Arban Abrashi

Abrashi: 7500 kosovarë morën leje pune në Gjermani

Bashkëpunimi Kosovë - Gjermani, rreth hapjes së tregut të punës në Republikën Federale të Gjermanisë, tani po jep rezultatet konkrete, kjo pasi 4 nga 5 aplikantë nga Kosova po marrin leje pune në Gjermani.

Periskopi.com Lajme

Këtë e ka konfirmuar ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi përmes një postimi në Facebook.

Ai ka thënë se vetëm deri në gusht 2016, 9165 qytetarë të Republikës së Kosovës aplikuan për leje pune në Gjermani, dhe nga këto aplikime, përgjigje pozitive morën 7530, ndërsa, sipas tij, ky zhvillim i ka kontribuar rënies, pothuaj në zero, të migrimit ilegal.

“Javën e ardhshme një delegacion Qeveritar i Kosovës do të qëndroj në Berlin, për marrëveshjen për ndihmë financiare, ku në funksion të nxitjes së punësimit në vend, edhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale do të përfitoj. Këto zhvillime pasqyrojnë marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve”, ka theksuar Abrashi.

Gjithsesi, synimi i ynë kryesor, ka thënë më tej ministri i Punës, Arban Abrashi, është hapja e vendeve të punës në Kosovë, “prandaj ky punësim i përkohshëm ndihmon në transferin e njohurive dhe shkathtësive, tejet të nevojshme për zhvillimin dhe avancimin e ekonomisë së Kosovës, posaçërisht tani kur vërejmë një prezencë të theksuar të investitorëve gjermanë”.