auto-kufiri-kolonat1431638931

Kthehen mbrapsht kosovarët që nuk kanë autorizimet e veturave në serbisht

Policia e Serbisë po kthen qytetarët e Kosovës të cilët me vetura po mësyjnë shtetin fqinjë e që nuk kanë autorizimet për ngasjen e veturave të përkthyera në gjuhën serbe. Noterët po detyrohen që shqiptarëve që synojnë të shkojnë në Serbi t'iu shkruajnë autorizimet edhe në serbisht

Periskopi.com Lajme

Ai ka bërë 75 kilometra deri në pikën kufitare të Depcës.

Por, ndonëse kishte të gjitha dokumentet e nevojshme për të kaluar me veturën e të vëllait të tij në Serbi, Flamur Ejupi nuk ka arritur të kalojë kufirin me veturë.

Autorizimin që kishte marrë tek një noter në Prishtinë për të ngarë veturën që kishte në emrin e vëllait e kishte vetëm në gjuhën shqipe, që nuk është pranuar nga policët kufitarë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

“E kalova kufirin e Kosovës mirëpo sapo arrita në anën serbe më urdhëruan se duhet të kthehem apo të kaloj pa veturë, pasi autorizimin e kisha vetëm në gjuhën shqipe. Vetura është e regjistruar në emrin e vëllait tim dhe për ta ishte e papranueshme që ishte vetëm në gjuhën shqipe”, thotë Ejupi.

Dy orë në kufi “sherri” i autorizimit shqip

Ai ka thënë se ka pritur rreth dy orë në kufi mes Kosovës dhe Serbisë, derisa një familjar i bashkëshortes së tij ka shkuar nga Presheva për ta marrë me veturë të regjistruar në Serbi.

“Një person tjetër u kthye mbrapsht pasi edhe ai kishte të njëjtin problem”, tregon burri rreth 40 vjeç.

Ai ka thënë se vendi ku kanë pritur ishte shumë i bezdisshëm.

“Dy orë aty me fëmijë. Ata nuk rrinin. Kur dilnin nga vetura ishte shumë ftohtë”, thotë Ejupi për “Zërin”.

Sipas tij, gjithë këto lojëra po bëhen nga ana e Serbisë, pasi pala kosovare nuk është treguar syçelë për të siguruar materiale të nevojshme siç është letërngjitësi që do të mundësonte respektimin e Marrëveshjes për qarkullimin e lirë për dy palët.

Daut Haradinaj

Haradinaj thotë se njoftimi i MPJ-së “mos udhëtoni në Serbi”, është humor i zi

Njoftimi i MPJ-së lidhur me arrestimet në Serbi ku kërkohet që shtetasit e Kosovës të shmangin kalimin në territorin e Serbisë, deputeti i AAK-së Daut Haradinaj i ka cilësuar si “humor i zi”.

Periskopi.com Lajme

Ai në Rubikon të KTV-së ka thënë se të gjithë ata të cilët gjenden në listën e veteranëve të luftës shihen si terroristë nga Serbia dhe si të tillë do të arrestohen në momentin e parë që gjenden në territorin e tyre.

“Humor i zi, kurrgjë ma shumë nuk është. Serbia nuk e konsideron Kosovën shtet dhe jo vetëm në Interpol, për secilin qytetar që e shohin si të dyshimtë. Bëj thirrje publike, të gjithë ata që gjenden në listat e veteranëve të luftës, ata nuk e gëzojnë lëvizjen e lirë pasi Serbia i sheh si terroristë, ke kryer apo jo vepër, për mua është çlirimtarë, për atë është terrorist”, ka thënë Haradinaj.

“Institucionet e Kosovës duhet me kërku pezullimin e këtyre listave të paktën në zonën Schengen”, shtoi tutje Haradinaj.

Edita Tahiri ne Sfirce

Tahiri vendos gurëthemelin e kufirit me Serbinë, në fshatin që nuk ka rrymë

Dje është vënë gurthemeli për pikëkalimin e ri kufitar në Kapinë e Sfircës, që është rezultat i dialogut të Brukselit dhe Marrëveshjes së arritur në Bruksel, më 21 maj 2015.

