Barna / Ilustrim

Serbia ‘kryeson’ me barna ilegale në Kosovë

Derisa tregu i barnave vazhdon të jetë i vërshuar nga Serbia, rrugët ilegale mbeten mënyrat për t’i sjellë ato në tregun e Kosovës.

Periskopi.com Lajme

E, përveç prej Serbisë, në Kosovë produkte ilegale janë hasur edhe ato me prejardhje nga Maqedonia, Shqipëria, Turqia e Greqia.

Janë 76 gjoba që Inspektorati farmaceutik ka shqiptuar ndaj farmacive, ku në 53 raste janë hasur barna ilegale kryesisht nga shteti serb, raporton KTV

Vlera e barnave të konfiskuara nga inspektorati në bashkëpunim me Policinë e Kosovës arrin në mbi 500 mijë euro.

Mirëpo, numri i limituar i inspektorëve në terren dhe kushtet tjera bëjnë që brenda një viti vetëm gjysma e farmacive në vend të inspektohen.

Të dhënat e Doganave të Kosovës flasin se përmes rrugëve legale Kosova ka importuar mbi 3 milionë euro barna nga viti i kaluar deri tash.

Mbi 1 milion euro barna të importuara nga Serbia janë të llojit antibiotik.

Ditë më parë ishte organizata Avonet e cila tërhoqi vërejtjen se që nga viti i kaluar produktet serbe kanë filluar ta vërshojnë tregun në mënyrë të pakontrolluar.

Një pjesë të fajit për këtë gjendje kjo organizatë ua hodhi mjekëve, të cilët sipas organizatës po ua rekomandojnë pacientëve këto barna.

Fajtorë për këtë gjendje sipas Avonet janë edhe Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht Inspektorati dhe doganat.