Senati amerikan voton javën e ardhshme për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO

Senati i SHBA-së do të votojë javën e ardhshme rreth propozimit që Malit të Zi të bëhet anëtari më i ri i aleancës së NATO-s.

Periskopi.com Lajme

Reuters njoftoi të martën se Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson i kishte shkruar udhëheqësve të Senatit ku thoshte se anëtarësimi i Malit të Zi në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut është “fuqishëm në interes të Shteteve të Bashkuara”, transmeton Klan Kosova

Të gjithë 28 anëtarët e NATO-s duhet të ratifikojnë pranimin e Malit të Zi para se t`i mund të bashkohet zyrtarisht aleancës.

Votimi në Senat të SHBA-së është bllokuar për disa muaj, kur të paktën dy senatorë republikanë, Rand Paul dhe Mike Lee, bllokuan votimin e shpejtë.

 

Verifikimi i kufirit Kosovë –Mali i Zi, përmes fotove të dy ekspertëve

Dëshmi të reja, tani me foto, kanë ardhur nga dy kundërshtarët e Marrëveshjes së Demarkacionit të versionit aktual.

Periskopi.com Lajme

Ekspertët Florim Isufi dhe Shpejtim Bulliqi, profesorë në Universitetin e Prishtinës, ndërsa i fundit edhe deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, dhe njëkohësisht kundërshtarë të Marrëveshjes së Demarkacionit, në Facebook, kanë publikuar disa foto, të cilat sipas tyre, dëshmojnë një vijë tjetër kufitare nga ajo që është tani ndërmjet Kosovës e Malit të Zi.

Fotot, Isufi dhe Bulliqi i kanë shoqëruar edhe me këtë tekst:

Të dashur miq

Po ndajmë me ju disa çaste përmes fotove me rastin e verifikimit të vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi. Pjesëmarrës në terren edhe strukturat shtetërore vendore dhe ndërkombëtare. Koha e verifikimit është datat 01/04/2008. Kjo ngjarje tregon edhe për kontrollin efektiv deri me këtë datë. Policia malazeze qëndron në veri të vijës kufitare Kulla. Pas demarkimit vija kufitare zbret deri në 5 km në jug nga Kulla.

F.I. & SH.B.

NATO shpreson në anëtarësimin e Malit të Zi më 25 maj

Aleanca Veri-atlantike shpreson se do të përshëndesë Malin e Zi si anëtare të saj të re në takimin e NATO-s më 25 maj, tha të mërkurën zëvendës sekretarja e përgjithshme e Aleancës, Rose Gottemoeller.

Periskopi.com Lajme

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson u ka shkruar liderëve të Senatit amerikan, duke iu bërë thirrje që të ratifikojnë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO me arsyetimin se kjo është në interesin se SHBA-ve, transmeton Reuters, duke iu referuar letrës së Tillerson të datës 7 mars.

Familjari i Hashim Thaçit anëtar i Komisionit për matjen e territorit

Komisioni për matjen e Territorit të Republikës së Kosovës tashmë i ka prezantuar rezultatet, Qeveria e ka miratuar raportin e tij por ende nuk është dërguar në Kuvend.

Periskopi.com Lajme

Kjo është një nga temat më të rëndësishme në vend, pra demarkacioni me Malin e Zi.

Anëtarët e këtij komisioni ishin shumë, por mes tyre edhe një familjar i Hashim Thaçit. Në fakt, është vëllai i Lumnije Thaçit, zonjës së parë të vendit, bashkëshortes së presidentit.

Ai është Besim Gërxhaliu, raporton Periskopi

Por, këtë nuk e sheh si konflikt interesi zëdhënësi i Komisionit, Tomor Çela.

I kontaktuar nga Periskopi ai ka thënë se nuk është në dije për lidhjen familjare që Thaçi ka me Gërxhaliun, por për këtë të fundit ka shumë fjalë ‘miradie’.

“Nuk e kam idenë miku i kujt është. E ka kryer punën në mënyrën më të profesionale, ka qenë shumë profesional. Aq sa di unë raporti i antenave të KOSST ka qenë i viteve ’77-’78”, thotë ai.

“Nuk e kam idenë se çfarë janë mes vete, por nëse qenkan nuk mund të jetë konflikt interesi”, thotë Çela për Periskopi

E tashmë, Komisioni ka publikuar raportin, e ai është mbyllur me konstatimet përmbledhëse, e rezultati i tyre ishte: që madhësia territoriale është 10 mijë e 905.25 kilometra katrorë.

Ky komision kanë raportuar se kanë matur të gjitha sipërfaqet e komunave administrative, u matën 38 komuna, u matën sipërfaqet e 1 mijë e 305 zonave kadastrale, që pajtoheshin zonat me kumulativin e sipërfaqes së komunave administrative. Madje, sipas komisionit, kjo u bë një kohë të gjatë dhe u bë disa herë, minus ndryshimi që ndodhi me Planin e Ahtisaarit me Maqedoninë, dhe doli shifra e lartë përmendur. Përfundimi është se Kosova nuk humb territor sipas matjeve.

