Ndue Dedaj

Saga e patriotizmit modern

Deri tani ishte e munguar fotoja “pesëshe” e kryebashkiakëve shqiptarë të rajonit, Erion Veliajt të Tiranës, Shpend Ahmetit të Prishtinës, Teuta Arifit të Tetovës, Nazif Cungut të Ulqinit dhe Shqiprim Arifit të Preshevës Takimi i tyre këto ditë në Tiranë do të ishte i vlefshëm dhe sikur të ishin mbledhur thjesht sa për një kafe, në Ditën e Pavarësisë, ndërkohë që kishin ide e vizione për të ndarë, problematika për të bashkëbiseduar e mundësi konkrete për të ndihmuar njëritjetrin.

NDUE DEDAJ Opinione

Bashkia e Tiranës zbaton një projekt me Bashkinë e Veronës për riciklimin e mbetjeve urbane, pse të mos ketë projekte të një natyre tjetër me Prishtinën dhe simotrat e tjera shqiptare në rajon, ashtu si hap pas hapi dhe me Zagrebin, Shkupin, Podgoricën, Beogradin etj.? Është ky “nacionalizmi” që i udhëheq kryetarët e këtyre bashkive, patriotizmi modern, në emër të zhvillimit rajonal, pa dëmtuar interesat e askujt. Kryetari i Tiranës e quajti fat faktin që Shqipëria (londineze) rrethohet nga shqiptarë, në të vërtetë “fat” që rrjedh nga një fatkeqësi kombëtare, ajo e copëtimit të trojeve shqiptare në disa shtete.

Kryekomunarja e Tetovës e sheh të frytshëm bashkëpunimin për përballimin e sfidave ditore në qytetet ku ata drejtojnë, në thelb qytete shqiptare, jo vetëm nga përbërja e popullatës, por dhe nga fryma që ato rrezatojnë. Kryetari i Prishtinës thotë se Prishtina është kryeqyteti më i ri në Europë, pasi 50 për qind e qytetarëve të saj janë nën moshën 25 vjeç, sikurse edhe Tirana, energji të cilën na duhet ta kthejmë në mirëqenie për qytetet tona. Kryetari i Preshevës shprehet që bashkëpunimi mes tyre të ketë një strategji afatgjatë. Për hapësira të reja bashkëpunimi u shpreh dhe kryetari i Ulqinit. Pakti i nënshkruar në Tiranë përcaktoi dhe fushat prioritare, si mjedisi, inovacioni, arti, kultura e urbanistika, që në të ardhmen mund të shtohen.

Themi shpesh me retorikë se duhet bërë kjo e ajo mes shqiptarëve, ndërsa u hodh dhe një hap. Puna është të mos mbetet një takim dhe prapë secili “në punë të vet”. Unioni në ngjizje i bashkive/komunave shqiptare në rajon është një mundësi për më shumë shqiptarí në rajon, pasi nesër atij mund t’i bashkohen dhe Tuzi, Gjakova, Plava etj. Të gjithë do të përfitonin nga shkëmbimi urban i ndërsjellë. Shprehur figurshëm, njëri komunitet do të përfitonte nga deti i tjetrit e ky nga bjeshkët e të parit. Panairet dhe shkëmbimet ekonomike, kulturore, arsimore, turistike janë disa nga përparësitë e mundësitë e bashkëpunimit.

Nëse Panairi i Librit i Tiranës shkon rregullisht në Prishtinë e Ulqin, pse ai të mos shkojë deri në Tetovë, Preshevë e Plavë? Ndërkohë që deri tani nuk ka shkuar as në Dibër të Madhe, që gjeografikisht është më afër se Peshkopia. Ftohen shkrimtarë nga i gjithë rajoni në Shqipëri, dhe mirë që urat e komunikimit janë shtuar mes krijuesve, ama nuk kemi ende një antologji poetike mbarëshqiptare në shkolla. Është e lehtë të thuash se na pengojnë të tjerët, por nganjëherë problemi do parë te vetja. Kohë më parë kemi shkruar se në librarinë qendrore të Beogradit nuk na hasi syri në asnjë titull libri shqiptar, ndërsa që nga tetori atje është Ismail Kadare. Rajoni ynë nuk është më i pari, ka ndryshuar në shumëç- ka dhe po ndryshon përditë.

E këtu shqiptarët s’ka pse të mos e gjejnë veten dhe si të tillë, përpos se nga përkatësia shtetërore që kanë. Institucionalizimi e marrëdhënies mes tyre është nevojë e kohës, për t’i lehtësuar e bërë më mirë gjërat, por dhe një detyrim ndaj historisë. Në të gjithë botën të vetët i gjejnë të vetët, në mënyra të ndryshme, aq më tepër që koha moderne të ofron mundësi të panumërta. E vërteta është se sot shqiptarët janë përditë në komunikime kulturore, tregtare, turistike mes tyre, por jo dhe aq me praninë zyrtare, protokollare që ka rëndësi të dorës së parë në rritjen e cilësisë së këtyre komunikimeve e shkëmbimeve. Nëse do të kishte një bashkëpunim mes Bashkisë së Tiranës dhe Komunës së Plavës, në këtë të fundit abetaret dhe librat shqip nuk do të kishin shkuar vetëm falë mirësisë së “Toenës”, por dhe të shtetit shqiptar.

Universiteti i Tetovës është një zë plot dinjitet në hapësirën shqiptare të Maqedonisë dhe më gjerë, atje shkojnë për të dhënë mësim profesorë nga Tirana, por ende nuk kemi parë një “akreditim” të universiteteve shqiptare të rajonit mes tyre. Po ashtu, do të ishte imediate që Bashkia e Tiranës të merrte në patronazh Komunën e Preshevës, që e lënë pas dorë nga qeveria serbe dhe e “përkundur” gjatë në trajtat e veta orientale-sllave e ka aq të nevojshme të marrë fizionominë e një qyteti modern. Platforma e unionit e parasheh dhe mundësinë e aplikimit së bashku në projektet ndërkufitare e rajonale, jo vetëm të këtyre të pestave, por dhe bashkive të tjera shqiptare në rajon.

Po ashtu, mbështetja e njëri-tjetrit me masa, mjete, asete, ekspertizë, personel në rast të emergjencave civile, siç u tha në takimin e Unionit. Sipas kryebashkiakëve, nisma e tyre do ta çojë më përpara kauzën e shqiptarëve në krejt rajonin, duke ofruar qeverisje më të mirë lokale, zgjidhje më të mira sociale, cilësi më të mirë shërbimesh në shkolla, kopshte, pastrim, gjelbërim etj.

Për këto nuk pengon as nënshtetësia e kryetarëve, as përkatësia partiake e tyre, as politikat e qeverive qendrore, pasi Unioni nuk është politik, por qytetar. Secila do të vazhdojë të ketë çelësin e saj simbolik, por do të kenë dhe një “çelës” të përbashkët, që mund të hapë ato dyer që deri tani nuk janë hapur.