palestra

Çka po ndodh me palestrën e Prishtinës?

Klubet sportive të Prishtinës vazhdojnë me problemin e njëjtë 16 vite pas luftës. Ekipet nga kryeqyteti janë të detyruara të improvizojnë apo të luajnë në palestra të tjera, shkak i mungesës së një arene të përhershme, derisa kjo e tanishmja është e zënë edhe për ngjarje tjera. Klubet ankohen fuqishëm përderisa MKRS-ja e mban përgjegjëse Komunën e Prishtinës.

Periskopi.com Sporti

Tash e 16-të vite pasluftës ekipet e qytetit të Prishtinës dhe ato të Përfaqësueseve në basketboll dhe sportet e tjera me dorë janë duke u përballur me të njëjtin problem. Ata kanë nevojë për rregullimin e një palestre e cila përmbush kushtet për zhvillimin e një ndeshje me standarde evropiane. Problemi i njëjtë është duke vazhduar edhe tani ku ekipet prishtinase janë duke u ankuar në mungesë të një palestre. Këto ankesa nuk i kanë vetëm klubet nga Prishtina. Me problem të njëjtë është ballafaquar edhe Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll e cila është zhvendosur në “Minatori”, për t’i zhvilluar të gjitha ndeshjet kualifikuese për “EuroBasket 2017”, edhe pse kishte planifikuar të zhvillonte ndeshje edhe në Prishtinë, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Erolld Belegu, për Zëri, tha se zhvendosja në palestra tjera sjell shpenzime shtesë për klube. “Përgjegjësia është të MKRS-së nuk e di se çfarë është duke ndodhur. Është problem për të gjitha klubet të zhvendoset ka shpenzime shtesë dhe në aspektin psikologjik të luajnë në një palestër është tejet e vështirë”, u shpreh Belegu. Nga ana tjetër Zëri, ka kontaktuar edhe me Drejtorin i Departamentit te Sportit pranë MKRS-së, Iber Alaj, i cili nuk ka dashur të sqarojë problemin e palestrës duke ia lënë përgjegjësinë Komunës së Prishtinës.

Vështirë për Prishtinën

Sigal Prishtina kishte planifikuar që ndeshjen e Superligës së Kosovës në basketboll ta zhivllojë këtë vikend por për shkak se Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë është i zënë do të detyrohen që ndeshjen ta zhvillojnë në një palestër tjetër. Drejtori i përgjithshëm Luan Maloku tregon vështirësitë për Zëri në të cilat janë duke hasur shkak i palestrës. “Është shumë e vështirë pasi duhet të bartemi të gjithë në palestrën ‘1 Tetori’  për ta zhvilluar atë ndeshje. Kështu jemi klub jo shumë serioz me lojtarët të huaj pasi edhe ata e kanë të vështirë një situatë të tillë. Ne duhet të bëjmë improvizime dhe është shumë e vështirë. Palestra ku ushtrojmë nuk i përmbush kushtet, fillimisht parketi dhe më pas gjërat tjera” u shpreh Maloku.

Të kujtojmë që Prishtina edicionin që lamë pas ishte kritikuar sa i përket palestrës nga zyrtarët e FIBA-së, e cila nuk i përmbush kushtet për zhvillimin e një ndeshje në “FIBA Europe Cup”.

Shtyrja e ndeshjes lodh lojtarët

Të njëjtin fat sikurse Sigal Prishtina e ka edhe skuadra e hendbollit Prishtina. Këta të fundit kishin paraparë që ndeshjen derbi në Superligën e Kosovës në hendboll ndaj Besës ta zhvillojnë në vikend, por kjo u shty për ditën e hënë. Kryetari i klubit Prishtina, Eduard Berisha, thotë se sa i përket palestrës asgjë nuk ka ndryshuar deri më tani.

“Nuk ka ndryshuar asgjë, që nga paslufta jemi në situatë të njëjtë duke improvizuar në palestra të ndryshme. Sigurisht që është shumë e vështirë të jemi në një gjendje të tillë pasi që është dashur të shtyhet ndeshja për të hënën sepse kemi mungesë të palestrës”, u shpreh fillimisht Berisha. Ndryshe ky i fundit thotë se shtyrja e ndeshjes sjell edhe probleme në ekip. “Jemi shumë klube në Prishtinë, dhe mungesa e një palestre i vështirëson shumë gjërat. Ne duhet të luajmë të hënën dhe do të jetë e vështirë pasi shumë lojtarë kanë edhe një punë dytësore dhe për këtë duhet marrë leje për të luajtur”, përfundoi Berisha.