Urtësia ndihmon të fortin

Ose si duhet të sillemi me Maqedoninë tash e mbrapa

Mentor NAZARKO Opinione

Që të sillesh mirë me dikë, duhet të kuptosh sjelljen e tij dhe ta justifikosh atë. Ky parim bazë i empatisë njerëzore vlen dhe për marrëdhëniet ndërshtetërore.Me një fjalë dhe për situatën ku gjenden marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase.

Pse mbërritëm në pikën ku dy vendet po debatojnë publikisht dhe në nivel të lartë me njeri tjetrin ? Sot ishte kryeministri i qeverisë teknike i cili reagoi ndaj Ramës, pasi presidenti i vendit Ivanov, refuzoi t ‘ja japë mandatin liderit të opozitës Zaev të krijojë qeverinë.  E vërteta është se në korin e liderëve shqiptarë Rama ishte më i përmbajturi, por Rama është përzgjedhur nga politika maqedonase dhe mediat e vendit fqinjë, për shkak të peshës së tij aktuale në opinionin publik panshqiptar apo atë rajonal- më thjesht klikueshmërisë së tij, përfshirjes në hartimin e platformës, etj.

E çfarë duhet të kuptojmë prej politikës maqedonase ?

E vërteta është se nëse mbështetemi në kushtetutën maqedonase, e njëjtë me atë shqiptare dhe kosovare, mandatin për të krijuar qeverinë e re, do duhet ta merrte VMRO- DPMNE si partia më e madhe, fituese e zgjedhjeve.  Edhe precedentët kushtetues e konfirmojnë këtë.

Së dyti, ky ndërrim  të mandatuarit, është një shndërrim gati epokal për vendin fqinjë. Të largosh nga pushteti, një njeri si Gruevski që qeveris prej një kohe bukur të gjatë, do të thotë të largosh nga kontrolli i ekonomisë së ligjshme, të paligjshme, nga komandimi i butonave të pushtetit, një oligarki shumë të fuqishme. Kjo oligarki ka frikë se ndërrimi i qeverisë, së bashku me funksionimin e lirë të prokurorisë speciale, me gjasë dhe të një gjykate speciale, do të sjellë dënimin e krerëve më të rëndësishëm të saj. Është krejtësisht e qartë se oligarkia maqedonase që kontrollon biznese të rëndësishëm në vendin fqinj, do të reagojë dhe me çdo kusht do mundohet të kundërvihet ndaj këtij drejtimi të frikshëm për të. Presidenti Ivanov e ka treguar dhe më herët se është garanti i kësaj oligarkie me amnistinë që bëri para pak kohësh. Mobilizimi i komuniteteve të tjera kundër platformës shqiptare, protestat e stimuluara janë pjesë e këtij skenari pengues. Madje dhe bazë për të justifikuar veprimin jokushtetues të presidentit maqedonas në këtë moment të dhënë. Pasi Gruevski dështoi të krijojë qeveri, mandati i takonte me të drejtë Zaevit.

Së treti, maqedonasit në gjithë platformën kanë konsideruar ngritjen e nivelit të shqipes si gjuhë zyrtare, si elementin më problematik. Kjo ngjan ose si pretekst, ose si konfirmim i asaj që sllavomaqedonasit nuk duan t’ja japin këtë dinjitet, gjuhës së një populli që gjithmonë e kanë përçmuar. Në të gjithë rastet, maqedonasit janë të frikësuar jo aq shumë prej gjuhës, por prej faktit që faktori shqiptar më në fund u bashkua rreth një emëruesi të përbashkët brenda Maqedonisë, por dhe duke u sinkronizuar me Shqipërinë. Ky bashkim, ky sinkronizim është e vërteta e reagimit maqedonas. Përballë tij, ata ndihen të dobët dhe në panik. Dhe duhen mirëkuptuar për këtë. Shqiptarët janë të fortë dhe të pamundshëm duke pasur në dorë stabilitetin e gjithë rajonit, vetëm nëse veprojnë  të frymëzuar nga një sintoni e brendshme, që për shumë arsye duhet të vijë prej Shqipërisë amtare. Nëse mekanizmi që e realizon këtë sintoni kolaudohet, pra nëse ruhet harmonia, respektimi reciprok i Shqipërisë dhe subjekteve politike shqiptare kudo ku ka bashkëkombës, shqiptarët praktikisht mund të realizojnë çdo lloj agjende. Bash për këtë arsye dhe serbët janë të alarmuar. Madje dhe grekët me gjasë duhet të jenë të shqetësuar.

