Kryeprokurori i Shtetit urdhëron ekspertizë mjekoligjore të trupit të vajzës së policit

Periskopi.com Lajme

Kryeprokurori i Gjilanit, Jetish Maloku ka urdhëruar që t’i kryhet obduksioni trupit të pajetë të Mediana Thaçit që dyshohet se u vetëvra.

Maloku i ka thënë Insajderit se ka dhënë urdhër që trupi i vajzës 17 vjeçe nga Rogana e Kamenicës të dërgohet në Prishtinë për obduksion.

“Sapo kam urdhëruar që menjëherë trupi të dërgohet për obduksion në Prishtinë. Obduksioni do të kryhet gjatë natës dhe nesër do t’i kthehet familjes për varrim”, ka thënë Maloku.

Maloku ka thënë se këtë urdhër e ka dhënë me kërkesë të kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Këtë vendim Maloku e ka marrë pak pas raportimit të Insajderit se prokurorja e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Rabije Jakupi, nuk ka lejuar kryerjen e ekspertizës mjekoligjore. Si pasojë, trupi i ishte kthyer familjes për varrim.

Mediana Thaçi, ka vdekur si pasojë e shkrepjes së një plumbi nga një armë me leje që besohet se ka qenë e axhës së saj. E ndjera është vajza e një polici të Kosovës.

Insajderi ka zbuluar se vajza ka vdekur si pasojë e goditjes nga një plumb në zemër.

Megjithëse, vajza ka vdekur në rrethana të paqarta si pasojë e gjuajtjes me armë, prokurorja e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Rabije Jakupi nuk ka lejuar që trupit të pajetë t’i kryhet obduksioni.

Punëtorët e PTK-së i kërkojnë kryeprokurorit të pezullojë vendimin e Arbitrazhit

Federata Sindikale e PTK-së, me shqetësimin me të madh ka marr lajmin për Vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit me seli ne Vjene e cila e obligon Telekomin e Kosovës që Z-Mobil(Devolli Group) t’ia paguaj 26.1 milion euro, dhënien e 100.00 numrave dhe gjithashtu ti jepen shërbimet e 3 G dhe 4 G.

Periskopi.com Lajme

FSP-PTK, ua përkujton se para lidhjes së kësaj kontrate në janarit të vitit  2009, sindikata dhe punonjësit e PTK-së,  kanë qenë kundër saj duke i njoftuar të gjitha institucionet relevante se  pasuria publike e  PTK-së, po tjetërsohet nga interesat e klaneve të lidhura me kompaninë Devolli Grup.

Me ketë rast ne kishim bërë edhe një peticion të nënshkruar nga të gjithë punonjësit e PTK-së, ku janë paralajmëruar për mos ta nënshkruar ketë kontratë Bordi dhe Menaxhmenti i atëhershëm i PTK-se.

Institucionet që janë paralajmëruar atëherë kanë qenë Kuvendi dhe Qeveria që të reagojnë në parandalimin e nënshkrimi të kësaj kontrate të dëmshme për PTK-në dhe Kosovën. Kjo kontrate është e favorshme vetëm për  klanet mafioze te cilat nga ajo kontratë presin përfitime.

FSP-PTK, kërkon nga instuticionet e drejtësisë që edhe një herë ta rishqyrtoi ketë kontratë me pasoja të rënda jo vetëm për Telekomin e Kosovës por për të gjithë ekonomin e Kosovës sepse ka bazë dhe prova të mjaftueshme që kjo kontratë përmban dispozita që e favorizon Z- Mobile dhe Devolli grupin.

FSP-PTK, kërkon nga Prokuroria e shtetit konkretisht nga Kryeprokur z. Aleksandër Lumëzi që të përdor autoritetin e vet dhe të bej pezullimin e këtij vendimi pasi qe ekzekutimi i këtij vendimi shkakton dem të madh të pasurisë publike dhe interesat publik. Ky ekzekutim i këtij vendimi mund të sjellë dhe prishjen e rendit publik të paraparë me Ligjin për Arbitrazh dhe legjislacionin tjetër në fuqi.

FSP-PTK, edhe një herë kërkon hetim të detajuar nga prokuroria e Shtetit të kësaj kontrate,si dhe vendimeve të ARKEP dhe kryesuesit te atëhershëm z. Ekrem Hoxha.

