Komuna e Rahovecit

Ish-zyrtari i Rahovecit burgoset për keqpërdorim seksual të të miturës

Ish-zyrtari i Komunës së Rahovecit, S.K., është dënuar me tre vjet burgim për keqpërdorim seksual të një personi nën moshën 16-vjeçare.

Periskopi.com Lajme

Gjykata e Apelit ka dënuar me 3 vjet heqje lirie ish-drejtorin për Komunitete dhe Kthim të Komunës së Rahovecit, S.K., i cili akuzohej për veprën penale keqpërdorim seksual i personit nën moshën 16-vjeçare.

Në aktgjykimin e siguruar nga KALLXO.com të Gjykatës Themelore të Gjakovës të datës 29 prill 2016, S.K. ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 4 vitesh.

Ndaj këtij aktgjykimi ishte ankuar mbrojtja e të akuzuarit.

Në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, thuhet se aprovohet ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit, duke ndryshuar më pas aktgjykimin e Gjykatës Themelore përkitazi me vendimin për dënim.

“Me aprovimin e ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit S.K. ndryshohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjakovë i datës 29.04.2016, përkitazi me vendimin për dënimin, ashtu që Gjykata e Apelit të akuzuarin S.K. për veprën penale – keqpërdorim seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet, nga neni 235 par. 1 pika 1.1 të KPRK-së, për të cilën është shpallur fajtor, e gjykon me dënim burgu në kohëzgjatje prej tri vitesh, të cilin dënim do ta vuajë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Në dënimin e shqiptuar i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 14.08.2015 e tutje, thuhet po ashtu në aktgjykim.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Gjakovës i akuzuari kishte pasur disa herë marrëdhënie seksuale me vajzën e mitur.

“Sepse në kohën e pacaktuar të muajit qershor 2015 e gjerë më 12.08.2015, i akuzuari me personin nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjeç, pikërisht me të dëmtuarën – të miturën NN ka kryer marrëdhënie seksuale, në atë mënyrë që të njëjtën i akuzuari gjithherë e ka marrë me veturën zyrtare të K.K. Rahovec, duke e dërguar në Rahovec, respektivisht në një rrugë malore në dalje te Rahovecit, në një rrugë me vreshta dhe me të ka kryer disa herë marrëdhënie seksuale, e që për këto shërbime seksuale i akuzuari të dëmtuarës i ka dhënë të holla nga 30 euro deri në 50 euro, si dhe një telefon të mençur të tipit “Lenovo”, gjersa i njëjti më 14.08.2015 është arrestuar nga Policia”, thuhet në aktakuzë.