Cila është zgjidhja në një situatë të tillë? Maqedonasit po ankohen për destabilizimin e sistemit politik prej këtij angazhimi të Shqipërisë, dhe simulojnë për këtë. Madje duke bërë zhurmë në nivel ndërkombëtar. A kanë të drejtë ? Njëlloj shndërrimi i sistemit politik dhe shoqëror në Maqedoni do mund të arrihej nëse ky koalicion do të realizohej dhe do të jetësonte platformën e famshme. Por me gjasë Maqedonia, edhe me garancitë perëndimore për stabilitetin e saj, nuk ka rreziqe të mëdha. Kjo nuk përjashton që Shqipëria dhe shqiptarët do duhet të përmbahen ndaj çdo veprimi, deklarimi që e destabilizon seriozisht Maqedoninë.

Si zgjidhet kjo?

Shqipëria do duhet të vijojë t‘i qaset Maqedonisë si një komb i tërë, si ka bërë deri më tani kur ka thirrur dhe organizuar platformën. Por jo thjesht për të kompaktësuar shqiptarët, por dhe për t ‘i dhënë garanci reale se nuk ka për synim ta destabilizojë vendin fqinjë. Shqipëria do duhet të bëjë një marrëveshje historike me Maqedoninë, njëlloj aleance garantuese të këtij stabiliteti, duke i ofruar shtetit fqinjë, dhe lehtësira portuale, apo të çdo lloji tjetër. Kjo lloj aleance rajonale do duhet të ndërtohet në bekimin perëndimor, duke forcuar kështu boshtin properëndimor të Ballkanit që do përfshinte Kosovën, Maqedoninë, Shqipërinë dhe duke përfunduar në Bullgari. Me këtë objektiv në mendje, Shqipëria do duhet të shmangë çdo deklarim të fortë ndaj palës maqedonase, si bëri përshembull Kosova. E rëndësishme është të arrihet objektivi (apo objektivat) proshqiptar, properëndimor dhe jo që fqinji i vogël të kompleksohet, të turpërohet me deklarime nënçmuese apo triumfaliste. Brenda një koalicioni të tillë Maqedonia do ta kishte të vështirë të refuzonte çdo kërkesë të shqiptarëve për të ndërtuar një Maqedoni sipas modelit zviceran, apo një modeli tjetër europianist. Vetëm kjo qasje konstruktive do të mundësonte dhe realizimin e platformës, apo të çdo lloj platforme tjetër. Perëndimi nuk do toleronte avancimin e një axhende shqiptare, e cila do të mundësonte praninë ruse pas thirrjes së saj në ndihmë prej faktorit maqedonas. Stabiliteti i Maqedonisë është interes absolut i perëndimit dhe kjo dogmë vazhdon të jetë në fuqi dhe sot. Urtësia ndihmon të fortin. Ne shqiptarët kemi qenë të fortë, por s’kemi qenë të urtë. Sot është koha me qenë të urtë.

Hashim Thaçi qëndron pas sulmeve ndaj Edi Ramës

Pas reagimeve sulmuese ndaj kryeministrit Rama në Beograd, për fjalën e tij hapur për Kosovën drejtuar homologut serb Vuçic, analisti Mentor Nazarko, shkruan se është presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Periskopi.com Lajme

Në një opinion publikuar sot në “Panorama” me titull “Çfarë uji i duhet dhënë gomarit?”, Nazarko analizon gjithë sa ndodhi atje dhe atë që e pasoi takimin, duke numëruar reagimet që erdhën nga zyrtarë të Kosovës e jo vetëm.

“Është krejtësisht e qartë se sulmi apo kritika ndaj Ramës, që badjava shumëfishohet nga portale të shumta, ka në themel një moment personal shumë të diskutueshëm: profili publik i Ramës në Serbi apo vende të caktuara të BE rritet për shkak të marrëdhënieve miqësore me Vuçiçin dhe relaksimit të marrëdhënieve midis dy vendeve. Sa kohë që nuk kemi fjalën e të interesuarit Thaçi, ky ngjan i vetmi element që mund t’i krijojë probleme psikologjike presidentit të Kosovës”- shkruan Nazarko.

MENTOR NAZARKO

Tashmë u bë krejtësisht e qartë që Presidentit Thaçi nuk po i pëlqen që Shqipëria me Serbinë zhvillojnë kontakte intensive të nivelit të lartë ku miku i tij, kryeministri Rama, flet për Kosovën.

Dje brenda pak orësh, disa zëra përfaqësues të Kosovës kanë reaguar në mënyrë nervoze ndaj mesazheve të Ramës pro saj të kumtuara në Beograd. Ia filloi në stilin e vet madhërues ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, i cili e përçmoi peshën globale të Shqipërisë. Kosova, sipas tij, komunikon me Amerikën kur ka nevojë për ndihmë diplomatike. E pasuan atë në mënyrë të sinkronizuar dhe njerëz të kryeministrit Isa Mustafa, por të cilët dinakërisht ishin më të moderuar se Hoxhaj.

