Visar Ymeri

Ymeri: Edhe Hahn u pajtua të ketë hetime të pavarura për rastin Dehari

Pas takimit me krerët e partive politike në Kosovë, të ulur në një tryezë me komisarin evropian Johannes Hahn dhe nënkryetaren e Parlamentit Europian, njëherësh raportuese për Kosovën, Ulrike Lunacek, Visar Ymeri ka treguar se për çka kanë diskutuar.

Periskopi.com Lajme

Ai tha se ka ngritur çështjen e vdekjes së Astrit Deharit, për të cilën ka thënë se edhe komisionari Hahn ka kërkuar që të jetë hetim i pavarur dhe transparent, transmeton Koha.net.

“Unë ngrita fillimisht rastin e vdekjes së Astrit Deharit, ku shpreha mosbesimin që familja Dehari ka ndaj institucioneve që po e kryejnë hetuesinë ndaj këtij rasti se si e kanë administruar deri tash këto institucione këtë rast dhe për shkak të përgjithësisë kontaminimi të plotë të besueshmërisë të këtyre institucioneve ndaj rastit dhe përgjegjësisë që shteti e ka në këtë rast. Hahn nuk pat ndonjë përgjigje për këtë rast, përveç se shprehu ngushëllime dhe ai u pajtua se rasti duhet hetuar me hetime të pavarura dhe transparente”, ka thënë Ymeri pas takimit.

Ai ka treguar se aty është diskutuar edhe për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Europian dhe veçanërisht marrëveshja rreth demarkacionit dhe dialogut me Serbinë.

“Qëndrimi jonë është shumë i qartë se demarkacioni, në formën e vet është e papranueshme se është e padrejtë për territorin e Kosovës dhe shtetit në përgjithësi. Arroganca e shtetit dhe insistimi se o në këtë marrëveshje o do të mbesim në këtë pozicion është jashtëzakonisht i dëmshëm për çfarëdo zhvillimi në Kosovë”, shtoi Ymeri më tej.

Gjendja në vend, sipas Ymerit, është rënduar jashtëzakonisht shumë, teksa qytetarët kanë humbur çfarëdo besimi ose përkrahje për këto institucione dhe krerët institucional.

Mënyra e vetme se si Kosova mund të ecë përpara, Ymeri ka thënë se është nëpërmes një ndryshimi rrënjësor e jo me këto parti krerët e të cilëve janë të zhytur thellë në krim.

“Konsideroj se një ditë më tepër me këtë qeveri në krye do të ju kushtojë qytetarëve shumë, siç po vërehet se çfarëdo zhvillimi në Kosovë është stopuar dhe secili insistim të Qeverisë shkon në dëm të Republikës së Kosovës”, përfundoi Ymeri.

lideret e subjekteve politike

Përfundon gati tri orësh takimi i krerëve politikë me Hahnin e Lunaçekun

Ka përfunduar pas gati tri orësh takimi që pesë krerët e partive parlamentare në Kosovë kanë zhvilluar sonte me Komisionerin Johannes Hahn dhe nënkryetaren e Parlamentit Evropian Ulrike Lunaçek, e shefen e BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova.

Periskopi.com Lajme

Kadri Veseli i PDK-së, njëherësh kryeparlamentar e Isa Mustafa i LDK-së, njëherësh kryeministër i vendit nuk e kanë thënë asnjë fjalë pas takimit me gjithë interesimin e gazetarëve që kanë pritur aty për të mësuar detaje nga takimi që është mbajtur me dyer të mbyllura, raporton Koha.net.

Pas takimit megjithatë kanë folur Visar Ymeri i Vetëvendosjes, e Ramush Haradinaj nga AAK-ja. Të dy kanë thënë se zgjedhjet janë zgjidhja e vetme për të dalë nga situata në të cilën ndodhet vendi.

Komisioneri Hahn ka ardhur sot për vizitë zyrtare në Kosovë, kurse euro-deputetja Lunaçek, është në Kosovë që nga dje.

