Enver Hoxhaj

Hoxhaj thotë se Nehat Thaqi pati qëndrim dinjitoz në burg

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se në bazë të informatave që ka pasur këto ditë për zyrtarin policor Nehat Thaqi, gjendja e tij psikike është mirë. Ai tha se Thaqi ka qëndruar dinjitoz gjatë kohës që ishte në arrest.

Periskopi.com Lajme

“Që nga dita e arrestimit të nënkolonelit, Nehat Thaçi më 29 shtator e deri në ditën e sotme kemi përcjell në baza ditore çdo zhvillim e sot kemi marrë një konfirmim që është liruar”, ka thënë Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

“Kemi përcjell shumë nota të protestës, që të ushtrojnë presion mbi Serbinë që Thaçi t’i kthehet familjes së tij. Si rezultat i partnerëve tanë ndërkombëtar dhe përpjekjeve tona si diplomaci e Kosovës që të mbrojmë interesin e çdo qytetari, ai ka arritur të lirohet”.

Hoxhaj ka thënë se Thaçi është në gjendje të mirë shëndetësore.

“Ne kemi pasur pothuajse komunikim ditor, veçse ambasadori jonë nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd, Valdet Sadiku, e ka vizituar shpesh e gjendja e tij shëndetësore ka qenë e mirë. Për të tjerat ai mund të flas pasi të kthehet në Prishtinë. Pasi ajo që është e rëndësishme është që t’i kthehet familjes”.

Sipas tij, politika e Serbisë nuk ka ndryshuar shumë.

“Kjo fushatë e Serbisë, që të krijojë një frikë, për neve është e papranueshme dhe do të bëjmë përpjekje që të ushtrojmë presion. Kjo është një politikë e përndejkjeve që e ushtron shteti serb, që nuk ka ndryshuar shumë. Ne jemi shtet sovran dhe i pavarur dhe do ta mbrojmë secilin individ dhe do ta mbrojmë që të kenë kujdes kur udhëtojnë në Serbi”.

“Ne nuk duam që prej rasteve të veçanta të marrim vendime të përgjithshme. Jo vetëm dialogut, por mund të dëmtojnë dhe kredibilitetin e një shtetit të ri, që krahas mbrojtjes së qytetarëve ne bëjmë përpjekje që të ruajmë edhe prestigjin”.