Mustafa: Qeveria e përkushtuar për bashkëpunim dhe kontribut në mbrojtjen e lirisë së mediave

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ku u diskutua lidhur me lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve.

Periskopi.com Lajme

Para gazetarëve të shumtë, kryeministri Mustafa tha se gazetaria, nga mjet i fuqishëm i fitimit të lirisë sot është instrument shumë i rëndësishëm i informimit, i edukimit dhe i jetës së qytetarëve.

Duke falënderuar për ftesën, kryeministri Mustafa tha se gazetarët po i mbajnë gjallë disa vlera themelore dhe shumë të rëndësishme të demokracisë, të aktivizmit qytetar, por edhe shumë aspekte tjera të jetës sociale të Kosovës.

“Dëshiroj të nënvizoj rëndësinë e mediave dhe të konstatoj se mediat po atë rëndësi të cilën e kanë pasur historikisht edhe në fazën e pavarësimit të Kosovës, vazhdojnë ta kenë edhe sot në ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, në ndërtimin e demokracisë dhe mbesin instrument tepër i rëndësishëm i informimit, edukimit, por edhe i jetës tjetër të qytetarëve”, tha kryeministri.

Më tej, kryeministri ka theksuar përkushtimin e Qeverisë që të bashkëpunojë me mediat dhe me gazetarët dhe të gjendet mënyra më e mirë se si t’i plasohen informatat dhe si të bashkëpunohet duke ruajtur pavarësinë e mediave.

“Sa i përket qasjes që ne kemi pas gjatë këtyre dy viteve të kaluara, ne i kemi dhënë prioritet komunikimit me publikun. Këtë prioritet e kemi dhënë veçmas përmes gazetarëve dhe përmes mediave tradicionale të Kosovës. Ne nuk kemi pasur shumë resurse humane, nuk kemi bërë shumë investime financiare dhe investime tjera materiale, nuk kemi pasur ndonjë kompani ose ndonjë strateg medial. Jemi fokusuar t’i mbajmë lidhjet me ju, të jemi transparent dhe t’i shfrytëzojmë mediat tona dhe gazetarët tanë. Nuk mund të vlerësoj se a kemi bërë mirë apo keq, por plotësisht do të pajtohesha me vlerësimin tuaj, sepse ju jeni ata që përcillni punën tonë dhe ju jeni ata që mund të jepni sugjerime, propozime, vërejtje, kritika etj. Jemi munduar të mbajmë konferenca të shumta, të japim intervista, të japim deklarata ditore, të kemi poashtu disa biseda telefonike për pyetjet tuaja, jemi bërë të qasshëm edhe në kontakte të ndryshme dhe jemi munduar të jemi të qasshëm edhe për opinionin. Ka pasur vërejtje edhe për qasjen në dokumente zyrtare. Është vlerësimi edhe në raportin tuaj, por mendoj se megjithatë është një përqindje e mirë, një përqindje e konsiderueshme, sepse rreth 80 për qind të këtyre kërkesave janë plotësuar. Kjo nuk do të thotë se ne jemi tërësisht të kënaqur, kemi hapësirë edhe më tutje dhe unë mbes i hapur që ta shfrytëzojmë edhe këtë hapësirë, në mënyrë që qasja të jetë sa më e madhe. Mirëpo, megjithatë vlerësoj se kjo duhet të mbetet në vlerësimin tuaj dhe që duhet së bashku të punojmë që të sigurojmë një qasje edhe më të madhe”, tha kryeministri.

Ndërkaq, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Mustafa theksoi angazhimin që të mos ndërhyjë në hapësirën e mediave, por të jap kontributin për mbrojtjen e lirisë së mediave dhe të gazetarëve në të gjitha aspektet, të cilat janë të garantuara dhe për të cilat është përcaktuar shoqëria kosovare.

Më tej, kryeministri Mustafa ka shpalosur dy aspekte ku Qeveria ka nevojë që të marr masa për përmirësimin e komunikimit.

