Enver Hoxhaj ne Madagaskar

Hoxhaj i ka dorëzuar Madagaskarit edhe kërkesën zyrtare për njohje

Periskopi.com Lajme

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar sot ministren e Jashtme të Madagaskarit, Beatrice Atalla, në kuadër të Samitit të Frankofonisë që po mbahet në Madagaskar.

Hoxhaj e ka falënderuar homologen për ftesën si vend nikoqir i Samitit të Frankofonisë, ndërsa ka biseduar për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ky shtet. Me këtë rast Hoxhaj i ka dorëzuar ministres Atalla edhe kërkesën zyrtare për njohje.

Pas takimit, Hoxhaj deklaroi se pret mbështetjen e Madagaskarit për Kosovën dhe se është i interesuar për bashkëpunim ndërshtetëror si dhe në fusha të tjera të interesit të përbashkët.

“Në ditën e parë të Samitit të Frankofonisë kam takuar 12 shtete të ndryshme, shumica e tyre vende jo njohëse dhe qëllimi kryesor ka qenë që ta bëj kërkesën zyrtare për njohje të Kosovës, si dhe t’u ofroj argumente të fuqishme se pse këto vende duhet ta njohin Republikën e Kosovës. Këto vende shtrihen në Afrikë, në Azi dhe në pjesë të tjera të botës dhe shpresoj shumë që në një të ardhme të afërt do të kemi lajme të mira sa i takon njohjes së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërsa ministrja Atalla e ka falënderuar Hoxhajn për vizitën si dhe dorëzimin e kërkesës për njohje nga ana e Kosovës.

“Si ministre e Punëve të Jashtme e Madagaskarit, dhe si presidente e konferencës ministrore frankofone, së pari dëshiroj të falënderoj ministrin dhe delegacionin e Kosovës për ardhjen e tyre në Madagaskar, dhe para se gjithash për dorëzimin e kërkesës në mënyrë që pavarësia e Kosovës të njihet nga Madagaskari” ka thënë Atalla.

Në agjendën intensive të Samitit, Hoxhaj ka zhvilluar takime edhe me homologët dhe udhëheqësit e delegacioneve nga Burkina Faso, Benini, Luksemburgu, Gaboni dhe Comoros.

Paradite Hoxhaj ka takuar edhe Sekretaren e Përgjithshme të Frankofonisë, si dhe ministrat e jashtëm të Belgjikës, Xhibutit dhe Burundit./ Periskopi

Enver Hoxhaj m5 unnamed-2 m2 m4

Hoxhaj takon në Madagaskar Sekretaren e Frankofonisë, pret mbështetje në zhvillim ekonomik dhe njohje të reja

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar sot Sekretaren e Organizatës së Frankofonisë, Michaëlle Jean, në Madagaskar ku po merr pjesë në Samirin e Frankofonisë.

Periskopi.com Lajme

Kryediplomati Hoxhaj gjatë këtij takimi ka biseduar për bashkëpunimin e ngushtë në mes të Frankofonisë dhe Kosovës. Hoxhaj e ka njoftuar Sekretaren për synimin e Kosovës për t’u bërë shtet anëtar edhe në Agjensionin e Universiteteve Frankofone dhe në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë.

“Kam biseduar për bashkëpunimin e ngushtë në mes të Frankofonisë dhe Kosovës nga koordinimi për çështje të politikës së jashtme, e deri tek bashkëpunimi ekonomik, arsimor dhe kulturor! Sekretares i thashë që Kosova synon që të bëhet anëtare në Agjensionin e Universiteteve Frankofone dhe në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë”, ka thënë Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj, e ka informuar sekretaren Jean për zhvillimet dhe të arriturat e Kosovës dhe ka kërkuar mbështetjen për njohje të reja për Kosovën.

Hoxhaj sot ka zhvilluar takim edhe me ministren kanadeze për zhvillim ekonomik Francine Landry, me të cilën kanë biseduar për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve dhe mundësinë e projekteve konkrete të përbashkëta nga të cilat do të përfitojnë qytetarët e Kosovës.

Një ditë më herët Hoxhaj ka takuar edhe ministrat e Jashtëm të Belgjikës, Xhibutit dhe Burundit, ndërsa do të vazhdojë me agjendën e tij lobuese.

Kosova është anëtarësuar në Organizatën e Frankofonisë në vitin 2014 si shtet anëtar vëzhgues.

Kosova ne frankofoni

Ministri Hoxhaj udhëton në Madagaskar për Samitin e Frankofonisë dhe lobim për njohje

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka udhëtuar sot për në Madagaskar, ku do të marrë pjesë në sesionin e 32-të të Konferencës Ministrore të Frankofonisë.

Periskopi.com Lajme

Ministri Hoxhaj do të marrë pjesë në Samitin dy-ditor të Frankofonisë, dy vite pas anëtarësimit të Kosovës si shtet vëzhgues anëtar. Para se të nisej, në një takim koordinues me ambasadorët e vendeve frankofone në Kosovë, Hoxhaj ka deklaruar se Frankofonia është organizatë shumë e rëndësishme për Kosovën dhe synon që këtë bashkëpunim ta thellojë në projekte konkrete.

“Frankofonia është organizatë jashtëzakonisht e rëndësishme sa i takon ndërveprimit të Kosovës dhe qytetarëve të saj në vendet frengjisht folëse në aspektin ekonomik, arsimor, kulturor dhe diplomatik. Ne synojmë që këtë bashkëpunim ta thellojmë edhe më tutje me projekte konkrete nga të cilat do të përfitojnë qytetarët e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj pritet të takojë liderë të shumtë të shteteve frankofone, takime këto të cilat do t’i shfrytëzojë për të lobuar për njohje të reja për Republikën e Kosovës.

Kosova u pranua si vend anëtar në nëntor të vitit 2014 në Senegal.