Lista Serbe e gatshme ta votojë Demarkacionin me Malin e Zi, kanë arsye pse

Kryetari i Listës serbe, Slavko Simiq ka marrë pjesë sot në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Periskopi.com Lajme

Simiq pas mbledhjes së Kryesisë tha se ata kanë marrë vendim që t’i kthehen punës në kuvend, në mënyrë që ta votojnë Demarkacionin me Malin e Zi, në mënyrë siç tha ai që qytetarët të mos mbesin të izoluar.

“Kjo për hir të qytetarëve që të mos mbeten të izoluar”, ka thënë Simiq.

Kryetari i Listës serbe kërkoi edhe formimin e Asociacionit të komunave serbe. Ai po ashtu tha se do të kundërshtojnë çdo proces ose ligj që është në kundërshtim me interesat e serbëve.

Mushkolaj tregon pse u kthye Lista Serbe në Kuvend

Lista Serbe ka vendosur që t'i kthehet punës së Kuvendit të Kosovës, pas 6 muajve bojkot.

Periskopi.com Lajme

 

Kjo listë mori pjesë sot në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.

Kryetari i kësaj liste, Slavko Simiq ka thënë se kthimi në Kuvend është bërë për arsye të kundërshtimit të shndërrimit të FSK’së në ushtri dhe që të themelohet Asociacioni i Komunave Serbe.

I kontaktuar nga Periskopi, kthimin e zyrtarëve serbë e ka komentuar analisti Imer Mushkojal.

Ai, konsideron se Lista serbe e mori këtë vendim për interesa të veta dhe kjo dëshmon se Beogradi po bashkëqeverisë në Kosovë.

“Lista Serbe është kthyer në institucione për interesa të veta, e jo për gjë tjetër. Qëllimi i saj është themelimi sa më i shpejtë i Asociacionit, por kthimi i këtij subjekti nuk nënkupton se do ta votojë edhe ushtrinë. Lista Serbe u kthye kur i tha Beogradi dhe kjo flet shumë për atë se si Beogradi, në fakt, bashkëqeverisë në Kosovë. Po të mos kishin interes, zyrtarët serbë nuk do të ishin kthyer”, tha ai./Periskopi/

Fillon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, prezent edhe Lista Serbe

Ka filluar tashmë mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ku pritet të caktohet seanca e ardhshme e Kuvendit.

Periskopi.com Lajme

Për dallim nga java e kaluar ku dështoi mbledhja për shkak të mungesës së kuorumit, sot të pranishëm janë të gjithë anëtarët e Kryesisë.

Në mbledhje janë edhe përfaqësuesit Listës Serbe të cilët tash e disa muaj kishin bojkotuar punën e institucioneve.

Këto janë pikat për të cilat do të diskutohet në mbledhjen e Kryesisë:

Miratimi i procesverbalit nga mbledhja e mëparshme,

Përgatitjet për seancë plenare:

Koha për deklarime jashtë rendit të ditës,

Koha për pyetje parlamentare,

Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

Interpelanca e Kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, sipas kërkesës së deputetes Donika Kadaj-Bujupi, e mbështetur edhe nga 15 deputetë nënshkrues, për çështjen mbi shfrytëzimit e thëngjillit dhe minierën e Sibovcit,

Interpelanca e Ministrit Blerand Stavileci, sipas kërkesës së deputetit Visar Ymeri, i mbështetur edhe nga 15 deputetë nënshkrues, në lidhje me Kontratën e privatizimit të Kompanisë së Distribuimit të Energjisë Elektrike,

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 05/L-157 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit të Projektit për sigurinë e ujit dhe mbrojtjen e kanalit, e nënshkruar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 05/L-138 për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 05/L-142 për mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 05/L-134 për Legalizimin e Armëve dhe dorëzimin e armëve të vogla dhe të lehta, municionit dhe mjeteve eksplozive,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 05/L-091 për mbrojtjen nga zhurma,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 05/L-127 për plotësimin e Ligjit nr. 04/L-033 për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit,

Shqyrtimi i Propozim – Programit të Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2017,

Shqyrtimi i Raportit të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini e Sport lidhur me Mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 03/ L-145 për fuqizim dhe pjesëmarrje të rinisë,

Zgjedhja e një (1) anëtari të Komisionit të Pavarur për Media,

Debat parlamentar sipas kërkesës së deputetes Teuta Haxhiu, e mbështetur edhe nga 9 deputet tjerë nënshkrues, në lidhje me Mos zbatimi e rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës,

Debat parlamentar sipas kërkesës së deputetëve Bekim Haxhiu dhe Xhevaire Izmaku, të mbështetur edhe nga 8 deputet tjerë nënshkrues, në lidhje me shkeljen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë.