Themelimi i Komisionit qeveritar për matjen e territorit ka bërë bujë të madhe në opinionin publik, por thuhet se nga ana buxhetore nuk i ka kushtuar shtetit.

Çela ka deklaruar se Komisioni i ka kushtuar zero buxhetit të shtetit.

Opozita nuk pati pranuar qe të dërgoj ekspertët e tyre në këtë Komision.

Ndryshe, Gërxhaliu në këtë komision mori pjesë si përfaqësues i KOSTT, e aty ka postin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Departamentit të Transmisionit, raporton Periskopi

Në këtë komision ishin pjesë:

  • Nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, është Kryetari i Akademisë, akademik Hivzi Islami;

  • Nga Fakulteti i Shkencave Matematikore Natyrore është caktuar, Dr.Fitim Humolli;

  • Nga Grupi për Hulumtimin e Politikave të Ballkanit, është caktuar zëvendësdrejtori i këtij grupi, Jeton Rexha, që i përket shoqërisë civile. Kanë propozuar që me të, të jenë edhe dy ekspertë që do ta mbështesin. Një ekspert do të jetë po ashtu edhe me Kryetarin e Akademisë të fushave profesionale;

  • Nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, Avni Ahmeti;

  • Nga Agjencia e Ujërave, Fidan Bilalli;

  • Nga Agjencia e Pyjeve, Faruk Bojaxhi;

  • Nga KOSTT-i, Besim Gërxhaliu;

  • Nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, Agron Luta;

  • Nga Policia e Kosovës, Nënkolonel Kamer Jonuzaj, Departamenti i Kufirit;

  • Nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Idriz Shala;

  • Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri;

  • Kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj;

  • Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova;

  • Kryetari i Komunës së Junikut, Agron Kuçi; dhe

  • Dy përfaqësues janë caktuar nga Peja, Ali Lajçi dhe Rrustem Selimaj./ Periskopi

 

Babai im ka mbrojtur kufirin me Malin e Zi

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri tregon nëse sërish do të jetë kandidat për kryetar të Pejës, në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në fund të këtij viti.

Teuta GASHI Intervista

Në një intervistë për Periksopi.com, Muhaxheri ka folur për shumë çështje, mes tjerash për ndalimin e Ramush Haradinajt nga autoritetet franceze, por nuk ka pranuar të deklarohet lidhur me akuzën që Haradinaj i ka bërë atij kohë më parë.

Muhaxheri ka folur për Demarkacionin me Malin e Zi. Thotë se i interesojnë faktet që janë prezantuar dhe tregon përse ka një lidhje të veçantë dhe emocionale me atë pjesë të vendit, pra përreth kufirit me Malin e Zi.

Në intervistë ka pranuar se papunësia në këtë komunë është rreth 35 %.

Periskopi: A do të kandidosh edhe zgjedhjet e ardhshme, kur dihet se mbahen këtë vit?

Muhaxheri: Kjo është çështje që vendoset nga Kryesia e Lidhjes Demokratike te Kosovës, por unë jam i gatshëm të ju dalë përballë të gjitha angazhimeve, të cilat  më ngarkohen nga LDK.

Ky është obligim i imi personal dhe moral që të kontribuoi në këtë parti për qytetin tim.

Periskopi: Cilat premtime që i ke bërë në fushatë janë realizuar, e në cilat po ke vështirësi?

Muhaxheri: Shumica e premtimeve të programit tim qeverisës janë arritur, ose janë në përfundim e sipër, vështirësi në realizimin e programitqeverisës gjithnjë është aspekti financiar. Më duhet të ju rikujtoj që Peja ka pësuar një shkurtim esencial në buxhetin komunal.

Ky shkurtim i afrohet vlerës prej 2 milionë euro, kjo ka qenë edhe një sfidë shumë e madhe për ne, por me njohuri të mira menaxheriale dhe një staf profesional kemi arritur t’i menaxhojmë të gjitha prioritet tona.

Periskopi: A keni mbështetjen e Qeverisë në realizimin e projekteve?

Muhaxheri: Të jem shumë i sinqertë Qeveria e RKS na ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë, jo vetëm në investime kapitale direkte, por na ka ndihmuar që shumë çështje t’i avancojmë në të mirë të Komunës së Pejës.

Kjo në aspektin strategjik afatmesëm, vlen të theksohet këmbimi dhe aprovimi i projektit më të madh për Qendrën Turistike “BOREA” .

Periskopi: Në çka beson konkretisht që do ju përkrah Qeveria, a do tentoni që të rritet buxheti i Komunës që drejtoni?

Muhaxheri: Po, reformat rrënjësore që Qeveria e RKS, po ndërmerr në gjitha dikasteret pa marrë parasysh cilat kanë filluar të tregojnë rezultatin e tyre qysh tash e ky ndikim për mua do të jetë akoma më frytdhënës në muajt e ardhshëm.