Të dy përfaqësuesit e lartë evropianë kanë pasur një agjendë të ngjeshur, ku kanë takuar përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës.

Johanes Hahn

Liderët e subjekteve politike nesër ulen në një tavolinë, jo te Thaçi

Komisioneri për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, nesër do të qëndrojë për vizitë në Kosovë.

Periskopi.com Lajme

Këtë vizitë ai do ta përmbyll me një takim me deputeten e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, e me të gjithë liderët e partive politike të Kosovës, për të diskutuar nevojën për tejkalimin e krizës politike në vend. Opozita ka deklaruar se do të jetë pjesë e këtij takimi.

Shkodran Hoti nga zyra për media e Lëvizjes Vetëvendosje, ka konfirmuar se kryetari i kësaj lëvizje, Visar Ymeri, do të jetë pjesë e takimit me komisionerin Hahn.

Ngjashëm si Ymeri, prezent në këtë takim do të jetë edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj. Këtë e ka konfirmuar anëtari i kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj.

E, për dallim nga Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nga Nisma për Kosovën në këtë takim nuk do të jetë i pranishëm lideri i subjektit, Fatmir Limaj.

Endrit Shala nga Nisma ka thënë për Telegrafin se Jakup Krasniqi do të jetë pjesë e këtij takimi, pasi të tjerët janë të zënë me fushatën zgjedhore në Drenas.

Vlen të theksohet se kjo është vizita e parë në rajon e komisionerit Hahn, pas miratimit të Pakos për Zgjerim. Vizita e tij do të jetë e fokusuar në lansimin e Agjendës së Reformave Evropiane.

Johannes Hahn / ARKIV

Hahn nesër në Kosovë, mbledh liderët e të gjitha subjekteve

Johannes Hahn, Komisioneri për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit do t’a vizitojë Kosovën të premten më 11 nëntor. Kjo është vizita e parë në rajon e Komisionerit Hahn pas miratimit të Pakos për Zgjerim dhe vizita e tij do të jetë e fokusuar në lansimin e Agjendës së Reformave Evropiane, raporton Periskopi

Periskopi.com Lajme

Gjatë vizitës së tij, Komisioneri do të takohet me autoritet politike duke përfshirë presidentin Hashim Thaçi, kryeparlamentarin Kadri Veseli, kryeministrin Isa Mustafa, zëvendës kryeministrin Branimir Stojanoviq dhe ministrin e punëve të jashtshme  Enver Hoxhaj. Komisioneri do t’a përmbyllë ditën me një takim së bashku me deputeten e Parlamentit Evropian Ulrike Lunaçek me të gjithë liderët e partive politike për të diskutuar nevojën për tejkalimin e krizës politike. Fotografi dhe video të vizitës do të jenë në dispozicion në platformat e mediave sociale të BE-së në Kosovë dhe në platformën “Europe by Satellite (EbS)”.

 

Ja agjenda e tij:

E premte, 11 nëntor 2016

13.15               Takim me presidentin Hashim Thaçi

13.50               Takim me kryeparlamentarin Kadri Veseli

14.30               Takim përshëndetës me kryeministrin Isa Mustafa

14.45               Lansimi i Agjendës për Reforma Evropiane me kryeministrin Mustafa

16.15               Konferencë për shtyp me kryeministrin Mustafa     

17.30               Takim me ministrin e punëve të jashtme Enver Hoxhaj

18.15               Takim me zëvendësministrin Branimir Stojanoviq

19.00               Tryezë e rrumbullakët e Komisionerit Hahn me eurodeputeten Lunacek dhe liderët e partive politike  (PDK, LDK, VV, AAK and NISMA) / Periskopi

 

Visar Ymeri

As Visar Ymeri nuk shkon në takimin e ftuar nga Hashim Thaçi

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri thotë se sot në zyrat e Lëvizjes ka mbërritur një ftesë nga Hashim Thaçi, i cili thotë se dëshiron të mbledhë partitë politike për një reformë zgjedhore.