Lista Serbe i kthehet Kuvendit të Kosovës, tregojnë arsyen

Periskopi.com Video

Sa po i kushton buxhetit të Kosovës bojkoti i Listës Serbe

Më shumë se 40 mijë euro u janë paguar vetëm paga ministrave dhe këshilltarëve të tyre të Listës Serbe për 5 muajt e fundit, kohën kur ata nuk janë duke punuar fare.

Periskopi.com Lajme

Të dhënat janë bazuar në pagat që ministrat dhe këta zyrtarë i kanë deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Më së shumti shpenzime në paga ka bërë Ministria e Kthimit dhe Komuniteteve, ku për 5 muaj, ministri Dalibor Jevtiq bashkë me 7 këshilltarë të tij, janë paguar 23 mijë e 165 euro vetëm pagën bazë.

Ministri Dalibor Jevtiq për këta 5 muaj ka marrë pagë, 4 mijë e 755 euro.

Ndërkohë, kolegu i tij Ljubomir Mariq për dy muaj sa ka qëndruar në këtë pozitë para shkarkimit është paguar 2 mijë e 148 euro.

Këto shpenzime nga taksat e qytetarëve të Kosovës, duket se nuk janë problematike për Qeverinë, zyrtarë të së cilës kanë thënë se do t’u japin kohë aq sa u duhet, për t’u kthyer në institucione e Kosovës.

Lista Serbe nuk heq dorë nga asociacioni

Lista Serbe nuk do të heqë dorë nga formimi i Bashkësisë së komunave serbe dhe atë që është arritur marrëveshja lidhur me këtë në Bruksel, ka deklaruar të enjten ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtiq.

Periskopi.com Lajme

Ai në tribunën e Qendrës për politikë publike ndërkombëtare “Pikëpamjet dhe perspektivat e BKS-së” në Fakultetin për diplomaci dhe siguri, theksoi se ky është qëndrim politik i serbëve në Kosovë.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Kosovës dje ka ngritur aktakuzë ndaj ministrit për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ai akuzohet se i ka dhënë në shfrytëzim të përhershëm automjetin zyrtar që ishte  pronë e ministrisë, Radio KIM –TV Centar, me seli në Çagllavicë të Komunës së Graçanicës.

Reagon Lista Serbe ndaj vendimit të Qeverisë për pronat e ish – RSFJ

Kryetari i Listës Serbe Slavko Simiq ka thënë se menjëherë duhet të revokohet vendimi i Qeverisë së Kosovës sipas së cilit të gjitha pronat e paluajtshme të regjistruar në ish-Repblikën Federative të Jugosllavisë, përkatësisht ish-Republikën Socialiste të Serbisë të regjistrohen në emër të Kosovës.

Periskopi.com Lajme

 

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës është tendencioz  dhe përpjekje që përmes  vendimeve të institucioneve të Kosovës të vazhdojë represioni i vazhdueshëm kundër popullatës serbe në Kosovë dhe Metohi dhe konfiskimi i pronës shoqërore dhe private të popullit serb”, tha Simiq, transmeton Klan Kosova.

Në një deklaratë për Tanjug ai tha se që nga “viti 1999 janë uzurpuar mbi një milion parcela kadastrale të ndërmarrjeve shoqërore dhe publike në Kosovë dhe Metohi, dhe kjo është një përpjekje e hapur nga Prishtina që me miratimin zyrtar të vendimeve të njëanshme të legalizojë pronën në mënyrë të paligjshme”.

Ai shtoi se çështja e pronës  do të duhej të diskutohej në Bruksel.

Lista Serbe e quan kriminel Ramush Haradinajn

Deklarata e ish presidentit të Kroacisë, Stjepan Mesiq, i cili është deklaruar sot rreth Ramush Haradinajt dhe pret që ky i fundit të lirohet sa më shpejtë nga Franca, ka ngjallë reagime edhe tek Lista Srpska, parti kjo që bënë pjesë në Qeverinë e Kosovës.

Periskopi.com Lajme

Madje nuk kanë nguruar të thonë që Mesiq e ka treguar fytyrën e vërtetë të lëvizjes pjesë e së cilës është.

Ata po e quajnë ish presidentin si një rrënues të shteteve dhe nxitës të luftës vëllavrasës.

“Njeriu i cili është krenar me rolin e tij në shkatërrimin e shtetit që shpërbërjen e tij e shtyri në luftë, ku si pasojë u vranë miliona serbë, myslimanë dhe kroatë”, thuhet në reagimin e kësaj partie, përcjell Gazeta Metro.

Lista Srpska nuk ndalet me kaq. Ramush Haradinajn, i cili po mbahet në Francë, po e quajnë kriminel lufte.

