Nxënësi amerikan investon 5 mijë dollarë në një shkollë të Ferizajt

Periskopi.com Lajme

Shkolla Fillore “Mejdi Xhaferri” në fshatin Mirosalë të Ferizajt, ka përfituar një donacion në vlerë prej 5 mijë dollarëve nga një nxënës me nënshtetësi të Amerikës, babai i të cilit gjatë vitit 2014 kishte qenë ushtar në Kosovë.

Allen Ray Jones III, tha se Kosovën e ka njohur përmes babait të tij, andaj ka vendosur që të mbaj një koncert në Amerikë dhe të grumbulloj mjete financiare për të ndihmuar këtë shkollë.

“Babi im ka qenë në Kosovë në vitin 2014 dhe nga ai e kam njohur Kosovën dhe këtë shkollë. Tani jam i lumtur që jam këtu dhe jam shumë i impresionuar me këtë vend këtu dhe me këtë shkollë e cila dallon nga shkollat tona në Amerikë. Unë atje kam organizuar një koncert, u kam treguar fëmijëve për këtë shkollë dhe ata kanë kontribuar me para që të investojmë këtu”,tha Allen Ray Jones.

Që ky nxënës amerikan të investoj në këtë shkollë, u ftua nga dy nxënëse të komunës së Ferizajt, raporton TV Tema.

‘’Me Allenin kemi qenë në kontakt para dy viteve sepse prindi i tij na ka mësuar neve anglisht sa ka qenë në Kosovë dhe ka qenë i interesuar që të bëj një projekt për ne dhe sot po realizohet kjo”,tha Alberta Maloku.

Ndërsa, drejtori i shkollës “Mejdi Xhaferri” në Mirosalë, Naim Bytyqi tha se ky donacion ka qenë shumë i nevojshëm për këtë institucion arsimor.

“Na ka ardhur një donacion në shkollën tonë në vlerë prej 5-6 mijë dollarëve, në atë donacion janë përfshirë katër kompjuterë, tre llaptop, një projektor, një printer, 20 banka, 50 karrige, topa për nxënës dhe është bërë edhe lyerja e shkollës, dje kanë punuar punëtorët e Ambasadës Amerikane dhe KFOR-it amerikan, ndërsa ne kemi patur mungesë të këtyre mjeteve dhe janë të mirëseardhura për ne”, tha Naim Bytyqi.

 

Kontributi i Allenit u çmua lartë edhe nga përfaqësues të kampit Bondsteel, të cilët ndanë mirënjohje për të.

“Është një lidhje shumë e veçantë mes njerëzve këtu dhe në Amerikë. Unë e kam një dhuratë për Allenin, sepse është duke krijuar një lidhje edhe më të madhe në mes të këtyre dy vendeve. Duke falenderuar Allenin dhe falë punës së tij të mrekullueshme që ka bërë komuniteti amerikan dhe ai shqiptar po janë gjithmonë më afër njëri tjetrit”, tha Cousins.

Në këtë organizim, i pranishëm ishte edhe kryetari i Ferizajt Muharrem Svarqa, i cili u shpreh mirënjohës për kontributin e këtij nxënësi. Allen gjatë këtij organizimi mbajti edhe një kuiz me nxënësit e shkollës fillore ‘’Mejdi Xhaferi’’, ndërsa këta të fundit për nder të tij kishin organizuar një program kulturo-artistik.

Nxënësi rrah mësuesen brutalisht

Periskopi.com Video