Vijoi me sulme të ashpra që e barazonin Ramën me Hoxhën dhe Zogun, Milazim Krasniqi, një profesor shumë i afërt me PDK. Shumë më herët, një njeri i afërt i Presidentit Thaçi, ish-zëvendësministri i Jashtëm, Petrit Selimi, kishte shkruar diçka shumë inteligjente ku kritikonte Ramën në lidhje me pjesëmarrjen në forumin biznesor të Nishit apo emërtimin serb të autostradës Nish-Durrës duke injoruar Rrugën e Kombit.

Ndërkaq të rreshtuar me politikën zyrtare kosovare ishin dhe shumë media të ndryshme të Prishtinës. Madje dhe shoqëria civile bojkotoi një forum për sigurinë, organizuar në Beograd, megjithëse formalisht në shenjë proteste ndaj arrestimit nga ana e Serbisë të një drejtori policie regjional.

ROLI I THAÇIT NË ALUZIONET KRITIKE NDAJ RAMËS

Në krye të herës duhet thënë se ky lloj distancimi publik midis Kosovës dhe Shqipërisë nuk është plotësisht i dëmshëm, nëse shihet nga jashtë botës shqiptare. Kosova ka nevojë të forcojë identitetin e vet ndërkombëtar dhe të shuajë zërat se ajo me Shqipërinë po punojnë për projektin e bashkimit kombëtar.

Por ky distancim do të ishte realisht i vlefshëm, nëse do të ishte i koordinuar me Shqipërinë dhe jo si reagim nervoz, mbrapa të cilit qëndron Presidenti Thaçi. Kush i njeh punët e Kosovës, e di mirë se as Enver Hoxhaj dhe as Petrit Selimi nuk do të bënin aludime kaq të forta publike kundër Ramës, apo fyese për Shqipërinë, pa lejen e presidentit Thaçi.

Derisa një muaj më parë, foli Petrit Selimi, i njohur si penë e mirë, mund edhe të supozoje se ai e kishte bërë me kokën e vet gjithçka. Po kur foli dhe ministri Hoxhaj, atëherë tabloja u bë më e qartë: mbrapa këtyre reagimeve qëndron shefi i tyre. Se kanë folur dhe përfaqësues të LDK, kjo duket normale: për të rritur presionin mbi Ramën, apo për t’ia zhvleftësuar atij meritat për çka tha në Beograd.

Në themel të kësaj sjelljeje ka një paradoks të çuditshëm. Kosova, Thaçi nuk kanë reaguar kurrë publikisht kaq ashpër ndaj një kryeministri të Shqipërisë. Thaçi e ka bërë në biseda të mbyllura me ambasadorin amerikan ndaj Berishës, që promovonte në formë sfide Haradinajn e AAK, por jo në publik, si po bën me mikun e vet Rama.

Pse mik? Sepse Rama nuk ka lënë rast pa e mbështetur Thaçin në planin personal: me negociatat për të shmangur një qeveri të re të opozitës trepalëshe dy vjet më parë; me përpjekjet për t’i siguruar atij një takim me Kerrin në Tiranë; me qëndrimet e forta kritike ndaj BE për izolimin e Kosovës.

Atëherë, pse ky qëndrim kaq i ashpër ndaj mikut Rama, i cili për më shumë, sipas burimeve nga Kosova, e ka informuar në kohë reale mikun Thaçi për bisedimet me Vuçiçin?

Nëse këtë qëndrim anti-Ramë do ta sponsorizonte kryeministri Mustafa, kjo mund të kishte një pretekst, sa kohë që Rama nuk ka treguar afërsi të madhe me të, por Thaçi pse e ka me Ramën?

ARSYE EVENTUALE TË ZEMËRIMIT…

Pse njerëzit e presidentit Hashim Thaçi reagojnë zëshëm ndaj këtij angazhimi të Ramës, i cili publikisht dhe jopublikisht kritikoi Serbinë për Trepçën dhe arrestimin e një zyrtari të lartë policie? Madje jo vetëm kaq, por dhe duke ripërsëritur kërkesën për njohjen e Kosovës, diçka që e bëri atë hero dy vjet më parë.

A ju duket paternalizëm? Domethënë, sjellje prej ati ndaj fëmijës së vogël Kosovë? Pse nuk i duket kështu Vetëvendosjes? Kjo parti përkundrazi i kërkonte Ramës që ai të mbante qëndrime publike kundër Serbisë pikërisht për Trepçën dhe arrestimin e drejtorit të policisë, megjithëse po e tepronte me vizita në Beograd!

E vërteta është se në sjelljet e subjekteve kosovare ndaj Ramës ka me të vërtetë një kakofoni egocentrikësh. Kur Rama shkoi për herë të parë në kryeqytetin serb, Shpend Ahmeti i VV e qortoi pse mendonte të shkonte.

