kukaj

Kukaj: Prishtina favorit për titull

Mbrojtësi i Prishtinës, Liridon Kukaj beson se skuadra e tij është favorite për t’u shpallur kampion i Vala Superligës së Kosovës në futboll, ndonëse pranon se edhe skuadra tjera garojnë për këtë trofe.

Periskopi.com Sporti

Kryeqytetasit janë lider në tabelë pas gjashtë javësh të zhvilluara, ku kanë grumbulluar 16 pikë, një më shumë sesa përcjellësi i parë, Trepça ’89.

“Ne sigurisht se jemi pretendent për titull, mirëpo ka mjaft skuadra tjera të mira dhe të forta në këtë garë. Se a jemi ne më të mirë se të tjerët, kjo do të shihet në fund të kampionatit”, deklaroi Kukaj për Periskopin.

Futbollisti me përvojë, thotë se prurjet e reja në skuadër kanë përforcuar kaltërebardhët, duke falënderuar edhe të gjithë ata të cilët i qëndrojnë afër këtij klubi.

“Futbolli është lojë kolektive, por sigurisht se ardhja e çdo futbollisti ka meritat e veta. Nuk diskutohet ardhja e Armend Dallkut, Debatik Currit, Ahmed Januzajt, Liridon Lecit e të tjerëve. Por, në këtë sukses të deritanishëm të gjithë futbollistët dhe të gjithë ata që janë afër klubit kanë merita”, shtoi ai.

Në fund, Kukaj foli edhe për krahasimin mes Prishtinës dhe Feronikelit, kjo e fundit skuadër kampione në fuqi.

“Kemi dëshmuar se kemi skuadër më të mirë sesa Feronikeli dhe kemi dëshmuar se kemi edhe shumë lojtarë tjerë të mirë në pankinën tonë”, përfundoi mbrojtësi prishtinas.

Në javën e shtatë lideri Prishtina zhvillon sfidën ndaj Ferizajt në stadiumin Agron Rama në Obiliq. /Periskopi.com