“Së pari sa i përket qasjes në dokumente publike, edhe përkundër vlerësimeve të cilat i shpalosa më parë, mendoj se është evidente që duhet të krijojmë kushte edhe më të mira. Megjithatë mendoj se duhet të vlerësojmë se nga 103 shtete, ne jemi radhitur të 25-it në këtë aspekt, që mendoj se është një renditje e mirë edhe karshi vendeve në regjion edhe karshi vendeve tjera. Por, kjo assesi nuk më jep të drejtë që të jem i kënaqur, por të gjejmë hapësirë, meqenëse kemi bërë ndryshime të tilla dhe kemi arritur deri këtu, mund të arrijmë edhe standardet e fundit ndërkombëtare, të cilat paraqiten para nesh. Ne si Qeveri po punojmë në bashkëpunim me Bashkimin Evropian për të bërë ndryshimin e ligjeve ekzistuese të kësaj fushe, të Ligjit për qasje në dokumente publike, atë për klasifikimin e dokumenteve dhe për mbrojtjen e të dhënave personale dhe, mendoj se kjo mund të jetë një kontribut shtesë në margjinë të kësaj. Jemi të përkushtuar të bashkëpunojmë me juve, me shoqërinë civile dhe mediat veç e veç, me qëllim që të përmirësojmë informimin për qytetarët tanë dhe poashtu me këto ligje ne duam që të kemi një qeverisje më të mirë, të kemi programe reale, të cilat do të bëhen sa më transparente dhe që puna jonë të jetë sa më transparente për publikun. Vitin e kaluar ne kemi marrë masa dhe kemi miratuar Kartën për hapjen e të dhënave dhe aktualisht MAP po punon në hartimin e Planit për veprim për këtë kartë. Unë mendoj se me këtë do të mundësojmë që shënimet tona të jenë në ueb faqe, të përdoren nga shoqëria civile, nga ju, të përdoren edhe nga bizneset, në mënyrë që e gjithë puna e institucioneve publike, të jetë punë transparente për publikun dhe për qytetarët. Si lajm të mirë mund të kemi edhe angazhimin tani në suazat e përpunimit të përcaktimeve tona lidhur me shfrytëzimin e mjeteve nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit, sepse edhe në këtë aspekt kemi mundësi që të shfrytëzojmë mjetet e tyre për informim dhe shfrytëzimin për interesat tona të përbashkëta. Në Kryeministri tani kemi themeluar grupin punues për hartimin e një koncept dokumenti për shërbimin e komunikimit qeveritar me publikun. Edhe ky dokument, si të gjitha dokumentet tjera, do të diskutohet me ju, do të kalojë procedura e konsultimeve publike dhe do të mundohemi që të gjitha vërejtjet, sugjerimet tuaja t’i inkorporojmë në këtë dokument”, tha kryeministri.

Së dyti, kryeministri ka thënë se Qeveria do të marrë parasysh edhe sugjerimet dhe kërkesat e gazetarëve që të punohet më shumë në kthimin sa më shpejtë të përgjigjeve për gazetarë.

“Kemi kërkesa dhe nganjëherë kemi edhe vonesa të dhënies së përgjigjes, të krijimit të një forme permanente të komunikimit, që mund të konsistojë në një takim javor apo takime me gazetarë pas mbledhjes së Qeverisë, qoftë timin apo të përgjegjësve me komunikim me medie. Poashtu të avancojmë mjetet elektronike të komunikimit përmes ueb faqes ose formave tjera të komunikimit elektronik me ju”, tha kryeministri.

Ndërkaq, kryeministri Mustafa ka thënë po ashtu se ka situata kur institucione specifike mund të kenë nevojë që gjatë punës së tyre të kenë një diskrecion të caktuar.