Kjo do të jetë njëra nga mundësit që komunat të ngrisin akoma më shumë efikasitetin dhe efektiviteti e tyre në grumbullimin e taksave komunale.  

Periskopi: A ka të interesuar për investime në Pejë?

Muhaxheri: Fushëveprimi i udhëheqjes komunale sa i përket të interesuarve për investime është jashtëzakonisht i kufizuar për shkak te legjislacionit për qeverisje lokale, prandaj edhe interesimet që kemi ne duhet t’i orientojmë tek organet qendrore, prandaj konsideroj që kjo mangësi nëse mund ta quaj ashtu, do të rregullohet me plotësim- ndryshimet e planifikuar nga Qeveria dhe Parlamenti. Shumë shqetësime të nivelit lokal duhet të procedohen dhe përpunohen nga hartuesit e ligjeve dhe udhëzimeve administrative për ta rritur interesimin e investimeve te huaja. 

Periskopi: Çfarë po ndodh me Qendrën e Skijimit?

Muhaxheri: Për Qendrën  Turistike “BOREA” jemi në fazën e fundit të procedurave të PPP dhe presim së shpejti të pranojmë ofertat përfundimtare nga 3 operatorët e kualifikuar nga faza e parë.

Kjo është ajo çka mund të themi deri më tani.

Periskopi: Sa të papunë janë në komunën që drejton, çfarë po bëni që të ulet numri i tyre?

Muhaxheri: Papunësia ne komunën tonë shkon diku rreth 35%, gjithashtu edhe në këtë sektor nuk mund të kemi ndikim shumë të lartë, por jemi duke bashkëpunuar ngushtë që sektori privat të jetë promotor direkt.

Trendi është në rritje shumë të qëndrueshme duke e parë rritjen ekonomike të vendit në 2 vitet e fundit besoj që edhe papunësia do të filloj të zbutet dhe të ndihen efekte te qytetarët tonë.

Periskopi: Deri ku është kufiri me Malin e Zi, cilat matje i pranoni dhe a duhet Demarkacioni të kalohet në Kuvend sa më shpejt?

Muhaxheri: Kufiri me Malin e Zi tashme është ezauruar si temë shumë here, si nga Komisioni Shtetëror ashtu edhe nga Komisioni ad-hok që e ka formuar ish-Presidentja, znj. Jahjaga edhe nga komisioni tjetër për matjen e territorit i udhëhequr nga Kryetari i Akademisë zt. Islami,prandaj mua si Kryetar Komune më kanë interesuar fakte që janë prezantuar, ndërsa emocionalisht unë e ndjej veten shumë të lidhur me këtë ndarje mes tokave shqiptare pasi që edhe baba ime si i ri ka qenë pjesëmarrës në mbrojtjen e këtij kufiri.

Sa për pjesën e dytë të pyetjes tuaj se a duhet të votohet kjo është në tagrin e të zgjedhurve tonë në parlamentin e RKS, pa dallime partiake.

Kjo është një situatë tipike për kuvendaret, sepse ata janë në ato karrige për të marrë  vendime të vështira, por gjithnjë në interes të popullit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Periskopi: Nëse po merreni me partinë në qendër, si po ecë koalicioni dhe a pajtoheni që të mbahen zgjedhjet në këtë vit?  A është e gatshme LDK-ja për zgjedhje këtë vit?

Muhaxheri: Mua më është besuar udhëheqja e njërit ndër qytetet më të mëdha nga LDK dhe tani jam 100% i angazhuar, që t’i përmbush detyrimet e mia si Kryetar, jam i fokusuar për nivelin lokal, ndoshta në të ardhmen do të angazhohem edhe në nivelin nacional, ku i dihet! 

Periskopi: Si e komentoni ndalimi e Ramush Haradinajt në Francë, dhe a jeni ftuar ndonjëherë në pyetje nga drejtësia për akuzën që keni prej tij?

Muhaxheri: Ndalimi i tij ëhstë në sfidë për shtetin, për Kosovën. Normalish askënd nuk e gëzon ndalimi i tij. Shpresoj që autoritetet franceze të veprojnë dhe ai të kthehet sa më shpejt në vendin e tij, te familja e tij./ Periskopi

Mali i Zi, 5 shtetas serbë me nga 5 muaj burg për terrorizëm në tentativë

Pesë shtetas serbë të cilët ngarkohen për krijim të organizatës kriminale dhe terrorizëm në tentaitvë, sot pranuan se kanë planifikuar të deportojnë me forcë përmes kordonit policorë dhe të marrin Kuvendin e Malit të Zi.

Periskopi.com Lajme

Pesë shtetas serbë, Aleksandar Çuroviç, Nikola Gjuriç, Sinisha Cetkoviç, Dejan Stanojeviç dhe Ivica Matiç, të cilët ngarkohen për krijim të organizatës kriminale dhe terrorizëm në tentaitvë, sot kanë pranuar se kanë planifikuar të deportojnë me forcë përmes kordonit policorë dhe të marrin Kuvendin e Malit të Zi në natën e zgjedhjeve parlamentare më 16 tetor të vitit të kaluar. Ata u dënuan me nga pesë muaj burg, raporton Anadolu Agency (AA).

