MPJ: Mashtrim dhe tendencioz lajmi se të armatosur nga Kosova po shkojnë në Maqedoni

Periskopi.com Lajme

Ministria e Punëve të Jashtme përgënjeshtron shkrimet e ditëve të fundit në mediat serbe, për gjoja futjen e grupeve të armatosura nga Kosova në Maqedoni.

MPJ mbështetur në informatat e siguruara nga institucionet e sigurisë, informon se shkrimet e disa ditëve të fundit janë të pavërteta, qëllimkëqija dhe tendecioze që kanë për qëllim destabilizimin e rajonit. Ato janë pjesë e një fushate të lajmeve të rrejshme që kanë për synim dëmtimin e imazhit të Kosovës.

Çdo tentativë, e kujdoqoftë, për të paraqitur Kosovën si gjenerator të destabilitetit dhe pasigurisë, është tendencioze dhe me prapavijë për të realizuar agjendat të cilat kanë për synim destabilizimin e rajonit dhe pengimin e proceseve euro-atlantike, për të cilat Kosova dhe qytetarët e saj janë të orientuar.

Këto tendenca, për ta prezantuar Kosovën vend jo stabil dhe të pasigurtë, kanë për qëllim krijimin e një pamje negative për shtetin tonë jo vetëm në aspektin e sigurisë, por edhe përpjekje për të goditur interesat vitale sikurse janë zhvillimi ekonomik, investimet e huaja, partneriteti rajonal, njohjet e reja dhe karakterin demokratik dhe shumëetnik të Kosovës.

MPJ siguron qytetarët dhe partnerët e saj se Policia e Kosovës dhe institucionet e sigurisë, vazhdimisht janë proaktive me masa dhe veprime konkrete në tërë territorin e vendit me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe të garantimin e stabilitetit të vendit.

Falë këtyre angazhimeve dhe profesionalizmit të treguar të institucioneve të sigurisë ndër vite, sot Kosova nuk është vetëm konsumues i sigurisë dhe stabilitetit por edhe një aktor i përfshirë rajonal dhe ndërkombëtar.

Krahas shumë aktiviteteve operative, Policia e Kosovës në kuadër të procesit të Menaxhimit të Integruar të Kufijve, ka një bashkëpunim të shkëlqyer ditor me autoritetet përgjegjëse të Maqedonisë përgjatë brezit kufitar dhe realizon takime të rregullta edhe me prezencën e trupave të KFOR-it. Si rrjedhojë, asnjëherë nuk janë ngritur shqetësime të tilla përkitazi me shkrimet e rrejshme të mediave serbe pas të cilave qëndron politika zyrtare e shtetit serb.

Qeveria e Kosovës dhe institucionet e sigurisë vazhdojnë të jenë të përkushtuara në përmbushjen e misionit të tyre për siguri dhe stabilitet në Kosovë, si dhe janë në partneritet të vazhdueshëm me shtetet e rajonit e më gjerë për adresimin e rreziqeve të mundshme në Kosovë apo në rajon.

Reklamë
Reklamë

Thaçi e pranon: Mediat nuk lejuan cenimin e lirisë së shprehjes përmes Kodit Penal

Periskopi.com Lajme

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot e ka hapur zyrtarisht konferencën ndërkombëtare “Prishtina Media Days”, e cila është organizuar nga Departamenti i Gazetarisë së Universitetit të Prishtinës, në bashkëpunim me Universitetin e Vjenës dhe me Southeast European Media Organization (SEEMO), si dhe është mbështetur nga Zyra e Presidentit të Kosovës.

Duke ua uruar 3 Majin, Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, presidenti Thaçi shprehu mirënjohje për të gjithë gazetarët që me guxim dhe profesionalizëm vazhdojnë të kryejnë punën e tyre fisnike, të informimit të drejtë të opinionit publik.

“Liria e shtypit, e cila në kuptimin më të gjerë përfshin lirinë e shprehjes së mendimit dhe të drejtën për t’u informuar është një nga liritë themelore të njeriut dhe ndër më të dëshiruarat. Përpjekjet për të realizuar këtë liri janë përpjekje që nderojnë historinë e kulturës njerëzore”, u shpreh presidenti Thaçi, transmeton Periskopi

Ai tha se gazetaria në Kosovë ka qëndruar e palëkundur përkundër presioneve dhe joshjeve, duke u rritur dhe fuqizuar gjithnjë e më shumë.

“Ju përgëzoj për pavarësinë dhe integritetin profesional që keni ruajtur. E përgëzoj edhe transmetuesin publik për pavarësinë redaktuese që ka ruajtur, përkundër përpjekjeve të politikës për ta cenuar dhe për ta ndikuar”, shtoi ai.

Presidenti Thaçi dënoi çdo kërcënim kundër gazetarëve dhe i përgëzoi edhe organet e rendit dhe ligjit që kanë vepruar menjëherë kundër kërcënuesve.

