MPJ dhe komunat gati për bashkëpunim në kuadër të diplomacisë ekonomike

Në kuadër të zhvillimit të diplomacisë ekonomike, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, ka organizuar konferencën me temën “Takimi me komunat për promovimin e tyre përmes diplomacisë”. Në takimin, ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe komunave të Kosovës, është diskutuar rreth arritjeve të deritashme në marrëdhëniet e jashtme të komunave, përfitimi i tyre nga diplomacia dhe mundësitë e reja të promovimit përmes diplomacisë ekonomike.

Periskopi.com Lajme

Drejtori i Departamentit për Diplomaci Ekonomike në MPJ, Guner Ureya ka bërë një paraqitje të të dhënave sa i përket aspekteve ekonomike të vendit, si dhe ka folur për rolin e MPJ-së në fushën e diplomacisë ekonomike. “Kosova, me 38 komunat e saj mund të përfitojë më shumë nga angazhimet e autoriteteve lokale sidomos në bashkëpunimin ndërkufitar. Me kapacitetet ekzistuese dhe me vullnetin politik komunat si akterë konstruktivë mund të angazhohen më shumë në promovimin e komunave të tyre, natyrisht duke kontribuar edhe në promovimin e Kosovës”, ka vlerësuar Ureya.

Për këtë arsye, ai ka thënë se duhet inkurajuar binjakëzimet dhe bashkëpunimet përmbajtjesore të komunave të vendit tonë, me komunat e shteteve të tjera, si dhe  pjesëmarrjen, por edhe anëtarësimin e komunave në organizatat ndërkombëtare të pushteteve lokale.

Ndërsa drejtori i Departamentit për Çështje Rajonale në MPJ, Fitim Gllareva duke folur për rëndësinë e këtij takimi ka thënë se “MPJ, në vazhdën e koordinimit të aktiviteteve me jashtë, ka organizuar këtë takim për të marrë informata rreth nevojave dhe shqetësimeve të komunave sa i përket bashkëpunimit në fushën e promovimit të mundësive për investime të jashtme”.

Nga ana tjetër, udhëheqësja e Divizionit për avancim të buxheteve nëpër komuna në MAPL,  Fetije Begolli ka vlerësuar se komunat kanë nevojë për zhvillim ekonomik, derisa ka folur edhe për aktivitetet e kësaj Ministrie, e cila gjatë vitit 2016 ka mbështetur katër komuna me hartimin e planeve për zhvillim ekonomik lokal.

Kurse drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Besian Mustafa, ka njoftuar për aktivitetet e kësaj agjencie, ndërkohë ka theksuar nevojën për bashkëpunim edhe më të ngushtë ndërinstitucional.

 

MPJ e Kosovës dhe Shqipërisë funksionalizojnë Sekretariatin e përbashkët

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Valon Murtezaj dhe homologia e tij nga Republika e Shqipërisë, Odeta Barbullushi sot zyrtarisht kanë funksionalizuar Sekretariatin e përbashkët, Kosovë - Shqipëri.

Periskopi.com Lajme

Ideja e këtij Sekretariati ka dalë nga mbledhja e tretë e qeverive të të dyja vendeve. Qëllimi i funksionalizimit të tij ndërlidhet me gjetjen e modeleve më të mira të implementimit të të gjitha obligimeve që kanë dalë nga takimet e përbashkëta të dy qeverive.

Me këtë rast zëvendësministri Murtezaj ka vlerësuar se marrëdhëniet mes dy vendeve, tashmë kanë fituar një dimension të ri, atë të partneritetit strategjik, që i hap rrugën institucionalizimit të marrëdhënieve dypalëshe në çdo fushë.

“Nën optiken e këtij relacioni edhe ky takim i sotëm  para së gjithash rikonfirmon vullnetin dhe angazhimin e përbashkët politik për të forcuar kuadrin e bashkëpunimit të gjithanshëm të dy vendeve tona me synim krijimin e një hapësire të lirë ndërveprimi për idetë, kapitalet, tregtinë, inovacionin, si dhe çdo fushë tjetër me interes të përbashkët”, ka thënë Murtezaj.

Ai ka shtuar se pas mbledhjeve të përbashkëta të të dy qeverive është krijuar një bazë e rëndësishme për ndërtimin e politikave të përbashkëta, në ekonomi, tregti, energjetikë, infrastrukturë, arsim, kulturë, mjedis e fusha tjera me interes dypalësh. Më tej zëvendësministri Murtezaj ka thënë se “të dyja vendet kanë ende shumë hapësira të pashfrytëzuara në funksion të zhvillimit të gjithanshëm”.

Nga ana tjetër, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Odeta Barbullushi, ka vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në fushat si ekonomia, kultura, arsimi, infrastruktura, etj. Sekretariati sipas zëvendësministres Barbullushi është një mekanizëm ndërinstitucional që shërben për bashkërendimin dhe koordinimin./ Periskopi

Marko Gjuriq

MPJ i kundërpërgjigjet Gjuriqit: Kosova merr vendime e jo deklarata

Deklaratat e Marko Gjuriqit, shefit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, nuk i kanë bërë fare përshtypje ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Periskopi.com Lajme

Duke u përgjigjur në pyetjen pse i është ndaluar vizita në Kosovë, Gjuriq është  përgjigjur me kundërpyetje: “Vallë mendoni se ndokush mund të ma ndalojë që të jem me popullin tim në Kosovë?. Të dielën do ta vizitoj popullin tonë në Kosovë. Do të jem në veri të Kosovës”.

Lajmi.net është interesuar të marrë përgjigje në lidhje me këtë deklaratë të Gjuriqit në Ministrinë e Punëve të jashtme të Kosovës, e cila zakonisht lejen ose nuk lejon zyrtarët serbë të hyjnë në Kosovë.

 

“Në raport me deklaratat e Marko Gjuriqit, drejtorit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Republika e Kosovës merr vendime dhe jo deklarata”, ka deklaruar Bashmir Xhemaj për lajmi.net, i cili është shef i kabinetit te ministrit Hoxhaj.

Përndryshe, Enver Hoxhaj, ministër  i Punëve të Jashtme të Kosovës, ka marrë vendim që t’ia ndalojë Marko Gjuriqit hyrjen në Kosovë për dy javët e ardhshme.