“Mesiq u është bashkuar lobistëve shqiptarë, i cili për para të përgjakura, të fituara me tregti me narkotikë dhe organe njerëzore, është i gatshëm të bëjë gjithçka, bile edhe kriminelët e luftës t’i quajnë miq”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Asociacioni kthen Listën Serbe në institucione

Lista Serbe do ta shfrytëzojë si pretekst themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për t’iu kthyer me normë të plotë punës në Kuvend dhe Qeveri. Edhe pse ka disa muaj që zyrtarisht kjo listë i ka hyrë bojkotit institucional, ata nuk janë shkëputur plotësisht nga Qeveria.

Periskopi.com Lajme

 

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, që janë në koalicion me Listën Serbe, nuk e kanë përjashtuar mundësinë që ditëve në vijim ky subjekt të kthehet edhe zyrtarisht. Ky është edhe kushti që ka vënë Qeveria, para se të nisin angazhimet për themelimin e asociacionit. Pas rrënimit të murit në Mitrovicë, edhe Brukseli ka kërkuar veprime nga Prishtina për ta përmbushur këtë obligim, i cili del nga marrëveshjet e Brukselit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, njëkohësisht zëvendësministër i Pushtetit Lokal, ka thënë për “Kohën Ditore” se ka indikacione për kthimin e Listës Serbe.

“Ne nuk e kemi ndërprerë komunikimin me përfaqësues të Listës Serbe asnjëherë. Besoj se kemi indikacione pozitive për kthimin e tyre, kemi një atmosferë të përshtatshme bashkëpunimi pas zgjidhjes së çështjes së murit. Megjithatë, vendimi për kthim do të jetë vendim i tyre”, ka thënë Gecaj.

Thaçi: Srpska s’do të bindet, Kuvendi të marrë vendim për themelimin e Ushtrisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Bruksel ka deklaruar për televizionin publik të Kosovës se nuk do të ketë liberalizim të vizave pa ratifikim të demarkacionit. Ndërkaq, deklaroi se Kuvendi i Kosovës duhet menjëherë të marrë vendimin për krijimin e Forcave të Armatosura.

Periskopi.com Lajme

Sipas tij, është shumë e rëndësishme që të ruhet agjenda evropiane për Kosovën. Ai tha se ndjehet mirë që përfaqëson qytetarët më pro-evropianë, derisa shprehu shqetësimin për mosrealizimin e vizave.

“BE ka vënë si standard liberalizimin e vizave me ratifikimin e demarkacionit”, tha ai duke fajësuar deputetët e Kuvendit për vonesa të tilla.

“Mosliberalizimi i vizave është peng i deputetëve që nuk po e votojnë demarkacionin. Pa ratifikim të demarkacionit nuk do të ketë liberalizim të vizave. Qytetarët vazhdojnë të jenë të ndëshkuar për lëvizje të lirë nga mos votimi i deputetëve. Definitishfivsht ratifikimi duhet të ndodhë në të kundërtën do të shtyhet liberalizimi i vizave. Nëse ratifikimi do të ndodhë këtë muaj, atëherë sigurisht menjëherë do të ketë edhe liberalizim, por nëse kjo vonohet edhe 2 -3 vjet, atëherë edhe liberalizimi do të shtyhet edhe për 2 apo 3 vjet tjera”, tha ai.

Presidenti Thaçi porositi deputetët e Kuvendit që t’i vënë interesat e shtetit para atyre partiake.

“Ata që s’po e votojnë demarkaciomnin, ata vet i kanë vizat, por në këtë mënyrë po ndëshkohen qytetarët”, tha ai.

Kujtojmë se opozita dhe ekspertë të fushës kanë deklaruar vazhdimisht se me mënyrën se si është demarkuar kufiri mes Kosovës dhe Malit të Zi, vendi hup mijëra hektarë tokë, transmeton Koha.net. Nënshkrimin në ata marrëveshje mes palëve e ka vënë Thaçi në cilësinë e Ministrit të Punëve të Jashtme.

I pari i shtetit, foli edhe për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Ai tha se nuk ka kohë që të humbët për këtë çështje dhe sipas tij, Kuvendi i Kosovës menjëherë duhet të marrë vendimin për krijimin e ushtrisë së Kosovës.

“Është mirë që sot ka ndodhur diskutimi në Kuvendin e Kosovës për krijimin e ushtrisë, por nuk duhet të politizohet kjo çështje. Por, nevojitet vendimi i Kuvendit për formimin e Forcave të Armatosura. Të shkohet në votim dhe jo polarizim, dhe kjo çështje ka mundur të përfundojë qysh në vitin 2014, por meqënëse nuk ka ndodhur tash nuk ka kohë të humbet asnjë ditë, e lërë më javë apo muaj”, tha Thaçi.

