Kadri Veseli dhe Isa Mustafa

PDK-LDK pajtohen për harmonizimin e buxhetit për vitin 2017

Pas dështimeve katër herë radhazi për të diskutuar të projektbuxhetin e vitit 2017, i njëjti pritet që nesër të diskutohet në Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Financa.

Periskopi.com Lajme

Kryetari i këtij komisioni, Naser Osmani, i ka thënë Radio Kosovës se partnerët e koalicionit tashmë janë pajtuar për harmonizimin e buxhetit për vitin 2017.

“Ne kemi diskutuar me partnerin e koalicionit dhe jemi dakorduar që të bëhen disa precizime në buxhet, fjala është për investime të përgjithshme dhe besoj që të mërkurën do të procedohet në Komisionin për Buxhet dhe Financa, do të vije ministri që të raportojë lidhur me detajet e buxhetit dhe besoj që komisioni, pasi të dëgjojë ministrin dhe pas diskutimit mes vete, ta votojë dhe ta procedojë për kuvend në seancën e radhës”, tha ai.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës, e cila më herët  nuk ishte e pajtuar me versionin aktual të projektbuxhetit, konfirmon se koalicioni qeverisës është pajtuar për ndryshime në buxhet.

Megjithatë, anëtari i Komisioni për Buxhet dhe Financa nga PDK-ja, Shukri Buja, thekson se për këtë parti është i pa pranueshëm versioni aktual.

“Jemi ende në konsultime dhe duke e konsoliduar buxhetin në marrëveshje me partnerët e koalicionit që të mos kemi probleme me buxhetin. Por besoj që ka me u kry mirë buxheti, por jo në këtë formë që është, por në çfarë do të pajtohemi ne partnerët e koalicionit” , tha Buja.

Ndërkohë, dy partneret e koalicionit, PDK dhe LDK, mohojnë se buxheti mund të jetë shkaktar për përçarjen e koalicionit dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme. Naser Osmani, nga LDK, thotë se shtyrja e buxhetit ka ardhur për shkak të çështjeve të projekteve që kanë të bëjnë me dobishmërinë në komuna të caktuara për interes të Kosovës.

Ndërsa, Shukri Buja, i cili është më i zëshmi në PDK që kërkon prishjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, potencon se ka shumë çështje të tjera që duhet shkuar në zgjedhje por nuk është çështja e buxhetit që mund ta përçajë koalicionin. /RTK

Pozita dhe opozita pajtohen më në fund

Komisioni për politikë të jashtme i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Elmi Reçica, e me pjesëmarrje të të gjitha subjekteve parlamentare, pos Listës Serbe, ka nxjerr një deklaratë lidhur me marrëdhëniet me Malin e Zi e me vështrim të veçantë për marrëveshjen e demarkacionit.

Periskopi.com Lajme

Në këtë mbledhje, është miratuar një draft-deklaratë në të cilën theksohet se koalicioni qeverisës dhe opozita qëndrojnë të bashkuara, me qëllimin që procesi i shënimit të kufirit me Malin e Zi të përmbyllet sa më shpejtë që të jetë e mundur, raporton Periskopi

Në draft dokumentin thuhet :

Ne deputetët e Kuvendit të Kosovës, të përkushtuar në integrimin e vendin në Bashkimit Evropian, përmes fuqizimit të demokracisë, sundimit të ligjit, lirive dhe të drejtave të njeriut, të përkushtuar për fqinjësi të mirë, stabilitet, paqe dhe bashkëpunim të mirë me Malin e Zi dhe me të gjitha vendet fqinje.

Pavarësisht dallimeve që kanë mbi natyrën e shënjimit të kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi, koalicioni qeverisës dhe opozita qëndrojnë të bashkuar me qëllimin që ky proces të përmbyllet sa më shpejt që është e mundur.

Duke marr për bazë këtë konsensus parimor, ne si përfaqësues të popullit kërkojmë mirëkuptimin e vendeve anëtare të BE-së që qytetarëve të Kosovës tu njihet e drejta e lëvizjes së lirë në Zonën Shengen.

Ju njoftojmë se institucionet e Kosovës i kanë përmbushur të gjitha kriteret e kërkuar që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave./ Periskopi