Periskopi.com Lajme

“Tash, në kohën kur korrupsioni kronik i qeveritarëve të PDK e LDK në nivele qendrore e lokale është bërë publik edhe ndërkombëtarisht nuk kemi kohë për reformë zgjedhore – nevojiten zgjedhje! Tash kur institucionet e qeveria e Kosovës e kanë humbur legjitimitetin pas projekteve antikombëtare të kësaj qeverie, projekte që sollën tensionim të paparë mes qeverisë e popullit, nuk është koha për reforma por për zgjedhje”, thotë ai, raporton Periskopi

Ymeri nuk ndalet me kaq. thotë se ftesa vjen tash, kur sipas tij, populli i Kosovës i varfëruar deri në skaj e gjithnjë e më i papunë prej privatizimeve të kësaj klike po merr rrugët e emigrimit si pasojë e faktit që qeveria PDK-LDK nuk ka ndërmarrë asnjë politikë në ndihmë të ekonomisë e punësimit, tash s’është koha për reforma, por vetëm për zgjedhje.

“Zgjedhjet e reja, po të mbahen të ndershme, do të prodhonin legjitimitet për institucionet dhe mbi të gjitha do të sillnin mundësinë për ndryshim që aq shumë i duhet Kosovës. Pra, e refuzoj këtë ftesë për reformë zgjedhore. Zgjedhjet janë zgjidhja e vetme. Në të mirë të vendit”, thotë Ymeri./ Periskopi

Hashim Thaçi

Thaçi fton në takim liderët e partive politike

Presidenti Hashim Thaçi, ka ftuar në takim liderët e partive politike, ku do të diskutohet për reformën zgjedhore.

Periskopi.com Lajme

Në ftesën e presidentit të cilën e ka siguruar Ekonomia Online, thuhet se takimi do të zhvillohet nesër në ora 10:00 në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

ftesa

Kadri Veseli dhe Isa Mustafa

Liderët e Kosovës injorohen nga homologët botëror

Presidentin e Kosovës, kryeministrin dhe kryeparlamentarin po refuzojnë t’i takojnë homologët e tyre ndërkombëtarë. Në “gishta të duarve” mund të numërohen pritjet e këtyre tre liderëve jashtë vendit.

Periskopi.com Lajme

Derisa nga drejtuesit e institucioneve vendore mungesën e vizitave e arsyetojnë me zhvillimet e brendshme politike, përfaqësuesit e opozitës thonë se “liderët e lidhur me krimin askush s’i takon”.

Lidershipi kosovar vazhdon të përballet me izolim ndërkombëtar.

Pritjet e organizuara shtetërore për presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Isa Mustafa, si dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli nga homologët e tyre ndërkombëtarë mund të numërohen në “gishtat e duarve”.

Kjo për faktin se mënyra e qeverisjes së tyre në Kosovë nuk po i bind liderët botërorë se duhet pritur në zyrat e tyre tre liderët kryesorë të vendit.

Derisa drejtuesit e tri institucioneve qendrore të Kosovës mungesën e mjaftueshme të vizitave zyrtare jashtë shtetit e arsyetojnë me zhvillimet e brendshme politike, përfaqësues të opozitës, si dhe analistët politikë thonë se është i qartë injorimi që u bëhet udhëheqësve kosovarë nga homologët e tyre evropianë dhe botërorë. Dhe ky “izolim”, sipas tyre, po ndikon keq në imazhin e Kosovës.

Thaçi-Veseli-Mustafa

Tre krerët e lartë të shtetit, shkelin sërish ligjin, dalin njëherësh jashtë shtetit

Në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër sonte nuk mund të jenë të gjithë fizikisht, por së paku do të jenë me zemër dhe pranë televizionit për të parë ndeshjen Kosovë-Kroaci.

