Kadri Veseli dhe Isa Mustafa

Përçahet koalicioni qeverisës PDK-LDK

Demarkacioni i mbajti të bashkuar, e pikërisht i njëjti duket se po i ndanë. Partnerët kryesor të koalicionit qeverisës në Kosovë tashmë kanë filluar të përçahen.

Periskopi.com Lajme

Akuzojnë njëri – tjetrin se nuk i kanë votat për Demarkacionin, kusht ky i BE-së për liberalizimin e vizave për popullin e Kosovës, raporton Periskopi

Përderisa opozita ka shumë muaj që e ka kundërshtuar, e pozita sikur janë ofruar mes vete për këtë çështje, tashmë kreu i PDK-së, Kadri Veseli është i gatshëm për zgjedhje meqë nuk kanë vota si koalicion.

E anëtari i kryesisë së LDK-së, Muharrem Sfarqa, që është edhe kryetar i Ferizajt, komunë kjo e treta për nga banorët, që i iki për herë të parë PDK-së nga dora, e kundërshton Veselin. Thotë se PDK-ja janë ata që nuk i kanë votat për Demarkacionin, andaj sipas tij, u konvenojnë zgjedhjet.

Si pasojë e mossigurimit të votave për demarkacion, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli nuk e ka përjashtuar mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje.

“Nuk është fundi i botës nëse nesër del një opsion me marrëveshje politike në mes të kampit të pozitës dhe opozitës që të shkohet në zgjedhje dhe të kemi normalitet”, ka deklaruar Veseli për kohën

Madje ka fajësuar Qeverinë, duke thënë se ka bërë gabim me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

“Ne si partner i koalicionit pa Listën Serbe nuk mund t’i arrijmë 81 vota”, ka thënë Veseli.

Mirëpo, me këtë deklaratë të Veselit nuk është pajtuar LDK.

Sfarqa thotë se për Veselin janë zgjidhje zgjedhjet, ngase sipas tij, janë PDK-ja ata që nuk i kanë votat për Demarkacioni, ndërsa LDK-ja po.

“Nëse thotë kryetari i Kuvendit se duhet të shkohet në zgjedhje me marrëveshje, atëherë ai duhet të dijë raportin e forcave politike brenda partisë së vet”, ka thënë ai për Periskopin.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se ideja e Kryetarit të PDK-së për zgjedhje të reja, nuk është e qëlluar dhe as nuk përkrahet nga Partia e Isa Mustafës.

Haziri ka thënë se ide të tilla janë deklarata dhe lëvizje interesante të udhëheqjes së PDK-së. Ky zyrtar i LDK-së dyshon se PDK s’ka punuar seriozisht për çështjen e demarkacionit kur po lëshon akuza në këtë kohë.

Ndryshe, ka shumë muaj që institucionet e vendin janë përqendruar në Demarkacionin, me arsyetimin se duhet plotësuar kushtin e BE-së për liberalizimin e vizave, ndërsa opozita duke vlerësuar se me marrëveshjen aktuale Kosova humb territor.

Nuk duhet harruar se partneri i treti i koalicionit qeverisë, Lista Serbe ka disa ditë që po bojkot institucionet, duke e bërë kështu të pamundur çdo votim kur kërkohet patjetër edhe vota e tyre./ Periskopi