Akisdent/ ARKIV

Bien aksidentet me fatalitet, Policia paralajmëron për pajisjet dimërore

Në periudhën janar-tetor të këtij viti në Kosovë janë shënuar 81 aksidente fatale, nga të cilat kanë humbur jetën 91 persona.

Periskopi.com Lajme

Nëse krahasohen me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka rënie të të dyjave, edhe aksidenteve m  fatalitet, edhe personave që kanë humbur jetën, raporton periskopi.

Në të dielën e tretë të muajit nëntor përkujtohen viktimat në trafikun rrugor, që pritet të ndodh edhe këtë vit në Kosovë.

Kjo ditë shënohet me qëllim të përkujtimit të miliona njerëzve që humbin jetën në aksidentet rrugore, por njëkohësisht edhe për mbështetje ndaj familjarëve të viktimave.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha bënë të ditur për Periskopi se janë përkushtuar për të marrë masat e nevojshme për krijimin e një ambienti më të sigurt në komunikacionin rrugor.

Ai thotë se pas aprovimit te ligjit të ri janë në proces masa të vazhdueshme operacionale policore.

“Dhe në përgjithësi pas implementimit të ligjit të ri vërehet një vetëdijesim më i madh i vozitësve në komunikacionin rrugorë dhe në veçanti në respektimin e kufizimit të shpejtësisë, por edhe shmangien nga kundërvajtjet tjera. Megjithatë analiza relevante do te bëhen në vazhdimësi”, thotë ai.

Policia e Kosovës është në zbatim të Planit Operativ “Sezoni dimëror” që parasheh detyra konkrete, të shtuara te policisë gjatë kësaj sezone, me qëllim të parandalimit të aksidenteve në trafik dhe ngritjes së nivelit te sigurisë.

“Aksidentet e trafikut në dy muajt e fundit kane shënuar ulje, fatbardhësisht ulje të dukshme kanë shënuar aksidentet me fatalitet”, thotë Hoxha.

Ndërsa, neni 227 dhe 228 i ligjit të ri sqaron kushtet që duhet plotësohen nga ngasësit gjatë sezonit dimëror, po ashtu parashihen edhe gjobat për mos respektim të këtyre neneve (psh. 40 euro gjobë për mos posedim të pajisjeve dimërore nga ngasësi i automjetit si dhe gjoba më të larta për drejtues të automjeteve te kompanive ), këto rregulla kanë qenë edhe në ligjin e vjetër, gjoba ka pësuar ndryshim./ Periskopi