“Përpjekjet për të penguar gazetarët në punën e tyre, kërcënimet kundër tyre, janë të papranueshme në shoqërinë kosovare dhe do të luftohen me forcën e ligjit. I përgëzoj organet e rendit dhe ligjit që kanë vepruar menjëherë kundër atyre që guxojnë të kërcënojnë gazetarët. Kam kërkuar edhe që drejtësia të zbulojë fatin e gazetarëve të zhdukur apo atyre të vrarë në Kosovë para, gjatë dhe pas luftës”, shtoi ai.

Presidenti theksoi se është i mirëseardhur lajmi se këtë vit progresi në Kosovë njihet edhe nga “Reporterët pa Kufij”, që renditi vendin tonë për tetë vende më lartë se një vjet më parë në shkallën e lirisë së shtypit.

“Përkushtimi ynë, i tërë shoqërisë, është që të mbrohet dhe të forcohet edhe më tutje liria e të shprehurit”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai përgëzoi mediat dhe shoqërinë civile edhe për debatin publik për ndryshimet fillestare të propozuara në kodin penal, që cenonin lirinë e shtypit dhe lirinë e shprehjes.

“Kjo edhe një herë dëshmoi fuqinë e mediave dhe të debatit të lirë”, theksoi presidenti Thaçi.

Në përputhje me kompetencat e tij, presidenti Thaçi tha se është përkushtuar që nga dita e parë që të mbrojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Ai tha se zhvillimi i teknologjisë informative ka krijuar mundësi që nuk i kemi pasur kurrë më parë për t’u shprehur dhe për të komunikuar.

“Sot është më lehtë se asnjëherë më parë që të shprehemi dhe të ndajmë mendimet tona. Por, kjo e ka bërë edhe më të lehtë se kurrë më parë që të abuzohet me lirinë e të shprehurit. Kjo është sfidë jo vetëm për shoqërinë kosovare, por për tërë botën. E tërë bota po përballet me fenomenin e lajmeve të rrejshme, por edhe me përpjekjet e regjimeve jodemokratike që nëpërmjet luftës hibride të abuzojnë me lirinë e shprehjes dhe të cenojnë rendin e vlerave dhe parimeve që ndërtojnë shoqëritë liberal-demokratike”, u shpreh ai.

Presidenti Thaçi theksoi se sfidë sot nuk është vetëm ruajtja e lirisë së shprehjes nga përpjekjet për të kufizuar atë, por edhe mbrojtja e saj nga përpjekjet për të abuzuar me të./ Periskopi

Reklamë
Reklamë

Shoqëria civile reagon ashpër për ndryshimin e Kodit Penal: Po kriminalizohet liria e shprehjes

Periskopi.com Lajme

Organizatat e shoqërisë civile kundërshtojnë fuqishëm draftligjin e hartuar të Ministrisë së Drejtësisë për ndryshimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Draftligji i propozuar shkel thellësisht parimet fundamentale të një shteti demokratik ku respektohen liritë dhe të drejtat e njeriut.

Qëllimi i Ministrisë së Drejtësisë që të kriminalizojë lirinë e shprehjes përbën një hap drejtë autoritarizimit të Kosovës, dhe në kundërshtim të plotë me rrugën e reformave Evropiane për të cilat Republika e Kosovës duhet të jetë e përkushtuar, raporton periskopi

Ne vlerësojmë që draftligji i hartuar nga Ministria e Drejtësisë është hartur në një proces krejtësisht të mbyllur, pa u thirrur grupi punues përkatës, dhe është nxjerrur në publik në një mënyrë krejtësisht të papërgjegjshme. Ndryshimet e propozuara përbëjnë hap drejtë kontrollit të fjalës së lirë për të kritikuar institucionet e larta të Republikës së Kosovës përmes procedurës penale, standard i cili do të ngulfaste lirinë e fjalës publike si instrument për të kërkuar përgjegjësi institucionale dhe politike.

Për më shumë, ndryshimet e propozuara në draftligjin në fjalë (në veçanti neni 6 i draftligjit që i referohet nenit 134 të Kodit Penal) nuk janë hapur dhe diskutuar asnjëherë në takimin e grupit punues për këtë draftligj.

Ne kërkojmë nga Ministria e Drejtësisë që menjëherë të tërhiqet prej një draftligji të tillë, dhe të kërkoj falje publike për këtë veprim autoritar të saj i cili ka cënuar seriozisht kredibilitetin e institucionit dhe politikbërjes në Kosovë. Gjithashtu, i bëjmë me dije Ministres së Drejtësisë që rruga Evropiane e Kosovës nuk mund të vihet përpara sfidave të tilla në një mënyrë kaq të papërgjegjshme.