Ata sot në seancën dëgjimore në Gjykatën e Lartë në Podgoricë, thanë se në Mal të Zi në prag të zgjedhjeve kanë ardhur për të mbështetur Frontin Demokratik. Ata theksuan se u është thënë se do të vijnë shumë njerëz nga Serbia “për të mbështetur vëllezërit malazez dhe opozitën”.

Në seancën e sotme u tregua rezervimi dhe një kopje e pasaportës së qytetarëve rus Eduard Shirokov dhe Vladimir Popov, me të cilat ata kanë hyrë dhe dalur nga Serbia.

 

 

Lekaj thotë se për demarkacionin me Malin e Zi duhet negocim nga Qeveria e re

Grupi Parlamentar i AAK-së, përmes një reagimi dërguar mediave, Komisionin qeveritar për matjen e territorit të vendit e ka quajtur pa kredibilitet dhe pa legjitimitet.

Periskopi.com Lajme

Në këtë reagim, shefi i GP i AAK-së, Pal Lekaj, thotë se ky komision, i formuar nga Qeveria e Kosovës, është i përbërë nga ata të cilët e kanë mbrojtur versionin aktual të demarkacionit, ndërsa thotë se opozita dhe qytetarët s’mund t’i besojnë “Hivzi Islamit dhe Tomor Qelës të cilët hapur e kanë mbrojtur versionin aktual të demarkacionit”.

“Prandaj, vlerësoj se ky komision është vetëm mbulesë për Qeverinë e koalicionit për t’i shantazhuar deputetët e Kuvendit për ta votuar demarkacionin”, thotë Lekaj, raporton Koha.net.

Zyrtari i AAK-së thotë se partitë opozitare dhe kryetarët e Komunave të Deçanit dhe Junikut kanë refuzuar të jenë, siç thotë ai, “pjesë e këtij cirku” pasi “nuk mund të jemi pjesë e një komisioni, i cili do të matë territorin e vendit për sa kohë qe kufijtë e vendit mbesin të padefinuar”.

“Se nuk mund të matet territori i vendit pa u definuar kufijtë e kanë thënë edhe ekspertët e gjeodezisë, madje edhe deputetë të koalicionit”, thekson më tej Lekaj.

Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të vazhdojë, bashkë me partitë opozitare, që të kundërshtojnë këtë marrëveshje “e cila i humbet vendit mbi 8 mijë hektarë”.

Shefi i GP të AAK-së i ka bërë thirrje Qeverisë që të ndalë përpjekjet e tyre për të kaluar këtë marrëveshje pasi ajo nuk do të kalojë.

“Qeveria duhet që ta anulojë në tërësi këtë marrëveshje dhe të shkarkojë Komisionin Shtetëror i cili ka bërë demarkimin e kufirit me Malin e Zi, dhe pastaj Qeveria e ardhshme, e cila do të formohet si rezultat i vullnetit të popullit, ta negociojë me Malin e Zi demarkimin e kufirit”, potencon shefi i deputetëve të AAK-së, Pal Lekaj.

“Thirrjet e Thaçit e Mustafës se kalimi i demarkacionit e bën të mundshëm liberalizimin e vizave janë të pavërteta, sepse e kanë thënë edhe zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian se Kosova nuk do të marrë liberalizimin e vizave për sa kohë që nuk luftohet krimi dhe korrupsioni i organizuar, i cili po lulëzon çdo ditë e më shumë”, ka përfunduar ai.

Greg Delawie

Delawie është për ratifikim të demarkacionit

Hap përpara e cilëson ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, formimin e komisionit të ri për rishikimin e procesit të demarkimit të kufijve me Malin e Zi.

Periskopi.com Lajme

Qëndrimi i ambasadës sipas Delawie është se rezultati i kufirit nga komisioni është i njëjtë me atë të vitit 1974.

“Drafti i kufirit është identik me atë që e ka ndarë Kosovën me Malin e Zi të paktën qysh prej vitit 1974. Është kufiri që është në Kushtetutën e Kosovës, është kufiri që është në flamurin e Kosovës, është kufiri i duhur. Më duhet të them se do të dëshiroja që një copëz e energjisë që është shpenzuar në këtë çështje t’i ishte përkushtuar zgjidhjes së çështjeve të vërteta në Kosovë, si trajtimi i çështjes së korrupsionit apo të papunësisë”, ka thënë ai.

Delawie inkurajon deputetët dhe zyrtarët qeveritarë që ta ratifikojnë këtë marrëveshje.

“Natyrisht, duam që shtetet të kenë marrëveshje dhe ne nuk do t’iu themi çfarë të bëjnë saktësisht. Kjo nuk është puna jonë. Por, kufiri që komisioni e ka shënuar është kufiri i duhur; është kufiri prej vitit 1974 dhe sigurisht që do t’i inkurajoja deputetët e Kuvendit dhe zyrtarët e qeverisë së Kosovës për ta ratifikuar marrëveshjen ashtu që të merren me çështjet tjera më të rëndësishme për qytetarët”, ka thënë ai.