Sipas tij, janë shterur të gjitha mundësitë për ta bindur Listën Serbe për votim të Ushtrisë së Kosovës.

“Për fat të keq ata janë të ndikuar nga Beogradi dhe nuk mund ta presim disponimin e Serbisë për t’i themeluar Forcat e Armatosura, sepse ata kurrë nuk disponohen për ta formuar Kosova ushtrinë”, ka deklaruar presidenti Thaçi.

Sipas tij, Kosova duhet bëjë përpjekjet e fundit për ta bindur Listën Serbe, por nëse jo, atëherë të shkohet në ndryshime ligjore dhe FSK të ketë mandat dhe mision ushtarak.

Gjatë gjithë mandatit të tij si kryeministër i vendit, Thaçi kishte premtuar vazhdimisht themelimin e FAK-ut, por nuk arriti ta realizojë, raporton Koha.net.

Ai ka folur edhe për mbetjen e Haradinajt në Francë, duke përmendur se institucionet e Kosovës kanë bërë atë që kanë mundur të bëjnë, madje tha se kanë bërë maksimalen.

“Në anën tjetër janë procedurat e gjykatës franceze ato që janë, por drejtësia do të ngadhënjejë. Në të gjitha takimet që kam pasur në Bruksel kam theksuar se duhet bëhet presion më i madh të Serbia nga ana e BE-së që të tërhiqen të gjitha fletarrestet e lëshuara nga politika e Sllobodan Millosheviqit”, tha në fund Thaçi.

 

Kushtetuesja ia këput shpresat Listës Serbe për pronën e Kishës Ortodokse

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka hedhur poshtë pretendimet e Listës Serbe se Ligji për Investime Strategjike është në kundërshtim me kushtetutën e vendit si dhe me Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale.

Periskopi.com Lajme

Në vendimin e kushtetueses thuhet se Lista Serbe nuk ka ofruar dështmi që tregojnë se ky ligj është në kundërshtim me ligjet e Kosovës.

“Gjykata Kushtetuese ka  konstatuar sot se parashtruesit e kërkesës nuk kane dëshmuar pretendimin e tyre ne baza kushtetuese dhe nuk kane paraqitur prova qe tregojnë se si dhe perse me Ligjin e kontestuar për Investime Strategjike është shkelur Kushtetuta, qofte për shkak te procedurës, qofte për shkak te përmbajtjes” thuhet në vendim.

“Gjykata deklaron se Ligji nr. 05/L-079 për Investimet Strategjike ne Republikën e Kosovës është ne pajtueshmëri me Kushtetutën, qe do te thotë se ai është kushtetues”.

Lista Serbe kërkonte nga gjykata qe te vendosë masë të përkohshme që Ligji për Investime Strategjike të pezullohet. Kryetari i kësaj partie, Slavko Simiq, ka thënë për media se Projektligji për investime është i dëmshëm dhe njëri nga faktet është se konteston edhe pronësinë e Kishës Ortodokse në Kosovë.

Lista Serbe vazhdon të mbajë “të ngrirë” qëndrimin e saj në institucionet e vendit. Një nga arsyet e bojkotit të tyre vije si pasojë e miratimit të këtij ligji dhe Ligjit për Trepcën./Insajderi.com

Lista Serbe tregon a do të merr pjesë në senacën për Haradinajn

Kuvendi i Kosovës pritet që gjatë ditës së sotme të mbajë seancë të jashtëzakonshme për ta nxjerrë një rezolutë kundër arrestimit të gjeneralit të UÇK-së, njëherësh kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Periskopi.com Lajme

 

Në këtë seancë është paralajmëruar pjesëmarrje nga shumica e grupeve parlamentare, por jo edhe deputetëve serbë.

Grupi Parlamentar i Listës Serbe ka marrë vendim që mos të marrë pjesë në seancën për Haradinajn.

Shefi i serbëve në Kuvendin e Kosovës, Slavko Simiq ka thënë për “Indeksonline” se ata nuk do të jenë në sallën e Kuvendit.  “Jo, s’marrim pjesë në këtë seancë”, ka thënë shkurt ai.

Ndryshe, ish-kryeministri kosovar është arrestuar nga autoritetet franceze me 4 janar në aeroportin e Baseli-Mulhouse-Freiburg.

Ky ndalim është bërë në bazë të një fletarrest të lëshuar në vitin 2004-t nga shteti i Serbisë.

