Presidenti gjerman uron Kosovën, përmend përmend medaljen olimpike e MSA-në

Presidenti i Republikës Federative të Gjermanisë, Joachim Gauck, i ka dërguar një letër urimi presidentit Thaçi me rastin e nëntëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit.

Periskopi.com Lajme

Në urimin e tij, kreu i shtetit gjerman ka shkruar se vitin që shkoi Kosova ka arritur prezantim dhe njohje më të gjerë ndërkombëtare, së fundmi, siç thuhet në letrën e urimit, përmes pjesëmarrjes së suksesshme në Lojërat Olimpike.

“Në emrin tim dhe në emër të bashkatdhetarëve të mi, Juve dhe të gjithë qytetarëve të vendit Tuaj ju përcjell urimet e mia të përzemërta për Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Vitin e kaluar Kosova ka arritur prezantim më të gjerë dhe njohje ndërkombëtare, së fundmi përmes pjesëmarrjes së suksesshme në Lojërat Olimpike. Me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, Kosova ka shënuar një tjetër moment vendimtar në rrugën e saj drejt afrimit me Bashkimin Evropian. Kjo i ofron ekonomisë kosovare perspektiva të rëndësishme zhvillimore”, thuhet në letrën e urimit të presidentit Gauck.

Ai ka inkurajuar presidentin Thaçi për veprimet e tij, ashtu që Kosova në mënyrë konsekuente të vazhdojë edhe më tej rrugën e reformave dhe të përmirësimit të marrëdhënieve fqinjësore edhe me Serbinë.

“Edhe në emër të bashkatdhetarëve të mi, kosovarëve iu dëshiroj një të ardhme në paqe, mirëqenie dhe liri – dhe Juve personalisht mbarësi”, ka shkruar presidenti gjerman Joachim Gauck në urimin e tij.

Kosova dhe BE mbajnë takimin e parë të nënkomisionit të MSA-së për drejtësi, liri dhe siguri

Zyrtarë të Kosovës dhe Komisionit Evropian u takuan sot në Prishtinë për të diskutuar zhvillimet e viteve të fundit në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë. Diskutimi u zhvillua në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA) e cila hyri në fuqi në prill të vitit 2016.

Periskopi.com Lajme

Në të gjitha fushat, Komisioni dhe Kosova u pajtuan mbi rëndësinë e zbatimit të prioriteteve të Agjendës Evropiane të Reformave.

BE-ja u interesua rreth shqyrtimit të planifikuar të sundimit të ligjit duke nxitur përafrimin me acquis të BE-së dhe praktikat më të mira evropiane. Kosova u zotua të punojë më shumë për forcimin e paanshmërisë dhe përgjegjshmërisë së sistemit gjyqësor. BE-ja theksoi nevojën për të pasur emërime transparente dhe të bazuara në merita të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës si dhe për forcimin e gjykatave që merren me krime të rënda. BE-ja shprehu shqetësimet e vazhdueshme në lidhje me grumbullimin e rasteve dhe e inkurajoi për të rishikuar procedurat e regjistrimit të rasteve.

BE-ja dhe Kosova diskutuan progresin në lidhje me gjurmimin e hetimeve, vendimet e formës së prerë dhe konfiskimet në rastet e rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe inkurajuan prioritizimin e vazhdueshëm të kësaj pune dhe nevojën për t'u fokusuar në masat parandaluese. BE-ja theksoi rëndësinë e shtimit të përpjekjeve në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së financave të partive politike. Me synimin për luftimin e korrupsionit në prokurimin publik, janë vërejtur hapa për të forcuar transparencën me operacionalizimin e prokurimit elektronik.

Në lidhje me punët e brendshme dhe luftimin e krimit të organizuar, u shkëmbyen pikëpamjet mbi migrimin, azilin dhe riatdhesimin, Menaxhimin e Integruar të Kufirit, si dhe kompletimin e sistemit të adresave dhe regjistrit civil duke përfshirë edhe veriun. Duke u fokusuar në luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit, BE-ja dhe Kosova u pajtuan për forcimin e mëtejshëm të punës në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit dhe riintegrimit. BE-ja theksoi nevojën për të monitoruar, parandaluar dhe luftuar ekonominë joformale, shpërlarjen e parave, financimin e terrorizmit dhe krimet e tjera financiare. Palët diskutuan nevojën për të forcuar përpjekjet dhe kapacitetet mbi luftimin e krimit, në veçanti krimin kibernetik, narkotikët dhe trafikimin e armëve.

Në lidhje me të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, BE-ja dhe Kosova diskutuan nevojën për të çuar përpara zhvillimin dhe zbatimin e politikave dhe alokimin e buxhetit të mjaftueshëm për të drejtat e njeriut. U theksua nevoja për përpjekje reale për të siguruar zbatimin e rekomandimeve nga Avokati i Popullit, duke përfshirë edhe ato nga Kuvendi. BE-ja mbetet e shqetësuar në lidhje me lirinë e shprehjes, dhe theksoi nevojën për financim të qëndrueshëm për transmetuesin publik në pajtim me ligjin dhe standardet më të mira evropiane. Mbi të drejtat e pronësisë, palët diskutuan nevojën për të zbatuar vendimet gjyqësore. Diskutimet u fokusuan më tej në veçanti mbi të drejtat e fëmijëve, personave me aftësi të kufizuara dhe komunitetit LGBTI, si dhe në sistemin e burgjeve. BE-ja gjithashtu prezantoi rregulloren e re për mbrojtjen e të dhënave të BE-së.