Periskopi.com Lajme

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, e cila vuri gurthemelin e pikës së re kufitare mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, te Kapia e Sfircës, tha se është shumë e gëzuar që u arrit ky sukses, sepse kjo pikë e re kufitare do të afroj më shumë shqiptarët e Luginës së Preshevës me Kosovën, por dhe gjithë qytetarët dhe komunitetet këndej dhe andej kufirit, raporton Periskopi

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës së pari ju uroj këtë ditë të rëndësishme për të gjithë Kosovën, gjithë qytetarët dhe komunitetet, veçmas për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Qeveria jonë ndihet krenare me këtë arritje që është në dobi jo vetëm për lëvizjen më të lirë të qytetarëve, por edhe për zhvillimin ekonomik dhe social të këtyre zonave kufitare, sidomos për Kamenicën që nuk është më një zorrë qorre dhe për Medvegjën dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës që kanë nevojë për zhvillim dhe prosperitet”, tha ministrja Tahiri.

Ajo tha se kjo ngjarje shënon zbatimin e marrëveshjes së Brukselit të IBM për pikën e re kufitare, të arritur në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë dhe e cila po zbatohet nga të dyja shtetet. Ajo theksoi se zbatimi i marrëveshjeve i jep suksesin e pritur dialogut të Brukselit dhe kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore mes dy shteteve.

“Kjo pike e re kufitare te Kapia e Sfircës në bazë të analizave të bëra nga institucionet tona do të shkurtoj rrugën mes Kamenicës dhe Medvegjës për reth 80 km, pra në vend të dy orë udhëtimi, tani më qytetarët do të udhëtojnë vetëm një orë për të mbërritur në Kosovë dhe anasjelltas. Shpresoj se kjo do të nxisë më shumë bashkëpunim, lidhje më të fuqishme mes shqiptarëve dhe do të nxis shqiptarët e Medvegjës të kthehen në vendlindje. Dëshiroj t’ju bëjë me dije se për të arritur këtë marrëveshje nuk ka qenë fare e lehtë, por ia dolëm falë këmbëngulësisë së palës tonë por me këtë rast vlerësoj kontributin e të dyja udhëheqjeve komunale, të Kamenicës dhe Medvegjës me të cilat jam takuar disa herë për këtë qëllim dhe të cilët kanë qenë po ashtu mjaft këmbëngulës”, tha ministrja Tahiri.

Po ashtu, ajo vlerësoj lartë angazhimin e Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme si dhe tërë Grupit punues për Marrëveshjen e Brukselit për pikë kalimin në Kapinë e Sfircës, Shaban Guda drejtor i policisë kufitare, Dren Zeka, koordinator i Grupit punues, Bekim Mehmetaj, drejtor i IBM në Doganën e Kosovës, Driton Gashi, sekretar i përgjithshëm i MPB, Arben Çitaku sekretar i përgjithshëm, MMPH,  Qemajl Marmullakaj antarë i Grupit punues.

Ceremonia e vënies së gurthemelit të pikës kufitare te Kapia e Sfircës ishte organizuar nga Komuna e Kamenicës dhe në të morën pjesë edhe Begzad Sinani, Kryetar i Komunës së Kamenicës, Fatmir Matoshi, zv.Kryetar i komunës së Kamenicës, Dren Zeka, koordinator i Grupit punues qeveritar për Marrveshjen e IBM, Fahri Gashi  u.d. drejtor i doganeve, Shaban Guda, drejtor i Policisë Kufitare, Bekim Mehmetaj, drejtor i IBM në Doganën e Kosovës si dhe këshilltarët politikë të ministres Tahiri, Elona Cecelia dhe Ramize Sejdiu. Nga komuna e Medvegjës e Bujanovcit ishin prezent Shaip Kamberi, Kryetar i Komunës së Bujanovcit dhe Leme Xhema, nënkryetare e komunës së Medvegjës si dhe qytetar të shumtë të dy komunave.

Ministrja Tahiri po ashtu vizitoi edhe fshatin Sfircë me ç’rast u takua me banorët e fshatit të cilëve ua dha lajmin e mirë që së shpejti do kenë funrizim me rrymë pas shumë vitesh.

Ministrja me këtë rast deklaroi: “Nga mediat e kam kuptuar se fshati Sfircë në një pjesë të saj nuk ka rrymë elektrike. Më ka prekur lajmi dhe kam ndërmarrë një iniciativë humanitare që së bashku me KEDS-in ta zgjidhim këtë problem, t’i japim dritë Sfircës. Falënderoj KEDS-in për gatishmërinë dhe shumë shpejtë do të keni energji eklektike dhe drita. Ky fshat ka dhënë kontribut për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, dhe këtë e dëshmon kontributi dhe sakrifica edhe e heroit Nuhi Berisha dhe respekti dhe nderimi për të do të jetë i përhershëm”.

Ajo vizitoi shtëpinë ku ka lindur Nuhi Berisha dhe u shpreh e bindur se kjo shtëpi do të jetë një muze i luftës sonë, për të cilën Kuvendi i Kosovës ka iniciuar procedurat./ Periskopi