Në të kundërtën, organizatat e poshtëshënuara do të marrin çdo hap për të penguar që një draftligj i tillë të miratohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Këto janë organizatat nënshkruese:

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Grupi për Studime Juridike dhe Politike

Organizata Cohu

Instituti Demokratik i Kosovës

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës  /Periskopi

Reklamë
Reklamë

Media serbe e quan Ramush Haradinajn gjakatar

Në pritje të vendimit nga gjykata franceze, për ekstradimin ose jo në Serbi, Ramush Haradinaj po kalon kohë në Strasburg, ku është fotografuar me vëllain e tij, duke pirë verë dhe darkuar në një restorant, nis një shkrim i mediumit serb, Telegraf.rs.

Periskopi.com Lajme

“Haradinaj është arrestuar në bazë të një urdhër arresti për krime lufte më 4 janar në aeroportin e Baselit – Mulhouse, në anën franceze të kufirit Francë – Zvicër. Ish-komandanti i UÇK-së ishte duke shkuar në Basel të Zvicrës – aty ku është pronar i së paku tre hoteleve”, vazhdon shkrimi.

Më tej aty thuhet se vendimi për ekstradimin e Haradinajt në Serbi nga Gjykata e Colmarit është shtyrë për 6 prill, deri atëherë ai është lënë në liri, me kusht që të mos largohet nga Franca.

“Haradinaj ka jetuar në Zvicër ku ka punuar si roje në diskoteka deri kur iu bashkua UÇK-së më 1994”, vazhdon teksti.

“Prokuroria për Krime Lufte është duke kryer hetime kundër Haradinajt për vrasjen e 70 vetave, shumë përdhunime dhe torturë mbi viktimat në Kosovë në vitin 1998 dhe 1999. Në mesin e viktimave kishte edhe fëmijë – krime për të cilat Haradinaj akuzohet direkt. Ndër krimet më mizore janë heqja e kokës së dy foshnjave, përdhunimi i shumë grave në një burg privat, ku janë therur dhe janë torturuar policët e kapur, të cilëve u janë prerë pjesë të trupit kurse dy të tjerë janë varrosur për së gjalli”, janë akuzat për të cilat shkruan Telegraf.rs.

Aty komentohen edhe takimet e Ramush Haradinajt me vëllain Daut Haradinaj, ku shkruan se shihen të lumtur teksa mbajnë duart dhe se Ramushi shkruan se nuk shqetësohet për akuzat ndaj tij.

Reklamë
Reklamë

Parlamenti rus urdhëron hetime ndaj CNN-it, REL dhe VOA-s

Dhoma e ulët e Parlamentit të Rusisë ka urdhëruar fillimin e hetimeve nëse puna e Radios Evropa e Lirë, Shërbimit rus, Zërit të Amerikës dhe CNN-it është në përputhje me ligjet e Rusisë.

Periskopi.com Lajme

Hapi i Dumës shtetërore erdhi disa ditë pasi një senatore e SHBA-së, Jeanne Shaheen, demokrate nga New Hampshire paraqiti ligjin që do t’i mundësonte Departamentit të drejtësisë për të hetuar shkeljet e mundshme të Aktit të Regjistrimit të agjentëve të huaj nga RT, një rrjet i lajmeve i mbështetur nga Rusia.

Nisma ruse u prezantua nga Konstantin Zatulin, një anëtar i Partisë Rusia e Bashkuar të Presidentit Putin, që mbanë shumicën dërrmuese në Dumë.

I miratuar nga ligjvënësit të premten, ky hap e udhëzon Komitetin e Dumas për politikat e informimit të hetojë përputhshmërinë me ligjet ruse të punës së VOA, CNN dhe Radios Evropa e Lirë, shërbimi rus, i njohur si Radio Svoboda.

Zatulin e ndërlidhi konkretisht këtë hetim me ligjin e Shaheen, duke cituar vlerësimet e shërbimeve amerikane të informimit se RT në SHBA është shfrytëzuar si pjesë e një fushate të drejtpërdrejtë të Kremlinit për shfrytëzimin e ndikimit publik me qëllim të mbështetjes për presidentin amerikan Donald Trump gjatë zgjedhjeve të vitit 2016.

Edhe RT dhe Kremlini i kanë hedhur poshtë akuzat.

Radion Evropa e Lirë dhe VOA mbikëqyren nga Bordi i Guvernatorëve për Transmetim (BBG) një agjenci amerikane që mbikëqyrë transmetimin civil të operacioneve mediatike.

VOA është një entitet federal, ndërkohë që Radio Evropa e Lirë është një organizatë private jofitimprurëse që financohet me fondet e Kongresit amerikan.

CNN u gjet nën akuza të Moskës për mënyrën se si ka përcjellë përfshirjen e dyshuar ruse në zgjedhjet presidenciale në SHBA, si dhe lidhjet ndërmjet bashkëpunëtorëve të Trumpit me zyrtarët rusë.