Me respektimin dhe mbrojtjen e komuniteteve pakicë, Kosova ra dakord për zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe për të zgjidhur çështje të përsëritura të buxhetit të pamjaftueshëm të ndarë për këtë detyrë. BE-ja dhe Kosova diskutuan çështje të sigurisë dhe incidentet që prekin komunitetet jo-shumicë dhe theksuan nevojën për t'u marrë me vendosmëri me incidente të tilla për të rikthyer besimin në mesin e viktimave dhe komunitetet e prekura. Situata me të cilën përballen komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian dhe mungesa e progresit në përmirësimin e jetesës së këtyre komuniteteve më në nevojë, mbetet një shqetësim për BE-në.

Informata mbi historikun

 Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) është korniza në kuadër të së cilës administrata e BE-së dhe Kosovës diskutojnë rregullisht çështjet teknike dhe politike lidhur me agjendën evropiane. Organet e MSA-së përfshijnë Këshillin e Stabilizim Asociimit, i ndihmuar nga Komiteti i Stabilizim Asociimit, si dhë nën-komitetet e MSA- së, të cilat përfshijnë një gamë të gjerë të EU acquis. Takimet e organeve të MSA-së sigurojnë të dhëna të drejtpërdrejta mbi raportet vjetore të Komisionit Evropian.

 Çdo takim i nënkomitetit monitoron dhe përcjell arritjen e Kosovës në zbatimin e reformave dhe identifikon se si BE-ja mund të ndihmojë në këtë proces.

 Janë shtatë fusha të cilat mbulohen nga takimet e nënkomiteteve: Drejtësia, Liria dhe Siguria; Inovacioni, Shoqëria Informative, Politika Sociale, Arsimi dhe Kultura; Tregtia, Industria, Dogana dhe Tatimi; Tregu i Brendshëm, Konkurrenca, Mbrojtja e Konsumatorëve dhe Shëndetit; Bujqësia, Peshkataria, Pylltaria, Siguria e Ushqimit; Transporti, Mjedisi, Energjia, Zhvillimi Rajonal; Çështjet Ekonomike dhe Financiare, Statistikat.

 Dy fusha të tjera që mbulohen gjatë takimeve të grupeve speciale janë reforma mbi administratën publike dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.

 Takimet e Komitetit të SA dhe nënkomiteteve bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Çdo takim përfundon me veprime pasuese të rëna dakord për tu ndërmarrë nga autoritetet kosovare. Përfundimet e takimet mund t’i gjeni në faqën në internet të Zyrës së BE-së në Kosovë ./ Periskopi

Hoxhaj në Bruksel: Sot u shënuan dy ngjarje të rëndësishme që e përafrojnë Kosovën me BE-në

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës ka marrë pjesë në takimin e parë të Këshillit të Stabilizim Asociimit Kosovë-BE të udhëhequr nga Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini dhe komisioneri Hahn, si dhe Kryeministri Isa Mustafa që ka udhëhequr delegacionin kosovar.

Periskopi.com Lajme

Në këtë takim, të parin pas hyrjes në fuqi të MSA-së, është raportuar për të arriturat në zbatimin e deritanishëm, kurse takimet e këtij niveli do të mbahen në vazhdimësi çdo vit.

Një tjetër ngjarje që ka shënuar këtë takim, është nënshkrimi i Marrëveshjes kornizë për qasjen në programet e BE-së nga ana e ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj dhe Përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini.

Hoxhaj tha se sot ka qenë një ditë e veçantë për Kosovën, për shkak se kanë ndodhur dy ngjarje shumë të rëndësishme.

“Sot ishte një ditë e veçantë për Kosovën meqë ndodhën në të njëjtën kohë dy ngjarje të rëndësishme. Së pari, nënshkruam me zonjën Mogherini, si përfaqësuese e Bashkimit Evropian marrëveshjen kornizë për qasje të Kosovës në programe të ndryshme evropiane, të cilat do ta ndihmojnë çdo qytetar, çdo biznes, çdo universitet dhe anëtar të shoqërisë civile në Kosovë. Së dyti u mbajt takimi i parë i Këshillit për Stabilizim Asociim që është një kaptinë e re e një dialogu në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Hoxhaj.

Së shpejti, Kosova do të deklaroj orientimin e saj për programet e para që synon të ketë qasje dhe që sipas Hoxhajt do të fokusohen në arsimim, punësim, ndërmarrësi dhe fusha të tjera./ Periskopi

4-10 2-12 1-13

Mustafa e Mogehrini në Bruksel diskutojnë për zbatimin e MSA-së

Sot në Bruksel do të mbahet takimi i parë i Këshillit të Stabilizim Asoccimit mes BE-së dhe Kosovës.

Periskopi.com Lajme

Delegacioni i Kosovës në këtë takim do të udhëhiqet nga kryeministri Isa Mustafa, pjesë e të cilit janë edhe ministrat  Enver Hoxhaj, Abdullah Hoti, Skender Hyseni, Hykmete Bajrami dhe zëvendësministrja Anila Statovci.

Takimi do të kryesohet nga përfaqësuesja e lartë  e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, ndërkaq pjesë e delegacionit të BE-së është edhe komisioneri për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn dhe përfaqësues të tjerë të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian.

“Po ashtu, do të nënshkruhet Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe BE-së për pjesëmarrjen e Kosovës në programet e BE-së, nga ministri Enver Hoxhaj dhe përfaqësuesja e lartë, Federica Mogherini”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Gjatë takimit të nivelit të lartë në Bruksel, do të diskutohet për implementimin e deritashëm të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si dhe për proceset dhe zhvillimet tjera të rëndësishme në Kosovë dhe në raport me integrimet evropiane.