hatixhe-latifi-pupovci

Vëzhguesja e autopsisë së Deharit thotë se raporti nuk përkon me atë që është parë aty

Hatixhe Latifi-Pupovci, një nga vëzhgueset e caktuara nga familja Dehari në autopsinë e Astrit Deharit, e cila është mjeke dhe profesoreshë e mjekësisë ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së, se në raportin e publikuar sot nga Prokuroria e Shtetit, nuk është përshkruar ajo që është parë gjatë ekspertizës.

Periskopi.com Lajme

“Mund të them se atë ditë është bërë autopsia në mënyrë shumë profesionale, por raporti që ka dalë sot mendoj se nuk ka qenë në raport me ato që kemi parë, për arsye se thjeshtë ky proces i hetimeve është proces i lënduar për faktin se shumë më herët ka pasur të meta, me deklarata se është vetëvrarë me barna dhe vonesa e raportit, që mund dhe është bërë më herët, bëjnë që të dyshohet në raportin dhe të gjeturat nuk janë ashtu si ka qenë”, ka thënë Latifi-Pupovci, transmeton Koha.net.

Ajo ka renditur dyshimet e saj në disa pika të cilat i ka shpjeguar gjatë emisionit.

“Dëmtimet në pikën 1 dhe 2 të raportit, që janë ato lëndime në qafën e Astritit dhe në dorë, ka shënuar se janë të vetëshkaktuara dhe hezituese. Kjo mënyrë e përshkrimit ka qenë shumë e dobët, sepse kur flitet për një rast të tillë nuk përshkruhet kaq zbehtë, një e dhënë kaq e madhe. Është dashur të tregojnë mjetin me të cilin është bërë plaga dhe mënyrën se si është bërë”, ka rrëfyer ajo.

Më tej ka folur edhe për shishen e mjaltit, që është mjeti me të cilin, sipas raportit të autopsisë, është shkaktuar vdekja e Astrit Deharit.

“Shishja e mjaltit është mjeti i fortë për të cilin flitet në raport, nuk është e mundur të futet kaq thellë në grykën e njeriut sa të shkakton mbylljen e frymëmarrjes. Aty janë përshkruhen lëndimet e brendshme, ku thuhet se është lënduar gjuha dhe ka rrjedhur gjak, i cili nuk është gjetur në rrugët e frymëmarrjes, gjaku në shishe është përshkruar në pjesën që nuk ka qenë në gojë të Astritit. Pra ato lëndime që janë në gjuhë, nuk janë nga ky mjet”, shtoi Latifi-Pupovci.

Në fund si pjesë dyshimi të saj, ajo flet edhe për disa skuqje në dorën e djathtë të Astrit Deharit.

“Aty shkruhen edhe disa skuqje, që në të vërtetë kanë qenë më shumë se skuqje, në dorë të djathtë, ku thuhet se i janë shkaktuar gjatë bartjes deri në spital ose gjatë dhënies së ndihmës së parë, por ku e dinë këta se në çfarë mënyre janë shkaktuar”, përfundoi Latifi-Pupovci, teksa ka shtuar se nuk bindet se është vetëvrasje.

“Mendoj se rasti i Astritit meriton një ekspertizë të pavarur, për arsye se është i lënduar shumë ky proces”.

Astrit Dehari / ARKIV

Edhe hetues të Prishtinës përfshihen në rastin ‘Dehari’, Intervistohen disa dëshmitarë

Hetimet mbi shkaqet e vdekjes së Astrit Deharit, tashmë nuk do t’i bëjë vetëm Policia e Prokuroria e Prizrenit. Sot është marrë vendim që të krijohet një ekip i përbashkët hetimor ku është përfshirë edhe policia qendrore në Prishtinë e cila do të ndihmojë në zbardhjen e rastit Dehari.

Periskopi.com Lajme

Lajmin për themelimin e ekipit të përbashkët hetimor e ka konfirmuar për Gazetën Express, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren Sylë Hoxha.

“Është formuar një ekip i përbashkët i drejtorisë qendrore të policisë që do ta ndihmojnë drejtorinë rajonale të Prizrenit,. Po punojmë që nga ora 8-24 për ndriçimin e çështjes”, ka thënë Hoxha.

Kryeprokurori bëri të ditur se për hetimin e rrethanave të vdekjes së Deharit është angazhuar edhe një prokurore tjetër.

” E kemi angazhuar edhe një prokurore tjetër në mënyrë që të përshpejtohen hetimet”, ka thënë Hoxha.

Ndërkohë që prokurori, Mirush Biraj i cili po e kryeson ekipin hetimor për vdekjen e Astrit Deharit, ka shpjeguar për Express, se deri më tani janë intervistuar disa persona si dëshmitar për vdekjen e Astrit Deharit.

“Jemi në nivel të detyrës duke u aktivizuar. Deri më tani janë intervistuar disa persona si dëshmitarë nga qendra e paraburgimit në Prizren”, ka thënë ai.

Ndërkohë që ai tha se hetimet janë duke vazhduar nën mbikëqyrjen e tij.

“Në rast nevoje kemi edhe kolegë të tjerë të cilët janë në gjendje gatishmërie, mirëpo për momentin nuk janë të angazhuar askush. Jemi duke kryer hetime me përkushtim të jashtëzakonshëm”, ka thënë ai.

Ndërkohë që rezultatet e autopsie së trupit të pajetë të Astrit Deharit ende nuk janë bërë publike nga ana e Mjekësisë Ligjore.

Trupi i pajetë i Astrit Deharit është varrosur dje në fshatin Zllatar afër Matiqanit. Dehari po prehet pranë varrit të vëllait të tij, Arbnor Deharit, i cili u vetëvra para dy viteve.

Kujtojmë që Astrit Dehari ndërroi jetë të shtunën në qendrën e Paraburgimit në Prizren. Rrethanat e vdekjes së tij do t’i bëjë të ditur raporti përfundimtar i autopsisë që iu bë dje trupit të Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.