Dy nga ‘tre gjermanët e trashë’ dhe një tender i përfituar në Ministrinë e Diasporës

Një tender në Ministrinë e Diasporës për “Shërbime artistike...”, e ka fituar aktori Fisnik Ademi. Në të njëjtën ministri, punon si këshilltar i ministrit, aktori Kushtrim Sheremeti.

Periskopi.com Lajme

Që të dy janë miq të mirë, e në publik njihen si “Gjermanët e trashë” nga seriali i para disa viteve.

Aktorët Kushtrim Sheremeti e Fisnik Ademi, mund të kenë bashkëpunuar në shumë projekte të përbashkëta. Në publik njihen më së shumti nga seriali komik “Tre gjermanët e trashë”. Por së fundi, është edhe një tender që i ndërlidh këta dy komedianë, shkruan lajmi.net.

Ademi ka fituar një tender pa konkurrencë në Ministrinë e Diasporës, ku Sheremeti është këshilltar i ministrit Valon Murati.

Tenderi “Shërbime artistike për Ditët e Kulturës Shqiptare në Diasporë”, është dhënë me llojin e procedurës “i negociuar”, pa publikim të kontratës, që në fakt në këtë tender është negociuar vetëm çmimi, pasi konkurrentë nuk ka pasur fare.

Vlera e përgjithshme e kontratës është 17,900.00 euro dhe Sheremeti e ka arsyetuar këtë procedurë duke thënë se lejohet në rastet kur ministria ka nevojë për shërbime urgjente.

Por në fakt, manifestimi “Ditët e Kulturës Shqiptare në Diasporë”, nuk është një rast urgjent i kësaj ministrie pasi është organizim tradicional dhe i paraparë për t’u organizuar.

Sheremeti deklaron se nuk ka pas ide nëse një kontratë e tillë është negociuar me mikun e tij, pasi ka qenë i angazhuar në Samitin e Diasporës në Tiranë.

Ai bën të ditur se me 17 mijë e 900 eurot e ministrisë, trupa e teatrit joformal ‘La Rreme’, do të performoj me shfaqjen e titulluar ‘Sikur kjo të ishte shfaqje’ në Angli, Suedi, Zvicër dhe Gjermani. Kjo trupë e teatrit, sipas Sheremetit, e ka autorizuar Ademin për të negociuar dhe zbatuar procedurat administrative.

“Gjithashtu me informuan se për këtë procedurë qenkan konsultuar paraprakisht me OSHP-në dhe paskan marrë miratim nga ana e tyre dhe se e gjitha është e bazuar ne ligj”, shprehet Sheremeti për lajmi.net.

Ai shton se pozita e tij është politike dhe me ligj e ka të ndaluar të ushtroj “çfarëdo presioni ndaj stafit civil, gjë të cilën as nuk e kam bërë e as nuk do ta bëj”.

Sheremeti do që të merret parasysh edhe fakti se mbi 70 për qind të artistëve të Kosovës i ka pas bashkëpunëtor në projekte të ndryshme dhe nganjëherë i bie që të ketë punë me ta edhe si zyrtar institucioni.

Njëjtë deklarohet edhe Ademi duke thënë se komuniteti i artistëve është i vogël dhe ka afërsi me shumë profesionist të kësaj fushe.

Ademi pohon se që 6 vite funksionon me një kompani e cila e mban emrin e tij personal dhe me të cilën ka realizuar projekte me institucione e produksione private të ndryshme.

Ai ka thënë se me paratë e Ministrisë së Diasporës, do t’u mundësoj ekipit të shfaqjes biletat e udhëtimit, akomodimin në hotele, transportet rrugore në vendet përkatëse, ushqimin dhe kërkesat e tjera që dalin nga ky turne.

“Në kuadër te Ditëve të kulturës shqiptare ne diaspore, Ministria e diasporës ka përzgjedhur shfaqjen tone; ekspozitën personale te fotografit me përmasa botërore Fadil Berisha; koncerti i këngëtares Elina Duni dhe një projeksion filmik me filma shqiptare, nder ta edhe filmin Shok te nominuar për Oscar. Këto projekte do te prezantohen para audiencës në Gjermani, Suedi, Zvicër dhe Angli. Ne shumën totale te projektit do te paguhen biletat e ekipit, akomodimi për hotele, transportet rrugore ne vendet përkatëse, ushqimi dhe te gjitha kërkesat e tjera qe dalin nga kjo turne”, tha Ademi.

Ndërkaq, sipas njoftimit për nënshkrim të kontratës, ky aktivitet i prokurimit ka validitet nga data 26  Nëntor deri 03 Dhjetor 2016, aq sa edhe do të zgjasin Ditët e Kulturës Shqiptare në Diasporë.

tenderi1