Osmani: Është momenti i fundit që Lista Serbe të largohet nga Qeveria

Shteti dhe institucionet e Kosovës, po sfidohen vazhdimisht, nisur kryesisht edhe nga veprime krye në vete të cilat vijnë nga komunat serbe (veriu), e po ashtu nga deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës, të cilët vazhdojnë t’i bllokojnë ligjet e rëndësishme.

Periskopi.com Lajme

 

Sipas deputeteve dhe analistëve politikë, institucionet e vendit, po sfidohen përmes strukturave paralele në veri, përmes ndërtimit të mureve, investimeve të paligjshme dhe ndërtimit të objekteve, me qëllim të kolonizimit të Mitrovicës dhe të Kosovës.

E, institucionet e Kosovës, vazhdojnë të mos kenë forcën për të treguar ‘muskujt’ ligjorë, për të cilët folën shumë herë gjatë këtij viti.

Glauk Konjufca, deputet nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, thotë se shteti i Kosovës fillimisht sfidohet nga ajo që është problemi kryesor, të cilin e zbaton Serbia në Kosovë, e që është mos njohja e shtetësisë së Kosovës.

Pastaj në përputhje me këtë qëndrim i cili derivon dhe nga kushtetuta e tyre, Konjufca thotë se vijnë dhe një mori veprimesh të nivelit shtetëror, duke filluar prej ndarjes së veçantë buxhetore, që është për Kosovën, pagesa e mijëra personave brenda Kosovës, që punojnë në sektorin publik, e që janë në kuadër të institucioneve të Serbisë, të cilat veprojnë në Kosovë e të cilat janë ilegale.

“Pastaj dhe janë veprimet e tyre të drejtpërdrejta siç është ndërtimi i lagjeve të tëra në veri të Kosovës. Serbia e zbaton një lloj kolonizimi të Kosovës. Pra me ç’rast përpiqet me ndryshua përbërjen demografike të veriut të Kosovës. Në njërën anë para 16 viteve përmes spastrimit etnik me dhunë prej strukturave paralele dhe të paligjshme të Serbisë. Pastaj pas spastrimit ndalimi i shqiptarëve për me u kthye në atë pjesë. Dhe në të njëjtën kohë dhe ndërtimi i lagjeve të reja për serbet atje, të cilët ndoshta nuk kanë jetuar kurrë atje… Dhe përveç kësaj ajo e sfidon dhe shtetin e Kosovës, në kuptimin e autoritetit institucional në veri të Kosovës, në aspektin e sigurisë, strukturave të saj, të cilat qartazi ndërhyjnë në punët e brendshme të Kosovës”.

“Serbia p.sh. i ka strukturat e saj të cilat i ndalojnë në veri të Kosovës, figurat tona politike. P.sh. ministri Hoti u ndalua atje prej struktur ave të Serbisë. Kryeministri Mustafa nuk guxoi që të shkoj nëpër rrugë, të cilat janë zyrtare dhe të cilat janë rrugë rajonale të Kosovës. Por u detyrua që të shkojë rrugëve alternative në veri. Këto krejt tregojnë se atje nuk ekziston shteti i Kosovës dhe atje situatën e mban në kontroll, një mori institucionesh të Serbisë, të cilat ajo i financon e i kontrollon, e që kanë si qëllim me mbajt situatën të konservuar, e ku nuk lejohet zbatimi i ligjit, zbatimi i kushtetutës së republikës së Kosovës dhe i autoritetit të institucioneve të shtetit tonë”, thotëKonjufca.

E sa i përket përfshirjes së deputeteve në Kuvendin e Kosovës nga Lista serbe, Konjufca pohon se ata janë në koordinim të plotë me Vuçiçin dhe se kjo listë është krijuar me qëllim që të krijohet një formacion politik i cili zhduk të gjitha alternativat tjera të serbeve dhe mbanë vetëm një reprezentim politik, e që është në funksionon të direktivave të Beogradit.

Edhe Shpejtim Bulliqi, deputet nga LDK, thotë se Kosova vazhdon të ketë sfida serioze në funksionimin e shtetit ligjor.

“Të them të drejtën duke pasur parasysh brishtësinë e institucioneve tona, sigurisht që nuk janë pa probleme të gjitha këto sfida, nëpër të cilat po kalon Kosova. Kemi parasysh dhe bllokadat që po shkaktohen në funksionimin e pushtetit sidomos në veri të Mitrovicës. Pastaj lidhja shumë e ngushtë e këtyre eksponentëve, që faktikisht po përfaqësojnë tani në Kuvendin e Kosovës popullatën serbe të Kosovës, që për mendim timin më së paku e përfaqësojnë popullatën serbe në Kuvendin e Kosovës. Të gjitha këto mendoj, se janë sfida relativisht serioze në funksionimin e shtetit ligjor në Kosovë”, tha ai.