Mali i Zi dhe Kosova marrëveshje për bashkëpunim ndërkufitar

Mali i Zi dhe Kosova kanë nënshkruar të premten marrëveshjen për partneritet dhe bashkëpunim ndërkufitar mes dy shteteve në kuadër të projektit “IPA 2014-2020, në baza të të cilit 18 komunave që ndodhen në zonën kufitare do t’u ndahen mjete në vlerë prej 8.4 milionë euro.

Periskopi.com Lajme

Në nënshkrimin e sotëm të marrëveshjes të cilën e bënë ministri malazez për Çështje Evropiane, Aleksandar Andrija Pejoviq dhe ambasadori i Kosovës në Podgoricë, Skender Durmishi u bë e ditur se fondet e akorduara do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të komunave që janë në zonën kufitare, si dhe shfrytëzim më të mirë të burimeve të tyre natyrore, raporton Anadolu Agency (AA)

Andrija Pejoviq tha se shuma prej 8.4 milionë euro për realizimin e projekteve paraqesin mjete të pakthyeshme dhe se bëhet fjalë për një dhuratë të Brukselit. Ai rikujtoi se një projekt i ngjashëm për periudhën 2011-2013, kishte tërhequr 3.7 milionë euro.

“Ato kontribuuan dukshëm në arritjen e programit të zhvillimit ekonomik nga projekti, të mbrojnë biodivirsitetin dhe të promovojnë përdorimin e burimeve të qëndrueshme natyrore”, tha Pejoviq, i cili shpalosi detaje nga projekti i ri.

Sipas tij, projekti parasheh përmirësimin e menaxhimit të resurseve ujore në Bijello Polje dhe Gjakovë, veprim të përbashkët për punësim të qëndrueshëm, promovimin e turizmit rural në zonën kufitare, etj.

Ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Skender Durmishi, falënderoi Malin e Zi për përkrahjen që ia jep Kosovës.

“Jam i sigurt se do të punojmë me projekte tjera, për të vazhduar bashkëpunimin dhe në të ardhmen”, tha Durmishi.

Kacin: SHBA-të e duan Malin e Zi në NATO para ardhjes së Trumpit

Fakti se sot u diskutua për Protokollin mbi anëtarësimin e Malit të Zi në NATO para Komisionit të Senatit Amerikan për politik të jashtme, është një mesazh i qartë se Shtetet e Bashkuara do të vendosin për këtë marrëveshje para ardhjes së presidentit të ri në Shtëpinë e Bardhë, ka thënë sot ambasadori slloven në Aleancë, Jelko Kacin, raporton lajmi.net.

Periskopi.com Lajme

 

“Kjo do të thotë se ka një marrëveshje strategjike, dhe puna duhet përfunduar sa më shpejt që të jetë e mundur, para se të largohet administrata Demokratike dhe të vij ajo Republikane”, ka thënë Kacin.

Deputeti boshnjak në Mal të Zi kundër gjuhës shqipe në Komunën e Tuzit

Këshilltari i Partisë Boshnjake në Kuvendin e Tuzit, njëkohësisht dhe deputet në Parlamentin e Malit të Zi, Nexhad Dresheviq, ka paraqitur iniciativën në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë të nenit të Statutit të Kryeqytetit, i cili parasheh që në Komunën Urbane të Tuzit, në përdorim zyrtar është edhe gjuha shqipe.

Periskopi.com Lajme

Dresheviq konsideron se ky nen nuk është në pajtim me Kushtetutën e Malit të Zi. Ai në këtë iniciativë thekson se ky nen i statutit nuk është në pajtim me ligjin për vetëqeverisje lokale i cili garanton mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të pakicave në pajtim me Kushtetutën, shkruan “Dan”.

Dresheviq kërkon që boshnjakëve në Komunën e Tuzit t’u sigurohen të gjitha të drejtat duke përfshirë këtu edhe të drejtën për gjuhën e tyre, dhe ajo është gjuha boshnjake. Deklarimin mbi iniciativën e Nexhad Dresheviq gjykatës ja ka dërguar sekretari i Komunës së Podgoricës, Veselin Vukçeviq, transmeton “gazetadita”.

Duke pasur parasysh se në Komunën e Tuzit shumicën e popullatës e përbëjnë shqiptarët, në mënyrë të qartë tregon se neni i kontestuar nga ana e Dresheviq është në përputhje me ligjin, mbi bazën e të cilit është përcaktuar përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, shkruan mes tjerash në letrën e Vukçeviq dërguar Gjykatës.

Vukçeviq i ka propozuar Gjykatës Kushtetuese që mos të pranojë iniciativën e Nexhat Dresheviq pasi që neni është në përputhje me ligjin. Mendimi i Vukçeviq njëzëri është përkrahur edhe nga anëtarët e këshillit të statuteve dhe rregulloreve.

