ff_1796

Marsh i gjelbërt në Mitrovicë

Sot në Mitrovicë janë zhvilluar një sërë aktivitetesh me karakter mjedisor, të cilat synonin të rrisin vetëdijen qytetare dhe institucionale për rëndësinë e trajtimit të çështjes së mbeturinave, dukuri kjo shqetësuese për të rinjtë dhe qytetarët e kësaj komune.

Periskopi.com Lajme

Përmes një marshi simbolik i organizuar prej nxënësve të klubeve të gjelbërta, të themeluara prej GAC në shkollat e qytetit dhe ndihmës së kompanisë publike “Uniteti” është bërë thirrje që të ruhet mjedisi dhe të zvogëlohet ndotja mjedisore që po i bëhet lumit në qytet prej anës së qytetarëve.

Sipas një komunikate të GAC, janë dhënë shembujt më të mirë të kujdesit ndaj mjedisit dhe promovimit të koncepteve mjedisore duke potencuar nisjen e sistemit të ndarjes së mbeturinave të riciklueshme në shkolla dhe amvisëri.

“Nisja dhe zgjerimi i ndarjes së mbetjeve të riciklueshme do të ndikojë në zvogëlimin e sasisë totale të mbeturinave që shkojnë në deponim dhe njëherësh do të kontribojë për përfitim ekonomik për sektorin e margjinalizuar që jetojnë përmes grumbullimit të mbetjeve të riciklueshme”, thuhet në komunikatë.

Aktivitetet janë zhvilluar në kuadër të projektit “Ecofriend- Funksionalizimi i sistemit të ndarjes së mbeturinave të riciklueshme përmes zhvillimit të programit për edukim mjedisor në institucionet arsimore“, i cili përkrahet prej komunës së Mitrovicës dhe GIZ gjerman-SMS project, implementuar prej Green Art Center-Prishtina(GAC).