Zëdhënësja e ministrisë së jashtme të Rusisë, Marija Zaharova, më herët gjatë muajit ka akuzuar këtë rrjet ndërkombëtar televiziv me seli në Atlanta, me të njëjtin fjalor që përdor edhe Donald Trump se janë “lajme të rreme”

Reklamë
Reklamë

Hakmarrja e Trump, përjashton disa media nga Shtëpia e Bardhë

Vetëm pak pasi presidenti Donald Trump premtoi se do të bënte diçka ndaj medieve “dinake”, të cilat i quajti sërish si “armike” të popullit amerikan, CNN njoftoi se ishte ndaluar të hynte në seancën informuese të Shtëpisë së Bardhë të kësaj të premteje.

Periskopi.com Lajme

Sipas CNN, edhe “New York Times”, “Los Angeles Times” dhe “Politico” janë penguar të futen në Shtëpinë e Bardhë, duke mos iu dhënë asnjë argument për këtë zgjedhje, përveçse “nuk ishin në listë” për informimet jashtë kamerave.

“Breitbart”, “Fox News”, “Washington Times” dhe “One America News Network” ishin mes atyre që iu lejua hyrja, raporton CNN.

Mbledhja e sotme përpara kamerave ishte e ndryshme, e udhëhequr nga Sekretari i Shtypit, Sean Spicer, e që nuk ishte parashikuar të ndodhte sot. Në fakt, nuk është e pazakontë që të hiqet dorë nga informimi përpara kamerave në ditët kur vet presidenti i Shteteve të Bashkuara jep një fjalim të rëndësishëm, siç ndodhi mëngjesin e sotëm në “CPAC”, konferencën e aktivistëve konservatorë.

Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë ka protestuar ndaj kësaj lëvizjeje, ndërsa disa media si “Associated Press” dhe revista “Time” njoftuan bojkotimin e seancës informuese./ Top Channel

 

Reklamë
Reklamë

Mustafa: Qeveria e përkushtuar për bashkëpunim dhe kontribut në mbrojtjen e lirisë së mediave

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ku u diskutua lidhur me lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve.

Periskopi.com Lajme

Para gazetarëve të shumtë, kryeministri Mustafa tha se gazetaria, nga mjet i fuqishëm i fitimit të lirisë sot është instrument shumë i rëndësishëm i informimit, i edukimit dhe i jetës së qytetarëve.

Duke falënderuar për ftesën, kryeministri Mustafa tha se gazetarët po i mbajnë gjallë disa vlera themelore dhe shumë të rëndësishme të demokracisë, të aktivizmit qytetar, por edhe shumë aspekte tjera të jetës sociale të Kosovës.

“Dëshiroj të nënvizoj rëndësinë e mediave dhe të konstatoj se mediat po atë rëndësi të cilën e kanë pasur historikisht edhe në fazën e pavarësimit të Kosovës, vazhdojnë ta kenë edhe sot në ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, në ndërtimin e demokracisë dhe mbesin instrument tepër i rëndësishëm i informimit, edukimit, por edhe i jetës tjetër të qytetarëve”, tha kryeministri.

Më tej, kryeministri ka theksuar përkushtimin e Qeverisë që të bashkëpunojë me mediat dhe me gazetarët dhe të gjendet mënyra më e mirë se si t’i plasohen informatat dhe si të bashkëpunohet duke ruajtur pavarësinë e mediave.

“Sa i përket qasjes që ne kemi pas gjatë këtyre dy viteve të kaluara, ne i kemi dhënë prioritet komunikimit me publikun. Këtë prioritet e kemi dhënë veçmas përmes gazetarëve dhe përmes mediave tradicionale të Kosovës. Ne nuk kemi pasur shumë resurse humane, nuk kemi bërë shumë investime financiare dhe investime tjera materiale, nuk kemi pasur ndonjë kompani ose ndonjë strateg medial. Jemi fokusuar t’i mbajmë lidhjet me ju, të jemi transparent dhe t’i shfrytëzojmë mediat tona dhe gazetarët tanë. Nuk mund të vlerësoj se a kemi bërë mirë apo keq, por plotësisht do të pajtohesha me vlerësimin tuaj, sepse ju jeni ata që përcillni punën tonë dhe ju jeni ata që mund të jepni sugjerime, propozime, vërejtje, kritika etj. Jemi munduar të mbajmë konferenca të shumta, të japim intervista, të japim deklarata ditore, të kemi poashtu disa biseda telefonike për pyetjet tuaja, jemi bërë të qasshëm edhe në kontakte të ndryshme dhe jemi munduar të jemi të qasshëm edhe për opinionin. Ka pasur vërejtje edhe për qasjen në dokumente zyrtare. Është vlerësimi edhe në raportin tuaj, por mendoj se megjithatë është një përqindje e mirë, një përqindje e konsiderueshme, sepse rreth 80 për qind të këtyre kërkesave janë plotësuar. Kjo nuk do të thotë se ne jemi tërësisht të kënaqur, kemi hapësirë edhe më tutje dhe unë mbes i hapur që ta shfrytëzojmë edhe këtë hapësirë, në mënyrë që qasja të jetë sa më e madhe. Mirëpo, megjithatë vlerësoj se kjo duhet të mbetet në vlerësimin tuaj dhe që duhet së bashku të punojmë që të sigurojmë një qasje edhe më të madhe”, tha kryeministri.