Nga ana tjetër, deputetja Vjosa Osmani thotë se është momenti i fundit që qeveria e Kosovës t’i largojë nga institucionet përfaqësuesit e Listës serbe.

“Është momenti i fundit që Qeveria e Kosovës, të largojë nga qeveria përfaqësuesit e Listës serbe dhe të përfshijë në qeveri SLS në partinë e z. Petroviq, deputet e së cilës vazhdimisht kanë punuar në përputhje me kushtetutën e vendit dhe kanë dhënë kontributin e tyre në përfaqësimin e qytetarëve të Kosovës… Natyrisht që veriu që nga pas lufta, sidomos pa pavarësisht në vitit e 2008, vazhdimisht ka qenë çështja më sfiduese në aspektin e integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit. Mirëpo, politika jonë nuk duhet të jetë vetëm reaktive, të presin se çfarë politike të re, çfarë provokimi të ri po bën Beogradi dhe në bazë të saj të determinohet dhe agjenda e bisedimeve me Serbinë. Qeveria e Kosovës dhe institucionet e Kosovës duhet të jenë shumë më aktive me ide me propozime të qarta lidhur me integrimin e veriut të vendit, me shtrirjen e sovranitetit në atë pjesë, por mbi të gjitha me projekte të qarta ekonomike të cilat i bëjnë bashkë qytetarët në veri dhe qytetarët në jug dhe integrojnë të gjitha komunitetet”, thotë Osmani.

Imer Mushkolaj, analist politik, lidhur me këtë temë thotë se Kosova jo vetëm që po sfidohet, por po i cenohet integriteti dhe sovraniteti i saj territorial.

“Është e dhimbshme të thuhet, mirëpo Serbia bashkëqeveris me Kosovën nëpërmjet Listës serbe. Ne e dimë që lista serbe në vazhdimësi e ka blloku, e ka shantazhuar në përgjithësi shtetin e Kosovës, duke mos e pranuar, duke bojkotuar punën e institucioneve e kështu me radhë. Unë besoj që situatat në këtë fushë, në raportet se si sillet Serbia ndaj nesh dhe Lista serbe, si një subjekt i krijuar nga Beogradi, është shumë më i keq se para dy vjetësh. Jo vetëm që po sfidohet Kosova, mirëpo po cenohet dhe integriteti dhe sovraniteti i saj territorial. E kemi rastin e murit të ndërtuar në veri në fund, kemi rastin e ardhjes së zyrtarëve serb, kur të duan në veri të Kosovës. Dhe ata që na thonë se në veri të Kosovës është shtri sovraniteti dhe integriteti territorial, ata që thonë që strukturat paralele nuk funksionojnë, atëherë ata thjeshtë na gënjejnë, për shkak se strukturat paralele funksionojnë gjithande j. Jo vetëm në veri por funksionojnë dhe në pjesët tjera ku ka serb në Kosovë”, tha Mushkolaj.

Edhe kryeministrin Isa Mustafa, si sfidë të këtij viti të ri ka përmendur veriun e vendit. Mirëpo ai thotë se problemet atje do të zgjidhen përmes ligjit dhe jo në forma tjera.

“Nëse vajtoj për diçka s’vajtoj për Serbinë dhe veriun. Kemi mjaftë çështje tjera për të cilat mund të ndiejmë hidhërim të brendshëm. Kështu që ne në asnjë rast nuk do ta vajtojmë atë. Por duhet ta pranojmë një fakt, që ne akoma kemi probleme me veriun e vendit dhe atë fakt s’mund ta fshehim. Ka probleme, problemet janë reale. Unë s’mund të them që gjendja në veri të vendit, është sikurse gjendja në pjesën tjetër të Kosovës… Ne mund të krekosemi me lloj- lloj kërcënimi dhe lloj-lloj qëndrimi. Po unë se kam as natyrën e tillë që ta bëj. Ligjin e kemi përpara. Do të bëjmë përpjekje që ligji të funksionojë dhe çdo gjë që zgjidh në këtë vend dhe në veri dhe jug ta zgjidhim përmes ligjit”, tha ai.

Stojanoviq pranon se marrin urdhra nga Serbia: Muri hiqet shpejt (Video)

Zëvendëskryeministri i ngrirë, Branimir Stojanoviq ka konfirmuar se Lista Serbe merr urdhra nga Qeveria e Serbisë.

Periskopi.com Lajme

Ai në një intervistë për Klan Kosovën foli edhe për asociacionin e komunave serbe dhe për murin në veri të Mitrovicës.