Po ashtu kërkon nga Bordi i Drejtoreve dhe Menaxhmenti i TK-së ta shkëpus menjëherë Kontratën ne fjale me Z-Mobil(Devolli Group)

FSP-PTK, kërkon nga Devolli Grup që të heq dorë nga plaçkitja dhe rrënimi i një Ndërmarrje Publike dhe Strategjike për Shtetin e Kosovës.

Nëse Devolli Grup, nuk heq dore nga zbatimi i vendimit të Arbitrazhi dhe Qeveria e Kosovës si aksionar nuk merr veprime për parandalimin e këtij vendimit, ne si FSP-PTK, jemi të shtrënguar të marrim veprime sindikale dhe të tjera në mbrojte të aseteve të TK-së, të cilat me mundin dhe djersën e këtyre punonjësve janë ndërtuar.

Miftaraj: Shtëpia e Lumezit duhet të mbikëqyret me kamera

Qeveria e Kosovës ka dështuar të ndërtojë një sistem të mirëfilltë për të mbrojtur gjyqtarët dhe prokurorët e vendit, ka thënë Ehat Miftaraj, Instituti Kosovar për Drejtësi në Ora e Fundit në Klan Kosova.

Periskopi.com Lajme

“Qeveria e ka neglizhuar mbrojtjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ne e kemi kritikuar edhe Qeverinë e Kosovës se si bëjnë mbrojtjen për gjyqtarë dhe prokurorë”, ka thënë Miftaraj.

Megjithatë ai ka thënë se gjyqtarët dhe prokurorët duhet të tregojnë profesionalizëm dhe guxim në punë.

Miftaraj, duke folur për rastin e vjedhjes në shtëpinë e Kryeprokurorit, Aleksander Lumezi, tha se Lumezi është megjithatë i privilegjuar, pasi ruhet 24 orë.

“Përderisa Kryeprokurori ka fatin që të ketë mbrojtje 24 orë, përkundër se e padobishme, këtë fat nuk e kanë të tjerët. Kryeprokurori është i privilegjuar në raport me kryetarin e gjykatës Supreme dhe të tjerët”, ka thënë Miftaraj.

Ai shtoi se është gjithsesi e çuditshme se si përkundër se ruhet nga policia shtëpia e Lumezit, dhe ndonëse aty duhet të ketë kamera, rasti ende nuk po zbardhet.

“Shtëpia e Lumezit duhet të ketë kamera dhe ato kamera është dashur të kapin ndonjë sinjal. Megjithatë ne duhet të presim, mos të supozojmë, derisa drejtësia të japë fjalën e saj. Edhe policia edhe prokuroria ta konsiderojë këtë rast si top prioritet që të zbardhet e vërteta sa më shpejtë që të jetë e mundur”.

Kryeprokurori në aksion, pas letrave të Hashim Thaçit

Prokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka pranuar dje shkresat e dërguara nga ana e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.

Periskopi.com Lajme

Nëpërmjet një komunikate për media, Lumezi bën të ditur edhe për hapat që janë ndërmarrë siç është ai për themelimin e Departamentit për Krime Lufte.

“Prokurori i Shtetit konsideron se letra e Presidentit të Republikës së Kosovës është në përputhje me objektivat e Prokurorit të Shtetit, dhe se për mënyrat se si të arrihet deri te një situatë e tillë, tashmë ka kohë që janë diskutuar modalitete brenda zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, andaj nga kjo edhe rrjedh se kurdoherë që një kërkesë është në pajtim me objektivat dhe mandatin e Prokurorit të Shtetit, kërkesat e tilla do të trajtohen dhe adresohen me seriozitet dhe përkushtim profesional e maksimal”, thuhet në komunikatë.

Kryeprokurori ka theksuar se gjatë hetimeve të zhvilluara janë lëshuar deri më tani 6 letër rreshtime me 15 persona, ndërsa që janë trajtuar dhe po trajtohen edhe 24 raste të dhunimeve seksuale të kryera gjatë luftës.

“Deri më tani sa u përket këtyre rasteve janë lëshuar gjithsej 72 letër rreshtime për të pandehurit dhe në momentin e parë që do të jetë e mundshme, ata do të arrestohen dhe do të dërgohen para drejtësisë”, thuhet më tej në komunikatë.

Komunikata e plotë e Prokurorit të Shtetit:

Prokurori i Shtetit, konfirmon se dje ka pranuar katër shkresa nga ana e Presidentit të Republikës së Kosovës, shkresa këto të ngjashme me fjalën e Presidentit të Kosovës në konferencën e organizuar për media.