Ndërkaq, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Mustafa theksoi angazhimin që të mos ndërhyjë në hapësirën e mediave, por të jap kontributin për mbrojtjen e lirisë së mediave dhe të gazetarëve në të gjitha aspektet, të cilat janë të garantuara dhe për të cilat është përcaktuar shoqëria kosovare.

Më tej, kryeministri Mustafa ka shpalosur dy aspekte ku Qeveria ka nevojë që të marr masa për përmirësimin e komunikimit.

“Së pari sa i përket qasjes në dokumente publike, edhe përkundër vlerësimeve të cilat i shpalosa më parë, mendoj se është evidente që duhet të krijojmë kushte edhe më të mira. Megjithatë mendoj se duhet të vlerësojmë se nga 103 shtete, ne jemi radhitur të 25-it në këtë aspekt, që mendoj se është një renditje e mirë edhe karshi vendeve në regjion edhe karshi vendeve tjera. Por, kjo assesi nuk më jep të drejtë që të jem i kënaqur, por të gjejmë hapësirë, meqenëse kemi bërë ndryshime të tilla dhe kemi arritur deri këtu, mund të arrijmë edhe standardet e fundit ndërkombëtare, të cilat paraqiten para nesh. Ne si Qeveri po punojmë në bashkëpunim me Bashkimin Evropian për të bërë ndryshimin e ligjeve ekzistuese të kësaj fushe, të Ligjit për qasje në dokumente publike, atë për klasifikimin e dokumenteve dhe për mbrojtjen e të dhënave personale dhe, mendoj se kjo mund të jetë një kontribut shtesë në margjinë të kësaj. Jemi të përkushtuar të bashkëpunojmë me juve, me shoqërinë civile dhe mediat veç e veç, me qëllim që të përmirësojmë informimin për qytetarët tanë dhe poashtu me këto ligje ne duam që të kemi një qeverisje më të mirë, të kemi programe reale, të cilat do të bëhen sa më transparente dhe që puna jonë të jetë sa më transparente për publikun. Vitin e kaluar ne kemi marrë masa dhe kemi miratuar Kartën për hapjen e të dhënave dhe aktualisht MAP po punon në hartimin e Planit për veprim për këtë kartë. Unë mendoj se me këtë do të mundësojmë që shënimet tona të jenë në ueb faqe, të përdoren nga shoqëria civile, nga ju, të përdoren edhe nga bizneset, në mënyrë që e gjithë puna e institucioneve publike, të jetë punë transparente për publikun dhe për qytetarët. Si lajm të mirë mund të kemi edhe angazhimin tani në suazat e përpunimit të përcaktimeve tona lidhur me shfrytëzimin e mjeteve nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit, sepse edhe në këtë aspekt kemi mundësi që të shfrytëzojmë mjetet e tyre për informim dhe shfrytëzimin për interesat tona të përbashkëta. Në Kryeministri tani kemi themeluar grupin punues për hartimin e një koncept dokumenti për shërbimin e komunikimit qeveritar me publikun. Edhe ky dokument, si të gjitha dokumentet tjera, do të diskutohet me ju, do të kalojë procedura e konsultimeve publike dhe do të mundohemi që të gjitha vërejtjet, sugjerimet tuaja t’i inkorporojmë në këtë dokument”, tha kryeministri.

Së dyti, kryeministri ka thënë se Qeveria do të marrë parasysh edhe sugjerimet dhe kërkesat e gazetarëve që të punohet më shumë në kthimin sa më shpejtë të përgjigjeve për gazetarë.

“Kemi kërkesa dhe nganjëherë kemi edhe vonesa të dhënies së përgjigjes, të krijimit të një forme permanente të komunikimit, që mund të konsistojë në një takim javor apo takime me gazetarë pas mbledhjes së Qeverisë, qoftë timin apo të përgjegjësve me komunikim me medie. Poashtu të avancojmë mjetet elektronike të komunikimit përmes ueb faqes ose formave tjera të komunikimit elektronik me ju”, tha kryeministri.

Ndërkaq, kryeministri Mustafa ka thënë po ashtu se ka situata kur institucione specifike mund të kenë nevojë që gjatë punës së tyre të kenë një diskrecion të caktuar.