Kryetari i Akademisë së Shkencave flet për vijën kufitare Kosovë-Mali i Zi, thotë se ajo është tërhequr

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe i Arteve, Akademik Hivzi Islami, në një fejton të shkruar ekskluzivisht për gazetën “Zëri”, ka thënë se të dhënat tregojnë se vija kufitare midis Kosovës dhe Malit të Zi është tërhequr menjëherë pas Luftës II, përkatësisht para 15.2.1947, shumë para këtyre “hartave” të APJ-së.

Periskopi.com Lajme

“Fundja, të dhënat tregojnë se vija kufitare midis Kosovës dhe Malit të Zi është tërhequr menjëherë pas Luftës II, përkatësisht para 15.2.1947, shumë para këtyre “hartave” të APJ-së. APJ ka bërë harta topografike të seksioneve të ndryshme (zakonisht 1: 25.000) për nevoja operative ushtarake, jo për qëllime politike. Në kontestet rreth kufijve në shtetet e reja të ish-Jugosllavisë askund nuk thirren njerëzit e ish-APJ-së si dëshmitarë! As midis Kroacisë dhe Sllovenisë (rasti i Piranit), as midis Malit të Zi dhe Kroacisë – rasti i Prevllakës (Duket se ka mbetur i heshtur problemi kufitar midis Maqedonisë dhe Serbisë – rasti i Manastirit Prohor Pčinjski, ku ka lindur ASNOM-i, por territori është i Serbisë)”, ka thënë Islami, shkruan “Zeri.info”.

Sipas tij, Komisioni Shtetëror për Demarkacion më shumë ka qenë i pranishëm në media sesa në terren.

Komisioni Shtetëror për Demarkacion thotë në raport se 16 herë ka pasur takime bilaterale, 2 takime trilaterale dhe mbi 20 herë ka pasur takime të drejtpërdrejta në terren me qytetarë dhe kryetarë të komunave, por nuk e morëm vesh sa herë dolën në terren individët “ekspertë” për çështje të kufijve, shumë të pranishëm në media tash e sa kohë.

hivzi-islami

Isa Mustafa tregon se çfarë bisedoi me Markoviqin

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se vendit dhe qytetarëve po u kushton shumë shtrenjtë ngecja në ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin e kuirit me Malin e Zi. Këto komente, Mustafa i ka bërë gjatë një ligjërate para studentëve të Universitetit “Kadri Zeka”, në Gjilan.

Periskopi.com Lajme

“Ngecja në demarkacion, po u kushton shumë qytetarëve të Kosovës, sepse ata po mbesin të izoluar dhe në pamundësi që të lëvizin të lirë sikurse qytetarët tjerë”, ka thënë Mustafa.

“Kjo ngecje i kushton sovranitetit të vendit, sepse nuk mund ta konsiderojmë vendin tonë plotësisht sovran në qoftë se nuk i ka kufijtë ndërkombëtar me vendet fqinjë”, theksoi tutje ai.

Kufijtë administrativë që i kishte Kosova në kohën e ish-Jugosllavisë, sipas kryeministrit Mustafa, tani duhet të shndërrohen në kufij ndërkombëtar.

Përderisa më Shqipërinë dhe Maqedoninë ai tha se nuk ka asnjë problem dhe çështja është rregulluar, problem mbetet vetëm shënjimi i vijës kufitare me Malin e Zi dhe me Serbinë.

“Tani ka mbetur vetëm vija kufitare me Malin e Zi, që duhet të ratifikohet dhe të vazhdohet tutje me Serbinë. Por, tash kriter e kemi demarkacionin me Malin e Zi”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, qeveria po punon që ta zgjidhet çështja e ngecur e demarkacionit.

“Ka vërejtje, por ato më shumë ndërlidhen me historinë, me të kaluarën dhe nuk ndërlidhen me momentin kur është shpallë pavarësia e Kosovës dhe mbi territorin në të cilin është shpallur pavarësia e Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Në funksion të gjetjes së një zgjidhje për çështjen e demarkacionit, Mustafa ka dalë me idenë që të matet territori i Kosovës për të parë nëse marrëveshja me Malin e Zi i ka shkaktuar humbje të territorit Kosovës, siç po pretendojnë opozita dhe një numër i deputetëve nga partitë në pushtet.

Por, kjo ide, nuk është mbështetur nga tabori opozitar.

Po ashtu, Mustafa ka takuar të dielën edhe homologun e tij nga Mali i Zi, Dushko Markoviq në Shkodër të Shqipërisë, por nga ai takim nuk janë dhënë detaje se çka është biseduar në lidhje me shënjimin e vijës kufitare./ Zëri

Qeveria e Kosovës e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit dhe miqësisë me Malin e Zi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim ambasadorin e Malit të Zi, Ferhat Dinosha.