Prokurori i Shtetit, edhe njëherë konfirmon përkushtimin e tij kushtetues dhe ligjor në ndjekjen, hetimin dhe dërgimin para gjykatave e të gjithë atyre që kanë kryer vepra penale.

Në këtë drejtim ne tashmë kemi bërë hapa konkret në luftimin e shumë dukurive negative kurse më datë 13.05.2015, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka marrë vendim me të cilin ka themeluar Departamentin për Krime Lufte në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, më 08.01.2016, KPK ka caktuar dy prokurorë në Departamentin e Krimeve të Luftës, me qëllim të rritjes së resurseve brenda Prokurorisë Speciale, e me fokus të posaçëm në hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës, kështu tashmë PSRK ka në punë gjithsej 167 raste me 456 persona, nga prokurorët e EULEX-it janë transferuar 69 raste me 218 persona tek prokurorët vendor në Departamentin e Krimeve të Luftës në kuadër të PSRK-së.

Krimet e luftës të ndodhura në: Mejë, Dubravë, Qyshk, Lubeniq, Grashtica dhe Krusha e Madhe, janë lëndë në të cilat po punojnë prokurorët dhe ata po punojnë intensivisht për përfundimin e tyre.

Gjatë hetimeve të zhvilluara janë lëshuar deri më tani 6 letër rreshtime me 15 persona, ndërsa që janë trajtuar dhe po trajtohen edhe 24 raste të dhunimeve seksuale të kryera gjatë luftës.

Deri më tani sa u përket këtyre rasteve janë lëshuar gjithsej 72 letër rreshtime për të pandehurit dhe në momentin e parë që do të jetë e mundshme, ata do të arrestohen dhe do të dërgohen para drejtësisë.

Andaj, Prokurori i Shtetit konsideron se letra e Presidentit të Republikës së Kosovës është në përputhje me objektivat e Prokurorit të Shtetit, dhe se për mënyrat se si të arrihet deri te një situatë e tillë, tashmë ka kohë që janë diskutuar modalitete brenda zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, andaj nga kjo edhe rrjedh se kurdoherë që një kërkesë është në pajtim me objektivat dhe mandatin e Prokurorit të Shtetit, kërkesat e tilla do të trajtohen dhe adresohen me seriozitet dhe përkushtim profesional e maksimal.

Për më tepër, Prokurori i Shtetit ka obligim kushtetues dhe ligjor të mbroj interesin publik para gjykatave të vendit, ndërsa që mirëpresim vullnetin politik në rritje për të fuqizuar luftën kundër krimit.

Në këtë drejtim Prokurori i Shtetit do të bëj gjithçka në mundësitë e tij kushtetuese dhe ligjore, për të kontaktuar të gjitha mekanizmat vendor e ndërkombëtar në marrjen e dosjeve ku mund të gjenden prova rreth pretendimeve për krimet e ndodhura gjatë dhe pas luftës së vitit 1999.

Sidoqoftë, tërheqim vërejtjen se një pjesë e krimeve që supozohet se janë kryer, tashmë janë gjykuar nga gjykata kompetente dhe parimi NE BIS IN IDEM, parim ky i vendosur në dispozitën e nenit 4 të KPP-së, pamundëson hapjen e sërishme të hetimeve kurdoherë kur ato tashmë kanë marrë një epilog nga ana e një gjykate.

Në të gjitha ato raste ku ka hapësirë për veprim, Prokurori i Shtetit do të veproj me gjithë forcën e ligjit dhe do të sjellë para drejtësisë të gjithë ata që kanë kryer krime.

Prokurori i Shtetit siguron opinionin se po punon në krijimin e Ekipeve të Përbashkëta Hetimore në adresimin e këtyre dhe shumë çështjeve tjera, ndërsa që fton Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet tjera që t’ia lehtësojnë dhe mundësojnë arritjen e objektivave të Prokurorit të Shtetit, duke përmirësuar kushtet e punës, rritjen e buxhetit, si dhe përmes ndryshimeve ligjore në ligjin për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ligjit për Prokurorin e Shtetit dhe ligjeve tjera relevante, ngase është parakusht themelor krijimi i kushteve elementare në resurset njerëzore dhe infrastrukturës ligjore në luftimin, hetimin dhe ndjekjen e suksesshme të krimeve që kanë ndodhur që nga viti 1999 e deri në ditët e sotme.