“Kjo në asnjë rast nuk nënkupton se ne dëshirojmë të fshehim punën apo veprimtarinë tonë nga mediat. Ju garantoj se në të gjitha rrethanat kur kjo bëhet e lejueshme, ne do t’ju informojmë, në mënyrë që publiku të ketë informata për çdo veprimtari të Qeverisë, mirëpo duhet pas edhe mirëkuptimin tuaj se nganjëherë vijmë në situatë që disa procese nuk mund t’i japim drejtpërdrejtë ose t’i publikojmë në momentin kur ato i përgatisim ose momentin kur ato ndodhin, sepse vetë natyra e punës së këtyre proceseve kërkon një veprim të tillë”, tha kryeministri.

Duke folur për sfidat e Qeverisë në komunikim, kryeministri Mustafa tha po ashtu edhe gazetaria ballafaqohet me sfida të caktuara siç janë problemet me të ashtuquajturat “Lajmet e Rreme” , të cilat nuk janë gjithmonë të bazuara ose të vërteta, me një dinamizim shumë të shpejtë të portaleve, me dilemat që ekzistojnë rreth privatësisë ose rreth përdorimit të familjeve ose aspekteve tjera personale apo shfrytëzimin e fatkeqësive njerëzore për të bërë lajme për to.

“Por, shpresoj që me kalimin e kohës, bashkërisht do t’i kapërcejmë sfidat me të cilat ne po ballafaqohemi si shoqëri në tranzicion dhe si shoqëri, e cila krahas ndërtimit të institucioneve, ka nevojë t’i ndërtojë edhe mediat si pasqyrë tepër të rëndësishme të një shoqërie demokratike”, tha kryeministri Mustafa, duke shprehur interesimin e Qeverisë për të qenë e hapur, për të dëgjuar vërejtjet, sugjerimet dhe që të bëjë përpjekje maksimale që të sigurojë bashkëpunim sa më të frytshëm në të ardhmen./ Periskopi

 

Reklamë
Reklamë

Media duhet ta mbajë gojën të mbyllur, thotë strategu i Trumpit – reagon gazetarja më e mirë në botë

Vetëm pak ditë pasi Donald Trump foli për një “luftë të vazhdueshme” me mediat, Stephen K. Bannon, “strategu” kryesor i tij në Shtëpinë e Bardhë reagoi mbi sulmet duke argumentuar, se organizatat e lajmeve u “poshtëruan” nga rezultati zgjedhor, dhe në mënyrë të përsëritur i përshkruante ato “ si media të partive opozitare” të administratës aktuale, shkruan The New York Times, përcjell Periskopi.

Periskopi.com Lajme

Madje, për këtë ka reaguar edhe gazetarja më e mirë në botë Christiane Amanpour.

Ajo duke shpërndarë këtë lajm më mbishkrimin “Më falni, në çfarë vendi po jetojmë ne?”, raporton Periskopi

Gjatë një interviste ai tha: “Mediave duhet tu vijë turp dhe të ndihen të poshtëruara, ato duhet ta mbyllin gojën, dhe vetëm për një moment të dëgjojnë” duke shtuar më vonë

“Dua që ta shënosh këtë, media këtu është e partisë opozitare, ato nuk e kuptojnë këtë vend, ato ende nuk arrijnë ta kuptojnë se pse Donal Trump është president i SHBA-ve”

Diskutimi mbi këtë çështje i njërit prej këshilltarëve më të besuar dhe më me ndikim të Trumpit, vjen në një moment tensioni të lartë ndërmjet mediave dhe administratës, ku këto të fundit vazhdimisht e akuzojnë mbi turmën që mori pjesë në inaugurim, dhe pretendimeve të rreme të presidentit që miliona vota të paligjshme nga imigrantët pa dokumente, shkuan kundër tij. /Periskopi/

Reklamë
Reklamë

Mësohet pse u largua Labi nga RTV21

Moderatori Labinot Gashi, ka befasuar të gjithë me vendimin që ka marr sot.

Periskopi.com Showbiz

Ai përmes rrjeteve sociale, ka dhënë njoftimin të cilin askush nuk do ta priste, se nuk do të jetë më pjesë e RTV21, të paktën për një kohë.

Por edhe pse Labi largimin nga televizionu ku punoj për 17 vite, e arsyetoj me një “pauzë që i duhet”, Magazina.al, mëson se arsyeja e largimit është tjetër.

Sipas burimeve të Magazina.al, Labi para dy jave ishte takuar me menaxhmentin e televizionit, nga i cili kishte kërkuar rritje page, kërkesë e cila nuk ishte miratuar gjë që e qoj Labin të marr këtë vendim pak para se të nis sezoni i ri.

