Mladen Grujiçiq

Serbi që mohon gjenocidin në Bosnje fitoi zgjedhjet në Srebrenicë

Serbi Mladen Grujiçiq është zgjedhur kryetar i ri i bashkisë së Srebrenicës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Sarajevë kumtoi se kandidati i koalicionit të partive serbe “Zajedno za Srebrenicu” (“Së bashku për Srebrenicën”), ka fituar më shumë vota se kandidati i partive boshnjake, Qamil Durakoviq.

Periskopi.com Lajme

Grujiçiq ka fituar në zgjedhjet e fundit lokale 4.678 vota, ndërsa kundërkandidati i tij, boshnjaku Durakoviq fitoi 3.910 vota, raporton DW.

KQZ i Bosnjë-Hercegovinës i bëri publike këto të dhëna mbi bazën e votimit me 2 tetor, kur u mbajtën zgjedhjet lokale në Bosnjë-Hercegovinë.

Rezultatet janë zyrtare, por një anëtar i Komisionit, boshnjaku Suad Arnautoviq, tha se kishte abstenuar në votim, sepse nuk është i kënaqur me (mos)numërimin e votave që janë dërguar me postë për bashkinë e Srebrenicës.

KQZ ka refuzuar të numërojë rreth 2000 vota që kanë ardhur me postë, me shpjegimin se ato janë dërguar pas kalimit të afatit kohor. Zgjedhjet me 2 tetor kanë qenë të shtatat me radhë, prej miratimit të Marrëveshjes së Dejtonit, në vitin 1995.

Srebrenica konsiderohet si simboli i masakrave më të mëdha në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Gjatë luftës së fundit, brenda dy-tre ditësh, në këtë qytet u vranë nga forcat serbe rreth 8000 myslimanë.

Gjatë disa ditëve në korrik të vitit 1995, militantët serbë të Bosnjës, të komanduar nga Ratko Mlladiq, i kanë ekzekutuar afro 8 mijë burra e djem myslimanë të këtij qyteti, në masakrën më të tmerrshme prej Luftës së Dytë Botërore në Evropë. Kjo masakër shënohet çdo vit më 11 korrik.

Duke folur më 2 tetor para votuesve, Mlladen Grujiçiq, pati thënë: “Kurrë nuk kam problem të përkulem para çdo viktime, kështu që nuk do të ketë problem për shënimin e 11 korrikut (data kur kujtohet masakra). Komuna do ta ndihmoj edhe më tutje shënimin e 11 korrikut aq sa të mundet”.

Por, ky premtim, duket se nuk mund t’i zbusë shqetësimet pas fushatës së gjatë njëmujore, në të cilën Grujiçiq e pati refuzuar shprehjen “gjenocid”, me të cilën Gjykata për Krime të Luftës e Kombeve të Bashkuara në Hagë e ka klasifikuar masakrën në Srebrenicë.

Grujiçiq, po ashtu, e kishte pranuar edhe mbështetjen e liderit ultranacionalist serb, Vojisllav Sheshel, i cili është liruar nga akuzat për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata në Hagë në muajin mars. Prej atëherë atij i është ndaluar hyrja në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë.

“Pozicioni im është i qartë. Gjithnjë kam thënë se ajo që ka ndodhur në Srebrennicë ishte krim i tmerrshëm kundër popullatës së Bosnjës dhe se, po ashtu, ka pasur krime të tmerrshme kundër popullatës serbe në Bosnjë”, i pati thënë Grujiçiq, Radios Evropa e Lirë, në muajin prill të këtij viti.

Babai i Grujiçiqit është vrarë duke i mbështetur forcat serbe gjatë luftës në Bosnjë.

“Krimet këtu janë kryer kundër të dy komuniteteve”, i tha Grujiçiqi agjencisë AFP pas zgjedhjeve, duke shtruar pyetjen se “a do të kemi jetë më të mirë në Srebrenicë nëse ne themi se ishte gjenocid”?. / Periskopi