Naser Osmani / Foto: Kushtrim Ternava

Aktakuzë për keqpërdorim e 5 milionëve, por vendos për buxhetin e shtetit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Naser Osmani ka një aktakuzë të rëndë, është deputet i LDK’së, por kjo nuk ishte pengese që ai të jetë edhe kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës.

Teuta GASHI Lajme

Djaloshi i rrezikshëm i Halil Budakoves – kishte aktruar në filmat e Budakoves – del të jetë po aq i rrezikshëm edhe për partinë e tij, LDK’në.

Ata asnjëherë nuk ia kërkuan dorëheqjen, aq më pak ta shkarkonin nga posti i kryetarit të Komisionit, raporton Periskopi

Ai vet nuk e komenton këtë çështje, flet vetëm për aktakuzën ndaj tij, që e quan drejtësi selektive.

Analistët dhe monitoruesit e Kuvendit vlerësojnë se ai nuk do të duhej të ishte në krye të Komisionit për Buxhet, të paktën për çështje morale, meqë partia në të cilën ishte kandidat, LDK, nuk po ka guximin ta shkarkojë.

Osmani për Periskopi.com thotë se ai akuzohet për votim që ka bërë në vitin 2010 për lirimin nga mbikëqyrja e fabrikës “FAN” në Podujevë.

Ai vlerëson se votimi është e drejtë e garantuar e secilit.

Por, i pyetur se çfarë ndodh kur vërtetohet që dikush voton i ndikuar, ai tha se ndaj tij është bërë drejtësi selektive

Nuk ka pranuar të deklarohet sa i përket dorëheqjes së mundshme nga Komisioni parlamentar për buxhet dhe financa.

Në anën tjetër, monitoruesi i Kuvendit të Kosovës nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Albert Krasniqi thotë për Periskopi. com se Osmani do të duhej të jepte dorëheqje për shkaqe morale.

Madje sipas tij, marrëveshja e partive në koalicion PDK-LDK për largimin e ministrave që kanë aktakuzë do të duhej të vlente edhe për kryetarët e Komisioneve Parlamentare.

“Naser Osmani ende nuk është shpallë fajtor, vlen prezumimi i pafajësisë. Kjo do të duhej të ishte çështje e partisë, ata të përcaktoheshin që të mos mbajnë në poste njerëz me aktakuzë. Por për shkaqe morale ish dashtë më dhanë dorëheqje”, thotë Krasniqi.

Edhe analisti Imer Mushkolaj mendon se Osmani do të duhej të jepte dorëheqje.

Mushkolaj për Periskopi.com thotë se partitë politike në koalicion do të duhet t’i pastrojnë institucionet nga njerëz të dyshuar dhe të akuzuar për vepra penale.

“Është demagogji të flasësh për luftimin e krimit e të korrupsionit, si dhe për institucione demokratike, ndërkohë që në to mbajnë poste njerëz të inkriminuar e me aktakuza. Të tillët do të duhej të jepnin dorëheqje ose të shkarkoheshin nga partia, por fatkeqësisht në Kosovë kjo nuk ndodh”, thotë Mushkolaj.

Madje sipas Mushkolajt, brenda LDK-së ekzistojnë struktura dhe individë të ndryshëm, të cilët edhe i mbrojnë të tillët si Osmani.

“Por, LDK do të duhej ta gjente vullnetin për të vepruar në të mirë të ligjit dhe të institucioneve”, thotë ai.

Ndryshe, bashkë me deputetin Naser Osmani të akuzuar janë edhe Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, Agron Kamberi, Adrian Kelmendi dhe Agim Deshishku.

Përveç Agim Deshishkut, që është blerës i ndërmarrjes “FAN” në Podujevë, të gjithë të akuzuarit e tjerë ishin zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në kohën për të cilën akuzohen.

Sipas aktakuzës Naser Osmani e Bahri Shabani ngarkohen se në bashkëkryerje me persona tjerë zyrtarë dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nuk e kanë përmbushur këtë detyrë duke ia mundësuar përfitimin e kundërligjshëm pasuror vetes ose tjetrit, përkatësisht blerësit të Ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë”, Sh.P.K. të pandehurit Agim Deshishku në vlerën rreth 5.400.000.00 euro.

Blerësi i kësaj fabrike sipas kontratës me AKP-në duhej të bënte investime në të. Osmani e Shabani akuzohen edhe se si anëtarë të Bordit Drejtues të AKP-së kanë vendosur dhe votuar “për” që investimet e bëra jashtë hapësirave të ndërmarrjes të pranohen si investime brenda saj, duke liruar Ndërmarrjen e Re “FAN-Podujevë” nga monitorimi i AKP-së dhe kushtet e Marrëveshjes së Zotimeve.

Me këto veprime prokuroria pretendon se Osmani e Shabani kanë kryer keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Edhe Shkelzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, Ardian Kelmendi dhe Agron Kamberi në cilësinë e personave zyrtarë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit akuzohen si Osmani e Shabani në lidhje me përfitimin e paligjshëm të vetes ose blerësit të fabrikës “FAN” të Podujevës.

Lluka e Avdiu akuzohen se nuk ndërmorën masa edhe për zbatimin e  kontratës mes AKP-së e blerësit të fabrikës “FAN”.

Melita Ymeraga, Ardian Kelmendi dhe Agron Kamberi ishin përgjegjës për monitorimin e investimeve të blerësit të ndërmarrjes “FAN”, ndërsa ata ngarkohen se “nuk kanë kontrolluar dhe monitoruar investimet e raportuara nga investitori, nuk kanë verifikuar deklarimet për investime, nuk kanë bërë monitorimin fizik të investimeve kapitale, verifikimin e dokumentacionit financiar të investimeve kapitale dhe zotimeve për punësim,”.

Agim Deshishku, blerësi i fabrikës “FAN” akuzohet se mashtroi zyrtarët e AKP-së me paraqitje të rreme ose fshehje të fakteve, duke i shtyrë ata të veprojnë në dëm të pasurisë dhe punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Deshishku akuzohet për mashtrim, legalizim i përmbajtjes së rreme dhe shmangie nga tatimi./ Periskopi