Krimet e luftes / arkiv

S’ka prokurorë për t’u zbardhur krimet që kërkon Presidenti

Krimet e kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë duhet të presin ende për t’u zbardhur.

Periskopi.com Lajme

Më 9 prokurorë sa ka gjithsej, Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka kapacitet që të hetojë këto krime, pavarësisht se presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka kërkuar një gjë të tillë.

Sipas Ehad Miftarit, nga Instituti Kosovar i Drejtësisë, një kërkesë e tillë e shefit të shtetit mund të interpretohet edhe si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

Ai ka thënë se për shumë vite, liderët e shtetit kanë injoruar organet e drejtësisë dhe një kërkesë e tillë nga Presidenti Thaçi nuk mund të jetë e sinqertë, raporton KTV

Pas marrjes së letrave të dërguara nga Presidenti, i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, duke thënë se këto letra “janë prioritet i Prokurorisë”.

Gjatë ditës, Lumezi ka mbajtur takim me të gjithë kryeprokurorët, edhe të Prokurorisë Speciale edhe asaj Themelore, si dhe departamenteve të krimeve të rënda.

E zyrtarë të LDK-së që kishin akuzuar PDK-në dhe SHIK-un për vrasjet e ashtuquajtura politike, kanë heshtur.

Lojrat e fatit

Këtë vit janë mbyllur 90 lokacione të lojërave të fatit në Kosovë

Policia e Krimeve Ekonomike dhe Dogana e Kosovës ka ndëshkuar subjekte të lojërave të fatit për shkak të shkeljeve ligjore.

Periskopi.com Lajme

Kjo ka ndodhur në Komunën e Prishtinës dhe Podujevës.

Gjatë aksionit inspektorët tatimor, kanë hasur në subjekte që ushtrojnë aktivitete, në kundërshtim me Ligjin Nr. 04/L-080 për Lojërat e Fatit, dhe si rezultat, janë konstatuar shkelje ligjore si:

  • Zhvillimi i veprimtarisë së basteve sportive- lojëra, të ndaluara sipas ligjit për Lojërat e Fatit , si (keno dhe gara me qen).
  • Identifikimi i tiketave, të cilat nuk kanë poseduar  identifikim të kompanisë – organizuesit të lojës së fatit.
  • Përdorimi i aparateve të basteve sportive të pa licencuara.

Masat e ndërmarra gjatë këtij aktiviteti, janë sekuestrimi i aparateve të basteve sportive të pa licencuara, gjobitja e subjekteve për parregullsitë e konstatuara, si dhe ndëshkime tjera administrative të parapara me Ligjin për Lojërat e Fatit.

Në nëntëmujorin e këtij vitit Drejtoria e Lojërave të Fatit ka zhvilluar 711 vizita, nga të cilat janë mbyllur 90 lokacione. Gjobat e lëshuara për këtë periudha, tek subjektet të cilat kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, janë në vlerë prej 360,250 euro./ Periskopi