Më vonë e lavdëroi për atë që bëri. Muajt e fundit, njerëz afër me PDK (me presidentin Thaçi), e kritikuan Ramën pse shkon në Beograd dhe pse flet për Kosovën në aktivitete-gracka serbe. Të tjerë kritikë e sulmojnë Ramën, se pse shkon në Beograd apo gjetkë, dhe pse nuk flet për Kosovën.

Kjo kakofoni përkthehet saktësisht: çfarë uji i ke dhënë gomarit? Mos vallë është e vërtetë e kundërta: këto institucione kosovare pretendojnë paternalizëm ndaj Shqipërisë, duke i mësuar krerët e saj ku të shkojnë dhe çfarë të thonë, diçka që Shqipëria nuk e ka bërë me asnjë kryeministër?

A u duket këtyre kritikëve se nëpërmjet marrëdhënieve normale dhe intensive të Shqipërisë me Serbinë, krijohet presion ndaj Kosovës për të qëndruar pa kushte në dialog me fqinjin e saj verior?

Kjo nuk ngjan shumë e bazuar: Shqipëria si shtet nuk ka pasur luftë me Serbinë që t’u shmanget bisedimeve me të. Perëndimorët nuk e përdorin shembullin e Shqipërisë kur i bëjnë presion Kosovës për bisedime, sepse e dinë fare mirë se rrethanat nuk janë të ngjashme.

Për më shumë që Kosova bisedon shumë me Serbinë në të gjitha nivelet në Bruksel, dhe tashmë nuk ka nevojë për shembuj. Petrit Selimi dhe me gjasë nëpërmjet Petritit, ish-shefi i tij Thaçi, e ndriçojnë Ramën me grackat të cilat i ka ngritur Serbia në këtë drejtim. Është e vërtetë si shkruante Petriti, se Beogradi shitet si paqësor, pro dialogut me shqiptarët (Shqipërinë), ndërsa nuk flet kurrë për kosovarët dhe Kosovën si shtet.

Është e vërtetë gjithashtu që duke e emërtuar si projekt të rëndësishëm rrugën Nish-Durrës, serbët mohojnë rëndësinë e pjesës kosovare të Rrugës së Kombit. Por dhe kjo nuk ngjan koherente: që serbët bëjnë gracka, kjo nuk do të thotë se mysafiri i tyre duhet të ndihet fajtor, nëse ai nuk shkel në dërrasë të kalbur, apo nëse nuk bie në çarkun e tyre.

Është krejtësisht e qartë se sulmi apo kritika ndaj Ramës, që badjava shumëfishohet nga portale të shumta, ka në themel një moment personal shumë të diskutueshëm: profili publik i Ramës në Serbi apo vende të caktuara të BE rritet për shkak të marrëdhënieve miqësore me Vuçiçin dhe relaksimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Sa kohë që nuk kemi fjalën e të interesuarit Thaçi, ky ngjan i vetmi element që mund t’i krijojë probleme psikologjike presidentit të Kosovës. Kush e ndoqi vizitën e fundit në Serbi, kuptoi se Rama po fiton paradoksalisht popullaritet në këtë vend, megjithëse në çdo rast, ai përdor fjalinë kyçe që dy vjet më parë tronditi opinionin publik dhe politikën serbe: njiheni Kosovën se kështu do jetë mirë për ju serbët!

Me gjasë Rama dy vjet më parë bëri diçka diplomatikisht jokorrekte kur i kërkoi Vuçiçit të njihte Kosovën. Por koha i dha të drejtë: ai realizoi një shok kulturor në Serbi, duke i mësuar aq shumë serbët me idenë e pavarësisë së Kosovës, sa urrejtja për të po kalon në krah të kundërt.

Sigurisht jo në dashuri, por në njëlloj respekti. Dhjetëra intelektualë serbë apo qytetarë të thjeshtë rrinin në radhë për t’i marrë autografe për librin, për të bërë foto me të, dhe e njëjta gjë ndodhte në rrugët e Nishit apo në forumin e biznesit shqiptaro-serb.

Kjo megjithëse edhe dje Rama vijoi të tallej me Vuçiçin ndërsa kujtoi episodin e dy vjetëve më parë, kur për pak homologu i mbeti në dorë!! Vuçiçi me Ramën po ndërtojnë marrëdhënie të forta personale dhe po nxisin bashkëpunimin shqiptaro-serb, por kjo nuk ka pse të shqetësojë presidentin Thaçi dhe askënd në Kosovë.

Nuk po kuptohet: më mirë do ishte të fliste për Kosovën, apo të mos merrej fare me të, duke ngjarë në sytë e europianëve dhe serbëve si pacifist ekstrem?

Apo ka mes tyre ndonjë moment personal që nuk do merret vesh asnjëherë?