20161126223113704646

Dikur objekt i braktisur, tani qendër rehabilituese

Selim Maloku që nga pranvera e këtij viti pothuajse çdo ditë ka frekuentuar qendrën e shoqatës Down Syndrome Kosova në Prizren.

Periskopi.com Lajme

 

Duke qenë person i prekur me sindromën Down, aty ka gjetur mundësinë për të zhvilluar aktivitete të ndryshme, por edhe për të marrë shërbime profesionale për aftësim dhe zhvillim. Në të njëjtën kohë edhe është rrethuar nga njerëzit që i kanë dhuruar dashuri, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Në qendër ndihem mirë, sepse kemi shoqëri të mirë. E kaloj kohën herë duke punuar, luajtur apo duke bërë ushtrime fizike”, ka thënë ai.

Tashmë janë bërë disa muaj që prej se ai dhe personat e tjerë të prekur me sindromën Down në Prizren kanë mundësi për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme në qendrën e shoqatës Down Syndrome Kosova në këtë qytet.

Transformimi i kësaj qendre nga një objekt pothuajse i braktisur në një qendër funksionale është  mundësuar në saje të mobilizimit të komunitetit, që është solidarizuar me këtë iniciativë dhe ka mundësuar që personat e prekur me sindromën Down të kenë një hapësirë të përshtatshme, ku ofrohen shërbime profesionale për zhvillim e aftësim, por edhe kalimin e kohës së lirë.