Kontrabanda nëpër terr në veriun e Kosovës

“Drejtësia në Kosovë” shfaqi të premten hulumtimin për kontrabandën e derivateve në veri.

Periskopi.com Lajme

Ekipet e emisionit “Drejtësia në Kosovë” për disa ditë monitoruan për kontranbandë derivatesh veriun e vendit, ndërsa të premten u shfaq hulumtimi për këtë kontrabandë.

Në hulumtim u bë e ditur se kontrabanda zhvillohej natën, ndërsa që nga vendosja e doganierëve dhe policëve kosovarë në pikat kufitare në veri në vitin 2011, kontrabanduesit kanë krijuar rrugë anësore nëpër të cilat depërtojnë nga Serbia në veri të Kosovës dhe pastaj edhe më tutje në pjesën tjetër të vendit.

Ekipet e emisionit “Drejtësia në Kosovë” testuan reagimin e policisë, duke raportuar te forcat e rendit makinat dhe automjetet tjera që ngarkoheshin me naftë që në shumë pika në veri kushton më pak se 70 centë.

Në rrugën mbi fshatin Koshtovë që çon në drejtim të Zubin Potokut hulumtuesit e “Drejtësisë në Kosovë” panë një makinë, drejtuesi i së cilës përveç mbushjes së rezervuarit më naftën nën çmimin e tregut, po mbushte edhe disa bidonë të vendosur në bagazh, por edhe në karrigat e pasme.

Pas raportimit në polici të kësaj makine, ajo u ndalua në hyrje të Skenderajt, ndërsa malli i kontrabanduar bashkë me makinën u dërguan në terminalin doganor në Mitrovicë.

Por e njëjta gjë nuk ndodhi kur policia në veri të vendit u njoftua nga njëri prej hulumtuesve të “Drejtësisë në Kosovë” se një kamion po shkarkonte naftë nga bidonat në një pikë derivatesh në pjesën veriore të vendit.

Zyrtari policor kërkoi të dijë emrin e raportuesit dhe kur hulumtuesi i emisionit tha se dëshiron të mbetet anonim, policia vetëm i uroi natë të mirë, pa vepruar dhe pa u dukur në vendin ku shkarkohej kamioni me derivate.

Në emision u shfaqën edhe rrugët ilegale në kufi me Serbinë nëpër të cilat zhvillohet kontrabanda e derivateve.

Xhirimet se si zhvillohet kontrabanda në veri mund t’i shikoni në linkun në vijim.

Nafta nuk kontrollohet si duhet në kufi, cilësia e tij e dobët

Njëzet euro naftë, të cilën e kishte mbushur në një pompë karburantesh është detyruar ta heqë të nesërmen nga rezervari i automobilit të tij Kushtrim Berisha, nga Podujeva. Nafta ishte ngrirë.

Periskopi.com Lajme

 

Për ta bërë këtë, ai u detyrua që ta paguante servisimin dhe të blinte pjesët të cilat ishin prishur nga ngrirja e naftës. E tërë kjo atij i kushtuar rreth 150 euro. Berisha i fajëson institucionet për lejimin e importit të naftës jocilësore në treg.

“Po iu ka ngri nafta. E dërgova këtu afër menjëherë në servis. U desh që t’i pastrohej pompa e rezervarit se iu kish ngri nafta. Edhe filtrat m’u desh që t’ia ndërroja krejt, se janë prishur. Mirë që nuk u prish bosh-pompa se ajo kushton shumë shtrenjtë edhe me rregullue”, ka thënë Berisha, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas tij, kjo nuk është hera e parë që po i shkaktohen probleme shkaku i naftës, siç thotë, jocilësore në treg. “Po kjo nuk më ka ndodhë veç mua. Plot raste kam dëgjuar që iu ka ngrirë nafta edhe janë detyruar ta ndërrojnë me pompë, me filtra, me krejt. Nuk e di çka po i qesin kështu naftës, ujë a çka”, ka shtuar ai.

Tahiri i tregon BE-së që një kompani ruse e naftës po nis punën në veri “ilegalisht”

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka bërë me dije se Ministria për Dialog ka njoftuar zyrtarisht Bashkimin Evropian në lidhje me përpjekjet për veprimtari ilegale në Kosovë të një kompanie nga Serbia e cila merret me shitjen e derivateve të naftës dhe e cila ka përgatitur për të hapur tri pika të shitjes në Kosovë gjegjësisht në komunën e Mitrovicës Veriore, Zubin Potokut dhe Zveçanit.

Periskopi.com Lajme

Ajo ka kërkuar nga BE-ja që të angazhohet për pengimin e zhvillimeve të tilla që janë në kundërshtim me frymën e dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

Sipas një komunikate, Tahiri, po ashtu ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të lejojë veprimtarinë joligjore të kësaj kompanie si dhe ka ftuar në vigjilencë të gjitha institucionet  shtetërore të Kosovës duke marrë parasysh informacionin se kjo kompani sjellë naftën ruse në Kosovë. “Duhet të kemi vigjilencë maksimale që të ndalojmë çfarëdo ndikimi të Rusisë në Kosovë sepse mund të jetë me rreziqe për sigurinë kombëtare të shtetit tonë euroatlantik dhe me rreziqe gjeostrategjike për Kosovën dhe rajonin.  Kjo çështje duhet të trajtohet nga institucionet tona shtetërore në kontekstin e ambicieve të rrezikshme të Rusisë për ndërhyrje të mundshme gjeostrategjike në gjithë rajonin e Ballkanit”, tha ministrja Tahiri.