Periskopi.com Lajme

Por ata që nuk e kanë lëshuar një rast të tillë t’iu ikë nga duart janë krerët e shtetit.

Lajmi.net merr vesh se sonte në stadiumin e Shkodrës për të parë këtë ndeshje janë Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, i cili këtë edhe e ka deklaruar më herët, raporton lajmi.net

Por atje sonte janë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. E përveç tij, drejt qytetit kryesor të veriut të Shqipërisë ka udhëtuar edhe kryeministri i vendit, Isa Mustafa.

Në anën tjetër, dalja e tre zyrtarëve të lartë të shtetit është kundër Ligjit të Protokollit të Shtetit, pasi praktikisht vendi mbetet pa asnjërin prej zyrtarëve të lartë.

Kjo është e sanksionuar në Ligjin Nr. 03/L-132 për protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës, saktësisht, kreu IV që flet për ceremonialin zyrtar të autoriteteve të larta të shtetit.

Kjo do të thotë se në rast të ndonjë ngjarje të jashtëzakonshme në Kosovë, askush nuk do të jetë në gjendje të japë ndonjë urdhër, pasi kështu parashikohet me ligj.

Në këtë Ligj, në nenin 19, pika 4, saktësisht shkruan se “ Protokolli i Shtetit vihet ne dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të personaliteteve kryesore, Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit jashtë shtetit. Vizitat bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit”.

Arsyeja pse Protokolli i Shtetit që funksionin në kuadër të Ministrisë së Punëve të jashtme e që merret me të gjitha përgatitjet e vizitave brenda e jashtë vendit të zyrtarëve të lartë shtetërorë, përfshirë edhe ministrit të Punëve të Jashtme është që vendi të mos mbetet me vakuum institucional.

E kjo nuk është hera e parë që Presidenti, kryeministri e Kryetari i Kuvendit, shkelin këtë ligj.

Kështu kanë vepruar edhe me rastin e ceremonisë së shenjtërimit të Nënë Terezës në Vatikan, javë më parë.

Në atë meshë ishin të pranishëm që të tre, duke e lënë vendin në mëshirën e askujt.

Sa lehtë largohen nga politika udhëheqësit britanik

Më 24 shtator 2016, Jeremy Corbyn u rizgjodh kryetar i Partisë Laburiste të Mbretërisë e Bashkuar. Ai u zgjodh për herë të parë në 2015. Pas referendumit për largimin e Britanisë nga BE, Corbyn u akuzua si një njeri “i vakët” dhe me udhëheqje të dobët. Figura të rëndësishme brenda partisë e akuzuan se ai po punonte kundër partisë dhe kishte objektiva të kundërta me të.

Periskopi.com Lajme

Disa nga deputetët e tij kërkuan një mocion mosbesimi, të cilin ai e humbi. Pas, kritikave të vazhdueshme për mungesë udhëheqësie dhe krisja e marrëdhënies me grupin parlamentar, partia vendosi mbajtja e zgjedhjeve të reja për kryetar partie. Corbyn fitoi sërish, me 61.8 për qind, një diferencë në rritje krahasuar me zgjedhjet e 2015-ës.

Pavarësisht rezultatit, ky është një shembull i vërtet i funksionimit të demokracisë brenda partive. Elitat politike në perëndim qarkullojnë i nënshtrohet zgjedhjeve brenda partisë, duke i lënë vend politikanëve të rinj. Në më pak se dy vjet në Britani ka ndryshuar e gjithë elita politike.

Disa nga drejtuesit kryesorë politik kanë ikur nga drejtimi i partisë edhe pse mund të kishin shumë pak kohë në krye të saj, apo ta kishin drejtuar atë në fitore.

Pas zyrtarizimit të rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2015 në Britani u dorëhoqën disa figura të rëndësishme politike:

Ed Miliband, kryetari i opozitës dhe partisë së dytë në vend, Partisë Laburiste. Ai kishte 5 vjet në krye të partisë.