Periskopi.com Lajme

Gjatë takimit, ku të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ambasadori Dinosha e ka informuar kryeministrin Mustafa për ekspozenë në Kuvendin e Malit të Zi nga kryeministri i porsazgjedhur malazez, Dushko Markoviq, si dhe për prioritetet kryesore të Qeverisë së re të Malit të Zi.

Mustafa vlerësoi lartë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, si dhe përkushtimin e përbashkët për zgjerimin e miqësisë.

Ai, po ashtu, tha se Kosova është e interesuar për thellimin e marrëdhënieve me Malin e Zi, me theks të posaçëm në rrugën integruese evropiane.

Edhe ambasadori Ferhat Dinosha, shprehu vullnetin e plotë të Malit të Zi dhe të Qeverisë së re për thellimin e relacioneve, shkëmbimeve si dhe bashkëpunimit bilateral me Kosovën.

 

 

 

 

Në Liqenin e Shkodrës shëtit hipopotami dy tonësh (Foto&Video)

Sa herë ka të reshura të mëdha, banorët e Malit të Zi kanë një problem ndër më të rrallët në botë.

Periskopi.com Lajme

Kur niveli i ujin ngritët, hipopotami Nikica del nga hapësira e saj në kopshtin zoologjik dhe hyn nëpër tokat e banorëve. Ajo ecë ujërave të Liqenit të SHkodrës.

Mund të paramendohen zogj në oborr, pula apo edhe ndonjë dhelpër, por jo edhe një hipopotam, raporton Periskopi

Gjitari gjigant, peshon 2 tonë dhe përpëlitet nëpër kopshtet e banorëve përreth.

Por banorët atje janë mësuar me këtë fakt.

“Ai nganjëherë ikë nga vendi ku mbahet kur nivelet e ujit rriten dhe kjo nuk është e pazakontë”, tha pronari i kopshtit privat zoologjik, Nikola Pejoviq, në Plavincë, fshat i Podgoricës.

Nikica është fotografuar  duke notuar afër shtëpive, katër kilometra larg nga shtëpia e tij.

Situata e përmbytjeve në Mal të Zi shumë shpesh rëndohet në rajonin e liqenit të Shkodrës, në kufi me Shqipërinë, ku ndodhet kopshti zoologjik.

Mijëra ushtarë ndërhyjnë vazhdimisht për të ndihmuar banorët, por nuk shprehin shqetësime asnjëherë me hipopotamin miqësor.

“Vendorët janë mësuar me të”, tha për Pejovic për Nikican, të cilin e përshkruan si “jashtëzakonisht i urtë dhe i qetë”.

Nikica, hipopotami i vetëm i Malit të zi, ka jetuar në kopshtin zoologjik që një dekadë./ Periskopi

Nikica

Mustafa i gëzuar me Qeverinë e re të Malit të Zi

Kryeministri Isa Mustafa, ka përgëzuar Qeverinë e Malit të Zi, të udhëhequr nga kryeministri Dushko Markoviq, me rastin e marrjes së mandatit.

Periskopi.com Lajme

Me këtë rast, kryeministri Isa Mustafa, i ka uruar Qeverisë së Malit të Zi, suksese në realizimin e objektivave dhe synimeve të saj shtetërore.

Kryeministri Mustafa, po ashtu ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e gjithanshëm të bashkëpunimit, miqësisë dhe partneritetit fqinjësor me Malin e Zi.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është plotësisht e përkushtuar për bashkëpunim me Malin e Zi me theks të posaçëm në rrugën e përbashkët dhe të pa alternativë integruese të dy shteteve tona në strukturat euroatlantike, në BE dhe në NATO”, thuhet në urimin e kryeministrin Isa Mustafa./ Periskopi

 

Lajm i madh për shqiptarët e Malit të Zi: Tuzi bëhet komunë

Hyrja e koalicionit shqiptar “Shqiptarët e vendosur” në kabinetin e mandatarit për formimin e qeverisë së re të Malit të Zi, është përmbyllur me marrëveshjen që Tuzi vitin e ardhshëm ta merr statusin e komunës.

Periskopi.com Lajme

Sipas mediave serbe dhe malazeze, e gjithë ky tregim do të përmbyllet në sesionin pranveror të Kuvendit të Malit të Zi, kështu që Ligji për vetëqeverisje lokale do të ndryshohet, derisa Tuzi do ta ketë autonominë e plotë që të funksionojë si komunë, transmeton lajmi.net.

Mehmet Zenka, lideri i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, do të jetë ministër për të drejtat e njeriut dhe pakicat, derisa shqiptarëve do t’ju takojnë pozita të zëvendësministrave dhe ndihmësve në disa ministri, por edhe pozita tjera në sektorin publik.

Në anën tjetër, shqiptarët do ta kenë për herë të parë edhe një nënkryetar të Kuvendit. Ai pritet të jetë Genc Nimanbegu.

Shqiptarët e Malit të Zi ka më shumë se dy dekada që kanë kërkuar që Tuzi të jetë komunë.