Pas marrjes së informacionit nga mediat se një kompani e Serbisë e cila bënë shitjen e derivateve të naftës është duke hapur tri pika të shitjes në komunat veriore të Kosovës me datën 6 dhjetor 2016, Ministria për Dialog ka njoftuar menjëherë Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë duke kërkuar që të bëhen verifikime zyrtare të kësaj informate.

Me datë 8 dhjetor 2016, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, pas verifikimeve ka njoftuar zyrtarisht se pas inspektimit nga Inspektorati përkatës është konstatuar se informata është e saktë dhe se kompania e ashtuquajtur “Nis petrol” ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka vendosur për t’i hapur tri pika të shitjes pa pasur licencë përkatëse nga institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës.

Pas këtij konfirmimi zyrtar, Ministria për Dialog ka njoftuar Bashkimin Evropian në lidhje me këtë problem dhe ka kërkuar angazhime adekuate të BE-së si ndërmjetëse e dialogut.

Sipas të dhënave të siguruara përmes internetit thuhet se kompania “Nis petrol” është kompani aksionarësh ku 56 % të aksioneve janë nën menaxhimin e kompanisë ruse “Gazprom” dhe pjesa tjetër e Qeverisë së Serbisë./ Periskopi

Kapen 2000 litra naftë gjatë tentim kontrabandës në Mitrovicë

Dogana e Kosovës ka arritur të parandaloj kontrabandimin e 2000 litra naftë në rajonin e Mitrovicës.

Periskopi.com Lajme

Gjatë patrullimeve rutinore njësit e doganës kanë pikasur një automjet te dyshimte te llojit Opel Sintra ngjyrë të gjelbër pa targa i cili po lëvizte me shpejtësi nga drejtimi i Zubin Potokut për në Mitrovicë. Automjeti i dyshimte ka tentuar që të kthehen në rrugë anësore në drejtim të fshatrave por njësit e doganës kanë arritur ta ndalin. Pas ndaljes dhe hapjes së automjeti brenda është gjetur një rezervar postfabrikat i mbushur me derivate te naftës.

  1. Rezervar postfabrikant metalik
  2. Derivate te naftës = Rreth 2000 Litra

Pas përfundimit të rasti vozitësi është shoqëruar dhe është marr në pyetje, derisa mallrat dhe automjeti janë konfiskuar./ Periskopi

foto-1

Qeveria e zhdukë projektligjin për naftën

Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, nuk e ka idenë se çka ka ndodhur me projektligjin për tregtinë me produkte të naftës.

Periskopi.com Lajme

Ky Ligj, i cili u tërhoq nga nga rendi i ditës në fillim të këtij viti për shkak të presioneve nga grupet e interesit, pritet ta rregullojë tregtimin e naftës në Kosovë.

Por gati pas një viti fati i këtij ligji ka mbetur pezull, shkruan Gazeta Fjala.

Në procesverbalet e mbledhjes se fundit të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Kryetari i Komisionit, Muhamet Mustafa, citohet të këtë thënë se ai ka kërkuar nga administrata sesi ka mbetur çështja e këtij projektligji, por situata duket konfuze.

“Të sqarohet nga Kryesia e Kuvendit, procedura e tërheqjes nga rendi i ditës ne seancën plenare të datës 10.3.2016, Projektligji për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme në Kosovë, dhe mundësisht ky projektligj të futet në rend dite në njërën nga seancat e radhës së Kuvendit, ose të kërkojë Kryesia e Kuvendit nga Qeveria, që të sqarojë pozicionin e saj karshi këtij projektligji”, citohet të këtë thënë Mustafa në mbledhjën e 1 nëntorit të këtij viti.

Shpërthen kamioni me naftë, 70 viktima në Mozambik

Periskopi.com Lajme

Më shumë se 70 vetë raportohet të kenë humbur jetën nga shpërthimi i një kamioni cisternë të mbushur me naftë në Mozambik. Të paktën 110 persona të tjerë kanë marrë në trup djegie të shkallëve të ndryshme.

Ngjarja e rëndë ndodhi në provincën Tete, pranë kufirit me Malauin. Përmes një deklarate të saj, qeveria e vendit afrikan njoftoi se njerëzit e dëmtuar ishin përpjekur të nxirrnin karburant nga një kamion i përmbysur, kur prej nxehtësisë së madhe mjeti shpërtheu, duke i lënë dhjetëra prej tyre të vdekur në vend e të tjerët të lënduar.

Zyrtarë dhe ekspertë do të dërgohen në zonë për të hetuar incidentin, ndërkohë që shumë prej të plagosurve janë dërguar në spital.

Shpërthim në rafinerinë e naftës në Shqipëri, 1 i vdekur e 6 të plagosur (Video)

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në qendër të uzinës së përpunimit të naftës në Ballsh të Shqipërisë.

Periskopi.com Lajme

Sipas informacioneve të para, nga kjo ngjarje ka humbur jetën një person, ndërsa raportohet edhe për gjashtë punëtorë të plagosur.

Katër prej punëtorëve, të cilët janë në gjendje më të rëndë, janë dërguar në Spitalin e Fierit.

Personi i cili ka humbur jetën është identifikuar nga policia si Sh. Muça, 40-vjeç.

Ekipet e emergjencave janë duke punuar që të evakuojnë të gjithë punëtorët nga uzina, ndërsa qendra e përpunimit të naftës është përfshirë nga një zjarr me përmasa të mëdha.

Shpërthimi në uzinë ka ndodhur për shkak të një pompe hidrogjeni.

Sipas informacioneve të para që vijnë nga vendngjarja, si pasojë e zjarrit në uzinë rrezikohet sektori i reaktorëve.