Përveç pagës së ulët, Labi duket se ka marr kritika edhe nga menaxhmenti, pasi këtë vit në emisionet festive “Op Op Labi Party” nuk kishte arritur t’i sjelltë emrat e mëdhenjë të këngëtarëve si Dafina Zeqiri, Ledri Vula, Sinan Vllasaliu e disa emra të tjerë që çdo vit janë parë te emisioni i Labit, por që munguan këtë fundvit.

Po ashtu Magazina.al, ka mësuar se Labi tani është duke shqyrtuar disa opsione për emisionin e ri, një nga opsionet janë televizioni Klan Kosova dhe Top Channel, por ai nuk ka përjashtuar edhe “Youtube” si një dritare e transmetimit të emisioneve të tij./Magazina.al/

Reklamë
Reklamë

Obama nënshkruan Ligjin e ri për mediet ndërkombëtare

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, e ka nënshkruar legjislacionin e ri, me të cilin konsiderohet se do të konsolidohet mbikëqyrja e transmetuesve joushtarakë të Shteteve të Bashkuara, duke i lënë ata në dorën e një shefi ekzekutiv të vetëm.

Periskopi.com Lajme

Ky është një rishikim, që është përshëndetur nga mbështetësit si reformë shumë e nevojshme, por kritikët kanë tërhequr vërejtjen se mund ta rrezikoj pavarësinë gazetareske.

Legjislacioni, që është pjesë e ligjit më të gjerë për shpenzimet e mbrojtjes së Shteteve të B,ashkuara për vitin 2017, të cilin zoti Obama e ka shndërruar në ligj duke e nënshkruar, e ristrukturon Bordin e Guvernatorëve të Transmetuesve (BBG), që është agjenci për mbikëqyrjen e transmetuesve qeveritarë civilë dhe të operacioneve të mediave, ku përfshihen edhe Radio Evropa e Lirë/Radio Liria dhe Zëri i Amerikës.

Me legjislacionin e ri do të zëvendësohet BBG-ja dypartiake me një bord këshilldhënës, i nominuar nga presidenti, që nuk do të ketë autoritet për vendimarrje. Por, këtë autoritet do ta ketë shefi ekzekutiv që nominohet nga Shtëpia e Bardhë dhe është subjekt i konfirmimit të Senatit të Shteteve të Bashkuara.

Mbështetësit e këtij legjislacioni, që është udhëhequr nga republikani nga Kalifornia, Ed Royce, anëtar i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, dhe administrata e presidentit, Barack Obama, thonë se ai do ta përmirësoj efikasitetin e transmetuesve ndërkombëtarë të Shteteve të Bashkuara, duke e eliminuar BBG-në e tashme, që përbëhet nga anëtarët që shërbejnë gjysmë orari të punës dhe nuk takohen rregullisht.

Por, kritikët e këtij legjislacioni kanë ngritur shqetësime se ai mund ta dëmtojë integritetin gazetaresk të mediave nën ombrellën e agjencisë. Kritikët thonë se autoriteti i këtillë në duart e shefit ekzekutiv të emëruar nga Shtëpia e Bardhë, mund t’i cenoj të drejtat editoriale në raportet ndërmjet mediave dhe qeverisë.

Shefi ekzekutiv i Bordit të Guvernatorëve të Transmetuesve (BBG), John Lansing, mbetet në këtë post, që ishte krijuar vitin e kaluar. Por, kundërshtarët e legjislacionit kanë tërhequr vërejtjen se presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili ka raporte kundërthënëse me mediat, mund të synoj instalimin e lojalistit, i cili do ta përdorë agjencinë si mjet në agjendën e zotit Trump.

Në një intervistë të publikuar më 13 dhjetor në rrjetin Fox News, Ed Royce i ka hedhur poshtë këto vërejtje duke i cilësuar ato si “histeri”.

“Disa e paraqesin këtë si maskim, por kjo nuk ka asgjë të përbashkët me presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump”, tha Ed Royce.

John Lansing në një letër te personeli, më herët këtë muaj, ka shkruar se legjislacioni “nuk e ndryshon kufirin ndërmjet qeverisë federale dhe gazetarëve të pesë rrjeteve tona”.

“Mbajtja e pavarësisë sonë gazetareske dhe kredibiliteti ynë në gjithë botën, mbetet i rëndësisë më të madhe”, ka shkruar Lansing.

Derisa Zëri i Amerikës është agjenci federale dhe formalisht pjesë e qeverisë së Shteteve të Bashkuara, Radio Evropa e Lirë/Radio Liria dhe organizatat e saj simotra, Radio Azia e Lirë dhe Radio Marti, janë koorporata të pavarura me bordet e tyre të veçanta editoriale, të financuara nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë, të gjitha ato mibikëqyren nga BBG-ja.

Reklamë
Reklamë

Media e huaja: Rama kërkon të kontrollojë median online

Një deputet nga Partia Socialiste e Shqipërisë ka bërë thirrje për kontroll më të madh shtetëror të mediave online, duke dënuar atë që ai e përcaktoi si "propagandë zgjedhore".