 

VV nuk merr pjesë në tryezën e Veselit: Është dorëzim i pushtetit përballë Listës Serbe

Subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se ideja e Kadri Veselit për një tryezë me liderët e subjekteve politike është absurde dhe e dëmshme

Periskopi.com Lajme

Shkodran Hoti nga ky subjekt thotë për Periskopi.com se Asociacioni dhe Demarkacioni janë tema të vdekura, ndërsa Veseli, sipas tij, synon që t’i kthejë në diskutim të dyja këto marrëveshje që cenojnë sovranitetin dhe integritetin territorial.

“Në lidhje me këtë nuk kemi marrë ftesë, dhe kemi dëgjuar vetëm nga mediat. Por kjo ide e Kadri Veselit është jashtëzakonisht absurde dhe e dëmshme, marrë parasysh se qëllimi i kësaj tryeze është diskutimi për “Zajednicën” dhe Demarkacionin me Malin e Zi, marrëveshje të cilat ne i konsiderojmë të vdekura. Pra, Kadri Veseli synon që t’i kthejë në diskutim dy marrëveshje që cenojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, dy marrëveshje që janë antishtetërore e antikombëtare”, thotë Hoti.

Hoti thotë se nuk i përgjigjen ftesës së tillë.

“Ne nuk i përgjigjemi një ftese të tillë, e cila fillimisht është shenjë e dorëzimit të pushtetit përballë Listës Srpska, e cila po bën presion të vazhdueshëm për themelimin e “Zajednicës”. E në anën tjetër, është tentim për t’u dukur se pushteti po do që të gjejë zgjidhje për demarkacionin, gjë që nuk qëndron, pasi që pushteti s’është i interesuar ta zgjidhë këtë çështje, por të na bindë se versioni aktual i demarkacionit qenka i mirë”, thotë ai për Periskopin.

Hoti thotë se do të vazhdojnë të kundërshtojnë ndaj këtyre dy marrëveshjeve, që sipas tij, në asnjë mënyrë nuk guxojnë të jetësohen.

Vetëvendosje vlerëson se këto marrëveshje e rrezikojnë të ardhmen e Republikës sonë, dhe kushdo që tenton avancimin e tyre, do të mbahet përgjegjës./ Periskopi

Ministrja Jevtiq futi në sherr Listën Serbe me Isa Mustafën

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka pranuar sot zyrtarisht kërkesën për largimin e ministes së Pushtetit Lokal, Mirjana Jevtiq.

Periskopi.com Lajme

Lajmi.net merr vesh se një kërkesë e tillë kryeministrit i ka ardhur nga Lista Serbe, ndërsa është e nënshkruar nga shefi i Grupit Parlamentar të kësaj liste, Sllavko Simiq.

Në letër ndër tjerash kërkohet që qysh sot të shkarkohet Jevtiq, ndërkaq Lista Serbe së shpejti do ta njoftojë kryeministrin Mustafa me emrin e ri për këtë pozitë.

Në anën tjetër, ministrja Jevtiq sot ka zhvilluar takim kokë me kokë me kryeministrin Mustafa. Lajmi.net merr vesh se asaj i kërkuar që ta respektojë vendimin dhe të jap dorëheqje.

Jevtiq ishte emeruar ministre pas shkarkimit të Lubomir Mariqit, mirëpo pas presionit nga Beogradi zyrtar, Lista Serbe është detyruar të kërkojë largimin e zonjës Jevtiq. /Lajmi.net

 

Sllavo Simiq kërcënohet me jetë, kërkon mbrojtje 24 orëshe nga Policia e Kosovës

Deputeti i Listës Serbe, Slavko Simiq është kërcënuar me jetë. Kështu i kanë thënë Gazetës Blic burime brenda Policisë së Kosovës.

Periskopi.com Lajme

Sipas këtyre burimeve, pos Simiqit, është kërcënuar edhe familja e tij.

 “Simiq ka kërkuar mbrojtje të afërt 24 orëshe nga ana e Policisë së Kosovës”, tha ky burim i Gazetës Blic.

Ndryshe, Simiq ishte kthyer në Kuvendin e Kosovës në seancën e kaluar. Ai para deputetëve ka thënë se serbët nuk do të tërhiqen nga kërkesa pëe Asociacionin.

Ndërkohë, para pak ditësh kishte një përplasje të ashpër brenda vetë Listës Srpaska. Simiq madje ishte shkarkuar nga shefi i deputetë të Listës Srpaska.

Kjo thyerje e Listës ka ardhur për shkak të emërimit të ministres së re të Administrimit të Pushtetit Lokal.

Kërcënon Gjuriq: Të hënën e merrni vesh kush është Mustafa e kush Vuçiq

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq pret që pas takimit të përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës me kryeministrin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, të qartësohet gjithçka. Takimi është parashikuar të zhvillohet ditën e hënë.

