shtytje në kryerjen e veprave terroriste i është caktuar paraburgimi prej një muaji.

Gjykata Themelore në Pejë ia caktoi Rakip Avdylit, të dyshuarit për shtytje në kryerjen e veprave terroriste, 30 ditë paraburgim.

Lajmin për caktimin e paraburgimit e konfirmoi për KALLXO.com, gjyqtari i rastit, Sami Sharraxhiu.

“I është caktuar paraburgimi në kohëzgjatje deri një muaj,” tha Sharraxhiu.

Rakip Abdyli u arrestua sot në mëngjes në qytetin e Pejës nga Policia e Kosovës nën dyshimin se po bënte thirrje në rrjetet sociale për sulm ndaj Qeverisë së Kosovës dhe ambasadave të huaja.

Merita Bina Rugova, prokurore e Prokurorisë Speciale të Kosovës, tha se sipas provave të siguruara i dyshuari Rakip Abdyli përmes llogarisë së tij në rrjetin social “Facebook” dhe faqes “Nasheed” në Youtube ka bërë thirrje për sulme ndaj udhëheqësve të qeverisë dhe ambasadave të huaja.

Këshilli për Siguri i Kosovës u mblodh dje për të diskutuar rreth sulmeve të planifikuara ndaj liderëve shtetërorë e politikë.

Katër aktivistët e Vetëvendosjes mbesin në arrest shtëpiak

Ka përfunduar seanca e dytë gjyqësore ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe Adea Batusha, të dyshuar për sulmin në ndërtesën e Kuvendit.

Periskopi.com Lajme

Pala mbrojtëse ka kërkuar hedhjen e aktakuzës, pushimin e hetimeve dhe zbutjen e masës së arrestit shtëpiak ndaj katër të akuzuarve për terrorizëm.

Gjykatësi pas dëgjimit të palëve mbrojtëse vendosi që arresti shtëpiak të mbetet në fuqi deri në një vendim tjetër.

I akuzuari Frashër Krasniqi tha se të gjeturat nga prokuroria më shumë dëshmojnë pafajësinë se sa faktet. Provat e paraqitura nga prokuroria janë më shumë montime për aktivistët e Vetëvendosjes, të cilët janë arrestuar për shkak të protestave për Demarkacion dhe për t’i frikësuar aktivistët dhe qytetarët tjerë.

Krasniqi tha se përgjegjës për vdekjen e Astrit Deharit në burg është prokurori Abdurrahim Islami.

Ky i fundit ka thënë se aktakuza është ngritur mbi provat e gjetura dhe nuk është shtyrë nga askush që të urdhërojë ndalimin për shkak se janë anëtarë të Vetëvendosjes.

Azem Sylës i vazhdohet paraburgimi

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Syla, do të mbahet në paraburgim edhe për tre muaj të tjerë.

Periskopi.com Lajme

 

Lajmin për vazhdimin e paraburgimin Insajderi e ka mësuar përmes burimeve në gjykatë, ndërsa nuk ka mundur të konfirmojë nga avokati i tij, Besnik Berisha, shkruan insajderi.com.

Azem Syla, ish-deputet i PDK-së, akuzohet për krim të organizuar lidhur me rastin e njohura si “Toka.”

Ramush Haradianj / ARKIV

Paraburgoset Haradinaj, Franca pret kërkesën e Serbisë për ekstradim

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj do të mbetet në paraburgim deri sa Serbia të bëjë kërkesë zyrtare për ekstradim, ka bërë të ditur një Gjykatë e Apelit në Francë, bën të ditur Reuters.

Periskopi.com Lajme

 

Autoritetet franceze kanë nisur procedurat ligjore në rastin Haradinaj, kanë bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të lartë të qeverisë së Kosovës duke theksuar se janë disa faza ligjore nëpër të cilat duhet të kalohet.

Më heret gjatë ditës një zyrtare e gjykatës franceze, Mari Elen Kalvano, ka deklaruar se gjykata do të vendos nëse do ta mbajë Haradinajn në paraburgim ose do ta lirojë nën mbikëqyrje, deri në shqyrtimin e urdhërarrestit të lëshuar nga autoritetet e Serbisë.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u ndalua nga autoritetet franceze në aeroportin e Bazelit, në bazë të një fletarresti të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, që daton nga viti 2004.

Zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Valon Murtezaj, tha për Radion Evropa e Lirë, se procedurat ligjore nëpër të cilat po kalon Haradinaj janë të zakonshme për drejtësinë franceze.

“Aktualisht rasti po kalon nëpër disa etapa procedurale dhe ligjore, që janë të zakonshme për raste të tilla në Francë. Ne po presim dhe besojmë se drejtësia franceze do të vendos së shpejti në favor të zotit Haradinaj”, tha Murtezaj.

Ndalimi i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ndërkohë është cilësuar si i papranueshëm nga zyrtarët e partisë që ai drejton. Sekretari i përgjithshëm i partisë, Blerim Kuçi, i tha Radios Evropa e Lirë se lirimi i Haradinajt “duhet të jetë i pakusht dhe i shpejtë”.

“Haradinaj është njeriu që i është përgjigjur të gjitha instancave gjyqësore, në mënyrën më të dinjitetshme. Ne presim që kjo gjë të përfundojë dhe prandaj pyesim: A nuk është tepruar?”, tha Kuçi.

20 policë të Mitrovicës në paraburgim e 15 në arrest shtëpiak

Policët e arrestuar në Rajonin e Mitrovicës për keqpërdorim të detyrës zyrtare sot kanë marrë masën e caktuar nga gjykata.

Periskopi.com Lajme

Ndaj 20 pjesëtarëve të policisë, Gjykata Themelore në Vushtrri ka vendosur masën e paraburgimit 30 ditë, kurse 15 të tjerëve u është caktuar masa e arrestit shtëpiak, transmeton Koha.net.

Arsyeja e masës së caktuar është rreziku i ikjes e ndikimi në dëshmitarë.

Njëjtë ka ndodhur edhe mbrëmë në Rajonin e Prizrenit

30 ditë paraburgim për dy policët e arrestuar në Prishtinë

Dy policët, Arbnor Gashi dhe Besim Klinaku, të arrestuar dje, do të mbahen 30 ditë në paraburgim.

Periskopi.com Lajme

Kështu ka vendosur Gjykata Themelore e Prishtinës, një ditë pas arrestimit të tyre

Mediat, të shtunën, raportuan se dy policët e Stacionit Qendra në Prishtinë, të cilët u arrestuan një natë më parë, po dyshohen për shmangie të marihuanës së sekuestruar.

Arbnor Gashi dhe Besim Klinaku, dyshohen se pasi kanë ndaluar një person, i cili posedonte rreth 15 qese të vogla me narkotikë (marihuanë), i kanë dorëzuar në stacion policor vetëm dy qese me narkotikë.