Naim Bazaj

PDK-së po i ngushtohet rrethi në Drenas, i kërcënon anëtari nga brenda

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Drenasit, Naim Bazaj, edhe një herë ka konfirmuar se do të kandidojë për të marrë drejtimin e kësaj komune. Në rast se nuk e kandidon partia e tij, PDK-ja, thotë se garës do t’i hyjë si kandidat i pavarur.

Periskopi.com Lajme

Naim Bazaj është duke pritur një përgjigje nga kryetari i PDK-së Kadri Veseli, për t’i hyrë edhe zyrtarisht garës për të parin e Drenasit, pas dorëheqjes së ish-kryetarit Nexhat Demaku.

Edhe pse ndërkohë fushatën për vete e ka nisur, ende pa u shpallur nga Presidenti i vendit data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të kësaj komune.

Duke folur për Gazetën Express, Naim Bazaj tha se edhe në rast e Partia Demokratike e Kosovës nuk e përzgjedh atë si përfaqësues të saj në garën zgjedhore, ai do të synojë postin e kryetarit të Drenasit, si kandidat i pavarur.

Madje, është i bindur për fitore. Thotë se mos kandidimi i tij do ta dobësojë edhe PDK-në, që për 17 vite rresht drejton këtë komunë.

“Mu më kanë nominu elektorati në Drenas, bashkia më e madhe e jona, që i ka 5800 votues janë zotuar se nuk lëshojnë pe dhe do të më mbështesin pa marrë parasysh a do të jem kandidat i PDK-së, apo jo. Nëse nuk jam, i pavarur do të dal, dhe fitoren e kam bindëse”, i tha Bazaj, të mërkurën.

“Kam marrë nënshkrimet e këshillit drejtues, kryesisë dhe drejtuesve të nëndegëve, të cilat personalisht ja kamë dërgu kryetarit Kadri Veselit”, tregoi Bazaj.

Ky prononcim erdhi pasi mediat raportuan, po të mërkurën, se PDK-ja në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas do ta kandidojë ambasadorin e Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladorvci. Megjithatë, edhe në rast se kjo ndodh Bazaj sërish tregohet i bindur se do të jetë ai i pari i komunës në të cilën aktualisht drejton asamblenë komunale të saj.

“Le ta qesin kanë të dojnë, por unë jau urojë humbjen e madhe, definitivisht. PDK nëse fillon me këto përçarje atëherë as 20% nuk do ti merr. As për balotazh”, i tha gazetës Naim Bazaj.

Ndryshe, kandidimin e ambasadorit Lladrovci se kanë konfirmuar ende as PDK-ja. Madje, Nënkryetari i parë i PDK-së, Basri Musmurati, ka thënë e ende nuk ka asgjë për këtë çështje.