“Komuna e pavarur e Tuzit është kërkesë e jonë programore që shumë kohë dhe ne jemi e vetmja parti shqiptare e cila në vazhdimësi ka kërkuar që kjo të realizohet. Që të arrinim deri te ky qëllim, është dashur shumë gjëra të ndryshonin. Duhet të dihen kufijtë e komunës, deri ku duhet të shtrihet Malësia”, ka thënë për mediat serbe Mehmed Bardhu, lideri i Lidhjes Demokratike.

Tuzi nga viti i ardhshëm do të jetë sikur të gjitha komunat tjera në Mal të Zi. Do ta kontrollojë buxhetin e vet për pagesa të të punësuarve në administratë dhe vet do t’i përcaktojë prioritetet në rajonin e Malësisë.

Mustafa: Demarkacioni nuk ka vdekur, do bëhet me bindje të plotë të deputetëve

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha sot se demarkacioni nuk është punë e vdekur, por kjo çështje do të përfundojë sepse është në interes të Kosovës.

Periskopi.com Lajme

Sipas tij, deputetët që po e kundërshtojnë këtë proces duhet të punojnë për shtetin e tyre e jo për interesa individuale.

“Është në interes të Republikës së Kosovës që ne të përcaktojmë kufijtë. Demarkacioni nuk është çështje e vdekur ashtu siç lexova sot sepse shteti i Kosovës është shtet që gjallëron dhe kufijtë janë kufij që duhet të ekzistojnë sepse nuk ka shtet pa kufij prandaj këtë do të bëjmë me çdo kusht, do ta bëjmë me bindje të plotë të deputetëve se ata duhet të punojnë për shtetin e tyre jo për interesa individuale”, tha Mustafa, raporton Kosovapress.

Kryeministri i Kosovës këto komente i bëri gjatë vënies së gurthemelit për ndërtimin e objektit për Institutin e Administratës Publike.

Harrohet Demarkacioni, nuk kryhet këtë vit

Marrëveshja e shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, ende nuk dihet se kur do të procedohet për të dytën herë në Kuvendin e Kosovës.

Periskopi.com Lajme

Edhe, pse janë bërë më shumë se dy muaj kur kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka tërhequr këtë projektligj nga rendi i ditës me pretekstin se nuk janë rrethanat qe të votohet një ligj i kësaj rëndësie, kjo gjë si duket është harruar.

Këshilltari politik, i kryeministrit Mustafa, Faton Abdullahu, ka thënë për Tribuna Channel se çështja e demarkacionit mbetet peng i pamundësisë për të reflektuar arsyeshëm dhe pragmatikisht për këtë çështje.

I pyetur se a pritet që kjo marrëveshje të procedohet në këtë vit para se Kuvendi i Kosovës të shkoj në pushim dimëror, Abdullahu nuk është përgjigjur.

“Për këtë çështje të rëndësishme do të vendoset për të diskutuar përsëri, atëherë kur të gjitha palët e koalicionit konsiderojnë se është reflektuar sa duhet dhe se i kanë numrat e nevojshëm”, thotë ai.

Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi është vendosur kusht i BE-së për Kosovës për liberalizimin e vizave. Këtë e thotë edhe kreu i Qeverisë, Isa Mustafa.

 

Veseli me ambasadorin e Malit të Zi bëjnë plane për rrugën Deçan-Plavë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim ambasadorin e Malit të Zi në vendin tonë, Ferhat Dinosha, me të cilin diskutoi për raportet që Prishtina dhe Podgorica zyrtare kanë ndërtuar midis tyre, si dhe për sfera të ndryshme bashkëpunimi midis dy vendeve.

Periskopi.com Lajme

Në njoftimin e dërguar nga zyra e Veselit, thuhet se ata të dy vlerësuan se marrëdhëniet midis dy vendeve janë të shkëlqyera, ndërsa shprehën përkushtimin që bashkëpunimi ndërshtetëror të thellohet edhe më tej në të ardhmen, në frymën e orientimit të përbashkët euro-atlantik, raporton Periskopi

Në këtë funksion, kryetari i Kuvendit të Kosovës shtroi nevojën e forcimit të bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe të rritjes së shkëmbimeve tregtare, në interes të të dyjave vendeve.

Po ashtu, kryetari Veseli theksoi rëndësinë e realizimit sa më të shpejtë të rrugës Deçan-Plavë, si një arterie shumë e rëndësishme e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe e qarkullimit të qytetarëve në të dy anët e kufirit.

Kryeparlamentari Veseli tha se çështja e demarkacionit, i cili nuk ka përfunduar ende si proces, nuk ka ndikuar në marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore, në të cilën Mali i Zi ka treguar konstruktivitet.

Veseli dhe ambasadori Dinosha diskutuan edhe për pozitën e komunitetit malazez në Kosovë, si dhe për thellimin e bashkëpunimit midis institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesve të komunitetit malazez në vendin tonë.

“Malazezët e Kosovës do ta kenë vendin e merituar në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës, si qytetarë te respektuar të Republikës se Kosovës”, theksoi kryetari Veseli./ Periskopi