Periskopi.com Lajme

Të martën, deputeti Taulant Balla propozoi që faqet e lajmeve të jenë të detyruara të regjistrohen gjatë fushatave zgjedhore dhe theksoi se mediat që nuk e bëjnë këtë, duhen bllokuar.

“Përdorimi i portaleve të internetit, të cilat  nuk janë të kontrolluara nga Bordi i Monitorimit të Medias për propagandën zgjedhore është i ndaluar”, thuhet në një propozim që zoti Balla i ka dërguar  Rrjetit Ballkanik për Gazetari Investigative (BIRN).

Sipas një raporti nga BIRN, qeveria shqiptare normalisht hedh dyshime mbi të gjitha lajmet e publikuara në “portale online”.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, të cilët në përgjithësi merr mbulim të favorshëm nga mediat tradicionale, ka përdorur edhe sarkazëm në publikime personale online, duke i quajtur ato “kazane mbeturinash”, “sharlatane” dhe “propagandistike”.

Propozimi do të conte në një zgjerim të kompetencave të Bordit të Monitorimit të Medias, një komision i formuar në kuadër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përpara zgjedhjeve, me qëllim monitorimin e stacioneve televizive dhe analizimin e shpërndarjes së lajmeve.

Nga ana tjetër,  Darian Pavli, drejtor i programit për Fondacionit “Shoqëria e Hapur Soros” në Shqipëri, gjithashtu një ekspert mbi lirinë e informacionit, thotë se propozimi i zotit Balla do të jenë i vështirë për t’u zbatuar. Sipas tij ky zhvillim mund të jetë shqetësues për lirinë e medias në një vend ku në mediat online janë duke u bërë gjithnjë e më shumë, një burim popullor për lajmet.

Reklamë
Reklamë

AGK e shqetësuar me gjetjet e Raportit të Progresit në fushën e medieve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësimin e tyre me gjetjet e Raportit të Progresit në fushën e medieve në Kosovë.

Periskopi.com Lajme

Liria e shprehjes dhe liria e medieve, sipas AGK-së, janë të drejta të garantuara në vendin tonë. “Por fatkeqësisht ne si shoqëri jemi duke u ballafaquar me shkelje të kësaj të drejte të garantuar edhe me Kushtetutë. Ndonëse gjatë gjithë vitit kemi kërkuar respektim të lirisë së shprehjes, situata nuk ka ndryshuar për të mirë. Sërish Raporti i Progresit, veçon ngecjet e Kosovës në këtë fushë”, thuhet nga AGK.

Ata janë të shqetësuar jo vetëm për lirinë e shprehjes, por edhe për ambientin në të cilin punojnë gazetarët.

“Ne jemi të shqetësuar me të gjeturat e raportit të progresit sa i përket lirisë së shprehjes dhe ambientit në të cilin punojnë gazetarët në vendin tonë”, vazhdon më tej AGK.

Raporti veçon sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve për të cilat Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka ngritur zërin kundërshtues në vazhdimësi.

“Te gjeturat e Raportit të Progresit janë vetëm disa prej shqetësimeve tona që i kemi si komunitet. Por me e rëndësishmja është mungesa e trajtimit dinjitoz të gazetarëve nga mediat. Ashtu siç theksohet edhe në Raportin e Progresit, një numër i caktuar i kolegëve gazetarë vazhdojnë të punojnë pa kontrata dhe shpesh herë janë pre e censurës në vendet e tyre të punës. Duke parë nevojën e përmirësimit të situatës kërkojmë angazhim të menjëhershëm të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës”, përfundon AGK.

Reklamë
Reklamë

Rreth 400 media duan ta ndjekin sfidën Kosovë-Kroaci

Është i jashtëzakonshëm interesimi i mediave vendore dhe të huaja për sfidën Kosovë-Kroaci.

Periskopi.com Sporti

Ndeshja zhvillohet këtë të enjte, ndërsa Koha.net shkruan se në adresë të Federatës së Futbollit të Kosovës kanë shkuar rreth 400 kërkesa për akreditim.

Megjithatë, jo të gjitha këto kërkesa do të aprovohen.

“Nuk është për t’u habitur që ka interesim të madh nga mediumet në Kosovë dhe Shqipëri për ta përcjellë këtë ndeshje, por nuk kam pritur që kaq i madh të jetë interesimi edhe i mediave botërore. Mbulimi nga mediumet i jep rëndësi kësaj loje që është unike, pasi kemi përballë një përfaqësuese të madhe në ndeshjen e dytë. Do të varet sa është kapaciteti, por do të tentojmë që ta bëjmë hapësirën maksimale, sepse mediumet e kanë rolin e vet”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.  /Periskopi.com

Reklamë
Reklamë