Periskopi.com Lajme

Para gazetarëve në Medvegjë, Gjuriq tha se pas këtij takimi beson se do të qartësohet fakti se ‘kush qëndron prapa politikës së shtetit serb, kush mbështet politikën e Qeverisë serbe, si dhe cilat grupe politike dhe individë në vend të Qeverisë së Serbisë dhe Vuçiqit, e pranojnë Isa Mustafën dhe një qeveri tjetër si të tyren”, raporton Tanjug.

Sipas tij, një ditë më parë Vuçiq e bëri të qartë se, nuk ka asnjë dyshim se ky kthimi i shpinës ndaj shtetit të Serbisë ‘nga ana e përfaqësuesve të rremë të vetë emëruar të serbëve në Kosovë”, nuk është spontan, dhe me të kanë lidhje edhe paratë e shqiptarëve dhe disa agjenci të huaja.

 

Stojanoviqi, Jevtiqi dhe Mariqi: Vulin iu nënshtrua Mustafës

Me rastin deklaratës së liderit të Lëvizjes Socialiste, Aleksandar Vulin, drejtuar serbëve të Kosovës që të “ndalin epshet”, vjen një përgjigje e nënshkruar nga Branimir Stojanoviqi, Dalibor Jevtiqi dhe Lubomir Mariqi.

Periskopi.com Lajme

Në letër thuhet se Vulini, që është edhe ministër i Punës në Serbi, është dashur ndikojë të largohen të gjithë akterët që “thyen unitetin nacional serb”.

“Megjithatë, Vulini, për fat të keq, në një moment vendimtar tregoi hipokrizinë politike dhe konfirmoi aleancën që partia e tij në Kosovë ka bërë me Isa Mustafën”, thuhet në letër, transmeton Telegrafi.

Stojanoviqi, Jevtiqi e Mariqi thonë se marionetat politike në Kosovë nuk do të guxonin të sulmonin Listën Serbe dhe Partinë Progresiste Serbe – pa mbështetjen e ministrit serb.

Vulini kishte thënë sot se Qeveria në Prishtinë duhet rrëzuar dhe se duhet shkuar në zgjedhje në të gjitha nivelet, ndërsa serbët i këshilloi që të gjejnë zgjidhje të përbashkët për të cilat nuk pajtohen.

 

Por, tre serbët e Listës Serbe thonë se kjo ftesë, për rrëzim të Qeverisë, është përpjekje për të shmangur përfshirjen e tij në “komplot”.

“Vulin dëshiron që miqtë e tij të jenë në Qeverinë e Mustafës”, shtojnë ata.

Në lidhur me këtë “debat”, i ashtuquajturi shef i zyrës serbe në Kosovë, Marko Gjuriq, thotë se “serbëve në Kosovë u duhet uniteti e jo hipokrizia”.

Vazhdojnë përplasjet në Listën Serbe: Vulin arriti marrëveshje me Isa Mustafën!

Branimir Stojanoviq, zëvendëskryeministër i Kosovës, Dalibor Jevtiq, ministër për Kthim dhe Lubomir Mariq, ish ministër i Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, kanë kërkuar sot nga Aleksandar Vulin, lider i Lëvizjes Socialiste, që, nëse nuk qëndron pas tyre, t’i përjashtojë nga partia “të gjithë akterët e thyerjes së unitetit të popullit serb në Kosovë”.

Periskopi.com Lajme

Në të kundërtën, i rekomandojnë që të “shikohet në pasqyrë dhe se a e meriton të quhet ministër serb”, shkruan lajmi.net.

“Nëse ai vet nuk është kryesori në përmbysjen antiserbe në Kosovë, Vulin do të duhej që t’i përjashtonte nga partia ‘grupimin e marionetave të tij’ të cilën kanë marrë guxim ta sulmojnë Listën Serbe dhe Partinë Përparimtare serbe (partia e Vuçiqit)”, thonë tre përfaqësuesit serbë në Qeverinë e Kosovës.

Të tre këta thonë se ata nuk do të mund ta bënin këta pa mbështetje e tij (Vulinit), të cilin e quajnë tradhtar politik. Sipas tij, Lëvizja Socialiste e Vulinit ka arritur marrëveshje personale me Isa Mustafën.

Aleksandar Vulin është ministër i Punës në Qeverinë e Serbisë e cila udhëhiqet nga Aleksandar Vuçiq.

Problemet e Listës Serbe mund të reflektohen edhe në koalicionin qeveritar në Serbi.

Sot në Kuvendin e Kosovës, pas një kohe të gjatë bojkoti, janë kthyer 5 deputetë të Listës Serbe.