“Kjo në asnjë rast nuk nënkupton se ne dëshirojmë të fshehim punën apo veprimtarinë tonë nga mediat. Ju garantoj se në të gjitha rrethanat kur kjo bëhet e lejueshme, ne do t’ju informojmë, në mënyrë që publiku të ketë informata për çdo veprimtari të Qeverisë, mirëpo duhet pas edhe mirëkuptimin tuaj se nganjëherë vijmë në situatë që disa procese nuk mund t’i japim drejtpërdrejtë ose t’i publikojmë në momentin kur ato i përgatisim ose momentin kur ato ndodhin, sepse vetë natyra e punës së këtyre proceseve kërkon një veprim të tillë”, tha kryeministri.

Duke folur për sfidat e Qeverisë në komunikim, kryeministri Mustafa tha po ashtu edhe gazetaria ballafaqohet me sfida të caktuara siç janë problemet me të ashtuquajturat “Lajmet e Rreme” , të cilat nuk janë gjithmonë të bazuara ose të vërteta, me një dinamizim shumë të shpejtë të portaleve, me dilemat që ekzistojnë rreth privatësisë ose rreth përdorimit të familjeve ose aspekteve tjera personale apo shfrytëzimin e fatkeqësive njerëzore për të bërë lajme për to.

“Por, shpresoj që me kalimin e kohës, bashkërisht do t’i kapërcejmë sfidat me të cilat ne po ballafaqohemi si shoqëri në tranzicion dhe si shoqëri, e cila krahas ndërtimit të institucioneve, ka nevojë t’i ndërtojë edhe mediat si pasqyrë tepër të rëndësishme të një shoqërie demokratike”, tha kryeministri Mustafa, duke shprehur interesimin e Qeverisë për të qenë e hapur, për të dëgjuar vërejtjet, sugjerimet dhe që të bëjë përpjekje maksimale që të sigurojë bashkëpunim sa më të frytshëm në të ardhmen./ Periskopi

 

Klubi kosovar transferon katër afrikanë

Liria e Prizrenit ka trenferuar katër futbollistë nga Afrika.

Periskopi.com Sporti

Odi Henry Chibueze (Nigeri), Mohamed Karim  (Gana), Asare Richards, (Gana) dhe Joel Deji Mayowa, (Nigeria) janë prezantuar në Prizren.

Dy janë mesfushorë ofanziv, njëri sulmues njëri mesfushor defanziv. Prezantimi i tyre u bë të hënën në stërvitjen e klubit.

“Sipas informacioneve që kemi dhe kërkimeve tona, të njëjtit pritet të jenë të dobishëm për klubin tonë. Menaxheri na ka pohuar se tërë kohën kanë punuar dhe janë të gatshëm për lojë. Po ashtu, FFK-ja na ka konfirmuar se të njëjtit kanë të drejt loje menjëherë”, ka thënë kryetari i Lirisë, Mirsad Çollaku për faqen e klubit.

Liria mposht Gjilanin, Hajvalia dhe Besa ndajnë pikët

Janë zhvilluar dy ndeshjet e para të javës së nëntë në Vala Super Ligën e Kosovës në futboll.

Periskopi.com Sporti

Liria ka mposhtur Gjilanin me rezultat minimal 1:0.

Golin e vetëm në këtë sfidë e shënoi Visar Berisha nga penaltia.

Në ndeshjen tjetër ndërmjet Hajvalisë dhe Besës nuk u shënua asnjë gol, duke përfunduar 0:0. /Periskopi.com

Trepça ’89 mposht Lirinë, merr kreun

Periskopi.com Sporti

Skuadra nga Mitrovica, Trepça 89 ka shënuar fitore të rëndësishmë 2:0 përballë Lirisë së Prizrenit në ndeshjen e zhvilluar në kuadër të javës së gjashtë të Vala Superligës së Kosovës në futboll.

Golat u shënuan nga Shpëtim Idrizi në minutën e 23 dhe John në minutën e 44.

Trepça 89 kryeson në tabelën e Superligës me 15 pikë, dy më shumë se Prishtina që ka një ndeshje më pak të zhvilluar. /Periskopi.com