Nick Clegg, kryetari i Partisë Liberale Demokrate, partia e tretë në vend. Ai u zgjedh kryetar i partisë në vitin 2007. Gjatë zgjedhjeve të vitit 2015 partia e tij humbi 47 deputet duke përfunduar nga 59 deputet në vitin 2010 në tetë deputet në vitin 2015.

Pas referendumit të 23 qershor 2016, ku Britania vendosi të dalë nga Bashkimi Evropian figurat kryesore politike në vend u dorëhoqën. Ata u larguan për t’i hapur rrugë politikanëve të rinj brenda partisë së tyre dhe në përgjithësi në politikën britanike.

Kryeministri David Cameron, udhëheqësi i fushatës pro qëndrimit në Bashkimin Evropian. Ai dha dorëheqjen menjëherë pas zyrtarizimit të rezultatit të referendumit. Ai tha se vendit i duhet drejtues të rinj për ta udhëhequr në këtë drejtim të ri.

Ministri i Financave George Osborne, mbështetës i fushatës pro qëndrimit në BE. George Osborne, krahu i djathtë i kryeministrit Cameron, konsiderohej si lideri i ardhshëm i konservatorëve.

Kreu i UKIP Nigel Farage, arkitekti  dhe udhëheqësi kryesor i fushatës Brexit. Ai dha dorëheqjen nga drejtimi i partisë së tij, menjëherë pas zyrtarizimit të rezultatit të referendumit. Zoti Farange dha shembullin se dorëheqja nuk është vetëm për humbësit.

Gjithashtu, politikanë të tjerë nuk pranuan kandidimet apo rikandidimet për hir të ndërrimit të klasës politike në vend, si:

Ish kryebashkiaku i Londrës, Boris Johnson, njëkohësisht dhe kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Partisë Konservatore në tetor 2016 pas dorëheqjes së Kryeministrit Cameron, deklaroi se nuk do të kandidonte për drejtimin e partisë.

Në shtator të 2016, Natalie Bennet, kreu i Partisë së Gjelbër nuk rikandidoi më për kreun e partisë, duke u tërhequr nga funksionet drejtuese në parti. Ajo u zgjodh në krye të partisë së Gjelbër vetëm 6 vjet pasi ishte anëtarësuar në të. Në 2015, nën drejtimin e Zonjës Bennet, Partia e Gjelbër pati një rritje të ndjeshme të mbështetësve.

Pothuaj të gjithë ata që janë dorëhequr nga postet e larta shtetërore, kanë preferuar të largohen nga skena politike apo të mbajnë një profil shumë të ulët.

James Gordon Brown, ish kryeministri laburist i MB-së, pasi u largua nga drejtimi i qeverisë dhe partisë në vitin 2010, ruajti postin si deputet por mbajti një profil shumë të ulët politik. Zgjodhi të përfshihej në çështjen e referendumit të Skocisë, por nuk ndërhyri më në drejtimin e Partisë Laburiste.

David Miliband, vëllai i Ed Miliband, që në 2010 konsiderohej si kandidati kryesor për kreun e Partisë Laburiste, u largua nga politika edhe pse në zgjedhjet brenda partisë humbi me më pak se një për qind diferencë. Po ashtu, Ed Miliband, pas dorëheqjes ka mbajtur një profil shumë të ulët në parlament.

Po ashtu, ish-kryeministri Cameron, pas zyrtarizimit të rezultatit të Brexit, jo vetëm u largua nga drejtimi i qeverisë dhe Partisë Konservatore, por tre muaj më pas, dorëzoi dhe mandatin e deputetit. Konservatorët, nën drejtimin e Cameron, fituan mandatin e dytë për të qeverisur në 2015-ën.

Largimi nga çdo pozicion politik, si në rastin e Cameron, vendosi një standard të ri, pasi më parë, kryeministrat e dorëhequr kanë mbajtur mandatin e deputetit, por kanë ruajtur një profil të ulët./ Exit.al